/Michel Foucault/
[…]Do të doja të nisja historinë e këtij përbindëshi moral, për të cilin më herët kam parashtruar kushtet e mundësisë së shfaqjes. Së pari do të paraqes një skicë paraprake, fytyrën e parë të këtij përbindëshi moral që evokohet prej ekonomisë së pushtetit ndëshkimor. Çuditërisht, por në një mënyrë që mua më duket tipike, përbindëshi i parë moral që del në pah është përbindëshi politik. Pra besoj se krimi patologjizohet mbi bazën e një ekonomie të re të pushtetit, çka bart si provë shtesë faktin se krimineli politik është i pari përbindësh moral, ose së paku më i rëndësishmi, që shfaqet në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. Në fakt në teorinë e re të ligjit penal…, kriminel është shkelës i paktit që ka nënshkruar dhe preferon interesat vetjake përpara ligjeve që qeverisin shoqërinë të cilës i përket. Kësisoj ai kthehet në gjendjen e natyrës për shkak se ka shkelur kontratën fillestare. Njeriu i pyllit rishfaqet si kriminel. Sidoqoftë, bëhet fjalë për një njeri pylli paradoksal sepse ai nuk ia del të kuptojë llogaritjen e interesit që më herët e kishte shtyrë të nënshkruante paktin së bashku me të tjerët. Përderisa krimi përbën shkelje të paktit dhe është pohimi dhe kushti i interesit vetjak që u kundërvihet të gjitha interesave të tjera, është e kuptueshme që krimi konsiderohet njëfarë abuzimi me pushtetin. Krimineli ka qenë gjithnjë në njëfarë mënyre një despot i vogël, i cili në nivelin e tij mbron të njëjtat interesa si despoti. Kësisoj në vitin 1760, tridhjetë vjet përpara Revolucionit (Francez – shën. përkth.), formulohet qartë tema, fort e rëndësishme gjatë Revolucionit Francez, e lidhjes së fortë midis kriminelit dhe tiranit, midis shkelësit të ligjit dhe monarkut despotik. Nga të dyja anët e paktit të shkelur ka një lloj simetrie, njëfarë marrëdhënieje midis kriminelit dhe despotit, të cilët përshëndeten me njëri-tjetrin si dy individë që refuzojnë, shpërfillin ose shkelin paktin themeltar dhe i shndërrojnë interesat e tyre në ligj arbitrar, duke u orvatur t’ua imponojnë të tjerëve. Në vitin 1790, pikërisht kur po diskutohej kodi i ri penal, Duport-i, i cili nuk përfaqësonte ndonjë pozicion ekstremist, shprehej: “Despoti dhe keqbërësi prishin rendin publik. Në sytë tanë, rendi arbitrar dhe vrasja janë të barasvlefshme.”
Tema e lidhjes midis sovranit që qëndron mbi ligjin dhe kriminelit që qëndron poshtë tij, pra tema e dy të jashtëligjshmëve, sovrani dhe krimineli, gjendet më së pari, përpara Revolucionit Francez, në formën e zbehtë e të zakonshme të arbitraritetit të tiranit si shembull i kriminelëve të mundshëm, ose i paligjshmërisë së tij themelore që i lejonte kryerjen e krimit. Pse nuk duhet shkelur ligjet kur sovrani – i cili duhet t’i promovojë, mbështetë dhe zbatojë ato – i lejon vetes mundësinë e përmbysjes dhe pezullimit të tyre, ose së paku e moszbatimit të tyre mbi veten?! Për pasojë, sa më despotik pushteti, aq më të shumtë bëhen kriminelët. Pushteti i madh i tiranit nuk i godet, por i shumëfishon keqbërësit. Prej vitit 1760 deri në vitet 1780-1790 kjo temë është trajtuar vazhdimisht nga të gjithë teoricienët penalë. Sidoqoftë me Revolucionin, sidomos pas vitit 1792, tema e marrëdhënies ose lidhjes së mundshme midis kriminelit dhe sovranit gjendet në trajtë mjaft më të detajuar, të dhunshme dhe imediate. Në fakt në këtë periudhë nuk vëmë re thjesht lidhjen midis kriminelit dhe sovranit, por njëfarë përmbysjeje të roleve në një diferencim të ri midis kriminelit dhe sovranit.
