Një krizë si asnjë tjetër

Riprodhimi shoqëror dhe rigjenerimi i jetës kapitaliste gjatë pandemisë së COVID-19.

/Alessandra Mezzadri/

Përsëri në punë!

Me thellimin e krizës shëndetësore të COVID-19, bëhet gjithnjë e më e qartë që kolapsi afatshkurtër në prodhimin global ka të ngjarë ta tejkalojë atë të çdo recesioni në 150 vitet e fundit – domethënë, përgjatë gjithë historisë së kapitalizmit. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) vlerëson se kriza do të çojë në rrënimin e 195 milionë vendeve të punës. Prandaj, pasi u ezaurua gjerësisht vëmendja mediatike për epidemiologjinë e pandemisë së COVID-19, tashmë po fokusohet së tepërmi në format e rindezjes së motorit të ekonomisë globale. Edhe pse mund të jemi ende duke vajtuar humbjet tona në njerëz, duket se ka ardhur koha për të diskutuar se si të garantojmë mbijetesën ekonomike, e cila në kapitalizëm bazohet mbi punën dhe prodhimin. Këtu në Mbretërinë e Bashkuar, nga ku jam duke e shkruar këtë artikull, ’getting Britain back to work’, apo kthimi përsëri në punë i MB, është shndërruar në sloganin e ri të qeverisë, edhe pse lideri i saj është ende duke marrë veten nga virusi. Shqetësime të tilla po ndezin vatra debati në mbarë botën, teksa pandemia po shndërrohet qartazi nga një kërcënim global shëndetësor, në një kërcënim global ekonomik. Sidoqoftë, kthimi i botës ’përsëri në punë’ nuk është përpjekje e lehtë teksa duhet zbatuar njëkohësisht dhe distancimi social. Kapitalizmi global bazohet në bashkëveprimet shoqërore. Në fakt, faza globale e tij ka pasur për qëllim ta zhdukë distancimin social jo vetëm ndërmjet punëtorëve, por edhe ndërmjet vendeve, tregjeve, mallrave dhe konsumatorëve. Megjithatë në kohën që flasim, në fakt mënyra se si jemi mësuar ta përtërijmë jetën në kapitalizëm do të rezultonte vrastare dhe ky nuk është një element i papërfillshëm në shpjegimin e ngërçit të COVID-19. Madje, kjo duhet të jetë premisa për shtrimin e analizës. Së fundi, përpara se të kthehej në një krizë prodhimi, pandemia aktuale ka krijuar një krizë sistemike të riprodhimit shoqëror. Siç argumenton dhe Tithi Bhattacharya, pandemia ka treguar domosdoshmërinë e veprimtarive që prodhojnë jetën në funksionimin e kapitalizmit. Për më tepër, ka demonstruar vlerën e kujdesit, si dhe në të njëjtën kohë pabarazinë e përjetuar thellësisht nga komunitete të ndryshme përreth botës, për sa i përket qasjes në infrastrukturën e veprimtarive të kujdesit. Kjo është një krizë e riprodhimit shoqëror siç nuk e kemi parë ndonjëherë.

