/Arlind Qori/
Përpara dy dekadave ndodhte shpesh që nga mbrapa turmës së protestuesve për një kauzë politike të shkëputej një grup i vogël për t’iu turrur dyqaneve të luksit në rrugët kryesore të Tiranës. Askush nuk mund ta përcaktonte nëse bëhej fjalë për kriminelë të vegjël “profesionistë” apo për njerëz të dëshpëruar që përfitonin nga situata për të hedhur një televizor me ngjyra në kurriz. Ndonëse ishin dy akte të së njëjtës kohë, ato i ndante me thikë logjika: masa e madhe e njerëzve luftonin, me të drejtë ose jo, për një kauzë politike, kurse disa të tjerë kishin agjendë, le të themi, “ekonomike”.
Arsyeja e kësaj ndarjeje duhet gjendur te strukturimi i hershëm i kapitalizmit në Shqipëri. Asokohe, fushëveprimi politik dhe ekonomik kishin vetëm lidhje të tërthorta midis tyre. Shteti ishte tërhequr nga veprimtaria ekonomike përmes privatizimit të pothuajse të gjitha ndërmarrjeve publike dhe i jepte vetes thjesht rolin e ruajtësit të rendit ekonomik në fuqi. Transaksionet ekonomike midis qeveritarëve dhe biznesmenëve të mëdhenj kryheshin nën rrogoz. Kështu që pasuritë e këtyre të fundit mund t’i godisje vetëm tërthorazi, pra atëherë kur autoriteti shtetëror shpërbëhej përkohësisht dhe krijonte një vakum pushteti, të cilin disa e shfrytëzonin për rishpërndarje pasurie kaçakçe.
Sot jemi në kushte të reja. Kapitalizmi shqiptar e ka kaluar fazën e pubertetit. Për të akumuluar kapital, biznesmenët e mëdhenj (ose oligarkët ekonomikë) nuk kanë nevojë për shtetin vetëm si garant i rendit ekonomik që u mundëson fitimet në të ashtuquajturin treg të lirë. Ata kanë nevojë për ortakëri ekonomike me shtetin. U duhet që ky i fundit të dorëzojë (japë me koncesion) pasuritë e mbetura natyrore, territorin, shërbime publike jetike dhe, në fund, funksione bazike administrative.
Pasi janë dorëzuar minierat, nafta, lumenjtë, parqet, shërbimet spitalore dhe universitetet, radha u ka ardhur rrugëve. Një shërbim bazik publik si mirëmbajtja e rrugëve, më konkretisht e Rrugës së Kombit, qeveria aktuale ia ka dorëzuar firmës së një prej oligarkëve më famëkeq në Shqipëri. Kjo ortakëri (ose partneritet publik-privat, pëpëpë) e kthen shtetin në privat dhe privatin në shtet. Prona private e oligarkëve, kësisoj, nuk ruhet si çdolloj prone tjetër. Ajo trajtohet me mbrojtje të veçantë si pronë publike sepse cenimi i saj, sipas hartuesve të pëpëpëve, është njëkohësisht cenim i autoritetit të shtetit. Ja edhe sot, populli që sulmoi shushunjën parazitare të vendosur mbi rrugën publike, dashje pa dashje, bllokoi edhe rrugën për disa orë.
Kjo koklavitje absurde pronësie shpjegon edhe ngatërresën e pronës private me atë publike në reagimin e Ramës dhe pushtetarëve pas protestës së sotme. Për ta, prona e ortakëve është de facto edhe e tyrja dhe de jure edhe publike. Në këtë rast, interesi publik nuk lidhet më me lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, por me paprekshmërinë e pronës së përbashkët privato-publike. Kështu që sot, në emër të publikes, nuk kërcënohen uzurpatorët privatë, as bashkëpunëtorët e tyre në qeveri, por populli, i cili ka akoma në mendje një konceptim të vjetruar të publikes, të farkëtuar në kohën kur publikja ishte publike dhe privatja private.
Populli i Kukësit dhe i rrethinave sot, edhe po të donte, nuk kishte rrugë tjetër veçse të godiste politikisht, drejtpërdrejt dhe për herë të parë në këtë çerekshekulli, pronën private oligarkike. Për herë të parë policët nuk ishin rreshtuar përpara një institucioni publik, as godisnin dhe goditeshin në emër të publikes. As zjarri nuk iu vu, si herë të tjera, godinës së kryeminstrisë apo ndonjë ministrie, por zyrave dhe infrastrukturës haraçore të një firme private.
Ajo që ndodhi në Rrugën e Kombit hap një fazë të re të rezistencës politike dhe kundërvënies ndaj saj. I zaptuar në fushë pas fushe, park pas parku, rrugë pas rruge, spital pas spitali – kushedi nesër edhe shkollë pas shkolle – populli i revoltuar nuk do të ketë më “luksin” të godasë drejtpërdrejt vetëm pushtetin politik, pikërisht sepse goditjet i vijnë nga ortakëria midis qeverisë dhe oligarkëve privatë. Dhe nuk duhet të habitemi sikur shumë shpejt kundërvënia ndaj rezistencës të mos vijë vetëm nga policia e shtetit, por edhe nga paramilitarët e oligarkëve.
Ky është shteti i pëpëpëve.
Imazhi: Koha Jonë
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).