/Arlind Qori/
Ndoshta kapitalizmi do të dalë prej krizës ku po zhytet dita-ditës, por me siguri mitet që e kanë mbajtur në këmbë ideologjikisht nuk do t’i mbijetojnë virusit. Askush nuk mund ta thotë se sa kohë do t’i duhet në të ardhmen për të farkëtuar mite të reja, por me siguri pa to, edhe po i shpëtoi pandemisë, nuk do ta ketë të gjatë.
Deri dje ishte çimentuar bindja se ishim vetëm në botë – ashtu dëshironim dhe duhej të ishim: atome që me të tjera atome na lidhte vetëm interesi reciprok i momentit. Të tjerët ishin veç instrumente të realizimit të qëllimeve vetjake. Nëse kishte vend për të folur për interesin e përgjithshëm, atij mund t’i shërbehej vetëm duke iu përkushtuar interesit vetjak. (Adam Smith-i ishte i mendimit se barkun në mbrëmje nuk ma e mbush dashamirësia e bukëpjekësit për mua, por thjesht dashuria e tij për veten dhe nevoja për paratë e mia.)
Sot, të izoluar me pak familjarë, me nostalgjinë e mbledhur lëmsh për të folur ballazi me një shok, duket sikur himnet për hiperindividualizmin nuk këndoheshin pak javë më parë, por i përkasin epokës së Eposit të Kreshnikëve. Të frikësuar e të lodhur me veten e atomizuar, po kuptojmë se të jesh me të tjerët (mitsein e quan Martin Heidegger-i), qoftë edhe për një bisedë të kotë, të përmbush duke të kujtuar se jemi kafshë shoqërore.
Edhe në trajtë më prozaike, në kushtet e një pandemie të cilës nuk i duket fundi, si mund ta ruajmë shëndetin vetjak nëse nuk ruajmë njëkohësisht atë të tjerëve?! Ç’kuptim ka karantinimi individual nëse të tjerët mblidhen turma-turma?! Që nesër të mos luftojmë si ujq me njëri-tjetrin për të korruptuar a kërcënuar doktorin që duhet të zgjedhë se cili prej nesh meriton një shans për të jetuar, sot kemi nevojë t’i ruajmë të tjerët si kurrë më parë.
Ky solidaritet nuk mund të jetë vetëm shëndetësor. Infektueshmëria rritet nëse shumë prej nesh janë të detyruar të punojnë afër njëri-tjetrit. Në disa sektorë ky është rrezik i pashmangshëm nëse nuk duam të vdesim urie, po vazhdimi i punës aty ku nuk prodhohen të mira bazike është i neveritshëm moralisht. Po ashtu rreziku për të gjithë ne rritet nëse bashkëqytetarët tanë të varfër e të pastrehë nuk kanë alternativë tjetër përveç endjes rrugëve në kërkim të një pune, kazani mbeturinash apo lëmoshe. Siç intensifikohet ndjeshmëria jonë, në dobësinë e karantinës, për fatin e atyre që deri dje nuk i kishim vënë re, në mos i përçmonim fare. Prandaj shëndeti dhe mirëqenia e të gjithëve bëhet kusht i shëndetit të gjithsecilit individualisht. Duke e kthyer kokëposhtë mitin e deridjeshëm, sot e vetmja mënyrë për t’i shërbyer interesit vetjak është të kontribuosh për interesin e përgjithshëm.
Ndryshe nga dogma sunduese e dekadave të fundit – e përmbledhur në shprehjen e Margaret Thatcher-it se “shoqëria nuk ekziston, ka vetëm individë” – po shohim jo vetëm se shoqëria ekziston, edhe me distancim fizik, por mbi të gjitha ekziston shteti. Sot ai është i vetmi agjent që mund të marrë masa me interes mbarëshoqëror, edhe në një vend të rrëgjuar politikisht nga kapja e qeverisë prej oligarkëve dhe interesave të të fortëve.
