Përgjigje ndaj çështjeve të ngritura në ligjëratën mbi lëvizjet punëtore
/Arlind Qori/
Gjatë ligjëratës mbi lëvizjet punëtore u shtruan për debat dy çështje: E para kishte të bënte me faktin nëse puna administruese-drejtuese e kapitalistit prodhon ose jo vlerë këmbimi sipas Marksit. Marksi vetë e shtron problemin në dy nivele: fillimisht duke ndjekur Adam Smithin ai analizon ndarjen e punës në prodhuese dhe joprodhuese, ku vetëm e para prodhon vlerë (në kuptimin e vlerës së këmbimit). Vetëm se ndryshe nga Smithi i cili te puna joprodhuese fuste vetëm rentierët, pra mbeturinat feudale të pronësisë përjashtimore të tokës, Marksi fut në të çdolloj aktiviteti brenda fabrikës dhe jashtë saj që nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me prodhimin, duke mos kursyer as kapitalistët, madje as kur këta të fundit kryejnë punë administruese. Për Marksin, puna administruese e kapitalistit mund të prodhonte vlerë këmbimi vetëm në kushtet e shtrembëruara të sundimit kapitalist të ndërmarrjes, dhe jo në vetvete. Prandaj, edhe kur kapitalisti nuk është thjesht pronar që merr fitimin, por edhe administrator, puna e tij është e padomosdoshme në terma absolutë pasi mund të zëvendësohet si nga pikëpamja sasiore, ashtu edhe si ripërkufizim cilësor i saj, nga vetë punëtorët dhe për pasojë nuk prodhon mirëfilli vlerë. Duke rrëmuar Kapitalin, rigjeta te Teoritë e mbivlerës, të konsideruara si vëllimi i katërt i Kapitalit, dhe të botuara nga hiç më pak se “renegati Kaucki”, para se të bëhej renegat, këto pasazhe:
“…te fitimi industrial hyn një pjesë që përfaqëson pagën (aty ku nuk ka administrator që e merr këtë pagë). Kapitali në procesin e prodhimit paraqitet si drejtues, si komandant i saj (captain of industri) dhe në këtë kuptim ai luan një rol aktiv në vetë procesin e punës. Por përderisa këto funksione burojnë nga forma specifike e prodhimit kapitalist, d.m.th. nga sundimi i kapitalit mbi punën si punë e tij e prandaj mbi punëtorët si vegla të tij, nga natyra e kapitalit që paraqitet si një element unik shoqëror, si subjekt i formës shoqërore të punës, të personifikuar në të si pushtet mbi punën, kjo punë që lidhet me shfrytëzimin (e cila mund t’i kalojë edhe administratorit) natyrisht është një punë që hyn te vlera e produktit njësoj si puna e punëtorit me mëditje, ashtu sikurse ndodh në skllavëri që puna e mbikëqyrësit të skllevërve duhet gjithashtu të paguhet si puna e vetë punonjësit. Në qoftë se njeriu marrëdhënien e vet me natyrën e vet, me natyrën e jashtme dhe me njerëzit e tjerë e ka përfytyruar në një formë fetare, si forca ekzistuese të pavarura në mënyrë të tillë që këto përfytyrime e sundojnë atë, ai ka nevojë për priftërinj dhe për punën e tyre. Por me zhdukjen e formës fetare të ndërgjegjes e të marrëdhënieve që lidhen me të, në procesin shoqëror të prodhimit nuk hyn më as kjo punë e priftit. Bashkë me priftin zhduket edhe puna e priftit, dhe bashkë me kapitalistin po kështu zhduket puna që ai kryen si kapitalist ose që ai ia ngarkon një personi tjetër për ta kryer[1]…
…Së pari, fabrikat kooperative të ndërtuara nga vetë punëtorët. Ato provojnë se kapitalisti si funksionar prodhimi është bërë i tepërt për punëtorët, ashtu siç i duket i tepërt vetë kapitalistit për prodhimin borgjez funksioni i pronarëve të tokës. Së dyti, në masën që puna e kapitalistit nuk është ajo që rrjedh nga procesi (i prodhimit) si proces kapitalist e, pra, që zhduket vetvetiu së bashku me zhdukjen e kapitalit, në masën që ajo nuk është emër për funksionin e shfrytëzimit të punës së tjetërkujt, d.m.th. në masën që ajo rrjedh nga forma shoqërore e punës (të kooperimit, të ndarjes së punës etj), ajo po kështu nuk varet prej kapitalit, siç nuk varej prej tij edhe kjo formë shoqërore e punës pasi të ketë flakur tej lëvozhgën kapitaliste. Të thuash se kjo punë e drejtimit të punës nevojitet si punë kapitaliste, si funksion i kapitalistit, do të thotë vetëm se ekonomisti vulgar nuk mund t’i përfytyrojë fuqinë prodhuese shoqërore të punës dhe karakterin e saj shoqëror, që janë zhvilluar në gjirin e kapitalit, si të shkëputura nga kjo formë e tyre kapitaliste, nga forma e tjetërsimit, e antagonizmit dhe e kontradiktës së momenteve të tyre…”[2]
Çështja e dytë kishte të bënte me konceptimin e punës dhe marrëdhënien e saj me pronën. Sipas ortodoksisë marksiste, puna futet në faktorët mirëfilli objektivë të prodhimit, madje si pjesa kryesore e forcave të prodhimit (duke shtuar këtu edhe kapitalin që nuk është gjë tjetër përpos punë e shkuar që ngurtësohet në makineri etj me vlerë të caktuar këmbimi). Ndërkohë që prona mbi mjetet e prodhimit, pra ajo që kushtëzon edhe mënyrën e prodhimit, mund të renditet në faktorët subjektivë, pra shënjon marrëdhëniet e prodhimit, të cilat përcaktohen ose drejtpërdrejt, ose në instancë të fundit nga forcat e prodhimit. Prandaj, po sipas marksizmit ortodoks, ndryshimi i marrëdhënieve të prodhimit kushtëzohet nga zhvillimi i forcave të prodhimit; pra kur këtyre të fundit u vijnë ngushtë marrëdhëniet e vjetra të prodhimit, ndryshon marrëdhënia dhe jo forcat e prodhimit, çka nënkupton se kemi kalim cilësor nga një marrëdhënie prodhimi në një tjetër: nga feudalizmi në kapitalizëm, apo nga kapitalizmi në socializëm.