Pandemia si krizë e riprodhimit shoqëror

Teoricienia feministe Nancy Fraser ka vëzhguar se si kapitalizmi në fazat e tij të ndryshme është mbështetur gjithmonë nga regjime të dallueshme riprodhimit shoqëror[1], me të cilat nënkuptojmë një bashkësi marrëdhëniesh sociale dhe institucionesh, në gjendje për të rigjeneruar jetën kapitaliste përgjatë momenteve të ndryshme historike. Për shembull, faza globale e neoliberalizmit në pjesën dërrmuese të botës perëndimore ka sjellë rritjen e një regjimi të riprodhimit shoqëror të kthyer në mall dhe të varur nga tregu – megjithatë, siç na tregon qartazi pandemia, kërcënimi që i kanoset jetës varet ndjeshëm nga sistemi shëndetësor kombëtar ekzistues, me dallime të mëdha midis një sistemi shëndetësor privat si në SHBA dhe sistemit shëndetësor me shërbim publik në Evropë, në vende si Italia, Gjermania apo Franca. Rritja dhe instalimi i regjimit neoliberal të riprodhimit ka qenë jo vetëm i dobishëm për zhvillimin e modelit neoliberal të prodhimit – për shembull, me hyrjen masive të grave në tregun e punës – por edhe bashkëthemelues i këtij të fundit. Nga kjo rrjedh se kriza aktuale nuk është vetëm një krizë prodhimi; është një krizë shumë më e thellë e riprodhimit shoqëror. Krizat kapitaliste kanë gjeneruar gjithmonë regjime të reja riprodhimi shoqëror. Megjithatë kjo është një krizë e jashtëzakonshme, ku e vetmja mënyrë për të mbrojtur jetën ngelet minimi i bazës ekonomike të shoqërisë. Prandaj thirrja që njerëzit t’i kthehen punës nuk arrin të sqarojë se si do të ndodhë kjo në të vërtetë. Kjo krizë është unike, së paku për tri faktorë: pamundësinë për shfrytëzimin e fuqisë punëtore; shkrirjen e punës së paguar me kohën e riprodhimit; realitetin dhe politikat e vdekjes në shkallë të gjerë. 

Pashfrytëzueshmëria

Së pari, kriza e tanishme parandalon mundësinë e shfrytëzimit kapitalist në një shkallë të gjerë. Motoja famëkeqe që në kapitalizëm “është më mirë të shfrytëzohesh sesa të mos shfrytëzohesh fare” kurrë nuk ka pasur më shumë kuptim sesa sot. Ndërkohë që shumica e njerëzve në botë e sigurojnë jetesën duke shitur fuqinë punëtore, pamundësia për ta bërë këtë e kërcënon edhe vetë jetën edhe sikur të na e kursente COVID-19. Për më tepër, është me rëndësi të përmendet se gjatë krizave të kaluara, kapitali ka arritur t’i shoqërizojë humbjet ekonomike duke ua ngarkuar ato punëtoreve[2], shtetit ose të dyja palëve. Kjo ndodhi pikërisht me krizën e vitit 2008, kur bankat perëndimore de facto u shpëtuan nga qeveritë kombëtare, ndërsa punëtorët – si në jugun ashtu edhe veriun e globalizuar – u lanë të mbanin barrën e rënies ekonomike; ata më fatlumët, duke paguar taksa më të larta për paga më të ulëta në të vërtetë, si dhe duke u përballur me shkurtime buxheti për shërbimet publike; ndërsa ata me më pak fat, duke humbur tërësisht punën dhe me gjasë (në pamundësi për të paguar kreditë hipotekore) shtëpitë. Në krizën e tanishme, kapitali krizën e tij ende nuk mundet ta shndërrojë dot në një krizë të punës. Mijëra fabrika janë mbyllur plotësisht dhe në shumë vende është ndalur prodhimi i pjesës më të madhe të mallrave dhe shërbimeve jothelbësore. Si punëdhënësve dhe punëtorëve u është dashur të tërhiqen nga tregu dhe të kthehen në shtëpi. Kurrë më parë në historinë e kapitalizmit nuk ka ndodhur që një krizë ekonomike të ndihet në përmasa kaq totalitare ndonëse, më herët asnjë prej burimeve nuk është shkatërruar fizikisht apo financiarisht – për shembull, nuk pati luftë, as kolaps të tregjeve financiare, edhe pse tashmë ato janë duke reaguar. Kjo është ajo që ndodh nëse hiqet aspekti i shfrytëzimit nga një sistem global që ushqehet nga mbijetesa e tij. Pandemia na ka treguar në mënyrë të pakundërshtueshme se fuqia punëtore është në zemër të prodhimit të çfarëdolloj vlere. Ashtu siç shpjegon Silvia Federici, trupi i njeriut dhe fuqia punëtore që ai mbart janë makina më e mirë që mund të “shpikte” ndonjëherë kapitalizmi.  