Edhe më shpejt se hiperindividualizmi, nga skena e historisë po rrokulliset ideja e një tregu të vetërregullueshëm. Mjaftonte ta lije të lirë – thoshin – dhe tregu do t’i siguronte gjithkujt mirëqenie. Mjaftuan pak javë pandemi që anarkia (ose nomokracia, siç e merr me të mira Friedrich Hayek-u) e tregut të kthehej në kaos dhe miliarderët anembanë botës të kërkonin ndërhyrjen shpëtimtare të shtetit. Në kohë të tilla iracionaliteti që e shoqëron kaherë kapitalizmin vërshon nga të katra anët. Tregjet nuk i përgjigjen nevojave shoqërore, por kërkesës që matet nga dëshirat dhe aftësia tejet e pabarabartë për të paguar. Ato janë të goditshme nga pasiguria dhe mungesa e besimit se punët do të shkojnë mbroth. Në kapitalizëm e para është frika nga kriza, pastaj vjen kriza si rezultat i të parës. Mjafton ndryshimi i disa parametrave, rënia e vlerës së disa aksioneve kyçe dhe papritmas të gjithë fillojnë të shesin duke e ulur me rrokopujë vlerën e gjithçkaje. Atë që dymbëdhjetë vjet më parë e bënë disa banka gjigande sot po e realizon një virus i vockël sa më s’ka. Njëlloj si atëherë, për të qetësuar tregjet – si të ishin fëmijë që mund t’i zërë gjumi vetëm po i siguruan prindërit se ujkut ia tregojnë ata qejfin – shtete si SHBA po vendosin të hedhin shuma të papërfytyrueshme dollarësh në treg (afërmendsh jo përmes taksimit rishpërndarës të pasurisë, por duke shtuar borxhin apo printuar kartëmonedha).
Kontrolli në pak duar private i kapitalit të madh dhe i vendimmarrjes mbi investimet prodhuese dhe shpërndarjen na solli në këtë ditë ku edhe në vendet më të fuqishme të botës mungojnë pajisjet bazike mjekësore për të përballuar emergjencën shëndetësore. Thjesht imagjinoni se sa aparate të frymëmarrjes artificiale, shtretër spitalorë apo mjekë të përgatitur mund të kishim sikur një masë e konsiderueshme kapitali të mos investohej, për shembull, në industrinë e reklamës, në armatim apo të tjera marrëzi e poshtërsi të këtij kalibri! Edhe sot në vende si SHBA, këmbëngulja qeveritare për të mos e detyruar sektorin privat të prodhojë me përparësi pajisjet e nevojshme mjekësore po e vështirëson luftën ndaj pandemisë.
Sot çdo shoqëri ka nevojë për të vendosur një hierarki nevojash, të ndajë sektorët ku puna duhet të vazhdojë me çdo kusht, madje duke rritur prodhimin, dhe të tjerëve ku ajo duhet të ndërpritet; si dhe për të planifikuar importin e materialeve të nevojshme, shpërndarjen e të mirave të konsumit, fuqisë blerëse etj. Përndryshe, në duart e tregut do të jemi në rënie të lirë, të infektuar me miliona, për të mos përmendur bllokimet e mundshme të zinxhirit prodhues që, në skenarin më të keq, mund të na çonin drejt pamjaftueshmërisë së të mirave bazike.
Pas dekadash globalizimi çmendurak, ku shoqërive iu hollohej vazhdimisht jo vetëm sovraniteti politik, por edhe kontrolli minimal mbi fatet e tyre, duket sikur shtetet po bëjnë llogari (së paku afatmesme) për të siguruar brenda territorit të tyre të mirat bazike. Autarkia e plotë është iluzive, por vetëmjaftueshmëria sidomos në prodhimin e këtyre të mirave (ushqim, një pjesë të ilaçeve, energji elektrike etj.) po mendohen seriozisht si zgjidhje afatgjata për t’i rezistuar kohëzgjatjes së pandemisë apo përsëritjes së mundshme të saj.