Sidoqoftë, për marksizmin heterodoks, brenda të cilit futet dreqi me të birin dhe të nipin, dhe që rreket ta konceptojë kapitalizmin në zhvillimet e veta përtejklasike, forcat e prodhimit ose i kushtëzojnë vetëm së largu, pra në instancë të fundit, marrëdhëniet e prodhimit, duke u dhënë këtyre të fundit autonomi relative, ose autonomia në fjalë është e plotë, pra marrëdhëniet e prodhimit kushtëzojnë forcat e prodhimit. Kësisoj marrëdhëniet pronësore kapitaliste janë përcaktuese të strukturimit të forcave prodhuese, pra të fuqisë punëtore, kapitalit apo rentës, në aksh mënyrë. Ose e thënë me fjalët e Althusser-it, lufta e klasave i paraprin klasave, pra marrëdhënia jo vetëm ekonomike, por edhe politike e klasave në luftë i strukturon klasat si të tilla, pra edhe forcat e prodhimit. Domethënë, shndërrimi i fuqisë punëtore në mall, pra në pronë të dhënë me qira kapitalit, nuk kushtëzohet nga domosdoshmëria e hekurt ekonomike e zhvillimit të forcave të prodhimit, por është rezultat i luftës së klasave, e kuptuar edhe në terma gramshianë si luftë pozicionesh për hegjemoni.
Vetë Marksi duket sikur lëkundet midis këtyre dy pozicioneve. Rëndom, në terma sasiorë të paktën, duket sikur i jep përparësi mekanicizmit të raportit forcë prodhuese – marrëdhënie prodhimi, pra bazë-superstrukturës së famshme, ku ndryshimet tek e para përcaktojnë të dytën. Gjithsesi po ta marrim seriozisht karakterin dialektik të mendimit të tij, pra bashkëpërcaktimin e të kundërtave, totalitetin kontradiktor të marrëdhënieve, apo edhe referencat historike që zënë vend kyç te Kapitali, sidomos kapitulli mbi akumulimin primitiv të kapitalit, situata anon nga theksimi i marrëdhënieve të prodhimit si kushtëzuese të forcave të prodhimit.
Për ta shtjelluar çështjen një hap më tutje, dhe për ta shtyrë debatin më tej, po e përmbyll duke cituar Antonio Negrin, i cili në analizën që i bën raportit midis strukturimit ekonomik të shoqërisë dhe të drejtës sipas Pashukanisit, kritikon teorinë dhe praktikën sovjetike, sipas të cilave ndryshimi i marrëdhënieve të prodhimit, pra organizimi socialist i prodhimit dhe pronësimi shtetëror-kolektiv i tij në vend të atij kapitalist, mjafton për të ndryshuar edhe strukturimin e punës si punë e çliruar tashmë. Konkretisht, për Negrin, …”lufta e punëtorëve nuk drejtohet thjesht kundër pronës, por kundër bazës së pronës, kundër ligjit të vlerës-punë si bazë e pronës dhe rregull i shfrytëzimit. Prona nuk është veçse konkretizimi i përcaktuar i një niveli të komandës kapitaliste, i efektivitetit të ligjit të vlerës: ‘Puna është baza e gjallë e pronës private, prona private si burim krijues i vetvetes. Prona private nuk është tjetërçka veçse punë e objektifikuar. Prandaj, nëse i duhet dhënë një goditje vdekjeprurëse pronës private, nuk mjafton të sulmohet vetëm si kusht objektiv, por edhe si veprimtari, pra si punë. Një prej ekuivokëve më të mëdhenj është pikërisht të folurit për punë të lirë, njerëzore, shoqërore, për punë pa pronë private. Puna, në thelbin e vet, nuk është e lirë si veprimtari, por çnjerëzore, joshoqërore, e përcaktuar nga prona private dhe krijuese e pronës private.”[3]
Shënime:
[1] Marks, Karl. (1982). Teoritë e mbivlerës. (Vëll. IV i “Kapitalit”). Pjesa e tretë. Tiranë: Shtëpia botuese “8 Nëntori”, fq. 646
[2] Po aty, fq. 648
[3] Negri, Antonio. (2012). La forma dello Stato. Per la critica dell’economia politika della Constituzione. Milano: Baldini Castoldi Dalai, fq. 257
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.