Fundja, ç’është krimineli? Krimineli është një njeri që shkel paktin, që e shkel herë pas here, kurdo që i nevojitet ose dëshiron, kur ia lyp interesi, kur në një çast dhune a verbërie mbizotëron motivi i interesit vetjak, pavarësisht përllogaritjes racionale më elementare. Krimineli është një despot i përkohshëm, një despot i momentit përmes verbërisë, fantazisë, pasionit etj. Në të kundërt, despoti pohon mbisundimin e interesit dhe vullnetit vetjak; këtë gjë e bën në mënyrë të përhershme. Despoti është kriminel për shkak të statusit të tij, kurse krimineli është despot aksidentalisht. Kur them prej statusit, po e ekzagjeroj sepse despoti nuk mund të ketë asnjë status në shoqëri. Despoti mund ta promovojë vullnetin e tij mbi tërë trupin shoqëror vetëm nëpërmjet një gjendjeje të përhershme dhune. Kësisoj despot është ai i cili – përtej statusit dhe ligjit, por në një mënyrë që lidhet tërësisht me ekzistencën e tij – i ushtron dhe mbron interesat e veta në mënyrë kriminale. Despoti është i jashtëligjshmi i përhershëm, individi pa lidhje shoqërore. Despoti është njeri i vetmuar. Despot është ai që, prej vetë ekzistencës së tij, kryen krimin më të madh, krimin par excellence, të shkeljes së paktit shoqëror përmes të cilit mund të ekzistojë dhe mbahet trupi shoqëror. Despot është ai ekzistenca e të cilit bashkohet me krimin, natyra e të cilit është rrjedhimisht e kundërta e natyrës. Despoti është një individ që i ngre dhunën, tekat dhe iracionalitetin e vet në ligj të përgjithshëm ose arsye shtetërore. Kjo do të thotë se prej lindjes deri në vdekje, ose për sa kohë ushtron pushtetin despotik, mbreti – ose të paktën mbreti tiran – është thjesht përbindësh në kuptimin e thjeshtë të fjalës. I pari përbindësh juridik që doli në pah gjatë regjimit të ri të ekonomisë së pushtetit ndëshkimor, i pari përbindësh që u shfaq, u identifikua dhe përkufizua, nuk ishte vrasësi, shkelësi i ligjit apo personi që shkel ligjet e natyrës, por personi që shkel paktin shoqëror themeltar. Përbindëshi i parë ishte mbreti. Kam përshtypjen se mbreti është modeli i përgjithshëm nga i cili, përmes zhvendosjeve e transformimeve historike, kanë rrjedhur të gjithë përbindëshat e panumërt që popullojnë psikiatrinë dhe psikiatrinë ligjore të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Sidoqoftë, më duket se rënia e Luigjit XVI dhe problematizimi i figurës së mbretit shënojnë një pikë vendimtare në këtë histori përbindëshash njerëzorë. Të gjithë përbindëshat njerëzorë janë pasardhës të Luigjit XVI.
