Neoliti, kapitalizmi dhe komunizmi

/Alain Badiou/

Sot është bërë tejet e zakonshme të parashikohet fundi i racës njerëzore ashtu siç ne e njohim atë. Ka një sërë arsyesh për parashikime të tilla. Sipas një qasjeje mjedisore mesianike, grabitqarllëku i shfrenuar i një njerëzimi të egërsuar së shpejti do të sjellë fundin e jetës në Tokë. Ndërkohë, në anën tjetër ata që e vënë theksin te përparimet e ethshme teknologjike parathonë, pa dallim, automatizimin e gjithë proceseve të punës nga robotët, zhvillimet e mëdha kompjuterike, artin e prodhuar në mënyrë automatike, vrasësit prej plastike dhe rreziqet e një inteligjence super-njerëzore.

Papritur, na shfaqen kategori kërcënuese si tejhumanizmi dhe pasnjeriu – ose, imazhet e tyre të pasqyruara, një kthim në gjendjen kafshërore – varet nëse parathotë novacionet teknologjike apo ankohet për të gjitha sulmet ndaj nënës Natyrë.

Për mua, të gjitha këto profeci janë veçse zhurma ideologjike, që synojnë të fshehin rrezikun e vërtetë që i kanoset sot njerëzimit:  le të themi, rruga qorre drejt së cilës po na çon kapitalizmi global. Në të vërtetë, kjo formë shoqërie lejon shfrytëzimin shkatërrues të burimeve natyrore pikërisht sepse e lidh këtë shfrytëzim me kërkesën e pafundme për përfitime private. Fakti që kaq shumë specie janë të rrezikuara, që ndryshimet klimatike nuk mund të kontrollohen, që uji po kthehet në një thesar të rrallë – të gjitha këto janë rrjedhoja anësore të konkurrencës së pamëshirshme të miliarderëve grabitqarë. Nuk ka tjetër shpjegim për faktin se novacioni shkencor i nënshtrohet pyetjes se çfarë teknologji mund të shiten në një mekanizëm përzgjedhjeje anarkik.

Predikimi mjedisor shpesh përdor përshkrime bindëse për çfarë po ndodh – pavarësisht ekzagjerimeve tipike për një profet. Por në të shumtën e rasteve kjo kthehet thjesht në propagandë, në dobi të atyre shteteve që duan të tregojnë fytyrën e tyre miqësore. Njëlloj si me shumëkombëshet që duan të na bëjnë të besojmë – për hir të bilanceve të tyre financiare – në shenjtërinë, vëllazërinë, pastërtinë natyrore të mallrave që qarkullojnë.

Fetishizimi i teknologjisë dhe seria e  pandërprerë e “revolucioneve” në këtë fushë – mes tyre “revolucioni digjital” është më popullori – ka përhapur në mënyrë konstante bindjen se kjo do të shpjerë në parajsën e një bote pa punë – me robotë që do të na shërbejnë dhe ne që do vërdallosemi të ngeshëm – dhe më tej, në anën tjetër, se “mendimi” digjital do ta shpartallojë inteligjencën njerëzore. Sot nuk gjen as edhe një revistë që të mos informojë me ngazëllim lexuesit e saj për “fitoren” e pashmangshme të inteligjencës artificiale karshi asaj natyrore. Por në shumicën e rasteve as “natyra” e as “artificialja” nuk përkufizohen qartë apo në mënyrën e duhur.

Qysh prej fillimit të filozofisë është shtruar vazhdimisht çështja e qëllimit të vërtetë të fjalës “natyrë”. “Natyra” mund të nënkuptojë ëndërrimet romantike të perëndimeve të diellit, materializmin atomik të Lukrecit (De natura rerum), qenien e brendshme të gjërave, totalitetin e Spinozës (Deus sive Natura), të anasjelltën e padëshiruar objektive të kulturës, rrethinat rurale e fshatare përkarshi artificialitetit të dyshimtë të qyteteve (“toka nuk gënjen” – theksonte marshalli Pétain), biologjinë si të dallueshme prej fizikës, kozmosin krahasuar me vendndodhjen e vockël të planetit tonë, pandryshueshmërinë e shekujve krahasuar me novacionin e furishëm, seksualitein natyror karshi perversitetit… Kam frikë se sot “natyra”, për shumicën prej nesh, i referohet qetësisë së vilës dhe kopshtit, magjepsjes që turistët kanë për kafshët e egra dhe bregdetit apo malësive ku ne mund të kalojmë një verë të këndshme. Kush, pra, mund ta imagjinojë njeriun si përgjegjës për natyrën, kur deri më tani ai ka qenë thjesht një plesht mendimtar në një planet dytësor të një sistemi diellor mesatar në kufijtë e një galaktike të rëndomtë?!

