/Klodi Leka/
Në kuadër të shfryrjes së dufit ndaj RAI 3, televizionit të tretë publik italian që nëpërmjet një reportazhi ekspozoi marrëdhëniet midis elementit kriminal me burokratë të lartë shqiptarë, përveç shantazhit, Edi Rama vuri në shërbimin e tij edhe kartën vetëviktimizuese të racizmit: “Edhe nëse programi juaj ka çdo të drejtë të kritikojë duke bombarduar qeverinë e vendit të tij, ai nuk ka të drejtë ta bëjë këtë duke njollosur vendin tim dhe fjalën ‘shqiptar’ me shpifje.”
Sipas Edi Ramës, sulmi ndaj tij motivohet nga paragjykime raciste italiane kundrejt shqiptarëve, duke e barazuar me dredhi veten me vendin dhe popullin, si dhe duke ngritur në hipotezë që edhe nëse është e vërtetë, në fakt Edi Rama është ushqyesi më i madh i saj. A nuk është në fund të ditës ai që, i ekzaltuar nga intervistat në gazetat bulevardeske italiane, riprodhon stereotipa të shumta raciste mbi shqiptarët si siçilianë të viteve ’70 të veshur me marka të modës italiane, si një vend ku të gjithë e zotërojnë gjuhën italiane, si një popull kreditor që ka borxhe për t’i shlyer superfuqisë së Adriatikut, si parajsë fiskale pa taksa dhe sindikata, aq sa krahason me zgërdhirje anijen “Vlora” me turmën e turistëve italianë të zbarkuar në Shqipëri?!
Por nuk është vetëm elementi diskursiv që e shfaq Edi Ramën si një krokodil vajtues, por mbi të gjitha politikat zhvillimore të cilat ia imponojnë zhargonet autoraciste ndaj popullit dhe shtetit shqiptar. Duke e projektuar veten si një monark i vogël i periferisë së perandorisë që ka pushtet të pakufizuar mbi territorin shtetëror duke falur llokma ishujsh për kampe refugjatësh afrikanë, për arabë të pasur, për familjarë pushtetarësh të huaj, për industrialistë, për piratë, për këdo që ka një grusht me para – jo rrallë të zeza e të përgjakura – ai vetë dhe i gjithë vizioni i tij mbi Shqipërinë si një kuplara turistike, si një kazino e shpëlarjes së parasë së pistë, si një tokë e errët eksperimentale ku secili kolonializëm kryen punët e tij të ndyra, nuk mund të çojë në asnjë përfytyrim alternativ për Shqipërinë përveçse të një republike bananesh.
Kësisoj, përgjegjësinë përse Edi Rama mund të gjykohet si shqiptar i keq e ka pikërisht vetë Edi Rama, burri i fortë, kapoja, mëkëmbësi i Duçes, autori i një ideologjie perverse që proklamon se një popull i vogël si i yni as nuk mund të paramendojë të jetë tjetërçka përpos një mejhane, motel, autostradë, bazë e huaj ushtarake, krah i lirë pune, mercenar arnaut me pallën në brez dhe kurrsesi një komunitet historik që jeton në mal, në fushë, në det, bujk, blegtor, proletar, profesionist, poet, me ndjenjën e përkatësisë dhe pavarësisë nacionale. Veç në krye të një Shqipërie të tillë, të reduktuar në shprehje gjeografike për guida, think tank-e dhe aleanca okulte, mund të mbijetojë Edi Rama. Në Shqipëritë e tjera, të mundshme, ai nuk mund të jetë veçse ai që është: kaudiljo i një shtetthi prej kartoni, një fashist servil i vendit të vogël.
Imazhi: The Contrary Mary
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.