/Klodi Leka/
Feminizmi shtetëror ka një histori të vjetër në Shqipëri. Ai është forma më dominante e feminizmit këtejpari. Është ekskluzivisht feminizëm i burrave dhe i strukturave të mëdha. Ai është feminizëm i dekretuar nga lart, pa momentum së poshtmi. Që prej lëvizjes për pavarësi kombëtare në fundshekullin XIX, diskutimi mbi gjendjen dhe të drejtat e grave është ushtruar si rregull nga seksi tjetër, ai i forti, falliku. Për shembull, letërsia jonë. Zëri femëror në të është zëri i një burri. Natyrisht i një burri progresist për kohën, i një burri me ndjeshmëri të lartë dhe sens të drejtësisë, por sidoqoftë i një burri. Dhe këtu kemi një traditë të gjatë burrash që hollojnë zërat e tyre në funksion të emancipimit: “Fitnetja” e Sami Frashërit, “Bardha” e Pashko Vasës, “Marigoja” e Çajupit, “Lejla” e Konicës dhe një mijë personazhe të tjera gra që do t’i referoja këtu pa u lodhur nëse nuk do të na duhej ta shtronim çështjen më tej.
Pas shpalljes së pavarësisë dhe sidomos pas konsolidimit të shtetit shqiptar, pra pas 1920-s, kohë kur me forcimin e pozitës shtetërore në arenën ndërkombëtare kemi një riorientim të jetës politike te çështjet e brendshme, shohim diskutimet e para mbi rolin e gruas në shoqëri. Edhe këtu janë burrat ata që zotërojnë pushtetin e fjalës. Më 1923 në kuadër të paqëndrueshmërisë politike — kemi qeveri që bien njëra pas tjetrës, klika politike që shkrihen dhe ripozicionohen brenda natës — dhe ligjit për zgjedhjet e ardhshme elektorale, përveç mënyrave të votimit dhe organizimit territorial, shohim të flitet edhe për gruan, nëse ajo duhet të gëzojë të drejtën e votës ose jo. I pari që flet, kryepeshkopi ortodoks dhe njëkohësisht deputeti Visarion Xhuvani[¹] thotë se gruaja si krijesë e Zotit është e barabartë me burrin dhe duhet ta gëzojë të drejtën e votës, por ajo është analfabete dhe se ata nuk zotërojnë asnjë statistikë të saktë mbi numrin e grave që plotësojnë kriteret e shkrim-këndimit. Hilë Mosi, përfaqësues i borgjezisë së vogël qytetare, thotë se gruaja duhet të lejohet të votojë anipse analfabete, ngaqë për nga natyra është më përparimtare se burri, por si zgjedhëse e dytë, pra si qytetare e dorës së dytë. Në fund, parlamenti i 1923 e refuzon si të parakohshme të drejtën e saj për të votuar.
Në fund të viteve ’20 dhe në fillim të viteve ’30, me dhënien fund të paqëndrueshmërisë politike përmes personalizimit të pushtetit në kuadër të një monarkie autoritariste – e cila sidoqoftë e lejoi njëfarë lirie të kontrolluar shtypi – shohim edhe diskutimet e para gazetareske mbi gruan. Edhe këtë herë sigurisht nga burrat. Jo pak nga të cilët klerikë, latifondistë, konservatorë, por edhe nga zëra margjinalë burrash me pikëpamje të majta, në revista si “Bota e re”. Janë të njohura shkrimet e Zalavanit kundër ferexhesë, të Stërmillit kundër martesës me detyrim, të Spasses kundër leviratit (martesës me të vëllanë e burrit pas vdekjes së tij), të Migjenit për dashurinë e lirë, por edhe britmat e Hoxhë Kadri Prishtinës kundër feminizmës së Mati Logorecit, si dhe tradicionalizmin e moderuar të At Anton Harapit[²] me tezat mbi “lirinë e kufizuar të gruas”, moderim që nuk u pa edhe aq më 1929, kur shfuqizimi i gjykatave fetare për t’i hapur rrugë Kodit Civil, i cili i jepte gruas të drejtën e divorcit dhe gjykatave shtetërore tagrin e të gjykuarit të çështjeve civile, u shoqërua me protesta dhe peticione të potershme nga kleri katolik[³].