Në mënyrë ironike, në pamundësinë e tij për të shfrytëzuar punën dhe për të kapërcyer krizën e tanishme të riprodhimit, kapitali po e shndërron vetë riprodhimin shoqëror në një mall të ri dhe një barrierë politike për të gjetur burime të reja fitimi dhe konsensusi elektoral. Kështu, prodhimi vërtet i nevojshëm i ventilatorëve në MB duket se po vonohet prej përpjekjeve të qeverisë për të përzgjedhur se cilët prodhues do të lidhin kontratat e prokurimit. Në Amerikë promovimi i hidroksiklorikinës (detergjentit zbardhues ose dezifektantit) nga presidenti Trump si kurë efektive ndaj COVID-19 – pavarësisht mungesës së evidencës shkencore – synon qetësimin e menjëhershëm të publikut për hapjen e sërishme të ekonomisë. Mbi të gjitha, kjo lojë ekonomike dhe politike luhet në kurriz të përpjekjeve jetëshpëtuese të punëtoreve të riprodhimit; veçanërisht të punëtoreve të sistemit shëndetësor, të cilat në MB, SHBA, Itali, Iran dhe kudo tjetër nëpër botë vuajnë mungesa të mëdha në pajiset e nevojshme mbrojtëse.

Shkrirja e punës së paguar me kohën riprodhuese

Faktori i dytë që e bën të veçantë këtë krizë është imponimi i shkrirjes midis punës së paguar dhe kohës për riprodhimin shoqëror. Në të vërtetë, kjo është tashmë një karakteristikë e punës joformale kryesisht në vendet e jugut të globalizuar, ku shtëpitë e punëtoreve shpesh brendësojnë një mori aktivitetesh ekonomike që janë të destinuara për tregjet vendore dhe ato ndërkombëtare. Megjithatë është e paprecedent mënyra se si kjo shkrirje është përshpejtuar dhe intensifikuar në një përqindje masive të popullsisë globale në kushtet e shtetrrethimit të COVID-19. Imponimi i shtetrrethimit ka nxjerrë në pah akoma më tepër pabarazitë e thella social-ekonomike të botës kapitaliste në të cilën jetojmë. Në fakt, teksa na thuhet vazhdimisht që të qëndrojmë në shtëpi, pabarazia më spikatëse që lind në këto kushte godet ata që nuk e kanë një shtëpi, apo që nuk kanë qasje të menjëhershme në të. Imazhet dramatike të amerikanëve të pastrehë në Las Vegas, të  vendosur nëpër hapësira vendparkimesh në distancë nga njëri-tjetri dhe gjithë të tjerët, apo miliona punëtorë migrues në Indi, që morën rrugën drejt fshatrave të tyre në këmbë për shkak të ndalimit të transportit publik, por edhe dëbimi prej zonave industriale, tregojnë se mesazhi ”qëndroni në shtëpi!” zor se mund të prodhojë rezultate universale. Madje dhe ata që e konsiderojnë veten me fat se zotërojnë një shtëpi janë duke u përballur me vështirësi të shumta. Ndërkohë që media perëndimore raporton masivisht përpjekjet e shtresës së mesme për të realizuar në të njëjtën kohë punën e paguar dhe shkollimin e fëmijëve nga shtëpia – përfshirë këtu veten time si akademike e privilegjuar – në fakt, shumë syresh e kanë humbur punën. Të tjerë janë bllokuar në kushte shtëpie dhe rreziku me abuzuesit e tyre – statistikat e dhunës me bazë gjinore në nivel global përgjatë pandemisë kanë prekur majat – ose vetëm në shtëpi të vogla dhe të parehatshme, ku sfida reale është mbijetesa e jo thjesht balancimi i punës së paguar me punët e shtëpisë. Siç mund të imagjinohej, përvojat e shtetrrethimit në pjesën dërrmuese karakterizohen nga dallimet klasore, gjinore dhe racore, duke dëshmuar qartazi se në fakt nuk jemi të gjithë ”në të njëjtën varkë”. 

