Politikat antikapitaliste në kohën e COVID-19

/David Harvey/ 

Ndërsa përpiqem të interpretoj, kuptoj dhe analizoj rrjedhën e përditshme të lajmeve, prirem të gjej çfarë po ndodh në prapaskenën e dy modeleve të dallueshme, por të ndërthurura se si funksionon kapitalizmi. Niveli i parë është hartëzimi i kontradiktave të brendshme të qarkullimit dhe akumulimit të kapitalit pasi vlera e parasë rrjedh në kërkim të fitimit përmes “momenteve” të ndryshme të prodhimit (siç i quan Marksi), realizimit (konsumi), shpërndarjes dhe riinvestimit. Ky është një model i ekonomisë kapitaliste si spirale e rritjes dhe zgjerimit të pafundmë. Ai ndërlikohet mjaft ndërsa përpunohet përmes, për shembull, lenteve të rivalitetit gjeografik, zhvillimeve të pabarabarta gjeografike, institucioneve financiare, politikave shtetërore, rikonfigurimeve teknologjike dhe rrjetit gjithnjë në ndryshim të ndarjeve të punës dhe marrëdhënieve shoqërore. 

Gjithsesi, e përfytyroj këtë model si të ngulitur në një kontekst më të gjerë të riprodhimit social (në shtëpi dhe komunitet), në një marrëdhënie metabolike të vazhdueshme dhe gjithmonë-në-ndryshim me natyrën (përfshirë “natyrën e dytë” të urbanizimit dhe mjedisit të ndërtuar) dhe të gjitha llojeve të formacioneve shoqërore kulturore, fetare, shkencore (të bazuara në dije) kontingjente që njerëzit krijojnë në kohë dhe hapësirë. Këto “momente” të fundit trupëzojnë shprehjen aktive të domosdoshmërive, nevojave dhe dëshirave njerëzore, etjen për dije dhe kërkesa në rritje në kushtet e rregullimeve institucionale të ndryshueshme, kontestimeve politike, përballjeve ideologjike, humbjeve, disfatave, acarimeve dhe tëhuajësimeve – të gjitha këto të përpunuara në një botë të shënjuar nga diversiteti gjeografik, kulturor, sociologjik dhe politik. Modeli i dytë përbën, si të thuash, mënyrën se si unë e kuptoj në punë e sipër kapitalizmin global si një formacion të dallueshëm shoqëror, ndërsa i pari ka të bëjë me kontradiktat brenda motorit ekonomik që mban në lëvizje këtë formacion shoqëror në shtigje të caktuara përgjatë evoluimit të tij historik dhe gjeografik.  

Spiralja

Kur më 26 janar 2020 lexova për herë të parë për koronavirusin që po përhapej në Kinë, menjëherë më shkoi mendja te pasojat në dinamikat globale të akumulimit të kapitalit. Nga studimet e mia, e dija që bllokimet dhe ndërprerjet e vazhdimësisë së fluksit të kapitalit do të rezultonin në zhvlerësime dhe, nëse zhvlerësimet përhapen dhe thellohen, kjo do të paralajmëronte fillimin e krizave. Isha i vetëdijshëm gjithashtu se Kina është ekonomia e dytë më e madhe e botës dhe ajo e kishte shpëtuar në mënyrë efektive kapitalizmin global pas viteve 2007-8, kështu që çdo goditje në ekonominë e Kinës do të kishte pasoja serioze për gjithë ekonominë globale, që gjithsesi ishte në kushte të vështira. Më dukej se modeli ekzistues i akumulimit kapital ishte tashmë goxha në vështirësi. Lëvizje protestuese po shfaqeshin thuajse kudo (nga Singapori në Bejrut), shumë prej të cilave përqendroheshin te fakti që modeli ekonomik dominues nuk po funksiononte mirë për masën e popullsisë. Ky model liberal po mbështetet gjithnjë e më shumë në kapitalin fiktiv dhe në zgjerimin e madh të furnizimit me para e në krijimin e borxhit. Tashmë po përballet me problemin e kërkesës efektive të pamjaftueshme për të realizuar vlerat që mund të prodhojë kapitali. Po si mundet modeli ekonomik dominues, me legjitimitet në rënie dhe shëndet delikat, të absorbojë dhe t’u mbijetojë ndikimeve të pashmangshme të pandemisë? Përgjigja varet shumë nga zgjatja dhe përhapja e ndërprerjes ekonomike sepse, siç theksonte Marksi, zhvlerësimi nuk vjen nga mosshitja e mallrave, por nga mosshitja e tyre në kohë. 

