/Arlind Qori/
Përpara se t’i nisja këto radhë kritike për marrëveshjen Rama-Meloni, e vura veten në vendin e një emigranti nga Afrika. Vendi im ose është në luftë civile, ose nën një qeveri fund e krye të korruptuar dhe të paaftë për të qeverisur, ose në varfëri të skajshme. Fus plaçkat në një torbë dhe nisem për në Evropë, aty ku më pret ndonjë kushëri apo shok që më ka premtuar një vend pune. Me vete kam marrë, duke hyrë në borxh, 2000 deri në 10000 euro, aq sa u duhen trafikantëve për të më hipur në gomone. Po pata fatin të mos më kapin zotërit e luftës në Libi e të më mbajnë si skllav në vendet e grumbullimit të refugjatëve dhe të mos çahet gomonia, përfundoj në kuvertën e një anijeje italiane. Ndonëse brigjet italiane janë shumë pranë dhe konventa e Hamburgut e do që të mbërrij aty, më detyrojnë të udhëtoj edhe plot dy ditë të tjera në anije për të mbërritur në një vend i cili, pasi mësoj se quhet Shqipëri, duket se i ngjan shumë vendit tim të origjinës, së paku nga dëshira masive e qytetarëve për të ikur nga sytë këmbët drejt Evropës.
Pak kontekst ndërkombëtar
Emigracioni masiv është një problem gjithnjë e më i mprehtë i botës së sotme. Thuajse të gjithë emigrantët vijnë nga vende me probleme të thella sociale e politike dhe synojnë të kërkojnë strehë ose të gjejnë mënyra jetese në vendet tashmë të zhvilluara. Gjatë viteve të fundit fluksi kryesor i emigrantëve që synojnë vendet e Evropës perëndimore e veriore nis nga vendet e Afrikës. Qindra mijëra emigrantë potencialë lënë çdo vit vatrat e tyre (vetëm 10% e tyre kanë qëllim Evropën – 90% tjetër emigron drejt vendeve fqinje po në Afrikë). Duke përdorur afërsinë gjeografike midis Tunizisë e Libisë dhe Italisë, e zgjedhin këtë të fundit si stacionin e parë, me shpresën se do të fitojnë azil politik ose do të arratisen nga kampet e refugjatëve për t’u integruar në ekonominë informale të vendeve më të zhvilluara të BE. Dy-tri vitet e fundit, pas një rënieje gjatë kohës së pandemisë, flukset e emigrantëve drejt/nëpërmjet Italisë kanë arritur sërish nivele të larta. Madje këtë vit kanë kapërcyer pragun e 100.000 vetëve.
Për shkak të Rregullores së Dublinit, të vënë në zbatim në vitet 1990, shtetet anëtare të BE kanë tentuar ta rregullojnë ligjërisht procesin e menaxhimit të kërkesave për azil nga emigrantët duke ia ngarkuar këtë detyrë vendit ku emigrantët shkelin për herë të parë brenda kufijve të BE. Meqenëse origjina kryesore e emigrimit janë vendet e Afrikës, rrugët e tranzitit kalojnë nëpër Mesdhe dhe Italia është stacioni më i afërt i arritjes së gomoneve, Italisë i bie një barrë shpërpjesëtimore e menaxhimit të procesit të shqyrtimit të kërkesave për azil. Tentativat e shtetit italian për rinegociimin e Rregullores së Dublinit kanë dështuar për shkak të rritjes së ksenofobisë kudo nëpër Evropë, sidomos në vende me qeveri të ekstremit të djathtë si Hungaria e Polonia, ndonëse paradoksalisht kryeministrat e këtyre vendeve janë aleatë politikë e ideologjikë të kryeministres italiane Meloni.