Në fakt në kapitalizëm nuk kemi qenë ndonjëherë “në të njëjtën varkë”. Shtetrrethimi në vetvete është i mundshëm vetëm sepse është përjashtues; të mbyllur brenda dhe në vështirësi për të siguruar ushqimin apo përmbushur nevojat tona mund të mbijetojmë vetëm falë punëtoreve esenciale të magazinave, shërbimeve postare, fermerëve dhe atyre që punojnë përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor. Pavarësisht se shumica e tyre mezi fitojnë pagën minimale, sot ato janë duke siguruar riprodhimin e shoqërisë përgjatë situatës së shtetrrethimit. 

Tragjedia dhe politikat e vdekjeve në masë

Treguesi i tretë e ndoshta më përcaktuesi dhe më i tmerrshmi që e dallon këtë krizë nga çdo përjetim tjetër është vdekja, numrat e lartë dhe politikat për menaxhimin e tyre. Kjo situatë është unike pasi e shpërfaq krizën e riprodhimit shoqëror në formën më të kulluar të saj, meqenëse në vend të rigjenerimit të jetës kemi në fakt, vdekjen. Është e vërtetë se kapitalizmi global ka treguar gjithmonë mospërfillje për jetën e shumicës dërrmuese të popullsisë: punëtoret. Skllevërit me ngjyrë shfrytëzoheshin sistematikisht deri në vdekje dhe punëtorët industrialë jetonin pak dhe vuanin nga shumë sëmundje. Megjithatë kjo është pandemia e parë planetare e përjetuar në periudhën e kapitalizmit global, ku asgjësimi masiv godet pavarësisht klasave – përpos ngjashmërive, gripi spanjoll i 1918 edhe pse më vdekjeprurës, ndodhi në një botë më pak të ndërlidhur dhe me një sistem mjekësor jo të përparuar. Dua të them, u infektua dhe Boris Johnson-i, apo jo? Sidoqoftë, normat e larta të vdekjeve nuk kanë arritur ta fshehin shëmtinë e ndarjes klasore për sa i përket qasjes në shëndetësi. Sot më shumë se gjatë ”normalitetit”, nekropolitika e kapitalizmit përcakton se kush jeton dhe kush vdes. Në SHBA, për shembull, njerëzit më ngjyrë janë më të predispozuar për të vdekur prej COVID-19. Ata janë më të varfër dhe më të sëmurë sesa pjesa tjetër e popullsisë amerikane, si dhe kanë më shumë gjasa të vuajnë nga diabeti, hipertensioni, sëmundjet e zemrës – sëmundje të gjitha të rrezikshme – si dhe të mos pranohen nëpër spitale në mungesë të sigurimit shëndetësor privat. Vetë debati për sëmundjet ekzistuese ka qenë përjashtues dhe diskriminues ndaj moshës dhe pa/aftësisë. Nga ana tjetër, politikat neoliberale të kujdesit shëndetësor e interpretojnë të drejtën për të jetuar si mbijetesë të më të fortit dhe të atij/asaj që “e meriton”. Vdekjet e larta ndër të moshuar u paraqitën si një realitet i pashmangshëm për shkak (edhe) të sëmundjeve ekzistuese dhe jo si efekt i fatalitetit të virusit. Por një i moshuar që shtypet nga një makinë edhe nëse ecën ngadalë teksa kalon rrugën nuk vdes për shkak të vjetërsisë. E vërteta është se mungesa e ventilatorëve jetikë dhe shtretërve spitalorë të kujdesit intensiv, në shumë vende gjeneroi një sërë politikash hobsiane. 

