/V.I. Lenin/
…A është e huaj për ne, proletarët e ndërgjegjshëm rusë, ndjenja e krenarisë kombëtare? Sigurisht, jo! Ne e duam gjuhën tonë dhe atdheun tonë, ne më tepër se për çdo gjë tjetër punojmë që t’i ngremë masat e tij punonjëse (d.m.th. 9/10 e popullsisë së tij) deri në nivelin e jetës së ndërgjegjshme të demokratëve dhe socialistëve. Neve na copëtohet zemra, kur shohim dhe ndjejmë se si e shtypin, e mundojnë dhe tallen me atdheun tonë të bukur xhelatët caristë, fisnikët dhe kapitalistët…
…Ne e mbajmë mend se si një gjysmë shekulli më parë demokrati rus Çernishevski, i cili ia kushtoi jetën e vet çështjes së revolucionit, tha: “komb i mjerë, komb skllevërish, nga i pari tek i fundit – të gjithë skllevër janë”. Skllevërve të hapët dhe të mbuluar rusë (skllevër të monarkisë cariste) nuk u pëlqen t’i kujtojnë këto fjalë. Por, sipas mendimit tonë, këto ishin fjalë të një dashurie të vërtetë për atdheun, fjalë që shprehin dhembje ngaqë në masat e popullsisë ruse nuk kishte frymë revolucionare. Në atë kohë nuk kishte frymë revolucionare. Tani ka pak, por, sidoqoftë, ka. Ne ndjejmë një krenari të madhe kombëtare që edhe kombi rus krijoi klasën revolucionare, që edhe ai provoi, se di t’i japë njerëzimit shembuj të lartë të luftës për liri dhe socializëm, dhe jo vetëm pogrome të mëdha, trikëmbësha të panumërt, biruca torturash, uri në masë dhe servilizëm të madh përpara priftërinjve, carëve, çifligarëve dhe kapitalistëve.
Ne ndjejmë një krenari të madhe kombëtare, dhe pikërisht për këtë arsye ne e urrejmë në mënyrë të veçantë të kaluarën tonë prej skllavi (kur çifligarët fisnikë çonin muzhikët në luftë për t’i rrëmbyer lirinë Hungarisë, Polonisë, Persisë, Kinës) dhe të sotmen tonë prej skllavi, kur po ata çifligarë, të ndihmuar nga kapitalistët, na çojnë në luftë për të mbytur Poloninë dhe Ukrainën, për të shtypur lëvizjet demokratike në Persi dhe Kinë…Skllavi nuk ka faj që është lindur skllav; por skllavi, që jo vetëm nuk përpiqet të fitojë lirinë, por e justifikon dhe e lustron skllavërinë e vet (për shembull, robërimin e Polonisë, të Ukrainës etj. e quan “mbrojtje të atdheut” të rusëve), një skllav i tillë është një shërbëtor i poshtër, që ngjall me plot të drejtë ndjenjën e zemërimit, të përbuzjes dhe të neveritjes…
…Në shekullin XX, në Evropë (qoftë edhe në lindjen e largët të Evropës) nuk mund të “mbrohet atdheu” ndryshe, veçse duke luftuar me të gjitha mjetet revolucionare kundër monarkisë, çifligarëve dhe kapitalistëve të atdheut tonë, d.m.th. kundër armiqve më të këqij të atdheut – rusët nuk mund “ta mbrojnë atdheun” ndryshe, veçse duke ia dashur carizmit disfatën në çdo luftë, si të keqen më të vogël për 9/10 e popullsisë së Rusisë sepse carizmi jo vetëm i shtyp ekonomikisht dhe politikisht këto 9/10 të popullsisë, por edhe i demoralizon, i poshtëron, i çnderon, i korrupton ato, duke i mësuar që të shtypin popuj të tjerë, duke i mësuar që ta fshehin turpin e tyre me fraza hipokrite, gjoja patriotike…