Prej kohësh e kam refuzuar idenë e ndarjes së “natyrës” nga kultura, ekonomia dhe përditshmëria. Kam këndvështrim më dialektik dhe ndërveprues për marrëdhënien metabolike me natyrën. Kapitali i shndërron kushtet mjedisore të riprodhimit të vet, por këtë e bën në kontekstin e pasojave të pasynuara (si ndryshimi i klimës) dhe në sfondin e forcave evolucionare autonome e të pavarura që po riformojnë vazhdimisht kushtet e mjedisit. Nga ky këndvështrim nuk ka katastrofa të mirëfillta natyrore. Gjatë gjithë kohës viruset pësojnë mutacione. Por rrethanat në të cilat një mutacion bëhet kërcënues për jetën varen nga veprimet njerëzore. 

Ka dy aspekte të rëndësishme për këtë. Së pari, kushtet e favorshme mjedisore rrisin mundësinë e mutacioneve të fuqishme. Për shembull, është e mundur të pritet që sistemet intensive dhe të padisiplinuara ushqimore në nëntropikët e lagësht mund të kontribuojë në këtë drejtim. Sisteme të tilla ekzistojnë në shumë vende, përfshirë Kinën në jug të lumit Jan Ce dhe Azinë Juglindore. Së dyti, kushtet që favorizojnë përhapjen e shpejtë përmes trupave bartës ndryshojnë shumë. Popullsitë me dendësi të lartë janë bartës të mirë. Dihet se epidemia e fruthit, për shembull, lulëzon vetëm në qendrat e mëdha urbane, por zhduket shpejt në rajone me popullsi të pakët. Mënyra se si një virus përhapet varet shumë nga mënyra e ndërveprimit njerëzor, lëvizjes, vetëdisiplinimit apo të harruarit të larjes së duarve. Në kohët e fundit SARS-i, gripi i shpendëve dhe i derrave duket se kanë dalë nga Kina ose Azia Juglindore. Kina ka vuajtur shumë nga ethet e derrave në vitin e kaluar, duke çuar në masakrim masiv të derrave dhe rënie të çmimit të mishit të derrit. Nuk po i përmend këto për të fajësuar Kinën. Ka shumë vende të tjera ku rreziqet mjedisore për mutacion viral dhe përhapje janë të larta. Gripi Spanjoll i vitit 1918 mund të ketë dalë nga Kansasi, Afrika mund të ketë inkubuar HIV/SIDA-n dhe me siguri Ebola-n dhe virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa virusi Dengue duket se lulëzon në Amerikën Latine. Por ndikimet ekonomike dhe demografike të shpërndarjes së virusit varen nga plasaritjet dhe dobësitë ekzistuese në modelin ekonomik hegjemonik.

Nuk u habita që COVID-19 u gjend fillimisht në Vuhan (nuk dihet nëse aty e ka origjinën). Qartazi efektet lokale janë thelbësore dhe, duke pasur parasysh që bëhet fjalë për një qendër të madhe prodhimi, ka të ngjarë të ketë pasoja globale ekonomike (megjithëse nuk e kisha idenë e shkallës). Pyetja kryesore ishte se si mund të ndodhë infektimi e përhapja dhe sa mund të zgjasë (derisa të gjendet një vaksinë). Përvoja e mëparshme tregon se një nga dobësitë e globalizmit në rritje është pamundësia për të ndaluar një përhapje në shkallë ndërkombëtare të sëmundjeve të reja. Ne jetojmë në një botë shumë të lidhur, ku pothuajse të gjithë udhëtojnë. Rrjetet njerëzore për shpërndarje të mundshme janë të gjera dhe të hapura. Rreziku (ekonomik dhe demografik) gjendet te zgjatja për një vit ose më shumë e pandemisë.

