/Enriko Peçuli/
Shko në një fshat atje thellë në rrethin e Dibrës, në Kurvelesh, Mallakastër apo në fshatrat përreth Tiranës! Nëse fillon një bisedë rreth situatës social-ekonomike, në mes të saj fshatari do të thotë: “Shteti na ka braktisur.” Një tjetër frazë është kërkesa që dëgjohet rëndom” “Të ndërhyjë shteti” apo “Këtu nuk ka shtet. Shiko vendet nordike! Shteti aty i rregullon të gjitha.” Flitet kështu për shtetin, a thua sikur të jetë një dorë e ngrohtë, një zë prej së larti që na tregon udhën drejt dritës e frymëmarrjen na e lehtëson. Shteti, ky konak i ngrohtë me baballarët e kombit, që e drejtojnë drejt sigurisë e begatisë çdo mjeran i cili ndihet vetëm e i pambrojtur. Shteti më vonë, apo përfaqësuesit më tipikë të tij, rendin me ngut drejt përmbushjes së këtij miti. Shteti shfaqet pas tërmetit me fytyrën e kryeministrit dhe bën shpëtimtarin pas një katastrofe. Shteti me fytyrën e kryetarit të bashkisë shpërndan ndihma për të vobektin, suvaton mure e lyen shkallën e atyre që nuk mundësojnë dot për familjen e tyre. Shteti është aty për të shpëtuar biznesin e vogël që mbytet nga kriza dhe na mbyll brenda për të mirën tonë në rast pandemie.
Po sikur të themi se shteti është më prezent se kurrë? Ai është i fortë, i lirë dhe fakti se pse në shoqëri ka kaq shumë vuajtje e pabarazi është tregues se shteti nuk na ka braktisur ndonjëherë, madje ai ndërhyn për ta bërë të mundur këtë gjendje. Po sikur të themi se shteti është mishërimi më tipik i status quo-së? Ne vuajmë pikërisht se një ditë shteti vuri dorën në shtëpinë, parkun, punën e familjen tonë për të na marrë çka kemi të shtrenjtë e për t’ua dhënë atyre që duket se nuk kanë nevojë për superheroin shtet: oligarkëve.
Nëse pyesim mbi funksionin primar të shtetit, F. Engelsi në veprën “Origjina e familjes, e pronës private dhe e shtetit” do të na përgjigjej:
“Shteti nuk është aspak një forcë që i është imponuar shoqërisë nga jashtë. Shteti gjithashtu nuk është ‘realiteti i idesë morale’, ‘figura dhe realiteti i arsyes’, siç thotë Hegeli. Shteti është produkt i shoqërisë në një shkallë të caktuar të zhvillimit; shteti është pohimi se kjo shoqëri është ngatërruar në një kontradiktë të pazgjidhshme me veten e vet, është ndarë në antagonizma të papajtueshëm, nga të cilat nuk është në gjendje të shpëtojë. Por që këta antagonizma, këto klasa me interesa ekonomike të kundërta të mos gllabërojnë njëra-tjetrën dhe shoqërinë në një luftë shterpe, për këtë gjë u bë e domosdoshme një forcë që të qëndronte, në dukje, mbi shoqërinë, një forcë që ta zbuste konfliktin, që ta mbante këtë konflikt brenda kufijve të ‘rendit’. Dhe kjo forcë, e dalë nga shoqëria, por që e vë veten mbi shoqërinë, që bëhet gjithnjë e më e huaj për të, është shteti.”
Pra shteti në rastin më të mirë është mbikëqyrës dhe rregullator i marrëdhënieve midis klasave – gjithnjë në favor të interesave afatgjata të klasës sunduese, kurse në më të zakonshmin është vegël e thjeshtë e klasës sunduese. Kësaj të fundit i duhet shteti pikërisht për të kompensuar faktin që është pakicë fare e vogël. Kurse klasat e nënshtruara, kur nuk ndjejnë në kurriz çomangen e shtetit, depërtohen psikologjikisht nga aparatet e tij ideologjike, që u bëjnë të besojnë se shteti është i të gjithëve e për të gjithë, ose së paku se pa të dhe mjeshtrit e punëve të kota ata nuk do të jetonin dot.
E keni vënë re që një polici të lagjes në konfidencë e sipër i themi “O shteti!”? Kjo nuk është rastësi. Në lagjen apo qytezën tonë ai është figura e përditshme e shtetit. Shteti-polic është njeri i keqpaguar, i bindur dhe shpesh i ashpër. Nëse mbetesh pa bukë nuk do i drejtohesh atij. Ai nuk ka se çfarë të të bëjë për rrogën e ulët, punën çnjerëzore në fasoneri, faktin se të nxjerrin me shkelma nga spitali sepse nuk ke para të paguash për operacionin që të duhet apo se nuk ke me çfarë t’i ushqesh kalamajtë. Ti, pjesë e klasës së nëpërkëmbur, asaj të shumtës në numër, nuk e sheh ndonjëherë shtetin të jetë mirëbërësi yt. Nëse të duhet të ushqehesh dhe e merr ushqimin me forcë, shteti është aty për të të rrasur në ndonjë qeli të errët me tek dritare dhe pa dyshekë apo kushte higjiene. Nëse tenton të bllokosh hyrjen e minierës në kërkim të pagës dhe kushteve më të mira të punës, shteti është aty për të të shpallur të paligjshëm e rrahur nëse tenton ta marrësh me forcë atë që e fiton me punë të ndershme.
Në historinë e njerëzimit nuk ka pasur ndonjëherë shoqëri klasore pa shtet, e as shtet pa shoqëri klasore. Shteti është në çdo rast treguesi se shoqëria është e ndarë në dy klasa kryesore: ata që me punën e tyre mbajnë në këmbë shoqërinë dhe ata që me punën e të parëve mbarështojnë privilegjet e tyre si klasë sunduese.