Giorgia Meloni arriti të fitojë zgjedhjet e fundit parlamentare në Itali për shkak se premtoi reduktimin drastik të emigrantëve që do të zbrisnin në Itali. E zënë ngushtë nga realiteti – që nuk do t’ia dijë për gjeste “heroike” – i shtimit të numrit të azikërkuesve në Itali, përballjes me fiaskon e premtimit elektoral dhe rivalitetin e brendshëm me një tjetër të fandaksur të së djathtës ekstreme italiane si Matteo Salvini, me të cilin ndan pushtetin sot, Melonit i ka ardhur në ndihmë vasali i saj i sapogjendur, kryeministri i Shqipërisë, dora vetë, Edi Rama, i cili nga ana tjetër e Adriatikut i ka hedhur një kamerdare shpëtimi duke pranuar që gati 1/3 apo 1/4 e azilkërkuesve të strehohen dhe kërkesat e tyre të shqyrtohen nga shteti italian brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Çfarë shkel marrëveshja Rama-Meloni?
E nisim nga parimi më i thjeshtë: informimi i publikut. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë deklaroi se prej muajsh po e bisedonte çështjen e emigrantëve me kryeministren e Republikës së Italisë, pa informuar as opinionin publik shqiptar, as strukturat institucionale përkatëse të shtetit tonë. Gjithçka u mor vesh pas hedhjes së nënshkrimeve, duke ua paraqitur qytetarëve shqiptarë problemin si një fakt të kryer.
Edhe më problematike është marrëdhënia neokoloniale që po vendoset kaq haptazi midis Italisë dhe Shqipërisë. Përmes konventave ndërkombëtare që ka nënshkruar, Shqipëria do të kishte detyrimin të shqyrtonte kërkesat e azikërkuesve sikur këta të fundit të synonin të qëndronin në Shqipëri, ose kur marina shqiptare do të shpëtonte në det njerëz që rrezikojnë të mbyten. Duke mos qenë pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria nuk ka as të drejtë, as detyrim dhe as mundësi që të përfshihet në debatet mbi rinegociimin e Rregullores së Dublinit për rishpërndarjen e emigrantëve. Sipas parimeve në fuqi të së drejtës ndërkombëtare, emigrantët që synojnë Italinë ose shpëtohen nga marina italiane janë përgjegjësi e shtetit italian për t’i pritur, garantuar të drejtat themelore dhe shqyrtuar kërkesën e tyre për azil.
Ç’është edhe më e keqja, marrëveshja Rama-Meloni i jep shtetit italian zona ekstraterritorialiteti brenda Republikës së Shqipërisë; pra zona ku sundon ligji italian dhe vendos administrata italiane. Roli i shtetit shqiptar është të bëjë rojën jashtë mureve të kampit të “internimit” të refugjatëve dhe të kapë mjeranët që do të duan të arratisen drejt vendeve të BE.
Nëse marrim në konsideratë përvojën e vendeve ku ka marrëveshje të ngjashme me Italinë/BE, si p.sh. Libia dhe Tunizia, do të vëmë re se ato janë të sunduara nga autokratë të korruptuar ose janë të karakterizuara nga lufta civile midis zotërve të brendshëm të luftës. Mbajtja me detyrim e refugjatëve në këto vende ka sjellë jo vetëm shkeljen e të drejtave të këtyre të fundit, por edhe injeksione financiare e mbështetje politike për regjime që nuk gëzojnë mbështetje popullore. Ka fort gjasa që Edi Rama do ta përdorë marrëveshjen me Giorgia Melonin për të fituar një legjitimitet ndërkombëtar të pamerituar. Përveç favoreve personale, mundet që vende si Italia etj. të ushtrojnë presion brenda BE që kjo e fundit të bëjë një vesh shurdh e një sy qorr kur vjen puna te shqyrtimi i progresit ligjor dhe institucional të Shqipërisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Kësisoj ekziston rreziku që qeveria aktuale të “mirëkuptohet” për kapjen e shtetit, korrupsionin, lidhjet me oligarkinë e krimin e organizuar, blerjen e votave, trysninë ndaj votuesve etj.