Për mendimin tim, shfaqja e përbindëshit si mbret dhe e mbretit si përbindësh duket fare qartë në fund të vitit 1792 dhe fillimin e 1793, kur shtrohet çështja e gjyqit dhe ndëshkimit të mbretit, madje edhe më shumë e formës që duhet të merrte gjyqi i tij. Komiteti ligjvënës propozonte që ai të ndëshkohej përmes torturës dhe ekzekutimit publik, siç ndodhte me tradhtarët dhe komplotistët. Një sërë jakobinësh, në radhë të parë Sen Zhysti, u kundërpërgjigjën se Luigji XVI nuk duhet të merrte ndëshkimin e tradhtarëve dhe komplotistëve sepse për këto raste ndëshkimi parashikohej në ligj. Kësisoj ndëshkimi ishte pasojë e kontratës sociale dhe mund të ushtrohej në mënyrë legjitime vetëm mbi dikë që kishte nënshkruar kontratën sociale dhe i cili, në këtë mënyrë, ndonëse e kishte shkelur paktin në një moment të caktuar, tanimë e pranonte që pakti të vepronte kundër tij, mbi të ose në lidhje me të. Po mbreti nuk e kishte nënshkruar kurrë paktin shoqëror. Prandaj nuk mund të shtrohej çështja e zbatimit të neneve të paktit kundër tij. Asnjë ligj i trupit shoqëror nuk mund të zbatohej mbi të. Mbreti ishte armiku absolut dhe duhej konsideruar si armik nga i gjithë trupi shoqëror. Kësisoj ai duhej shtypur ashtu siç shtypet armiku ose përbindëshi. Prapëseprapë, thoshte Sen Zhysti, edhe kjo do të ishte e tepërt sepse nëse kërkohet që i gjithë trupi shoqëror të shtypë Luigjin XVI dhe ta heqë qafe si armik të përbindshëm, kjo do të thotë se i gjithë trupi shoqëror i kundërvihet Luigjit XVI. Domethënë kështu pranohet një marrëdhënie simetrie midis një individi dhe trupit shoqëror. Luigji XVI nuk e kishte pranuar asnjëherë ekzistencën e trupit shoqëror dhe e kishte ushtruar pushtetin duke e injoruar këtë ekzistencë. Ai e kishte ushtruar pushtetin vetëm mbi individët e veçantë, a thua se trupi shoqëror nuk ekzistonte. Meqenëse e kishin pësuar në kurriz pushtetin e mbretit si individë dhe jo si trup shoqëror, individët do të duhej ta hiqnin qafe Luigjin XVI si individë. Kësisoj si bazë e vdekjes së Luigjit XVI duhej të shërbente një marrëdhënie armiqësore individuale. Sipas teorisë ligjore (e cila ishte shumë e rëndësishme), kjo donte të thoshte se kushdo kishte të drejtë të shtypte Luigjin XVI, edhe pa marrë pëlqimin e përgjithshëm të të tjerëve. Kushdo mund ta vriste mbretin: “Kundër tiranisë njerëzit kanë të drejtë personale.” – thotë Sen Zhysti.
Diskutimi mbi gjyqin e mbretit, i cili ndodhi midis fundit të vitit 1792 dhe fillimit të 1793, është mjaft i rëndësishëm jo vetëm për shkak të daljes në pah të përbindëshit të parë të madh juridik – armikut politik, mbretit – por edhe se argumentet do të transferoheshin dhe ushtroheshin në një tjetër fushë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit, kur analizat psikiatrike e kriminalistike, nga Esquirol-i te Lombroso-ja, do të konsideronin si përbindësh kriminelin e zakonshëm. Që atëherë e tëhu, krimineli i përbindshëm shtron çështjen: A duhet ta zbatojmë ligjin mbi të? Si përbindësh prej natyre dhe si armik i gjithë shoqërisë, a nuk do të duhej shoqëria ta hiqte qafe pa iu referuar fuqisë së ligjit? Krimineli i përbindshëm, krimineli i lindur, nuk e ka nënshkruar ndonjëherë paktin shoqëror: Atëherë a mbulohet nga ligji? A duhen zbatuar ligjet mbi të? Problemet e ngritura në diskutimet mbi mënyrën si duhej ndëshkuar Luigji XVI do të transportoheshin në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë te kriminelët e lindur, te anarkistët që gjithashtu e refuzonin paktin shoqëror, te të gjithë kriminelët e përbindshëm dhe të gjitha ato figura nomade që qarkullonin në trupin shoqëror, pa u njohur nga trupi shoqëror si anëtarë.