Kohëve të fundit shteti ka qenë më i pranishëm se kurrë. Kryeministri bën dy a tre videomesazhe në ditë. Ai ironizon në rrjete sociale njerëz që kanë probleme ekonomike në situatën që është krijuar. Në mënyrë publike e urdhëron popullin dhe në mënyrë private urdhërohet nga oligarkët që situata të shkojë siç u leverdis atyre. Shteti thotë se duhet të punojnë fasoneritë, minierat dhe call center-at, sektorë që nuk prodhojnë të mira bazike për shoqërinë. Ai thotë se shteti do të jetë me ne në këtë situatë të vështirë dhe unë nuk dyshoj aspak në këtë.
Më problematike është kur flitet për “shtet të lirë”. Me Engelsin do të mendonim: “Sipas kuptimit gramatikor të këtyre fjalëve, shtet i lirë do të thotë shtet që gëzon liri të plotë në marrëdhëniet me qytetarët e vet, d.m.th. një shtet me qeveri despotike.”
Nëse e ndajmë shtetin prej popullit, kur flasim për shtet të lirë do të kemi të bëjmë me një popull të robëruar. Nëse flasim për një popull që vetëqeveriset, shteti do të jetë rob i luftës drejt lirisë. Nëse deri më sot qeveria drejtohet vetëm prej një njeriu, i cili ka lirinë e plotë të marrë vendimet i vetëm në emër të të gjithëve, do të thotë se ai është kryeministri i lirë i një shoqërie në pranga.
Pasi të mbarojë kjo gjendje pandemie dhe izolimi, do na duhet të kthehemi përsëri në punë dhe në shkollë. Kësaj here në kushte më të rënda ekonomike. Papunësia do të rritet dhe shumë biznese do të falimentojnë si pasojë e bllokadës dhe luftës për mbijetesë me peshqit e mëdhenj. Është koha të fillojmë të mendojmë mbi mënyrat e organizimit që do të përdorim në një të ardhme fort të afërt. Nuk është vetëm pandemia e cila do të bëjë që shteti të gjendet në paaftësi dhe keqmenaxhim të asaj që e kemi të përbashkët. Ajo është vetëm kallauzi i një sistemi ekonomik që po tregon çdo ditë e më fort se ka dështuar në rrugën drejt begatisë , në një botë ku ka bukë me tepri, por të ngopurit janë pak.
Në çfarëdolloj skenari ekonomik a politik, ne përsëri do të jemi bashkë në shoqëri. Siç po mësohemi me solidaritet gjatë kësaj pandemie, do të na duhet të bëhemi bashkë në punë, shkollë dhe lagje. Do na duhet të mbrojmë njëri-tjetrin në fabrikë kundër uljes së pagave dhe në universitet kundër rritjes së tarifave të shkollimit e tjetërsimit të dijes. Do na duhet të lidhim forcat në minierë për t’i marrë Samir Manes atë që me dhunë e shtypje e përvetëson në kurriz të punëtorëve. Një organizim i fortë sindikal duhet të lindë në industri, shërbime publike e universitet. Një organizim i fortë politik do na duhet përmbi të gjitha, që të marrim vetë pjesë në jetët tona.
Është e qartë se nëse flasim për lirinë si totalitet, e jo si bashkësi strukturash, vëmë re se nuk jemi aspak të lirë. Liria për të cilën po flasim është më së pari materiale. Përpara se të abstragojmë mbi lirinë në terma idealistë, na duhen paga të dinjitetshme, shërbime publike cilësore e falas për të gjithë. Na duhet që lirinë tonë ta kemi të kushtetuar në statutin e sindikatës, në manifestin e përpjekjes tonë drejt barazisë e drejtësisë social-politike dhe në ligjërimin që duhet ta ngremë së bashku.
Solidariteti dhe organizimi nga poshtë është i domosdoshëm sepse kapitalizmi po na tregon që nuk do të mundësojë dot të mira për të gjithë. Dhe tani gjithë oligarkëve, grosistëve dhe spekulantëve të kapitalit duhet t’u bëjmë pyetjen: “Ku do të fshiheni kur të vijë ndryshimi?!” Kriza do t’i përçajë ata, në përpjekje për të ruajtur atë që e kanë nxjerrë me anë të spekulimit dhe shfrytëzimit të punëtorëve. Prej momentit që do të ritakohemi përsëri në shoqëri, kriza nuk do të na vërë dot përfund nëse organizohemi. Ta bëjmë shtetin rob të nevojës sonë imediate për të qenë të lirë pas kaq kohe tëhuajësimi e shfrytëzimi. Në terma praktikë, lufta do të jetë e gjatë, e ashpër dhe më strategjike se ç’është fshehja ndaj koronavirusit. Kësaj radhe do na duhet të dalim në rrugë. Neve, njerëzve që kaq shumë e kemi mohuar politiken, do të na duhet të bëhemi politikë, të zihemi zellshëm me njëri-tjetrin e të krijojmë një ligjërim publik i cili flet kundër këtij modeli shfrytëzimi që sa herë ka kriza i bën të varfrit koka turku.
Nëse ky shtet është i paaftë për të kërkuar nga oligarkët atë që i takon shoqërisë, ne duhet t’i marrim vetë frenat e shoqërisë e të bëjmë atë që qindra ekspertë e rrogëtarë parazitë nuk ishin në gjendje të mundësonin për të përbashkëtën tonë.
Ku i dihet, ky shtet mbase nuk do të na nevojitet më.
Imazhi: Kopertina historike e “Leviathan”-it të Thomas Hobbes-it, e përgatitur më 1651 nga Abraham Bosse.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)