Ndryshe nga ofshamat apokaliptike të promotorëve të racizmit, efekti i ardhjes së emigrantëve në Shqipëri nuk do të jetë “zëvendësimi etnik”, marrja e vendeve të punës apo “përdhunimet e krimet masive” të emigrantëve. Askush prej 36.000 emigrantëve të mundshëm nuk ëndërron apo dëshiron të stacionohet në Shqipëri, lere më pastaj të nisë punë e të kërkojë të jetë pjesë e shoqërisë shqiptare. Për arsyen e thjeshtë se kur njeriu braktis vendin e vet, e bën këtë sakrificë për t’u integruar në një shoqëri që është shumë më e zhvilluar dhe demokratike se e vetja, jo për të shkuar në një shtet mjaft të ngjashëm për nga problemet me vendin e tij të origjinës. Shqipëria sot – dhe për sa kohë do të sundohet nga triada pushtet i korruptuar-oligarki-krim i organizuar – nuk i përmbush kriteret minimale për të qenë një vend tërheqës për emigrantët. Çka do ndodhë me siguri është që nga prania e emigrantëve në Shëngjin e në Gjadër do të përfitojnë organizatat kriminale vendase, të cilat përveç trafikimit të lëndëve narkotike do të merren edhe me trafikimin e qenieve njerëzore, kësaj here nga toka drejt vendeve të BE. Trafikimi i qenieve njerëzore është një nga bizneset më fitimprurëse të organizatave kriminale, duke sjellë të ardhura vjetore prej rreth 150 miliardë eurosh në vit. Imagjinoni për një moment se si disa prej këtyre miliardave do të shkojnë në duart e organizatave kriminale vendase, të cilat, siç e do praktika e derisotme politike në Shqipëri, do të investohen edhe në financimin e paligjshëm të partive politike, ngritjen e kullave që zhdukin hapësirat publike apo trajta të tjera të pastrimit të parave!
Kujt i flet Edi Rama?
Përpara nënshkrimit të marrëveshjes me Melonin, Edi Rama zgjodhi të flasë italisht. Populli shqiptar për herë të parë po merrte vesh për një marrëveshje të tillë, por për kryeministrin e Republikës së Shqipërisë me rëndësi ishte që ta dëgjonin dhe kuptonin italianët(!) Zgjedhja e gjuhës nuk ishte e rastësishme. Me të Rama dëshironte ta siguronte Melonin dhe faktorët e tjerë ndërkombëtare që po fliste vetëm për ta, pasi “popullin shqiptar e kam në xhep”. Për Ramën, rëndësi jo thjesht parësore, po absolute, ka mënyra se si duket jashtë vendit, fama apo mirënjohja personale e politikanëve të huaj, duke mos e begenisur fare popullin që supozohet se përfaqëson. Ky nuk ishte vetëm një lëshim gjuhësor i Ramës, por edhe një levantizëm (kujto Konicën!) që si spitullaq me kompleks inferioriteti, i mbetur kulturalisht në Shqipërinë e viteve 1980, është i gatshëm të bëjë lolon e oborreve perëndimore vetëm për pak vëmendje. Për Edi Ramën, buzëqeshja e Melonit apo vëmendja e Bruno Vespës janë 1000 herë më të rëndësishme se problemet dhe të drejtat e popullit shqiptar. Nën zë ai është përçmuesi më i madh i popullit dhe kulturës shqiptare, që e përfytyron veten si “evropian” të hedhur nga anija kozmike në këtë vend “oriental” që kurrë nuk e ka “kuptuar” siç duhet.
Për ta përligjur marrëveshjen me Melonin dhe pritjen e refugjatëve, Edi Rama iu referua tri vlerave të rëndësishme: humanitarizmit, mikpritjes tradicionale shqiptare dhe borxhit historik që Shqipëria i ka Italisë. I marrim një e nga një. Në asnjë çast të karrierës së tij politike Edi Rama nuk ka treguar asnjë grimcë humanizmi apo njerëzillëku. Ai mbetet një nga kryeministrat më të korruptuar të historisë së Shqipërisë, varfërues i shoqërisë, përçmues i të varfërve, shtypës i të drejtave të njerëzve të punës dhe nënçmues i njerëzve të kulturave të tjera. Sikur Edi Rama të ishte, ta zëmë, një politikan alla Ema Bonino në Itali, e cila gjithë jetën e saj ia ka kushtuar mbrojtjes së refugjatëve (edhe shqiptarëve), atëherë vendimi i tij do të vazhdonte të ishte antikushtetues dhe kundër të drejtës ndërkombëtare, por të paktën do të ishte i kuptueshëm dhe konsekuent politikisht. Por jo, Edi Rama mbetet një politikan pa parime të tjera veç zhvatjes, oportunizmit dhe cinizmit.