Këto argumente ligjore kanë bërë jehonë në një përfytyrim gjithashtu të rëndësishëm. Bëhet fjalë për një përfytyrim karikaturor e polemik të mbretit përbindësh, i cili është kriminel për shkak të njëfarë natyre të brendshme e të panatyrshme. Në këtë periudhë shtrohet problemi i mbretit përbindësh dhe shkruhen një sërë librash, të cilat përbëjnë anale të vërteta të krimit mbretëror – prej Nimrodit te Luigji XVI, prej Brunhotit te Mari Antoneta. Për shembull kemi librin e Lavasseur-it “Tigres couronnés”, atë të Prodhomme-it mbi “Crimes des reines de France” dhe të Mopinot-së “Effrayantes histories des crimes horribles qui ne sont communs qu’entre les families des rois”, i botuar më 1793 dhe që përbën një tekst mjaft interesant për shkak se ndërton një lloj gjenealogjie të mbretërisë. Sipas Mopinot-së, origjina e mbretërisë është si vijon: Në zanafillë të njerëzimit kishte dy lloje njerëzish: ata që iu përkushtuan bujqësisë dhe rritjes së kafshëve dhe ata që duhej të mbronin të parët për shkak se kafshët e egra rrezikonin të hanin gratë dhe fëmijët, të shkatërronin të korrat, të shqyenin tufat etj. Gjuetarët e bënë të nevojshëm për të mbrojtur bashkësinë bujqësore nga kafshët e egra. Pastaj erdhi koha kur gjuetarët u bënë aq efektivë, saqë nuk kishte më kafshë të egra. Për pasojë gjuetarët u bënë të padobishëm dhe, të shqetësuar nga padobia e tyre, e cila do t’i privonte nga privilegjet e gjuetarëve, ata u shndërruan vetë në kafshë të egra dhe u kthyen kundër atyre që mbronin. Kësisoj ata sulmuan tufat dhe familjet që do të duhej të mbronin. Ata ishin ujqit e njerëzimit. Ishin tigrat e shoqërisë primitive. Mbretërit janë thjesht tigrat, gjuetarët e epokave të hershme, që zunë vendin e kafshëve të egra që silleshin vërdallë shoqërive të para.
Në këtë periudhë librash mbi krimet e mbretërve, Luigji XVI dhe Mari Antoneta portretizoheshin në pamflete si një çift i përbindshëm e gjakatar, si çakall e hienë. Pavarësisht karakterit rrethanor të këtyre teksteve dhe theksimeve të tyre, kjo literaturë ka rëndësi për temat e brendashkruara në figurën e përbindëshit njerëzor, që vazhdon të shfaqet përgjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Tema e përbindëshit njerëzor u kristalizua veçanërisht rreth Mari Antonetës. Në pamfletet e kohës, Mari Antoneta bart një sërë tiparesh prej përbindësheje. Pikësëpari, kjo lidhet me faktin se ajo është e huaj, domethënë nuk është pjesë e trupit shoqëror. Kësisoj ajo është bisha e egër në raport me trupin shoqëror të vendit të cilin e mbretëron; në çdo rast, ajo është një qenie në gjendjen e natyrës. Veç kësaj, ajo është hiena, vigania, “tigresha” e cila, sipas Prudhomme-it, “me të parë… gjak, nuk mund të ngopet”. Kësisoj kemi anën kanibale, antropofage të sovranes së etur për gjakun e popullit. Po ashtu kemi gruan skandaloze e të shthurur, që kryen aktet më të turpshme në dy forma: Së pari, ajo kryen incest, pasi mësojmë nga këto tekste e pamflete se kur ishte ende fëmijë, ajo ishte zhvirgjëruar nga i vëllai, Jozefi II, që ishte bërë dashnorja e Luigjit XV dhe paskëtaj u bë e dashura e kunatit të saj, ndërsa pasardhësi i mbretit ishte biri i kontit D’Artua. Për të dhënë idenë e kësaj teme, do të citoj një pasazh nga këto tekste, konkretisht nga “La Vie privee, libertine et scandaleuse de Marie-Antoinette”, e botuar në vitin I të Revolucionit dhe që fliste për marrëdhëniet midis Mari Antonetës dhe Jozefit II: “Ai ishte sovrani më ambicioz, njeriu më imoral, vëllai i Leopoldit, i cili gëzoi