/Redi Muçi/
Studentët padyshim që reaguan ndaj një sistemi arsimor të kalbur, të vjetruar, të atrofizuar nga mungesa e financimeve, ku burokratët janë kthyer në tenderistët e përhershëm të universitetit. Aty ku abuzuesit më të ndyrë vegjetojnë prej dekadash të paprekur.
Shumica prej protestuesve janë studentë që kanë hyrë në universitet me shpresën se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë se ajo e prindërve të tyre, ndërkohë që kuptojnë se sistemi po tallet me ta, po u vjedh dita-ditës kursimet e familjes, për t’i nxjerrë më pas në rrugë si diplomambajtës të papunësueshëm.
Revolta e tyre është ndaj një realiteti politik tridhjetëvjeçar, ku po u fol për reformë nga qeveritarët nënkuptohet se dikush do të përfitojë që të humbasin të shumtit. Diku është bërë një pazar mes palëve që të vidhet çka ngelur nga pasuria publike.
Në sheshin ku lindi protesta u pa një shpërthim
krijimtarie pankartash dhe parullash që artikulonin në mënyrën më brilante
vrullin dhe mllefin e atyre që u etiketuan si “ngelësa” apo “plogështarë
kafenesh”. Në epokën digjitale ku jetojmë, një kryeministër i mësuar të sulmojë
kundërshtarët me batuta e gjeti veten lakuriq përpara lumit të krijimtarisë së
studentëve. Bijtë e shekullit të ri,
që plakun e lanë në shejtnin’ e tij.
Protesta ishe sa spontane, aq edhe e neveritur nga makinacionet e përhershme të partive politike për të fituar legjitimitet duke u përzier dhe duke përlyer kauzat sociale. Thirrja që kumboi në shesh ishte “Jo politikë!”, si refuzim i prerë i çdo tentative për ta kthyer këtë revoltë në përplasje llogoresh që manifestohen mbrëmjeve nëpër emisionet televizive. Llogoret janë vendi më i rehatshëm i politikanëve. Nëpër llogoret përkatëse vrapuan fillimisht Lindita Nikolla dhe Grida Duma, për ta kanalizuar energjinë e turmës në kacafytjen e kolltukëve sa për sy e faqe. Por turma i injoroi. Show, this time, mustn’t go on.
“Protesta është politike”, vrapuan të tautologjizonin analistët. Por ajo që s’kuptojnë këta zotërinj është se protesta katërçipërisht e refuzoi kastën partiake dhe sistemin e ngritur politik. Se protesta nuk ka nevojë të thërrasë “Rama ik!” për të qenë politike. Protesta studentore e diskreditoi dhe e çlegjitimoi Ramën ashtu siç nuk ia ka arritur kurrë çdo tallava xhamadanësh vija-vija e orkestruar nga Lulzim Basha.
Imagjinata politike e shumëkujt në këtë vend nuk shkon përtej “Po s’thirre poshtë Rama, je apolitik” dhe “Po thirre Basha qëndro larg, je i infiltruar nga Rama”. Bipartitizmi si biparazitizëm është i vetmi realitet politik i prodhuar pas diktaturës më të egër në Evropë, prandaj nuk ka vend për t’u çuditur. Prandaj në mendjen e tyre i vetmi akt domethënës politik është rotacioni i pushtetit.
Kemi të bëjmë me një kulturë kaq të varfër politike – të trashëguar nga analfabetizmi i kohës së Zogut dhe represioni i kohës së Hoxhës – saqë e vetmja shprehje e vullnetit politik të popullit duket sikur është vota si mjet ndëshkimi. Po nuk u rrëzua Perandori, protesta ishte e kotë, megjithëse perandori i radhës është po aq kriminel sa ky që iku. Por shpresojmë se ky i riu nxori mësime nga i pari, dhe vdesim pak nga pak duke shpresuar, ndërsa ata majmen pak nga pak duke u tallur.
Nuk ka ndodhur kurrë më parë që vullneti popullor (studentor në këtë rast) të artikulohet për të goditur në zemër të sistemit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë përmbysja e një reforme në një sektor kaq të rëndësishëm sa arsimi, e kontestuar kaq fort që para votimit të saj në parlament (edhe nga LSI, që të mos harrojmë), në të cilën Edi Rama ka investuar kaq shumë kapital politik. Përmbysja e reformës është një goditje jo vetëm për Edi Ramën, por për të gjithë sistemin politik të rrënjosur në kulturën e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Abrogimi i ligjit në arsimin e lartë është një fitore e prekshme për mbarë studentët dhe përbën pikënisjen për reformimin rrënjësor të sistemit arsimor, bazuar te kërkesat dhe ëndrrat e studentëve.
Reforma në arsim nuk mund të jetë sektoriale, pasi arsimi lidhet ngushtë me punësimin, me orientimin e mbarë ekonomisë dhe mënyrës së funksionimit të saj. Lidhet ngushtë me të ardhmen e qindra mijëra të rinjve që duan dhe duhet të ndërtojnë jetën në këtë vend dhe jo të marrin malet siç bënë prindërit e tyre. Arsimi është pikënisja që shoqëria të jetë pikëmbërritja.
Luftën e studentëve për të rrëzuar një ligj korruptiv dhe shkatërrimtar do ta ndjekin edhe mjekët e rinj për të reformuar sistemin shëndetësor; edhe punëtorët e rafinerisë së naftës e cila gjymtohet dita-ditës nga oligarkët e pushtetit duke i hedhur ata në rrugë; edhe gazetarët e rinj për t’i sjellë dinjitetin e merituar profesionit të tyre dhe për të dalë nga zgjedha e pronarit; edhe minatorët e galerive që shemben duke i zënë brenda. Leksioni politik i kësaj proteste nuk matet me kolltukë.
Prandaj Rama përçartet. Prandaj po inskenon turlilloj podiumesh me shërbëtorë të devotshëm që s’po dinë si ta nxjerrin nga halli ku e ka zhytur përballja me studentët. Nuk mund të negociohet për një ligj klientelist, të ngritur në kurriz të studentëve dhe brezave që do të vijnë. Nuk ka nevojë për përfaqësi sepse negociatat janë korruptim. Ka vetëm një kusht: ANULO LIGJIN!
Imazhi Lëvizja Për Universitetin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).