Por ajo çfarë ishte më groteskja në këtë traditë të gjatë të diskutimit për gruan nga burrat, ishin diskutimet e grave për gratë, e grave që – hiq Olga Plumbin, një pioniere e jashtëzakonshme e mendimit politik femëror në Shqipëri – ishin gra të klasës së lartë, gra të oborrit mbretëror, gra ideologjikisht të djathta. Në 1929, pas votimit të Kodit Civil, e motra e monarkut Zog krijon shoqërinë “Gruaja shqiptare”, në revistën e së cilës “Shqiptarka”[⁴], paternalizohej gruaja e varfër si e plogësht, injorante, e pisët dhe se përmirësimi i pozitës së saj ishte në thelb një çështje e edukatës personale dhe jo e vazhdimit të shtypjes shumëshekullore. Kësisoj në të lexojmë shkrime të vogla katekiste mbi “shkencën e punëve të shtëpisë”, natalitetin, racën, monarkinë si dhe ligjërata pedante mbi përgjegjësinë e të drejtave të dhuruara. Në këtë pikë është epitomë e feminizmit shtetëror ligjërata cinike e njëfarë D. Poppa mbi këtë dukuri:
S’ka dyshim se nji nga veprat monumentale – dhe ndofta vepra ma e madhe e N. Madhënis se Tij Mbretit t’onë August asht dhe Kodi Civil i ri. Por pa dashun të nënçmojmë inteligjencin e këndonjesve t’ona sharmante, munt të themi pa egzazherim që shumë pak janë ato nga gratë shqiptare që kuptojne randësin’ e detyrimeve dhe të dreitavet, që reforma e re ka krijue për to. Simbas Kodit të ri, të drejtat dhe detyrimet midis bashkëshorteve janë reciproke nga pikpamja legale – pra théorike – gruaja asht nji soj me burrin [⁵].
Megjithatë, përtej orvatjes për kapërdirjen e plotë shtetërore të çështjes së gruas, gazetarët e regjimit monarkist e nuhasnin fare mirë pakënaqësinë në rritje të popullatës dhe sa të pamjaftueshme ishin për gratë këto të drejta formale në kushtet e një katastrofe të përgjithshme. Kësisoj krahas pedagogjizimit të barazisë së dhuruar gjinore, mprihnin edhe thikat ndaj çdo zëri kritik kundrejt projektit të tyre modernizues, madje me një egërsi vetësabotuese:
S’kemi as nga ata që ankohen nga fati i përulet që shoqëria i ka caktuar gruas dhe nderojnë për të të drejta të njëpërnjeshme me burrat. Të tilla persona, burra qofshin ose gra, që veprojnë duke mos u-menduar thellë, me kapriço ose me një ignorence trashanike, lumturisht na mungojnë. Ç’do të bëhej, me të vërtetë, jo vetëm lumturia publike, po edhe e brendëshmeja e shtëpive, po të qe se grat zenin pune publike, bëheshin nëpunëse, avukate, gjykatëse etj., pasi burrat, të paktën sot për sot, s’mund t’i bëjnë punët e tyre? Qytetërimi i Oksidentit i ka parë mjaft dëmet e një gjendjeje të këtille dhe ka pesë a gjashtë vjet që përpiqet më kotë të kthehet prapa [6].