Koha e re jo vetëm po trondit blloqet gjeopolitike, por edhe po vendos në krizë dy “armiqtë” e dekadave të fundit: globalizmin kozmopolit liberal dhe nacionalizmin populist. Është e vërtetë që sot, në panik e sipër, çdo shtet po mbyllet në zhguallin e vet, por të gjithë e dimë se as ilaçi, as vaksina dhe as të mirat bazike që prodhohen anekënd globit nuk mund të vijnë si rezultat i mburravecërisë dhe izolimit nacionalist, ashtu sikundër virusi nuk pyeti për kufij shtetërorë e kombëtarë për të na hyrë të gjithëve. Nga ana tjetër, globalizmit liberal duket se po i vjen fundi pasi nuk qe i zoti, as në kufijtë e Evropës, që të përgatisë një rrjetë ndihme reciproke (rroftë Kuba e Kina thërrasin në Itali, ku Bashkimit Evropian nuk i duket as nami as nishani). Sot jemi pjesë e një anijeje-botë, ndonëse përkohësisht të mbyllur në kupe të ndryshme. Prej tyre mund të dalim dhe ta çojmë anijen në drejtimin e duhur vetëm nëse rizbulojmë parimet bazë të një internacionalizmi që bashkon 99-përqindëshin në të njëjtën luftë për ndryshime strukturore.
Pandemia po zhbën edhe anësinë ideologjike të marrjes së të drejtave shoqërore si të drejta të dorës së dytë. Në mendimin politik liberal, të drejtat civile (p.sh. ajo e pronës, liria e ndërgjegjes, paprekshmëria e personit) konsideroheshin parësore (qëllim në vetvete), të drejtat politike dytësore (mjete për realizimin e të parave), ndërkohë që të drejtat shoqërore, në rastin më të mirë, shiheshin si objektiva shoqërorë. Mendohej: “Mbase s’do të ishte keq të siguronim kujdes shëndetësor, arsimim cilësor apo strehim për të gjithë, por vetëm me kushtin që kjo nuk do të trazonte as stabilitetin e tregjeve, as paprekshmërinë e kapitalit, as të drejtat civilo-politike.”
Sot nuk ka shtet në botë që nuk po e koncepton kujdesin shëndetësor një të drejtë bazike të njeriut, të lidhur jo vetëm me shëndetin e të tjerëve, por edhe me mbijetesën e jetës së qytetëruar. Këto ditë përpara kujdesit shëndetësor, minimumit jetik, rrogës së qytetarisë, strehimit dhe arsimimit cilësor (nga ku nesër do të kemi më shumë mjekë, infermierë apo shkencëtarë të zotë), të drejtat e tjera duken të dorës së dytë. Jo më kot, gjendja e jashtëzakonshme që po vendoset shtet pas shteti po na kufizon të drejtat civile dhe politike (për shembull, lirinë e lëvizjes apo dhe tubimeve), por edhe po sjell me pahir në krye të hierarkisë së nevojave shëndetin e çdo qytetari.
Që këto të fundit të ndodhin duhet të sakrifikohet edhe një nga lopët më të shenjta të ideologjisë sunduese: paprekshmëria e pronës së madhe private. Shtete si Spanja kanë rekuizuar tanimë infrastrukturën e spitaleve private (edhe në Shqipërinë e një kodoshi neoliberal si Edi Rama spitaleve private u është dhënë urdhri të jenë në gatishmëri për të përballuar pandeminë). Nëse karantinimi do të vazhdojë me muaj dhe emergjenca ekonomiko-shoqërore mbi një vit (siç po mendohet gjithnjë e më shumë), shtetet do të jenë përballë dilemës: shpronësim i pjesshëm i pronës së madhe private (p.sh. taksë e jashtëzakonshme mbi miliarderët) apo kaos në barkun e të cilit hedh shkelma revolucioni i ardhshëm.
Emergjenca shëndetësoro-shoqërore po na shtyn edhe drejt rivlerësimit të punëve që deri dje i përçmonim ose nuk kishim vëmendje për t’i dalluar. Kush guxon sot të nënçmojë punën e infermierit (që, për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve, rrezikon edhe më shumë se mjeku); apo punën e bujkut, punëtorit të supermarketit, transportuesit të ushqimeve, shitëses së bukës, kujdestares së azilit, pastruesit të rrugëve etj.?! Sot nuk mund të mos e pyesim veten se për çfarë dreqin na duhen thithëlopat e quajtura oligarkë apo CEO, lere më zulma e privilegjuar e kokëboshëve të shoqërisë së spektaklit. Përfytyroni, nga ana tjetër, se sa miliona euro kemi hedhur në kosh si shoqëri duke ngritur dhjetëra universitete private që veç sa kanë fabrikuar diploma, ndërkohë që mund të investonim në zhvillim ekonomik të qëndrueshëm që sot do të na bënte shumë herë më të përgatitur në përballimin e emergjencës!
