Republika mediatike

/Edon Qesari/ 

Këto ditë ka shpërthyer një gurgule e madhe në Itali, pasi një nga organet më të çmuara dhe me traditë të shtypit vendas, gazeta “La Repubblica”, është blerë rishtas nga grupi FIAT (që nuk quhet më kështu, por FCA Group, fill pas pleksjes së industrive FIAT dhe Chrysler nën një suazë aksionerësh). Në avanskenë, natyrisht, qëndron la créme de la créme e borgjezisë së madhe italiane, familja Agnelli, e cila bëhet kështu pronare e gazetës së dytë të vendit, pasi zotëron prej shumë kohësh gazetën e tretë dhe të pestë (“la Stampa”, “il Secolo XIX”) dhe ka pasur në dorë për ca kohë të parën (“Corriere della Sera”).

Janë një grup interesi, Agnelli-t, që përfaqësojnë diçka më tepër se emërtesat shpesh përgjithësuese që përdoren në këto raste. Më shumë se oligarkë, Agnelli-t dhe interesat e tyre sipërmarrëse janë monarkë të ekonomisë industriale italiane duke qenë më të mëdhenjtë e sërës së tyre në Itali. Si të tillë kanë në dorë shumëçka, që nga skuadra e parë futbollistike e vendit deri te kontrolli i tërthortë i Konfindustrisë – një tiranozaur interesash padronale që i pëlqen të cilësohet si “sindikatë e sipërmarrësve”.

Ç’është më e rëndësishmja, tentakulat ekonomike të Agnelli-ve janë njëkohësisht përfituesit më të mëdha të të gjithave trajtave të fondeve publike (që nga kreditë deri te subvencionimet) që shteti italian hedh në duart private. Në këtë drejtim, shtëpia Agnelli pasqyron evolucionin më të sofistikuar të zhvillimit kapitalist italian dhe evropian: atë ngrehinë akumulimesh që prej dekadash – që shkojnë pas deri në epokën liberale dhe atë fashiste, kur Agnelli-t nuk hoqën asfare siklete për të bashkëjetuar me regjimin – tjerr, lëvron, kafshon, kollofit dhe tret fonde publike prej qindra miliarda eurosh tanimë.

Në fazën më shkëlqyese të zhvillimit të gjithanshëm neoliberal, kapitali financiar dhe publik i kësaj përmendoreje të kapitalizmit italian është mbajtur në këmbë jo dhe aq nga një shkathtësi sipërmarrëse e dalluar, sa nga manovrat fiskale të shtetit italian që, përmes barrës fiskale të ngarkuar mbi supet e qytetarëve të vet, u kalonte Agnelli-ve llokma të shijshme likuiditeti dhe marifetesh të tjera mbështetëse, gjithë sa herë këta gjendeshin në zgrip të rrënimit. Gjithçka përligjej me rrezikun që një zhytje e Agnelli-ve në gropë do t’i hapte rrugën papunësisë së gjithë armatës së të punësuarve në të – e si pasojë, falimentimi i interesave të tyre industriale do të shkaktonte hapjen e portave të ferrit politik, me konflikte të ndezura, greva të shumta dhe fundin e paqes sociale, mbi të cilën mbështetet zakonisht nginjia e çdo ndërmarrjeje private që ushqehet rregullisht në mensa publike.

Po pse një përthithëse e tillë fitimesh, siç është shtëpia e Agnelli-ve, u rrek dhe mundi të zotërojë një gazetë e cila, pavarësisht emrit faqebardhë, mbetet përfaqësuese e një “biznesi” që nuk ecën në ditët e sotme? Pse një derë e madhe pinjollësh të ndritur liberalë, që nuhasin kudo blerjet e leverdishme, marrin në dorë një prej gagaçëve të medias së shkruar që sot nuk shet më (e që gëzon namin e të qenit, për më tepër, një organ që shkon kah së majtës së moderuar etatiste)?

Natyrisht sepse ia vlen barra qiranë. E nuk duhet të shohim ndonjë version të restauruar të “Citizen Kane” për të kuptuar një të vërtetë të tillë elementare.

Sepse me një përqendrim të tillë të gjithë rrjedhave të informacionit në pak duar, pavarësisht humbjeve që futen në xhepin e tyre – ose më saktë të atyre që Agnelli-t mundohen t’i mbajnë me kimet, pra funksionarët e lartë të shtetit – mediat sot, edhe kur janë tradicionale, mbeten gjithsesi një kamxhik jo pak ndikues. “La Repubblica”, përtej formatit të vet të shkruar, ka arritur të ndërfutet jo keq në sistemin e përpunimit online të informacionit. Nëpërmjet saj dhe skeletit të burokratizuar që ajo mban në këmbë – e që ka bërë shkollë në lëmin e gazetarisë së shumëllojshme – mund të drejtosh, të orientosh e të ndikosh deri diku opinionin publik.

Së paku aq sa t’u kallësh datën atyre që lëngojnë në krye të institucioneve; atyre që shqetësohen shumë më tepër nga kurba e pëlqimeve të përkohshme – shpesh e infektuar nga mekanizma të shumëllojshëm manipulimi – se nga ecuria në terren e përgjegjësisë publike dhe politike. Sepse e kësaj shëmbëlltyre është politika e kohëve të sotme: me largpamësinë e saj ajo sheh maksimumi afate dyvjeçare (se po të shihte më tej do të vetëndëshkohej si ëndërrimtare). Kësodore, një presion i tillë, një mbajtje e tillë prej testikujsh, e kthen politikën në shërbyese të bindur të interesave mediatikë, që çorbën e përditshme e hanë tanimë në sallonet ku hynë dhe dalin mysafirë me livando verdhushkash.

Prej nga rrjedh dhe droja e madhe e politikanëve prej bizneseve që synojnë të kalërojnë mediat; prej nga rrjedh dhe kapja e politikanëve që këtyre interesave kapital-mediatike u tremben sa për kërcënimet, aq dhe prej butësisë që u kanë treguar përmes metodave joshëse.

Janë këta politikanë që kontrollojnë miliarda e miliarda të hollash. Siç është rasti konkret i qeverisë italiane, e cila duket se do të tërheqë një pjesë të majme të atyre Recovery Funds që Komisioni Evropian i ka taksur vendeve të BE-së si pasojë e rrebeshit ekonomik që ka pasuar COVID-in 19. Fonde që Konfindustria i kërkon më ngulm, shumë më shumë se ato që deri tani ka marrë apo që i janë premtuar; e që ndër mënyrat më premtuese që duket se do i zbusë kurrizin krerëve të shtetit italian ka dhe valëvitjen e kërbaçit mediatik. Në këto raste, politikanët që trimërohen vetëm me likes-e dhe shares-e, zbuten para vetë kurrizit të tyre. Dhe raison d’état kthehet shpejt në dorë të lirë (e të shtrirë) ndaj tregut.

Imazhi: Emanuele Fucecchi/TPI.it

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.