Ndërsa pati një rënie të menjëhershme në tregjet globale të aksioneve kur u përhapën lajmet fillestare, rënia u pasua me rritje për një muaj a më kur tregjet kapën nivele të reja. Lajmi dukej se tregonte një normalitet të tregjeve, përveçse në Kinë. Mendohej që do të përjetonim një skenar të ngjashëm me atë të SARS-it, që u vendos shpejt nën kontroll dhe solli pak dëme globale, edhe pse pati një shkallë të lartë vdekshmërie dhe krijoi panik të panevojshëm (në retrospektivë) në tregjet financiare. Kur u shfaq COVID-19, reagimi mbizotërues ishte cilësimi i tij si përsëritje e SARS-it, duke e bërë panikun të tepërt. Fakti që epidemia shpërtheu në Kinë, e cila veproi me shpejtësi për ta ndaluar, bëri që pjesa tjetër e botë ta trajtonte problemin gabimisht si diçka që po ndodh “atje” dhe për këtë arsye jashtë vëmendjes (shoqëruar nga disa shenja shqetësuese të ksenofobisë antikineze në pjesë të ndryshme të botës). Shkopinjtë që virusi futi ndër rrotat e historisë, përndryshe triumfuese, së rritjes së Kinës u përshëndetën me gëzim në qarqe të caktuara të administratës Trump.

Sidoqoftë, filluan të qarkullojnë historitë e ndërprerjeve në zinxhirët e prodhimit global që kaluan përmes Vuhanit. Ato kryesisht u injoruan ose u trajtuan si probleme për linja produktesh apo korporata të caktuara (si Apple). Zhvlerësimet ishin lokale, të pjesshme dhe josistematike. Shenjat e rënies së kërkesës së konsumatorit gjithashtu u minimizuan, edhe pse korporatave si McDonalds-i dhe Starbucks-i, që kishin operim të gjerë në tregun e brendshëm kinez, iu desh të mbyllnin dyert për një kohë. Mbivendosja e Vitit të Ri Kinez me shpërthimin e virusit i mbuloi ndikimet përgjatë janarit. Vetëkënaqësia ishte e gabuar.

Lajmet fillestare për përhapjen ndërkombëtare të virusit ishin të rastit dhe episodike, me një shpërthim serioz në Korenë e Jugut dhe disa pika të nxehta si Irani. U desh shpërthimi në Itali që të nisnin reagimet e para të dhunshme. Rënia e tregjeve të aksioneve që filloi nga mesi i shkurtit u lëkund disi, por nga mesi i marsit kishte çuar në një zhvlerësim neto prej gati 30 për qind në tregjet e aksioneve në të gjithë botën.

Rritja eksponenciale e të infektuarve nxiti një sërë përgjigjesh shpesh jokoherente dhe ndonjëherë në panik. Presidenti Trump imitoi mbretin Kanut[1] përballë rrezikut të mundshëm të sëmundjeve dhe vdekjeve. Disa nga përgjigjet kanë qenë shumë të çuditshme. Pasja e normave të ulëta të interesit të Rezervës Federale përballë një virusi dukej e çuditshme edhe kur u mor vesh që masa kishte për qëllim të lehtësonte goditjet që do të pësonte tregu në vend se të frenonte përparimin e virusit. 