Qysh prej fillimit të vet, edhe filozofia i ka kushtuar goxha vëmendje teknologjisë, ose arteve. Grekët mendonin rreth dialektikës së techne-s dhe physis-it – një dialektikë brenda së cilës ata vendosnin kafshën njeri. Ata shtruan tabanin që kjo kafshë të shihej si “një lloj kallami, më i dobëti i natyrës, por… kallam mendimtar.”  Për Paskalin, kjo donte të thoshte se njerëzimi ishte më i fortë se Natyra dhe më pranë zotit. Shumë kohë më parë, ata vunë re se kafsha e aftë për matematikë mund të bënte gjëra të mëdha në fushën e botës materiale.

A janë këta “robotë” mbi të cilët bëhet potere diçka më tepër sesa llogaritje në formë makine? Shifra në lëvizje? E dimë që ata mund të llogarisin më shpejtë se ne, por ishim ne që i shpikëm ata, pikërisht për të përmbushur këtë detyrë. Do të ishte e budallallëk të vrojtonim një vinç që ngre një bllok betoni në lartësi dhe ta përdornim si argument se njeriu është i paaftë për të njëjtën detyrë, dhe më tej të dilnim në përfundimin se është shfaqur njëfarë gjigandi muskulor mbinjerëzor… Po ashtu, llogaritja e shpejtë nuk është shenjë e një “inteligjence” të pakapërcyeshme. Tejhumanizmi teknologjik luan të njëjtën melodi të vjetër – një temë e pashterueshme për filmat horror dhe fanta-shkencorë – të krijuesit të mposhtur nga krijesa e tij. Ndodh kështu edhe me trillimin e ardhjes së mbinjeriut – diçka që e kemi parë qysh prej Niçes – edhe me frikën prej tij që na shtyn të kërkojmë strehë te Gaja, Nëna Natyrë.

Le t’i vendosim gjërat në një perspektivë më të qartë.

Për katër apo pesë mijëvjeçarë, njerëzimi është organizuar rreth trinomit të pronës private – gjë e cila përqendron pasuri të pamat në duart e oligarkive shumë të ngushta; familjes, në të cilën pasuritë tejçohen përmes trashëgimisë; dhe shtetit, i cili me anë të forcës së armëve mbron si pronën private, edhe familjen. Ky trinom ka përcaktuar specien tonë në epokën e Neolitit dhe kemi mbetur ende në këtë pikë – madje, mund të shtonim, sot më tepër se kurrë. Kapitalizmi është forma moderne e Neolitit. Skllavërimi që i bën teknologjisë për hir të konkurrencës, fitimit dhe përqendrimit të kapitalit vetëm sa çon në zgjerimin e plotë të pabarazive monstruoze, absurditeteve shoqërore, luftërave vrastare dhe ideologjive të dëmshme që kanë shoqëruar gjithmonë zhvillimin e teknologjive të reja në mbretërimin e hierarkive klasore përgjatë historisë.

Duhet ta kemi të qartë se shpikjet teknologjike përbënë kushtet paraprake të mbërritjes së epokës së Neolitit dhe nuk ishin në asnjë mënyrë rezultat i saj. Nëse konsiderojmë fatin e species sonë, mund të vëmë re se bujqësia sedentare, zbutja e bagëtive dhe kuajve, poçeria, bronzi, armët metalike, shkrimi, kombësitë, arkitekturat monumentale dhe besimet monoteiste janë shpikje po aq të rëndësishme sa aeroplani dhe smartphone-ët. Përgjatë historisë, në të gjitha trajtat e saj njerëzorja ka qenë gjithmonë, për përkufizim, artificiale. Nëse nuk do të ekzistonte kjo, nuk do të ekzistonte as njerëzimi neolitik – njerëzimi që ne njohim – por një njerëzim i afërt me jetën shtazore; diçka që në të vërtetë ka ekzistuar, në formën e grupeve të vogla nomade, për rreth 200,000 vite.

