Taktikave të vjetra të pushtetit iu shtua censura mediatike
/Redi Muçi/
Protesta e banorëve të zonës së ish-Parkut të Autobusëve kaloi mes një terri të paprecedent mediatik dhe kjo është një risi në vetvete. Si kurrë më parë pronarët e mediave ranë në një mendje sa i përket krijesave të tyre, që rëndom i ndërsejnë për të ushtruar presion te pushtetarët përmes influencimit të opinioni publik, shpesh herë me doza patetizmi. Nga një këndvështrim i hershëm i figurës politike që është Edi Rama, imazhi politik i të cilit u ngrit përmes përdorimit të politikës si një podium spektakli, totalitarizimi i medias në kohën e pluralizmit është një arritje e “Rilindjes mediatike” që meriton të njihet si e tillë.
Asnjë censurë nuk do ishte efikase nëse nuk do mëtonte të mbushte boshllëkun që krijon ajo vetë. Kështu, çështja e betonizimit të 12 mijë metrave katror lulishte u përçua përmes rrjeteve sociale (larg vëmendjes së fshatarit që punon tokën në katund) si një luftë fajësimi mes pushtetarëve të djeshëm e të sotëm për përgjegjësinë e dhënies së lejes së ndërtimit, viktimë e së cilës kishte rënë investitori privat nga korrupsioni dhe taksat e larta. Në asnjë moment të kësaj llomotitjeje nuk u përmend interesi publik – nevoja për parqe dhe hapësira të gjelbra në qytet. Madje retorika e pushtetit shfaqi një kontradiktë oruelliane mbresëlënëse në fjalorin që përdori për të mbrojtur argumentin e vet. U bë fjalë për shtim të hapësirës së gjelbër në qytet nëpërmjet betonizimit. Sigurisht, pushteti nuk përmendi fjalën“beton”, por “zhvillim të hapësirës urbane”. Ky term mund të çmeritë ndonjë marsian që sapo ka zbritur në Tiranë, por qytetarët e dinë se nënkupton blloqe betoni me ndonjë shkurre anës bordurave. Lulishtja që do të “zhvillohet” është lënë djerrë qëkur Lul Basha preu shiritin e inaugurimit, por të paktën ofronte një kënd argëtimi për kalamajtë, edhe pse jo një kënd çlodhjeje për të moshuarit.
Anashkalimi i qëllimshëm i procedurave ligjore të konsultimit me grupet e interesit, me të drejtë të çon te pyetja: të cilit interes? Praktika e 26 viteve tregon se interesi publik përmendet kalimthi në retorika boshe pushtetarësh, ndërsa interesi privat kthehet në interes klientelist. Roli teorik i medias në këtë mes – ai i informimit të publikut – përmendet vetëm në kuturisjet e dashnorëve të demokracisë oligarkike të këtyre viteve.
Loja e fajësimit të palës kundërshtare është një traditë tashmë e hershme e parlamentit shqiptar, ku akuzat për hajdutëri e krim të organizuar shkëmbehen me të njëjtën lehtësi të papërballueshme si urimet për paqe e begati në raste festash fetare. Kështu ndodh, për shembull, me dëmet që shteti shqiptar duhet të paguajë si pasojë e marrëveshjeve të dështuara me privatin, si në rastin e prishjes së kontratës me CEZ, që i kushtoi taksapaguesve rreth 95 milion dollarë, apo me koncesionet e hidrocentraleve në lumenjtë e Valbonës dhe Vjosës. Rama justifikohet me faktin se ato janë firmosur nga Berisha dhe kështu oligarkëve nuk u prishet marrëveshja me shtetin. U ndryshon vetëm bashkëpunëtori në qeveri.
“Kur je ne dilemë dhe do të kuptosh se nga anon e drejta dhe nga mashtrimi ka një rrugë të thjeshtë… Shiko me kë bëhet Çili!” – kështu shprehej në rrjetet sociale një analist i njohur. E njëjta logjikë fajësimi mes politikanësh dhe riorientimi oligarkësh është përdorur edhe për reforma madhore, si ajo në arsimin e lartë, e cila u nis nga qeveria Berisha dhe u miratua në parlament nga Rama dhe Meta. Henri Çili, ky kolos i mendimit të lirë e të pavarur, është një lavjerrës orientues për këdo që do të kuptojë se nga fryn era e zhvatjes së interesit publik, në rastin konkret me pasoja të rënda për arsimin dhe të ardhmen e shoqërisë. Rritja e çmimit të transportit publik në Tiranë, e lënë në tentativë nga Basha më 2014-n dhe e realizuar në kohë rekord më 31 dhjetor 2015 nga Erion Veliaj, është një tjetër shembull. Rikthimi në parlament i ligjit për importin e plehrave – të quajtura “mbetje”, në fillim nga Artan Hoxha e më pas nga Eduard Shalsi – po ashtu.
E megjithatë pushteti pretendon bindje, madje besim tek ai që është subjekti që di, që njeh dhe rrjedhimisht vepron. Pa qenë nevoja për të pyetur të dytë. Si shembull tregon ndërhyrjen që bëri te Parku i Liqenit, për të cilën u bë një rezistencë e fuqishme qytetare, por që për pushtetin ishte shumë zhurmë për asgjë. Pikërisht ajo zhurmë që ia doli të heshtë këtë herë përmes censurës së komanduar mediatike. Por asgjëja a ishte me të vërtetë asgjë? A ishte asgjë ndërhyrja në një zonë të kategorisë “park kombëtar” në shkelje të të gjitha procedurave të marrjes së lejeve mjedisore, të transparencës me publikun dhe të konsultimit me banorët?! Ndoshta për shumë qytetarë që çojnë fëmijët në atë kënd lojërash për t’u argëtuar, për të rinjtë që përdorin ambientet sportive, kundërshtia për ndërhyrjen në park mund të duket përnjëmend e tepërt. Megjithatë duhet të pyesin veten se ç’pamje do kishte ai kënd sikur të mos kish ndodhur zhurma, sikur t’i qe lënë gjithçka në mirëbesim kryetarit riosh e të buzëqeshur të bashkisë. Mos vallë do të ishim zgjuar me një kullë të re brenda parkut dhe do të kishim thënë për të miliontën herë se askush nuk foli, prandaj ja ku ia behu edhe një betonarme e re?! Mos vallë zhurma është kusht i domosdoshëm, edhe pse fatkeqësisht jo gjithmonë i mjaftueshëm, i asgjësë?!
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).