Autoritetet publike dhe sistemet e shëndetësisë u zunë thuajse kudo gafil. Dyzet vite neoliberalizëm në Hemisferën Perëndimore dhe Evropë e kanë lënë publikun tërësisht të ekspozuar dhe të papërgatitur për t’u përballuar me një krizë të tillë të shëndetit publik, pavarësisht paralajmërimeve të bollshme dhe mësimeve të nxjerra nga dëmet e SARS-it apo Ebola-s. Në shumë pjesë të botës së supozuar “të civilizuar”, qeverive lokaleve dhe autoriteteve rajonale/kombëtare, të cilat pa dallim përbëjnë vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit publik dhe emergjencave të kësaj natyre, u ishin ndalur fondet falë politikave të shtrëngimit që kishin për synim financimin e uljes së taksave dhe rritjen e subvencioneve për korporatat dhe të pasurit. 

Korporatat e mëdha farmaceutike kanë pak ose aspak interes për kërkime shkencore jofitimprurëse mbi sëmundjet infektive (si për shembull të gjitha llojet e koronaviruseve të mirënjohura që nga vitet ’60). Këto korporata rrallëherë investojnë në parandalimin e sëmundjeve. Kanë pak interes të investojnë për përgatitjen e publikut për kriza të shëndetit publik. Atyre u pëlqen të gjejnë kura. Sa më të sëmurë të jemi, aq më shumë fitojnë. Parandalimi nuk e rrit vlerën e aksioneve. Modeli i biznesit i aplikuar për financimin e shëndetit publik eliminoi kapacitetet shtesë që do të kërkoheshin në raste urgjente. Parandalimi nuk përbënte as një fushë mjaftueshëm tërheqëse për të garantuar partneritete publike-private. Presidenti Trump kishte shkurtuar buxhetin e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve dhe me të njëjtën frymë shpërbëhu grupin e punës për pandemitë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pasi shkurtoi të gjitha fondet e kërkimit, madje edhe për ndryshimet klimatike. Po të isha antropomorfik dhe metaforik në këtë rast, do ta përmblidhja kështu: COVID-19 është hakmarrja e natyrës për mbi dyzet vjet të abuzimit me të nga politikat zhvatëse të dhunshme e të parregulluara neoliberale.

Është simptomatike që vendet më pak neoliberale si Kina, Koreja e Jugut, Tajvani dhe Singapori e kanë përballuar pandeminë më mirë se Italia deri tani, megjithëse rasti i Iranit nuk do të na lejonte ta universalizonim këtë argument. Ndonëse ka plot të dhëna për keqmenaxhimin e SARS-it nga Kina, duke e injoruar dhe mohuar në fillim, këtë herë Presidenti Çi vendosi transparencë të detyrueshme, si në raportim, ashtu edhe në testim, njëlloj si Koreja e Jugut. Pavarësisht kësaj, Kina humbi ca kohë të vlefshme (vetëm disa ditë bëjnë diferencën). Sidoqoftë kufizimi i epidemisë në provincën Hubei me kryeqendër Vuhanin, ishte i jashtëzakonshëm. Epidemia nuk u përhap në Pekin, në perëndim apo në jug. Masat e marra për kufizimin gjeografik të virusit ishin drakoniane. Kjo do të ishte thuajse e pamundur të përsëritej tjetërkund për arsye politike, ekonomike dhe kulturore. Raportimet nga Kina flasin për trajtim dhe politika që vetëm përkujdesëse nuk ishin. Për më tepër, Kina dhe Singapori vendosën mbikëqyrje të rreptë personale në nivele pushtuese dhe autoritare. Por duket se kanë qenë jashtëzakonisht të efektshme në përgjithësi, megjithëse sikur këto vendime të merreshin pak ditë më herët, mendohet se do të ishin shmangur shumë vdekje. Ky informacion është i rëndësishëm: në çdo proces të rritjes eksponenciale ekziston një pikë lakimi përtej së cilës masa në rritje del krejtësisht jashtë kontrollit (kujtoni edhe një herë rëndësinë e masës në raport me normën). Fakti që Trump-i po hallavitet ende pas kaq javësh mund të kushtojë jetë njerëzish.