Së dyti, ka një dallim të madh midis mikpritjes së vërtetë dhe mikpritjes surrogato. Mikpritja, edhe ajo tradicionale, jepet kur miku (në hall) të troket në derë e të kërkon mbrojtje. “Të nëmurit e dheut”, siç i quante dikur Frantz Fanon-i popujt e shtypur e të kolonizuar të Afrikës, nuk po kërkojnë strehë në vendin tonë, por do të internohen në Shqipëri. Nderin Ramës po ia kërkon një prej politikaneve më raciste dhe ksenofobe në Evropë, e cila do të lajë duart me trashëgiminë kolonialiste të shtetit të saj dhe të tjera shteteve të Evropës dhe të fitojë në mënyrë makiavelike pikë në pjesët ksenofobe të opinionit publik italian.
Së treti, Shqipëria nuk i ka asnjë borxh Italisë më shumë nga ç’Italia i ka Shqipërisë. Fatkeqësisht marrëdhëniet midis shteteve nuk rregullohen nga kategori morale si borxhi apo mirënjohja, por nga ndërthurja e interesave të klasës ekonomikisht sunduese të një vendi, që ia arrin të përkufizojë edhe interesat kombëtare të shtetit të vet në raport me shtetet e tjera. Edhe sikur të pranojmë për një moment logjikën e Ramës, nuk duhet të harrojmë që në mbi 100 vjet shteti i Italisë i ka borxhe popullit shqiptar. Bëjmë një ekskursion në histori? Traktati i Fshehtë i Londrës i 1915 – i bërë publik dhe i denoncuar nga Leon Trocki, si Komisar i Popullit për Punët e Jashtme të Rusisë së pasrevolucionit – ku fuqitë e Antantës zotoheshin për shpërbërjen e Shqipërisë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, duke i premtuar Italisë një pjesë të konsiderueshme të vendit tonë në këmbim të hyrjes së kësaj të fundit në anën e tyre në luftë. U deshën lufta çlirimtare e popullit të Vlorës, e mbështetur nga qeveria e Sulejman Delvinës, dhe përkrahja e presidentit të SHBA Woodrow Wilson në Konferencën e Paqes në Paris që Shqipëria e 1913 të ruante pavarësinë dhe integritetin e saj territorial. Pa kaluar as një dekadë, interesat e Italisë (fashiste prej 1922) nisën ta konsiderojnë Shqipërinë një vend ku do të vendosej fillimisht një kolonializëm ekonomik dhe dora-dorës edhe politik, që reflektohet në trysninë e fortë që Italia ushtroi ndaj Ahmet Zogut dhe që u materializua në pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939. Prapëseprapë, populli shqiptar i mbrojti ushtarët italianë pas kapitullimit italian më 1943, madje ish-ushtarë italianë iu bashkuan partizanëve shqiptarë duke formuar batalionin Antonio Gramshi. Nëse këto duken ngjarje të një epoke tjetër, mund t’i referohemi edhe mbytjes së 84 shqiptarëve fatkëqij më 1997 të hipur në anijen Kateri i Radës nga një anije luftarake italiane. Për të mos përmendur këtu qindra mijëra shqiptarët që janë shfrytëzuar ekonomikisht duke u nënpaguar për vite të tëra nga sipërmarrjet italiane, duke i dhënë kapitalit dhe shtetit italian më shumë vlerë ekonomike nga ç’kanë marrë në këmbim si pagë.
Thënë këto, është e vërtetë që në dekadat e fundit populli shqiptar duhet t’i jetë mirënjohës popullit italian për mikpritjen dhe solidaritetin në fazat më të vështira të historisë sonë bashkëkohore, ashtu sikundër duhet ta konsiderojmë veten me fat që jemi kaq pranë një prej kulturave më të pasura e të rëndësishme të njerëzimit. Po kjo ndjenjë mirënjohjeje duhet të jetë reciproke dhe të mos intrumentalizohet politikisht nga politikanë të paskrupullt.