Në MB disa praktika të mjekëve të familjes (GP) kanë shkuar deri në atë pikë sa të lëshojnë urdhra që haptazi sugjerojnë mosmbajtjen në jetë të pacientëve të moshuar me autizëm, apo fëmijëve të sëmurë, nëse infektohen me COVID-19. Në përleshjen për të jetuar, homo homini lupus – njeriu për njeriun është ujk. Në botë, kjo mungesë barazie në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor përputhet më një përshkallëzim të pabarazive ekzistenciale. Në jugun e globalizuar, dëshmitë sugjerojnë se më shumë sesa vetë pandemia, në fakt uria dhe mjerimi rrezikojnë të vrasin me mijëra njerëz. Për miliona punëtorë migrues që punojnë në ekonominë informale në Indi do të jetë thuajse e pamundur mbijetesa gjatë pandemisë. Pandemia po përforcon edhe diskriminimin ndaj kastave më të ulëta dhe shumë prej banesave dalite[3] janë sulmuar me pretekstin se nuk kanë ndjekur këshillat e qeverisë mbi rregullat e shtetrrethimit. Mbyllja e tregjeve informale në Kenia mund të rezultojë në varfëri masive dhe shpërdorimin e ushqimeve të mbetura. Shqetësimet mbi mjetet e jetesës në ekonominë informale ngrihen edhe për Amerikën Latine, ku paradoksalisht janë të përqendruar lordët e drogës dhe bandave kriminale, të cilët garantojnë shërbimet esenciale nëpër geto. Por nga ana tjetër përforcojnë shtetrrethimin lokal për të reduktuar numrin e vdekjeve në mesin e të varfërve “të tyre”. 

Drejt një bote të re apo një makthi të ri?

Në përgjithësi, pamundësia për shfrytëzim, kolapsi i kohës së punës me pagë si një formë e dallueshme nga puna riprodhuese, si dhe tragjedia e politikat përjashtimore të vdekjeve masive i kanë dhënë formë një krize riprodhimi si asnjëherë tjetër në historinë e kapitalizmit modern. Është shumë e vështirë të imagjinohet një grand finale, pasi  kësaj krize ende nuk i duket fundi. Arundhati Roy shpjegon se pandemitë na detyrojnë ta mendojmë botën nga e para; ato shërbejnë si një portë midis botës së vjetër dhe asaj në ardhje, fillimin e një epoke të re. A do të mësojmë prej saj, do mund të ndryshojmë? Regjimi tjetër i riprodhimit shoqëror, i cili do adoptohet nga kapitalizmi, a do mund të jetë më i prirë për të mbështetur jetën edhe përgjatë krizave? Ndokush mundet veç të shpresojë. Megjithatë debatet e tanishme mbi mënyrat e mundshme për të dalë nga shtetrrethimi – të cilat bazohen në teorinë e “imunitetit të tufës” dhe lëshimin e pasaportave imunitare – duket se sugjerojnë me ngulm një të ardhme të bazuar në kthimin në mall në mënyrë akoma më agresive të tipareve riprodhuese të individëve dhe shoqërisë. Regjim i cili, me gjasë, do të shkaktojë pabarazi të reja ekonomike dhe sociale bazuar në ‘kapitalin imun’.

Marrë nga Developing Economics

E përktheu Deni Sanxhaku

Imazhi: Mary Altaffer/AP

Shënime të përkthyeses:


[1] Puna e riprodhimit shoqëror konsiston në lindjen e fëmijëve, kujdesin, seksualitetin, strehimin, edukimin dhe gjithë veprimtaritë fizike, emocionale dhe psikologjike që kryhen jashtë sferës së prodhimit dhe janë jetike për riprodhimin biologjik, mirëmbajtjen e punëtorëve dhe gjithë marrëdhënieve shoqërore kapitaliste. Shumica e punës riprodhuese, apo aktiviteteve që prodhojnë jetën, realizohet brenda hapësirës shtëpiake dhe natyralizohet si punë grash për shkak të normave gjinore dhe ndarjes gjinore të punës në kapitalizëm.

[2] Përdorimi i gjinisë gramatikore femërore për shumësin e fjalës punëtor/e është i qëllimshëm për dy arsye: së pari sepse gjuha shqipe të pamundëson përdorimin e një gjuhe me gjini asnjanëse siç është për shembull fjala workers në anglisht; së dyti, në një kontekst tejet të maskilizuar shoqëror dhe gjuhësor, nëpërmjet gjinisë femërore zgjedh t’u jap vizibilitet punëtoreve gra, të cilat shpesh në diskurs njehsohen me profilin tradicional të punëtorit industrial burrë dhe të bardhë.

[3] Dalitë, ose ndryshe ‘të paprekshmit’, janë grupi shoqëror me i ulët në sistemin e kastave të hinduizmit në Indi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.