Efektet ekonomike po dalin jashtë kontrollit tashmë, si brenda Kinës ashtu edhe më gjerë. Goditjet që po marrin zinxhirët e vlerës së korporatave dhe sektorë të caktuar rezultuan më sistematike dhe thelbësore nga ç’mundohej fillimisht. Efekti afatgjatë mund të jetë shkurtimi ose diversifikimi i zinxhirëve të furnizimit duke lëvizur drejt formave më pak të intensifikuara të punës (me implikime të mëdha për punësimin) dhe mbështetje më të madhe në sistemet e prodhimit të inteligjencës artificiale. Ndërprerja e zinxhirëve të prodhimit nënkupton pushimin ose pezullimin e punëtorëve, gjë që zvogëlon kërkesën përfundimtare, ndërsa kërkesa për lëndë të parë zvogëlon konsumin prodhues. Këto ndikime në anën e kërkesës do të sillnin të paktën një recesion të butë. 

Por dobësitë më të mëdha ekzistojnë tjetërkund. Mënyrat e konsumerizmit që shpërthyen pas 2007-2008 janë shembur me pasoja shkatërrimtare. Këto mënyra bazoheshin në zvogëlimin e kohës së xhiros së konsumit sa më afër zeros që ishte e mundur. Vala e investimeve në forma të tilla konsumerizmi kishte të bënte me thithjen maksimale të rritjes eksponenciale të volumit të kapitalit në forma konsumerizmi që kishin kohën më të shkurtër të xhiros. Turizmi ndërkombëtar ishte emblematik. Udhëtimet ndërkombëtare u rritën nga 800 milionë në 1,4 miliardë në periudhën 2010-2018. Kjo formë e konsumerizmit të menjëhershëm kërkonte investime masive infrastrukturore në aeroporte dhe linja ajrore, hotele dhe restorante, parqe tematike dhe ngjarje kulturore etj. Kjo pjesë e akumulimit të kapitalit tani është e ngrirë: linjat ajrore janë pranë falimentimit, hotelet janë boshatisur, papunësia masive në industrinë e turizmit është afër. Të ngrënit jashtë nuk është ide e mirë dhe në shumë vende baret dhe restorantet janë mbyllur. Edhe të porosisësh jashtë (takeaway) ngjan e rrezikshme. Ushtria e madhe e punëtorëve me kohë të pjesshme (gig economy workers) apo formave të tjera të prekariatit po pushohen pa parë ndonjë ndihmë në horizont. Ngjarje si festivalet kulturore, kampionatet e futbollit a basketbollit, koncertet, seminaret profesionale dhe të biznesit, madje edhe tubimet politike janë mbyllur. Të ardhurat e qeverive lokale kanë rënë drastikisht. Shkollat dhe universitetet po mbyllen.

Pjesa më e madhe e modelit kryesor të konsumerizmit kapitalist bashkëkohor është jofunksionuese në kushtet e sotme. Nxitja drejt asaj që André Gorz-i e përshkruan si “konsumerizëm kompensues” (përmes të cilit punëtorë të tëhuajësuar supozohet të rikuperojnë shpirtin përmes paketave turistike në plazhet tropikale) ishte topitur.

Por ekonomitë kapitaliste bashkëkohore nxiten në një masë 70-80% nga konsumerizmi. Besimi dhe ndjenjat e konsumatorit gjatë dyzet viteve të shkuara janë bërë çelësi i mobilizimit të kërkesës efektive dhe kapitali nxitet gjithnjë e më shumë nga kërkesat dhe nevojat. Ky burim i energjisë ekonomike nuk i nënshtrohet luhatjeve të forta (me disa përjashtime të tilla si shpërthimi i vullkaneve islandeze që bllokoi fluturimet transatlantike për disa javë). Por COVID-19 nuk përbën një luhatje të fortë, por një përplasje të fuqishme në zemrën e formës së konsumerizmit që mbizotëron në vendet më të pasura. Forma spirale e akumulimit të pafund të kapitalit është duke u shembur nga brenda anembanë botës. E vetmja gjë që mund ta shpëtojë është një konsumerizëm masiv i financuar e frymëzuar nga qeveria që vjen nga hiçi. Kjo do të kërkonte shoqërizimin e të gjithë ekonomisë së SHBA, për shembull, por pa e quajtur socializëm.