frytet e para të mbretëreshës franceze. Futja e priapusit perandorak në kanalin austriak shkaktoi pasionin për incest, kënaqësitë më të ndyra, urrejtjen ndaj Francës [më konkretisht: francezëve], neverinë ndaj detyrave të bashkëshortes dhe nënës, me një fjalë të gjitha ato që e ulin njeriun në nivelin e bishave të egra.” Ajo kryen incest dhe, së dyti, si e tillë, është fajtore edhe për shkelje të tjera seksuale: ajo është homoseksuale. Këtu futen marrëdhëniet e saj me arqidukeshat, motrat e kushërirat, si dhe me gratë e enturazhit të saj etj. Çiftimi i dy akteve më të ndaluara – incesti dhe kanibalizmi – më duket tipik për këtë përfytyrim të parë të përbindëshit në horizontin e praktikës dhe mendimit të imagjinatës juridike në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, por me këtë saktësim: Në figurën e parë të përbindëshit, Mari Antoneta, tema kryesore duket të jetë pangopësia seksuale dhe veçanërisht incesti.
Sidoqoftë në të njëjtën periudhë, në kontrast me përbindëshin mbretëror gjejmë figurën tjetër të madhe të përbindëshit në literaturën antijakobine e kundërrevolucionare. Këtu nuk kemi të bëjmë me përbindëshin e abuzimit me pushtetin, por me përbindëshin që shkel paktin shoqëror duke u revoltuar. Përbindësh nuk është më mbreti, por populli revolucionar që shërben si imazhi i anasjelltë i monarkut të gjakatar. Populli i revoltuar është hiena që sulmon trupin shoqëror. Në periudhën revolucionare, në letërsinë monarkiste e katolike, por edhe në literaturën angleze, kemi njëfarë imazhi të përmbysur të Mari Antonetës së përshkruar në pamfletet jakobine e revolucionare. Profili tjetër i përbindëshit duket kryesisht në lidhje me masakrat e shtatorit (1792 – shën. përkth.): përbindëshi popullor që e shkel paktin shoqëror nga poshtë, ndërsa Mari Antoneta dhe sovrani e shkelnin nga lart. Për shembull, madamë Rolandi i përshkruan kështu masakrat e shtatorit: “Ah sikur t’i njihnit detajet e tmerrshme të sulmeve! Gra të përdhunuara brutalisht përpara se të shqyheshin nga ata tigra, zorrët e çara dhe të marra ndër duar si fjongo, mish njeriu i zhytur në gjak që hahet.” Në librin “L’Histoire du cerge pendant la Revolution”, Barruel-i rrëfen historinë e një konteshe të Perinjonit e cila piqet në zjarr së bashku me dy vajzat e saj në sheshin Dofin, si dhe të gjashtë priftërinjve që digjen të gjallë në të njëjtin shesh pasi kanë refuzuar të hanë trupin e saj të pjekur. Barruel-i rrëfen edhe shitjen e patesë me mish njeriu në Pale Ruajal. Bertrand de Molleville-i dhe Maton de la Varenne-i tregojnë një sërë rrëfenjash: historinë e famshme të zonjushës de Sombreuil që pi një gotë me gjak për t’i shpëtuar jetën të atit, apo historinë e burrit që duhej të pinte gjak nga zemra e një djali të ri për të shpëtuar dy shokët e vet, apo ato të njerëzve që kryen masakrat e shtatorit dhe që pinë konjak brenda të cilit Manuel-i kishte shtënë barut dhe që hanin feta buke të ngjyera në gjakun e plagëve. Edhe këtu kemi figurën e pangopësisë dhe kanibalizmit, ku kanibalizmi del mbi pangopësinë. Dy temat e ndalesave seksuale dhe ushqimore lidhen qartazi me dy figurat kryesore të përbindëshit dhe përbindëshit politik. Këto figura lindin nga një koniunkturë e përpiktë, por ato u referohen edhe temave të vjetra: pangopësia e mbretërve, libertinazhi i të pushtetshmëve dhe dhuna e popullit. Këto janë tema të vjetra, por është me interes fakti që u riaktivizuan dhe ringjallën në këtë figurë të parë të madhe të përbindëshit. Kjo ndodhi për disa arsye.