Dhe një nga këto zëra që vinte në pah situatën paradoksale të drejtave të dhuruara dhe feminizmit shtetëror, ishte Olga Plumbi:
Gruaja shqiptare, me gjithë vuajtjet që ka hequr dhe po heq, ka mbajtur një qëndrim pasiv gjer më sot, dhe kanë të drejtë ata që thonë se çdo gjë që është bërë për ‘to dhe çdo gjë që i është dhënë, i detyrohet inisiativës së burrit dhe asgjë nuk ka fituar me zotësin e sajë. Për shembull sjellin të drejtat që i janë dhënë gruas shqiptare me anën e Kodit Civil, të cilat e vënë atë në radhën e grave të shteteve më të qytetëruara të botës. Prandaj, thonë, ajo duhet të jetë e kënaqur dhe të mos kërkojë gjë tjetër. Mirëpo të gjithë e dimë, se Gruaja Shqiptare është në padijeni mbi gjithë të drejtat që i janë dhënë dhe do të shkojë shumë kohë gjer sa ajo të kuptoje që mund të përfitojë prej aty. Më e çuditëshmja është se disa të tjerë thonë se, kur të arrije që gruaja e jonë të kuptojë atë gjë, ka shumë të ngjarë të shfaqet nevoja për tu vënë kufizim atyre të drejtave [7].
Ajo shkon edhe më tej në parashtrimin e këtij paradoksi, pavarësisht kërcënimeve të censurës:
Është jashtë çdo bisedimi që mbarëvajtja dhe përparimi i një populli kanë lidhje të ngushtë me përparimin dhe zhvillimin e gruas. Çdo shtet ka vënë përpjekje të mëdha për lartësimin e saj. Por nuk ka asnjë shtet që të ketë favorizuar që në krye, me iniciativën e vet, çështjen feministe. Përkundrazi. Gratë e para që janë përpjekur për emancipimin e gruas, janë ndjekur prej shoqërisë, janë përbuzur dhe janë diskredituar.
Kësisoj u desh ardhja në pushtet e Partisë Komuniste në 1944 që gruaja të kapërcente kufizimet e 1923 dhe 1929, pra të fitonte të drejtën e votës, të shkollohej, të industrializohej krahu i saj i punës, të shfaqej në jetën kulturore dhe shtetërore. E megjithatë, liria e saj nuk ishte një liri e plotë e zgjedhjes, e fjalës, e jetës. Sado që establishmenti i kohës e kishte gojën përplot me fushata feministe, gruaja iu nënshtrua njëkohësisht politikave të ashpra të punës, lindshmërisë së lartë, represionit policor dhe patriarkalizmit që qeveriste i tërhequr në hapësirën private shtëpiake. Këtë transformim modernist, por gjithsesi të gjymtë të gruas, e vëren më së shumti në traditën e arteve pamore. Në pikturën e viteve ’20 të Idromenos, Rrotës, Kolombit, Mios [“Motra Tone”, “Te pusi i fshatit”, “Portret vajze”] zbulojmë një grua të zymtë, rurale, amvisë, ose pa botë pas shpinës ose të prangosura përbrenda një peizazhi etnografik. Ndërsa dekada më vonë shohim se gruaja është estetikisht më moderne, më e shpenguar dhe mes veprash të mëdha industriale, por si homo laborantis, me një sensualitet të zbehur, thuajse e mashkullorizuar, [“Ndërtuesja” e Bardhyl Dules, “Aksionistja” e Hasan Nallbanit, “Miq të uzinës” e Dhimitër Mborjes etj.] si dhe e rraskapitur nga ndërtimi i socializmit në një vend të vetëm. Në rrafshin politik, shembulli i shtypjes së perspektivës për një çlirimi gjinor të plotë ishte përjashtimi nga jeta publike e Olga Plumbit, e cila në zgjedhjet e para elektorale post-fashizëm, doli personazhi i dytë më votuar në kryeqytet pas vetë Enver Hoxhës. Atij, që më 1967, në fushatën e famshme për emancipimin e gruas dhe të jetës shoqërore, mes fjalimeve konfuze ku përziehet paternalizmi partiak, përkujdesja patriarkale, shenjtërimi fetar i nënës dhe maoizmi kulturor, arrin një moment sinqeriteti të rrallë politik, kur pohon se çlirimi gjinor nuk arrihet «me dekret shtetëror dhe as se u them unë».[⁸]