Vijat e frontit

Ekziston miti i famshëm sipas të cilit sëmundjet infektive nuk njohin klasë, shtresa sociale apo kufij. Si shumë shprehje të tilla, edhe kjo bart një farë vërtetësie. Gjatë epidemisë së kolerës në shekullin XIX, ky tejkalim i pengesave klasore ishte aq dramatik saqë u bë shkak për nisjen e një lëvizjeje për higjienë dhe shëndet publik, që ka zgjatur deri në ditët tona. Është ende e paqartë nëse ishte një lëvizje me qëllim mbrojtjen e mbarë popullsisë apo vetëm të klasës së privilegjuar. Por sot efektet diferencuese klasore dhe sociale tregojnë një tjetër histori. Ndikimet ekonomike dhe sociale filtrohen përmes diskriminimeve “të zakonshme” e të kudogjendshme. Duke nisur nga punëtorët që pritet të kujdesen për numrin në rritje të të sëmurëve, punëtorë që përballen me diskriminim gjinor, racor dhe etnik në pjesën më të madhe të botës. Kjo pasqyron forcat e punës, bazuar te klasa, që për shembull gjenden në aeroporte dhe të tjerë sektorë logjistikë.

“Klasa e re punëtore” është në ballë të frontit dhe i duhet të zgjedhë mes të qenit klasa më e rrezikuar nga virusi përmes punës dhe të humburit e vendit të punës e pa burime të ardhurash, si pasojë e paralizës ekonomike të shkaktuar nga virusi. Ekziston, për shembull, çështja se kush mund të punojë nga shtëpia e kush jo. Kjo e përforcon ndarjen shoqërore siç bën edhe pyetja: kush mund ta përballojë vetëkarantinimin (me apo pa pagë) në rast infektimi? Siç mësova t’i quaja tërmetet në Nikaragua (1973) dhe Qytetin e Meksikos (1995) “tërmete klasash” (class-quakes), edhe avancimi i COVID-19 paraqet cilësitë e një pandemie klasore, gjinore e racore. Ndërkohë që përpjekjet për ta qetësuar situatën janë përqendruar pas retorikës “jemi të gjithë së bashku”, në praktikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për qeveritë ato fshehin qëllime të dyshimta. Klasa e sotme punëtore në SHBA (e përbërë kryesisht nga afro-amerikanë, latinë dhe gra) përballet me zgjedhjen e shëmtuar mes infektimit në emër të përkujdesjes dhe sigurimit të shërbimeve kyçe në shoqëri (si dyqanet e fruta-perimeve) apo papunësisë që i bën të humbasin të drejta bazike si kujdesi i duhur shëndetësor. Rrogëtarët si puna ime punojnë nga shtëpia dhe e marrin pagën njëlloj si më parë, ndërkohë që CEO-t e korporatave vijnë vërdallë me avionë dhe helikopterë privatë.

Forca punëtore në pjesën më të madhe të botës është mësuar t’i nënshtrohet neoliberalizmit (duke fajësuar veten ose Zotin në qoftë se diçka shkon keq, pa guxuar të mendojnë se kapitalizmi mund të jetë problemi). Ama edhe këta të nënshtruar mund të shohin se ka diçka që nuk shkon me mënyrën se si po i përgjigjemi kësaj pandemie.