Prapëseprapë, s’mund të bëhemi racistë
Në disa vende të Bashkimit Evropian, sidomos aty ku qeveris ekstremi i djathtë, nuk ekziston vetëdija për përgjegjësitë që ka Evropa ndaj vendeve që dikur i ka kolonizuar, madje ende sot i trazon për interesat e veta ekonomike e gjeostrategjike. E shoqëruar me tallazet që prodhojnë politikat neoliberale në tregun e punës, forcat politike të ekstremit të djathtë nëpër Evropë kanë krijuar imazhin e refugjatit si qenie nënnjerëzore, duke mos u njohur atyre të drejtat që burojnë nga konventat ndërkombëtare. Të painteresuar për të ndihmuar në mëkëmbjen ekonomike të vendeve të origjinës së refugjatëve dhe cinikë mjaftueshëm për të mos zbatuar të detyrimet e mikpritjes që burojnë nga e drejta ndërkombëtare, qeveri si kjo e Melonit sot po përpiqen ta nënkontraktojnë dhe eksportojnë problemin e menaxhimit të kërkesave për azil, duke i shtyrë forcërisht refugjatët drejt vendeve po aq të varfra dhe pa kapacitete administrative dhe ekonomike për mikpritje si Shqipëria, Tunizia, Libia apo Ruanda (rasti i Mbretërisë së Bashkuar). Duke ndërtuar kampe në Shqipëri, Italia po i kthen refugjatët në të internuar dhe shqiptarët në roje të kampeve të internimit.
Gjithë ç’kam shkruar deri më tani janë arsye të mjaftueshme dhe serioze për të qenë fuqimisht kundër marrëveshjes Rama-Meloni. Megjithatë, në hapësirat e komunikimit publik vërej me keqardhje që ndikuesit e paprinciptë të opinionit publik po i fryjnë trajtave më të shëmtuara e çnjerëzore të racizmit. Refugjatët nga Afrika përfytyrohen si racë inferiore, nënçmohen dhe qeshet me ngjyrën e lëkurës së tyre, konsiderohen si përdhunues potencialë, vrasës dhe terroristë. Sikur do dalin në rrugët e Shëngjinit apo Gjadrit me thika dhe penis në dorë si përbindësha me fizionomi njeriu. I tillë racizëm e poshtërim ndaj Tjetrit ka qenë karakteristikë e Rajhut të Tretë apo regjimeve më raciste të historisë së njerëzimit. Vetë ne, shqiptarët, i kemi provuar dhe vazhdojmë t’i provojmë në kurriz nga pjesët ksenofobe e raciste të opinionit publik në Itali, Angli, Gjermani e gjetkë. Kush e ka harruar përfytyrimin e shqiptarit si “vrasës, trafikant apo grabitës shtëpish”?! Dhe ky nuk është vetëm kujtimi i hidhur e i largët i viteve 1990, por një damkë raciste që nuk e meritojmë as ne dhe askush tjetër, aq më pak prej nesh.
Rreth 20 vjet më parë është përkthyer në shqip libri i gazetarit italian Gian Antonio Stella “Hordhia: Kur shqiptarët ishim ne”. Stella u kujtonte italianëve të kohës së tij se deri pak dekada më parë ata kishin qenë emigrantë njëlloj si shqiptarët, të shfrytëzuar e të nënçmuar në shoqëritë bujtëse njëlloj si shqiptarët, me virtyte dhe vese të ngjashme me shqiptarët dhe çdo popull tjetër që gjendet në kushte të varfërisë së skajshme. Do të doja që dikujt t’i shkonte mendja të shkruante një libër me titullin “Kur afrikanët ishim ne”. Do të ishte ilaçi më i fortë për të izoluar racizmin dhe ksenofobinë e sharlatanëve që manipulojnë opinionin publik për të fituar disa pëlqime më shumë në rrjetet sociale.
– Personazhet kryesore në foto janë diktatori fashist i Italisë Benito Mussolini dhe kryeministri kuisling i Shqipërisë së pushtuar Shefqet Vërlaci.
Imazhi: Albanian Historical Society/Facebook
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.