Ardhja e demokracisë në 1991 është ndoshta pjesa më e vështirë e vëzhgimit të rolit të ri të gruas në jetën shoqërore, si për shkak të territ informativ, ashtu edhe për shkak të zhvillimeve të shpejta të ngjarjeve. Ajo çfarë dimë është se atë e shohim sërish në sferën ekonomike, në administratë, në shkollë, në hapësirën publike – sërish në pozita të pabarabarta në raport me burrat – dhe në pritje të realizimit më të plotë të së drejtave të saj në rrethanat e një lirie të zgjeruar, pavarësisht se ajo e pagoi më së shumti çindustrializimin, krizën demografike dhe rënien e ligjshmërisë. Në rrafshin simbolik, një nga avancimet më domethënëse të rolit të gruas në shoqërinë shqiptare ishte legalizimi i abortit në 1995 dhe pranimi si e para grua në Akademinë e Shkencave të etnologes Andromaqi Gjergji në 1999. Kurse për homoseksualët: në 1995, kur orientimi u çkriminalizua dhe në 2010, me ligjin kundër diskriminimit [të votuar nga një qeveri e djathtë].
Mirëpo tridhjetë vite më vonë, sadokudo që liritë kulturore dhe ato në letër janë në zgjerim e sipër, duket se realizimi faktik i kësaj lirie për pjesën më të madhe të grave nuk ka bërë asnjë hap domethënës përpara. Jo vetëm që nuk ka avancuar, por shohim edhe përzierje formash nga më laramanet të shtypjes: liri të fituara në letër pa asnjë zbatim në praktikë, klerikë që diskutojnë politikisht mbi trupat e grave, platforma elektorale të bazuara mbi natalitetin, politika autoraciste të krahut të lirë të punës që konsistojnë në femërizimin e klasës punëtore dhe një qeveri, ndoshta më e korruptuara në historinë moderne të shqiptarëve, me gojën përplot me feminizëm simbolik dhe shtetëror, edhe pse të gjitha tendencat e politikave të saj na tregojnë për një deficit përditë e më të thellë të së drejtave të tyre themelore. Është pikërisht kjo pozë groteske feministe e kësaj qeverie që më shtyu ta shkruaja edhe këtë artikull.
Po këtë fytyrë të feminizmit shtetëror e pamë të manifestohej tani s‘afërmi në dy shfaqje, për mendimin tim, thellësisht teatrale. Në rastin e parë, me votimin ushtarak të ligjit për barazinë gjinore, një ligj ky i kremtuar me fanfara festive si një fitore historike për gruan dhe homoseksualët, por që në thelb, nuk ka çliruar mendërisht as vetë dhomën e parlamentit, madje as ata të cilët e votuan – feudalë të rinj, të fortë provincash, klerikë, përfaqësues të nëntokës kriminale – tërë llumin e “familjes socialiste”, pra një ligj i cili ta fyen inteligjencën jo veç për faktin se është në shpërputhje me të gjitha tendencat politike të partisë në pushtet – e cila me amnistimin e parasë së pisët, informalitetin në punë, shkatërrimin e shtetit social dhe përgjunjen e institucioneve përballë paligjshmërisë e ka shfuqizuar rolin e gruas në proletare, amvisë, shërbëtore, konkubinë, nënë surrogato – por edhe ngaqë kjo forcë politike dhe shefi i saj janë ndoshta personazhet e parë në historinë politike të shqiptarëve – një histori kjo tepër e dhunshme dhe gojëndyrë – që janë orvatur ta çnjerëzojnë kundërshtarin politik me aludime për orientimin e tij seksual. Shembulli është ai ndaj parlamentarit të Partisë Demokratike Gaz Bardhi, të cilit Edi Rama i është referuar [me 26 shtator 2024] si «B i vogël, gjysmë burrë dhe gjysmë derrkuc mbi prehërin e shefit të radhës (…) që s’ta mban b-ja e vogël e shtypit (…) çdo shqiptar që ka