/Owen Jones/ [1]
Që kur bankat e zhytën botën perëndimore në kaos ekonomik, na është thënë se vetëm shkurtimet e shpenzimeve ofrojnë shpëtimin e ekonomisë. Kur formuan koalicionin e shkurtimeve më 2010-n, konservatorët dhe liberal-demokratët i thanë elektoratit – në terma apokaliptike – se po të mos qe për bisturinë e George Osborne-it, Britania do të ndiqte rrugën e Greqisë. Metafora ekonomikisht analfabete e buxhetit të një familjeje kishte për qëllim të popullarizonte një ide të gabuar dhe të shtrembëruar ideologjikisht: Ti si individ nuk mund të shpenzosh më shumë kur je në borxhe. Atëherë pse u dashka ta bëjë shteti?!
Por tani, falë Portugalisë e dimë se sa difektoz ka qenë eksperimenti i shkurtimeve të zbatuara në Evropë. Portugalia ishte një nga vendet më të goditura nga kriza ekonomike. Pas një pakete shpëtimi nga Trojka, ku përfshihej edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, kreditorët kërkuan vendosjen e masave të rrepta shtrënguese, të cilat u zbatuan më pas në mënyrë entuziaste nga qeveria konservatore në Lisbonë. Shërbimet publike u privatizuan, tatimi mbi vlerën e shtuar u rrit, një taksë shtesë iu imponua të ardhurave, pagat e sektorit publik dhe pensionet u shkurtuan, shpërblimet u prenë dhe dita e punës u zgjat.
Në një periudhë dyvjeçare, shpenzimet e arsimit pësuan një shkurtim shkatërrimtar prej 23%. Shërbimi shëndetësor dhe siguria sociale u gjymtuan gjithashtu. Pasojat ishin të tmerrshme. Papunësia arriti pikun me 17.5% më 2013-n; më 2012-n pati një kërcim falimentimesh ku 41% të kompanive mbyllën dyert; varfëria u rrit gjithashtu. U pretendua se të gjitha këto ishin të nevojshme për shërimin e sëmundjes së mbipeshimit E gjitha kjo ishte e nevojshme të shërohej sëmundja e mbishpenzimit.
Në fundin e 2015-s eksperimentit i erdhi fundi. Një qeveri e re socialiste – me mbështetjen e partive më radikalisht të majta – mori detyrën. Kryeministri António Costa u zotua “të kthente faqen e politikave të shtrëngimeve”: “E kanë çuar vendin tri dekada prapa.” – tha ai. Kundërshtarët e qeverisë parashikuan katastrofën – e quajtën: “ekonomi voodoo“. Ndoshta do të miratohej një tjetër paketë shpëtimi, e cila do ta çonte vendin drejt recensionit dhe shkurtimeve të mëtejshme.
Kishte një precedent në fund të fundit: Syriza kishte fituar në Greqi vetëm para pak muajsh dhe autoritetet e Eurozonës nuk ishin në humor që të lejonin që ky eksperiment të kishte sukses. Si mundi ta shmangë Portugalia tragjedinë e vet greke?
Arsyetimi ekonomik i qeverisë së re portugeze ishte i qartë. Shkurtimet rrudhën kërkesën: për një rikuperim të vërtetë, kërkesa duhej rritur. Qeveria u zotua të rriste pagën minimale, të prapësonte taksën regresive, të kthente pagat e sektorit publik dhe pensionet në nivelet e para krizës – shumica e pagave kishin rënë pikiatë me 30% – dhe të rikthente katër ditë pushime zyrtare të hequra më parë. Siguria sociale për familjet e varfra u rrit, ndërsa një taksë luksi u imponua për shtëpitë me vlerë mbi 600 mijë euro.
Katastrofa e premtuar nuk ndodhi. Në vjeshtën e 2016-s — një vit pasi kishte marrë pushtetin — qeveria mund të mburrej me rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe një rritje prej 13% në investimin e korporatave. Dhe këtë vit shifrat treguan se defiçiti kishte rënë edhe më poshtë se gjysma e nivelit të shkuar — më shumë se në çdo kohë që nga rikthimi i demokracisë dyzet vite më parë. Në të vërtetë, kjo është hera e parë që Portugalia ka kapur rregullat fiskale të Eurozonës. Ndërkohë, ekonomia tani është rritur për 13 tremujorë të njëpasnjëshëm.