Një primitivizëm i frikshëm dhe i errët i ka rrënjët te koncepti i rrejshëm i “komunizmit primitiv”. Sot ekziston kulti i jetës së lashtë në të cilën fëmijët, burri, gruaja dhe të moshuarit supozohet se jetonin në vëllazëri, pa asgjë artificiale, por në të vërtetë jetonin bashkë me minjtë, bretkosat e arinjtë. Në fund të fundit, e gjitha kjo nuk është asgjë më shumë se propagandë reaksionare qesharake. Shumëçka sugjeron se shoqëritë në fjalë ishte jashtëzakonisht të dhunshme. Tekefundit, edhe mbijetesa më bazike ishte në kërcënim të vazhdueshëm.

Të flasësh sot në mënyrë të frikshme për fitoren e artificiales karshi natyrales, e robotit karshi njeriut, përbën një regres që nuk mund të merret në mbrojtje, diçka me të vërtetë absurde. Është mjaft e thjeshtë t’u përgjigjesh këtyre frikërave apo profecive. Sipas këtij këndvështrimi, edhe një sëpatë e thjeshtë, apo një kalë i zbutur, për të mos përmendur papirusin e veshur më simbole, është një rast ekzemplar i pas- ose tej-njeriut. Madje edhe një numërator na mundëson llogartje më të shpejta se gishtat e njeriut.

Sot ne nuk duhet as të kthehemi në primitivizëm , as t’i frikësohemi “asgjësimit” që mund të sjellin teknologjitë e reja. Dhe as nuk ka ndonjë dobi në magjepsjen e sëmurë për fantashkencën e robotëve të gjithëpushtetshëm. Detyra urgjente me të cilën përballemi është kërkimi metodologjik për të gjetur një rrugëdalje nga rendi i Neolitit. Ky i fundit ka zgjatur për mijëvjeçarë, duke vlerësuar konkurrencën dhe hierarkinë e duke toleruar mjerimin e miliarda qenieve njerëzore. Kjo duhet të tejkalohet me çdo kusht. Përndryshe na presin luftërat high-tech kaq të njohura për epokën e Neolitit, në vazhdën e luftërave 1914-1918 dhe 1939-1945, me dhjetëra milionët e viktimave të tyre. Dhe kësaj here kostoja njerëzore mund të jetë shumë më e lartë.

Problemi nuk qëndron te teknologjia ose natyra. Problematike është mënyra e organizimit të shoqërisë në shkallë globale. Ne duhet të parashtrojmë se është e mundshme një mënyrë joneolitike e organizimit të shoqërisë. Kjo do të thotë jo zotërim privat të asaj që duhet të zotërohet bashkërisht, thënë ndryshe, e gjithçkaje të nevojshme për jetën e njeriut. Do të thotë jo pushtet i trashëguar apo përqëndrim pasurie. Jo shtet i ndarë nga shoqëria për të mbrojtur oligarkitë. Jo ndarje hierarkike pune. As kombe, as identitete të izoluara dhe armiqësore. Organizim i përbashkët i gjithçkaje që është në interesin e përbashkët.

E gjitha kjo e ka një emër, në të vërtetë goxha emër: komunizëm. Kapitalizmi është faza e fundit e kufizimeve që shoqëria e Neolitit ka vendosur mbi jetën e njeriut. Kjo është faza e fundit e Neolitit. Njerëzimi, ajo kafshë e mprehtë, duhet të bëjë një sforcim të fundit për të dalë nga kushtet në të cilat në 5,000 vitet e fundit u kanë shërbyer një grushti njerëzish. Për thuajse dy shekuj – të themi, qysh prej Marksit – e kemi ditur se duhet të fillojmë një epokë të re. Një epokë e teknologjive të pabesueshme për të gjithë ne, e detyrave të shpërndara barazisht mes të gjithëve ne, e ndarjes së gjithçkaje dhe e edukimit që pohon gjenialitetin e të gjithëve. U ngrittë ky komunizëm, kudo e për çdo çështje, kundër mbijetesës së sëmurë të kapitalizmit. Ky kapitalizëm, ky “modernitet” në dukje, përfaqëson botën e Neolitit që në të vërtetë vijon prej pesë mijëvjeçarësh. Çka do të thotë se është i vjetër – tepër i vjetër.

E përktheu Jani Marka

Marrë prej: https://www.versobooks.com/blogs/3948-the-neolithic-capitalism-and-communism

Imazhi: Ancient Touch

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.