taksiratin të ndjejë erën e mosozotshme të jashtënxjerrjeve të asaj goje»; pastaj [me 15 prill 2024] si «Po çfarë mund të pritet tjetër, nga një çingije që hidhet nga prehri në prehër dhe spërdridhet për t’i dhënë kënaqësi padronit të radhës dhe për të marrë nga padroni i radhës pastaj atë vlerësimin e çingijes më të preferuar»; një javë më vonë [25 prill 2024]: “S’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur. Po s’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve (…)” dhe as një javë pas votimit të ligjit për barazinë gjinore, [20 nëntor 2025] si «më vjen mirë që nuk më ke kthyer shpinën dhe të kam përballë se tregon që ligji (i sipërthënë) nuk të ka afektuar». Kurrë, por kurrë në historinë tonë moderne, edhe në monarkinë absolute, edhe në kryengritje, edhe në stalinizëm, pavarësisht akuzave, internimeve, dënimeve me vdekje, nuk ka rënë gjuha në këtë nivel sa te “përfaqësuesi i progresit”, “vizionari i madh i barazisë”, “udhëheqësi historik” kundrejt një rivali të aluduar si homoseksual. Është po ky njeri fabrikuesi më i madh i gjuhës seksiste në politikë [“Oooh, Gridare”] dhe me reformën në pensione [2015] njeriu që i dha fund njohjes së padrejtësisë historike ndaj gruas, dalja në pension e së cilës rritet në kohë dhe shkohet drejt barazimit të plotë me burrat.
Shfaqja e dytë teatrale e feminizmit shtetëror është instalacioni “Dielli i një dite tjetër” përmbi mozaikun “Shqipëria” të Muzeut Historik Kombëtar, ku një krijuese e re e cila ashiqare gëzon bekimin e pushtetit së bashku me lejen për ndërhyrje në atë monument kulture të kategorisë së parë – çka nuk do t’i lejohej asnjë artisti tjetër alternativ – e transformoi figurën që simbolizon Shqipërinë nga një grua të re, në veprim luftarak dhe me një hap përpara të tjerëve në turrin drejt së ardhmes – shprehje e sentencës së Marksit se shkalla e përparimit të një shoqërie matet me pozitën shoqërore të grave – në një grua pa flokë, pa njërin gji, e sëmurë me kancerin e gjirit. Vepra, për hir të së vërtetës nuk është e keqe dhe nuk do të mund të kritikohej nëse shteti ynë, një në njëmbëdhjetë gratë që vuajnë sot nga epidemia e kanceri të gjirit, nuk do ti tradhtonte duke u sabotuar pajisjet, mohuar barnat dhe lënë në pritje nëpër korridore në ditët e tyre më të zeza. Me pak fjalë, nëse krijuesja nuk do t’i lejonte vetes të instrumentalizohej në shërbim të një pushteti që jep 25% të buxhetit për koncensionet korruptive dhe veç 3% për shëndetësinë publike, të një shteti që deri para dy vjetësh, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, u ka mohuar mbi 600 grave shërbimin publik në Onkologjik, një e treta e së cilave me gjasë nuk jeton më sot. Por përveç këtij konflikti mes etikës së artit të angazhuar dhe përgjunjes së tij përballë pushtetit, problemi i kësaj vepre është se ashtu si pushteti, edhe kritika kundër tij është zvetënuar në deklaratë të thjeshtë simbolike, ekzibicioniste, të shpolitizuar, ku çlirimi nuk është më çështje e revoltës kundër strukturave të mëdha shtypëse, por akt performativ kundrejt traditës nën kontrollin e plotë të këtyre strukturave, duke riprodhuar në fund të ditës stereotipat e “autoritarizmit të iluminuar” – një koncept ky i vjetër në historinë politike shqiptare, sidomos në vitet ’30 e këtej, siç folëm edhe më lart – ku pushteti atje lart qenka avangardist, ndërsa populli këtu poshtë refuzues i reformës, i keq dhe i paditur.
