/Kristjan Zoto/
Shekujt XV dhe XVI janë shekujt e Rilindjes Evropiane, shekujt që e ringjallën Evropën dhe filluan të ndriçojnë terrin e gjatë mesjetar. Pas shfarosjes së të paktën një të tretës së popullsisë së Evropës nga murtaja, kontinenti i vjetër nisi të ripopullohej, por këtë herë jo vetëm me njerëz, por edhe ide të reja të cilat ishin tkurrur e shtypur egërsisht gjatë mesjetës. Kjo është koha kur Kristofor Kolombi zbuloi “Botën e re”, Magelani i ra tokës përqark, Gutenbergu shpiku shtypshkronjën, Nikola Koperniku “lëvizi tokën”, Shekspiri na tregoi veprën e tij monumentale, Kalvini e Luteri ndërmorën reformimin e krishterimit, ndërsa Makiaveli, Bejkëni dhe Montenji i dhanë një dimension të ri të menduarit. Themelet e së vjetrës filluan të tronditen sepse e reja i kishte vënë në dyshim.
Sot, pesë shekuj më vonë, shohim se liria është tkurrur dhe autoriteti është bërë edhe më i fortë, duke parë të lulëzojnë liderë autoritarë nga Rusia në Brazil, nga Turqia në SHBA, nga Anglia në Ekuador, e sigurisht nga Hungaria në Shqipëri. Kapitali i madh ka zëvendësuar urdhëresat e vjetëruara të kishës. Siç thotë edhe filozofi gjerman Valter Benjamin, “nëse hedh sytë brenda kapitalizmit, gjen një fe, që si të gjitha fetë shërben për të lehtësuar shqetësimet, ankthet e trazimet. Por ndryshe nga të gjitha fetë e tjera, kapitalizmi është feja e parë që mbështetet mbi fajin dhe jo mbi shlyerjen e tij. Duke e shtyrë njeriun drejt një dëshpërimi absolut.” E kjo na bënë të mendojmë se ndryshimet janë të pamundura sepse në mos qoftë më i miri (kapitalizmi), më të mirë se ai nuk ka.
Kriza shëndetësore që ka kapur botën na ka bërë ta vendosim në dyshim këtë sistem ekonomiko-politik, ku tregu nuk po vetërregullohet dot siç na është predikuar dhe se armët, nafta edhe argëtimi nuk janë më të dobishëm (sepse sjellin më shumë fitim) se shëndetësia, strehimi, arsimi e jeta. Filozofi italian i shekullit XX Benedeto Kroçe shkruan se “një institucion nuk vdes për shkak të gabimeve të tij aksidentale dhe sipërfaqësore, por vetëm kur nuk është më në gjendje të kënaqë më asnjë nevojë, ose kur dora-dorës bie sasia dhe ulet cilësia e nevojave që ai mund të plotësojë.” Mbase ka ardhur koha kur nevoja na lyp një marrëdhënie të re prodhimi, ashtu si kalimi nga feudalizmi në kapitalizëm. Mbase ka ardhur koha e një hipoteze të re që kërkon vërtetim.
Kur e gjitha kjo të mbarojë, do na duhet të pozicionohemi se si do të vazhdojmë të jetojmë. Liria është gjendja natyrale e njeriut, por në kushtet ku jemi, për ta rigjetur ose fituar atë, duhet pikësëpari ta ridëshirojmë. Kriza shëndetësore do të pasohet nga ajo ekonomike, ku shumë biznese e kompani do të falimentojnë. Papunësia do të rritet. Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve do të theksohet edhe më shumë. Prandaj duhet të refuzojmë çdo shpëtim që do të na ofrohet duke ulur rolin e shtetit në garantimin e të mirave të përgjithshme. Se si në krizën e vitit 2008, edhe sot po e shikojmë se modeli i imponuar (nuk e zgjedhim ne atë demokratikisht) ekonomik neoliberal, me në qendër suksesin individual, po dështon, duke përjashtuar edhe më shumë njerëz nga të drejtat e tyre bazike si strehimi, shëndetësia apo arsimi. Sot na duhet solidaritet dhe organizim midis atyre që e pësojnë në kurriz padrejtësinë, duke ngritur mekanizma të reja për t’i vënë fre e kontrolluar kapitalin e zotëruar nga një pakicë që luan me jetën e shumicës prej nesh.
Nuk u kërkojmë të na besoni verbërisht, sepse kjo do të na kthente përsëri në mesjetë, por vetëm të mendoni, ashtu si bënë ata në shekullin XV e këtej. Sepse asgjë nuk ka për të qenë si më parë.
Imazhi: Jacopo Tintoretto – Shën Rroku shëron viktimat e murtajës
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)