Pandemia po i jep fund edhe një dikotomie të rrejshme ideologjike, që për dekada ka vënë në kontradiktë lirinë e mirëqenien personale me disiplinën. Sot e vetmja mundësi për të ruajtur shëndetin – si kusht i çdo lirie të mundshme – është vetëdisiplinimi, planifikimi dhe kufizimi i lëvizjeve, madje edhe shmangia e prekjeve përmalluese me më të dashurit. Ta duash prindin e moshuar do të thotë t’i çosh shportën e pazarit te dera dhe t’ia bësh me dorë nga larg. Për dekada, ideologjia sunduese, në fillim në Perëndim, ka vendosur në krye të vendit jo vetëm hiperindividualizmin, konsumerizmin, por edhe aspiratën e një stili jetese bohem, ku shpengimi e papërgjegjshmëria – deri në nxjerrjen e gishtit të mesëm botës – konsideroheshin virtyt. Përgjegjëse në këtë ka qenë edhe një pjesë e të majtës, sidomos e kokorroçëve të klasës së mesme, që ka lindur pas lëvizjeve studentore të 1968. Sot disiplina është domosdoshmëri. E vetmja zgjedhje është ajo mes disiplinës së një shteti që rrezikon të kthehet në Leviatan dhe vetëdisiplinës. Moskokëçarja nuk është më heroizëm dandy-sh, por rrezik publik dhe përligjës i domosdoshmërisë së Leviatanit burokratik. Të vetmet mënyra për ta luftuar atë janë vetëdisiplinimi, koordinimi vullnetar me njëri-tjetrin dhe kërkesa e vazhdueshme e llogarisë ndaj pushtetarëve.
Vitet e fundit patën shënuar gjithashtu një hov të teorive konspirative. Të mësuar me to, shumë prej nesh pritën që pandemia e koronavirusit të shoqërohej me pandemi idesh çmendurake. Jo se ato kanë munguar, por janë davaritur shpejt, duke u kthyer në margjinat ku kanë gjalluar historikisht. Vendin e hipotezave të tipit “Koronavirusin e kanë shpikur kinezët apo amerikanët në laboratorë, po e shumëfishon Putini apo e ka hedhur Sorosi për të shpopulluar Hungarinë e Shqipërinë” po e zënë diskutimet (divulgative) shkencore dhe tentativa për të menduar racionalisht të gjitha alternativat e mundshme. Imuniteti ndaj teorive konspirative ka të bëjë më situatën potencialisht katastrofike që ta pamundëson mosmarrjen e saj seriozisht, si dhe prapakthimin e frymëzuesve të mëdhenj idiotësive të tilla, si p.sh. Donald Trump-i, të cilët, sot në pushtet, pavarësisht se hedhin vickla, nuk kanë luksin të luajnë me zjarrin, por janë të shtrënguar t’ua vënë veshin shkencëtarëve dhe ta mbajnë diskutimin në nivel racional.
Interesimi global për shkencën jep shpresë jo vetëm për ridrejtimin e përparësive në të ardhmen: investime serioze në kërkim shkencor, shpikje, por edhe orientim publik i tyre, si dhe ringritje e arsyes publike. Ca fanatizmi fetar, ca kulti i injorancës si shprehje e rrejshme e demokracisë dhe ca ultraskepticizmi i teorive postmoderne e kishin vendosur arsyen në cep të ringut. Jo se arsyeja abstrakte nuk meritonte të kritikohej, sidomos kur i kishte braktisur themelet e veta dhe ishte kthyer në instrument të fitimit apo të qëllimeve obskurantiste (nazizmi). Porse kjo kritikë duhej bërë në emër të një arsyeje kritike, vetëkritike madje, dialektike në kuptimin e zhvillimit historik të saj krah për krah me punën e krijimtarinë njerëzore, si edhe me veprimtarinë kolektive të lëvizjeve emancipuese që dritën e arsyes e kanë përthyer për t’u dhënë zë e nxjerrë nga moskuptimi vuajtjeve deri dje të parrëfyeshme.
Imazhi: Rodel Tapaya
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)