Ama, nëse siç thonë, historia e një dukurie është tragjike veç në shfaqjen e parë të saj, në të dytën ajo nuk mund të jetë veçse farsë, një farsë cinike kjo që çuditërisht u gëlltit pa kurrfarë shqyrtimi kritik të ligjit dhe të realitetit social nga dashamirës të progresit këtejpari, të cilët për habi mbyllën sytë jo veç kundrejt teatrit të monarkizmit të ri, por edhe ndaj vetë idesë së progresit: se ai pra, emancipimi, nuk mund të jetë sevap i shtypësve vendas dhe as liberalizëm me helikopter prej BE-s. Sikundër nuk është letërsi distopike oruelliane, me barazinë – një nocion themeltar i republikës, por prej kohësh kufomë në mauzoleun e kapitalizmit shkatërrimtar shqiptar – që do të ketë ministrinë e saj, bash si një mermer i ndritshëm mbi varrin masiv të grave, fëmijëve, burrave, gay-ve, gjinisë së tretë, zogjve, kafshëve, druve të dhunuar brutalisht gjer në vrasje fizike ose emocionale në punë, në spitale, në shkollë, në media, në rrugë, në parlament dhe kudo ku “autoritarizmi i iluminuar” qeveris jetët dhe fatet e tyre. Nëse nuk kuptohet kaq gjë, atëherë kemi probleme serioze në mos me sinqeritetin, me domethënien e një shoqërie të drejtë për të gjithë.
[Referenca]
[1] VISARION XHUVANI: Unë tham qi po nuk patëm nana të mira, ska kush interesohet qi të kemi kryetar të mirë të shtetit. Posë kësaj arsye, kam edhe nji tjetër qi m’urdhnon aj kryetar i Fesë time i cili thotë të gjithë janë nji soj. Pra edhe grat do të nderohen. Po sa gra do të kemi qi dijnë me shkrue e me kendue? Ministria e Arsimit nuk ka të tilla statistika. N’atë sasin e gravet qi dijnë me shkrue e me këndue edhe prej atyne ¼ nuk do të shkojnë me votue. Prandaj për sot asht nji komedi votimi i gravet.
HIL MOSI: Tue folë mbi mëndyrën e lirë të votimit, projekti i qeverisë ja mohon votën grave, nuk dijmë për ç’arsye. Na shofim kombe, si Turkija qi asht e përbame prej elementit musliman e qi lirija e gravet muslimane asht mjaft e ngushtueshme, kanë sjellë përparime sa në parlamentin e Angorës kemi edhe gra si përfaqësuese. Unë për vedi kisha me u dhanë liri të plotë grave edhe për zgjedhës të dytë, se kemi gra qi jaën shumë ma të përparueme sesa disa burra.