Gjatë viteve të shkurtimeve, shoqatat e bamirësisë paralajmëronin për një “emergjencë sociale”. Tani qeveria portugeze mund të na ofrohet si një shembull për të gjithë kontinentin. “Evropa zgjodhi linjën e shtrëngimeve dhe pati rezultate shumë më të këqija.” — deklaroi ministri i ekonomisë Manuel Caldeira Cabral. “Ajo që po tregojmë ne është se me anë të një politike e cila u kthen të ardhurat njerëzve, këta të fundit mund të kenë më shumë besim dhe investimet të rikthehen.”
Portugalia ka rritur investimin publik, reduktuar deficitin, ndalur papunësinë dhe mbështetur rritjen ekonomike. Na ishte thënë se diçka e tillë ishte e pamundur, madje çmendurake. Në këtë mënyrë punëtorët britanikë duruan rrudhjen më kohëgjatë të pagave që prej shekullit XIX, kurse koalicioni qeverisës as iu afrua përmbushjes së angazhimit të saj për të zhdukur deficitin deri në vitin 2015. Pse? Pjesërisht sepse dhënia e pagave të ulëta do të thotë që punëtorët të paguajnë më pak taksa, duke marrë më pak përfitime nga puna dhe shpenzuar më pak para. Portugalia po e rrit kërkesën, Konservatorët e ulën atë.
Suksesi i Portugalisë është në të njëjtën kohë frymëzues dhe frustrues. Gjithë ai mjerim në Evropë — e për çfarë?! Çfarë i mbeti Greqisë, ku më shumë se gjysma e të rinjve u zvarritën në papunësi, shërbimet shëndetësore u asgjësuan dhe u rritën vdekshmëria foshnjore e vetëvrasjet?! Çfarë i mbeti Spanjës, ku qindra mijëra vetë u dëbuan nga shtëpitë e tyre?! Çfarë i mbeti Francës, ku pasiguria ekonomike çoi në rritjen e ekstremit të djathtë?!
Portugalia dhe Britania na japin mësime edhe për demokracinë sociale. Si pasojë e përplasjes me bankat, partitë social-demokrate i pranuan masat shtrënguese. Rezultati? Kolaps politik. Në Spanjë, mbështetja për socialistët ra nga 44% në rreth 20%, nga ku e majta radikale e Podemosit mori nga votat e tyre. Në Greqi, Pasoku thuajse u zhduk si forcë politike. Në Francë, socialistët arritën në më pak se 6% në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të këtij viti. Ndërsa në Holandë këtë vit Partia Laburiste ra ndjeshëm nga një e katërta e votave në më pak se 6%.
Për kontrast, dy partitë social-demokrate që kanë kundërshtuar masat shtrënguese – në Portugali dhe në Britani – tani janë duke performuar më mirë se partitë e tjera simotra. Në të vërtetë, sondazhet i nxjerrin socialistët e Portugalisë 10 pikë përpara partisë së djathtë.
Masat shtrënguese në Evropë janë justifikuar me mantrën “nuk ka alternativë tjetër” [2], me qëllim nënshtrimin e popullsisë: në fund të fundit, duhet të sillemi si të rritur dhe të jetojmë në botën reale.
Portugalia e hedh poshtë këtë dogmë. E majta evropiane duhet ta përdorë përvojën portugeze për t’i dhënë një trajtë të re Bashkimit Evropian dhe ndalur politikat e shtrëngimeve në Eurozonë. Në Britani, laburistët mund të marrin më shumë zemër për të thyer rendin ekonomik të konservatorëve.
E përktheu: Kristi Çunga
Marrë nga The Guardian
Shënime:
[1] Owen Jones është opinionist pranë të përditshmes britanike The Guardian.
[2] “There Is No Alternative” (akronimi TINA) është shprehja e Margaret Thatcher për realizimin e reformave të egra privatizuese në sektorin publik gjatë kohës kur ajo ishte kryeministre në Britaninë e viteve ’70 – ’80.
Imazhi: Wikimedia Commons
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).