Pyetja e madhe është: edhe sa do të zgjasë e gjithë kjo? Mund të zgjasë më shumë se një vit dhe sa më shume të zgjasë, aq më i madh do të jetë zhvlerësimi, përfshirë këtu edhe ai i forcës punëtore. Në mungesë të një ndërhyrjeje të fuqishme nga shteti, që do të shkonte kundër (ideologjisë) neoliberalizmit, nivelet e papunësisë do të jenë të krahasueshme me ato të viteve 1930. Pasojat e menjëhershme për ekonominë dhe jetën e përditshme janë të shumta, por nuk janë të gjitha të këqija. Në pikën ku konsumerizmi i ditëve të sotme po bëhej i tepërt e po shkonte drejt asaj që Marksi e përshkruan si “mbikonsumi dhe konsumi i çmendur që sjellin, kur arrijnë masën e përbindshme e të tjetërbotshme, tatëpjetën” e të gjithë sistemit. Vrulli i këtij mbikonsumi ka luajtur një rol të rëndësishëm në degradimin mjedisor. Anulimi i fluturimeve dhe pakësimi i transportit ka sjellë pasoja pozitive në lidhje me gazrat që çlirohen në atmosferë. Cilësia e ajrit në Vuhan është përmirësuar, ashtu si në shumë qytete të SHBA. Destinacionet eko-turistike do të kenë kohë për të marrë veten nga vizitorët. Mjellmat janë rikthyer në kanalet e Venecias. Në momentin që do të ulet dëshira për konsumerizëm të vrullshëm e të pakuptimtë, mund të fillojmë të shohim disa të mira afatgjata. Më pak vdekje në Malin Everest mund të jetë një gjë e mirë. E megjithëse askush nuk e thotë me zë të lartë, “përzgjedhja” demografike e virusit mund të prekë piramidat moshore duke sjellë pasoja afatgjata për politikat sociale dhe të ardhmen e “industrisë së kujdesit shëndetësor”. Ritmi i jetës së përditshme do të ngadalësohet dhe për disa kjo do të jetë një uratë. Në qoftë se situata e emergjencës do të vazhdojë gjatë, rregullat e distancimit social mund të sjellin edhe ndryshime kulturore. E vetmja formë konsumi që me siguri do të përfitojë nga e gjithë kjo situatë është e ashtuquajtura ekonomi “Netflix” që prodhon për “shikuesit maratonistë” (binge watchers).

Nga frontin ekonomik, përgjigjet janë kushtëzuar nga mënyra e përballjes me krizën e 2007-2008. Kjo përfshiu një politikë monetare tejet të çlirët që shpëtoi bankat, kombinuar me një rritje të madhe të konsumit prodhues prej zgjerimit masiv të investimeve infrastrukturore në Kinë. Kjo e fundit nuk mund të përsëritet në shkallën e nevojshme. Paketat e shpëtimit financiar që u miratuan në vitin 2008 përqendroheshin te bankat, por edhe në shtetëzimin e General Motors-it. Është domethënëse mbyllja e përkohshme e tre kompanive të mëdha për makina në Detroit si pasojë e pakënaqësisë së punëtorëve dhe rënies drastike të kërkesës së tregut.

Në qoftë se Kina nuk merr rolin që kishte gjatë 2007-2008, pesha për të na nxjerrë nga kriza e tanishme ekonomike bie mbi SHBA, e pikërisht këtu qëndron ironia: të vetmet politika që do të funksionin, si ekonomikisht edhe politikisht, janë shumë më socialiste se ato që ka shtruar Bernie Sanders-i dhe këto programe shpëtimi do të ndërmerren gjatë presidencës së Donald Trump-it, me shumë mundësi nën maskën e parullës “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”.

Të gjithë republikanët që kundërshtuan hapur shpëtimin financiar të 2008 ose do të kapërdijnë turpin, ose do të kundërshtojnë Donald Trump-in. Ky i fundit, në qoftë se është ndopak i mençur, do të anulojë zgjedhjet për shkak të emergjencës dhe do të deklarojë fillimin e një presidence perandorake për të shpëtuar kapitalin dhee botën nga “protestat dhe revolucioni”.

E përkthyen Flavia Osmani dhe Nebih Bushaj

Marrë nga revista Jacobin


[1] Mbret mesjetar anglo-sakson i cili, për të treguar se pushtetarët politikë nuk kishin fuqi mbi forcat e natyrës, u ul në fron buzë detit dhe i dha urdhër atij që të mos ia lagte këmbët, por më kot. – Shën. red.

Imazhi: Newsweek

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.