[2] Po duem me thane, se tue u orvatë me e pështue gruen shqyptare prej robnije, mos tê rrehemi me e qitè qemerit. Sá asht per tu ankue robnija e grues, aq te neveritë e âsht per t’u denue emancipacjoni i sáj; grueja njimend nuk â rob por âsht zoje; por këta nuk don me thanë, se ajo do të dalë dore, se do të két vetun tagre pa detyrë, se trimi do të jét shërbtori i andevet te saja. Kúr na ta edukojm gruen per me kênë shoqe e dêjë e e padame e trimit, nanê ne veshtrim te njimendte e marshtruese e afte e shpis, trimit edhe t’i kemi dhane kuptimin idejar e te vertete te jetes familjare, athere e kemi pertrî e sigurue familjen shqyptare e me tê edhe jeten shognore e kombtare te vendit tonë. (Prej kah do te nisemi e ku do te kapemi, Kulla e Babelit, fq 13)
[3] “Ne të nënshkruemit Argjipeshkvi, Ipeshkvi, meshtarë e populli katolik, po marrim guximin me ju dalë para me ket shkresë, për me ju lypun sa më përvujtnisht, nji nder qe e kena fort për zemër. Në kodin e ri civil qe shpejt do të shpallet për rregullimin e shtetit shqiptar, kena pa se asht përba një ligje, në të cillën në do rasa, të caktueme epet dorë që të shkatërrohet kunora e martesës së seicillit nënshtetas shqiptar, o me fjalë të tjera epet leja me u ba DIVORZIO.
Shkelqësi! Na jeni fort të sigurt se përpiluesat e kësaj ligje, sikurse në ligje të tjera edhe në ktë, kanë pasë si qëllim, të mirën e përparimin e popullit shqiptar e jo të keqen e kujt.
Ndoshta për vllaznit tanë muhamedanë, ligja në fjalë e përmirëson gjendjen e familjes tuj i pakue shkaqet e të ndarit të kunorës. Por për ne katolikët sikurse e dini shkelqësia e juej, puna nuk ecë kso doret.
Për ne kunora e martesës porse sa asht një kontratë civile, asht edhe një sakramend… Për ne Krishti ka thanë: shka Zoti ka bashkue, njeri s’mundet me e nda…”
(https://lapsi.al/2016/05/25/letra-e-katolikeve-kunder-divorcit-ne-vitet-30-shka-zoti-ka-bashkue-njeri-smundet-me-e-nda/)
[4] Kryetarja e larte e saj Princesha Sanije, kur mendoi te formoj shoqerine Gruaja Shqiptares, s’ka dyshim se kete inisjative te lavduarshme e mori dyke u-shtytur prej dhemshurise qé ndjente per grat shqtptare, motrat e saj, shumica e madhe e te cllavet sot vuajne nene kthedrat e mjerimit. Mjerimi nëndedhjete per qinde vjen nga ignorenca, e pra qellimt i Kryetares, vjen vetiu, eshte lartesimi i gruas shqiptare me ane t’edukates, hyrja e kësaj ne nje udhe shoqerore te re. Dhe pasi fjala e re ashte, ne kete rast, po nje me fjalen moderne, kuptohet se qellimi i shoqerise Gruaja Shqiptare eshte modernizimi i gruas shqiptare. (Misioni i gruas eshte lumturia e kombit, ne 3 1930, Nebil Çika)
[5] (Shqiptarja dhe ligjet e reja, D. Poppa, Shqiptarka, ne 9, 1930)
[6] (Feminismi dhe shoqëria e jonë, Olga Plumbi, “Përpjekja shqiptare” ne 3 1931)
[7] (Feminismi dhe shoqëria e jonë, Olga Plumbi, “Përpjekja shqiptare” ne 3 1931)
[8] “Zakonet e këqija, të trashëguara nga feudalët, kanë hyrë në ndërgjegjen tonë pa u kuptuar, por tani, siç na mëson Partia, të përpiqemi t’i zhdukim. Kjo punë, natyrisht, nuk bëhet as me dekret, as se po ju them unë. Të gjithë jemi njerëz me kokë, që mendojmë dhe reflektojmë, dhe e kemi të qartë se nuk ka njeri që të mos dojë nënën, gruan, vajzën, motrën. Por të mos mjaftohemi me kaq, të punojmë që ato të jenë aktive, t’i bëjmë të afta që vetë të luftojnë, të mbrohen në jetë, të punojnë dhe të krijojnë.”
Imazhi: Petrit Kumi
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.