Pikësëpari, riaktivizimi i këtyre temave dhe i imazhit të ri të egërsisë së përbindshme lidhet me riorganizimin e pushtetit politik dhe rregullat e reja të ushtrimit të tij. Nuk ishte e rastit që përbindëshi u shfaq bashkë me gjyqin e Luigjit XVI dhe masakrat e shtatorit, ku, siç e dini, kishte një kërkesë popullore për drejtësi që ishte më e dhunshme, e shpejtë, e drejtpërdrejtë dhe e hakut sesa drejtësia institucionale. Dy figurat e përbindëshit u shfaqën rreth problemit të ligjit dhe ushtrimit të pushtetit ndëshkimor. Këto figura janë të rëndësishme edhe për një arsye tjetër. Ato patën jehonë të gjerë në literaturën e epokës, literaturë në kuptimin më tradicional të termit, ose të paktën në literaturën e terrorit. Më duket se shpërthimi i papritur i literaturës së terrorit në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, pak a shumë në vitet e Revolucionit, lidhet me këtë ekonomi të re të pushtetit ndëshkimor. Në këtë moment shfaqet natyra e panatyrshme e kriminelit, e përbindëshit. Nga njëra anë shohim përbindëshin e abuzimit me pushtetin: princin, zotërinë, priftin e poshtër dhe murgun fajtor. Paskëtaj, në të njëjtën literaturë terrori, kemi edhe përbindëshin nga poshtë i cili kthehet në natyrën e egër: kaçakun, njeriun e pyllit, egërsirën me instinktet e veta të pakufizuara. Këto figura i gjejmë për shembull në romanet e Ann Radcliffe-it. Marrin rastin e “Château des Pirénées”-së, që ndërtohet tërësisht rreth ndërthurjes së këtyre dy figurave: zotërisë së rënë nga vakti që kërkon të hakmerret përmes krimeve më të tmerrshme dhe që, për këtë arsye, përdor kaçakë të cilët e pranojnë për komandant për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre: Përbindëshi e dyfishtë: “Château des Pirénées”-ja lidh dy figurat e mëdha të përbindëshisë dhe, për më tepër, i fut ato në një peizazh dhe kuadër mjaft tipik, përderisa historia shpaloset në një vend që është edhe kështjellë, edhe mal. Në një mal të paarritshëm e të zgavruar ku është ndërtuar një kështjellë e fortë. Kështjella feudale, skena e zotërisë tejet të pushtetshëm dhe kësisoj manifestim i pushtetit të tij kriminal që shkon përtej ligjit, është pjesë dhe parcelë e vetë natyrës prej egërsire ku kaçakët kanë gjetur strehë. Në figurën e “Château des Pirénées”-së kam përshtypjen se kemi të bëjmë me një imazh të dendur të këtyre dy formave të përbindëshisë që shfaqet në tematikën dhe imagjinatën politike të epokës. Romanet e terrorit duhen lexuar si romane politike. […]
E përktheu Arlind Qori
Marrë nga libri i autorit “Abnormal: lectures at the Collège de France 1974-1975”, Verso, 2003.
Imazhi: Nicolas Antoine Taunay – Triumfi i gijotinës në ferr