/David Graeber/
Në vitin 1930, John Maynard Keynes-i parashikoi se nga fundi i shekullit XX teknologjia do të kishte avancuar aq shumë, saqë në vende si Britania dhe SHBA do të arrihej një reduktim i punës deri në 15 orë në javë. Kemi të gjitha arsyet të besojmë se ai kishte të drejtë. Në terma teknologjikë kjo gjë është plotësisht e mundur. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi teknologjia u përdor për të gjetur mënyra të reja që të gjithë të punojmë më shumë. Për t’ia arritur këtij qëllimi, u desh të “shpiken” punë që praktikisht janë të kota. Një numër i madh njerëzish, veçanërisht në Evropë dhe Amerikën e Veriut, e kalojnë gjithë kohën e tyre në punë duke u marrë me gjëra që edhe ata vetë besojnë se janë të panevojshme. Për pasojë dëmi moral dhe shpirtëror është i thellë. Një plagë në shpirtin tonë kolektiv. E megjithatë, thuajse askush nuk flet për këtë.
Atëherë, pse nuk u materializua kurrë utopia e premtuar nga Keynes-i, e pritur me padurim edhe në vitet 1960? Përgjigja standarde sot është që ai nuk llogariti rritjen e konsumit. Të gjendur mes zgjedhjes “më pak orë pune” apo “më shumë mallra dhe kënaqësi”, ne kemi zgjedhur kolektivisht të dytën. Ky është një tregim moralist i lezetshëm, por mjafton vetëm një moment reflektimi për të kuptuar se nuk ka sesi të jetë i vërtetë. Padyshim, që prej viteve 1920 u krijua një larmi vendesh pune dhe industrish, por shumë pak prej tyre kanë të bëjnë me prodhimin dhe shpërndarjen e sushit iPhone-ve apo atleteve në modë.
Po çfarë janë atëherë këto punë? Një panoramë të qartë na e jep një raport i kohëve të fundit që krahason punësimin në SHBA mes viteve 1910 dhe 2000. Përgjatë shekullit të kaluar, numri i të punësuarve si shërbyes në shtëpitë e të pasurve, nëpër industritë dhe fermat e ndryshme ka rënë në mënyrë drastike. Në të njëjtën kohë, numri i punëtorëve të profesioneve menaxheriale, nëpunës zyrash, përgjegjës shitjesh dhe shërbimesh është trefishuar nga ‘çereku në treçerekun e numrit të përgjithshëm të të punësuarve’. Me fjalë të tjera, punët produktive – siç edhe parashikohej – janë automatizuar gjerësisht. Edhe po të llogarisësh të punësuarit në sektorët industrialë në shkallë botërore, përfshirë edhe ata në Kinë e Indi, numri i tyre nuk i afrohet as 1% të numrit të popullsisë botërore.
Në vend të reduktimit të orëve të punës me qëllim shtimin e orëve të lira – në mënyrë që njerëzit të ndjekin pasionet, projektet, vizionet dhe idetë e tyre – janë rritur jo dhe aq sektorët e shërbimeve sesa ata administrativë, deri në krijimin e industrive krejtësisht të reja si shërbimet financiare e telemarketingu, apo zgjerimi i paprecedent i sektorëve si legjislacioni i korporatave, administrata akademike dhe shëndetësore, si dhe burimet njerëzore dhe marrëdhëniet me publikun. Këto shifra nuk marrin në konsideratë fare personat puna e të cilëve është të japin ndihmë administrative, teknike apo mbështetje sigurie për këto industri, madje as industritë mbështetëse (si kujdestar qensh apo shpërndarës picash 24-orë), që ekzistojnë vetëm sepse gjithkush tjetër shpenzon kaq shumë kohë në punët e tjera.
Këto propozoj t’i quajmë “punë të kota”.
Ngjan sikur dikush ka marrë përsipër të shpikë punë pa pikë lidhje, vetëm për hir të na mbajtur të zënë me punë. Dhe pikërisht këtu qëndron çudia. Në kapitalizëm supozohet që pikërisht kjo të mos ndodhë kurrë. Sigurisht, në ish-vendet socialiste joeficiente si Bashkimi Sovjetik ku puna konsiderohej edhe e drejtë, edhe detyrë e shenjtë, sistemi krijoi aq profesione sa i duheshin (prandaj në dyqanet sovjetike kishe tre shitës për të shitur një copë mishi). Po, sigurisht, ky është nga ato probleme që supozohet ta zgjidhë konkurrenca e tregut. Sipas teorive ekonomike të paktën, gjëja e fundit që një firmë fitimprurëse bën është të japë para për njerëz që nuk ka arsye t’i punësojë. Prapëseprapë kjo ndodh, në një farë mënyre.
Ndërkohë që korporatat aplikojnë shkurtime të pamëshirshme të stafit, pushimet nga puna apo mbingarkesa në punë rëndojnë mbi atë kategori njerëzish që në fakt bëjnë diçka, si prodhimi, zhvendosja, riparimi apo mirëmbajtja e gjërave; përmes një alkimie të çuditshme që askush nuk mund ta shpjegojë, numri i burokratëve duket se po zgjerohet dhe një numër përherë e më i madh punonjësish e gjejnë veten – jo fort ndryshe nga punëtorët sovjetikë – tek punojnë në letër 40 deri në 50 orë në javë, por në realitet vetëm 15 orë, siç e parashikoi Keynes-i, ndërkohë që pjesën tjetër të kohës e shpenzojnë duke organizuar apo marrë pjesë në seminare motivuese, duke përditësuar profilin e tyre të fejsbukut apo shkarkuar materiale nga interneti.
Përgjigja qartazi nuk është ekonomike, por morale dhe politike. Klasa sunduese ka kuptuar se një popull i lumtur dhe produktiv me kohë të lirë për veten përbën rrezik (mendo se çfarë ndodhi kur kjo filloi të bëhej realitet në vitet 1960!). Nga ana tjetër, atyre u leverdis mendimi se puna është një vlerë morale dhe kushdo që nuk dëshiron të përfshihet në një farë disipline pune intensive për orë të tëra nuk meriton asgjë.
Një herë, tek po meditoja mbi rritjen në dukje të pafundme të përgjegjësive administrative në departamentet akademike në Britani, përfytyrova një variant të mundshëm të ferrit. Ferri përbëhet nga një kolektiv njerëzish që e kalojnë kohën duke bërë një punë që nuk e pëlqejnë dhe nuk janë fort të aftë për ta kryer. Është njësoj sikur të ishin marrë në punë si zdrukthëtarë të shkëlqyer, por më pas zbulojnë se prej tyre pritet që ta shpenzojnë pjesën më të mirë të kohës duke skuqur peshk. Kjo detyrë nuk ka nevojë të kryhet – dhe nëse po, nevojitet vetëm një numër i vogël peshqish për t’u skuqur. Po prapëseprapë, ata fiksohen në përçmimin që ndjejnë ndaj idesë se disa prej kolegëve të tyre mund të shpenzojnë më shumë kohë duke punuar lëndën e drurit në vend se të skuqin peshkun që u takon, aq sa pa pritur e pa kujtuar mblidhen togje me peshq të skuqur keq e të panevojshëm, dhe të gjithë merren vetëm me këtë punë. Mendoj se në fakt ky është një përshkrim goxha i saktë i dinamikave morale të ekonomisë tonë.
E marr me mend se një argument i tillë do të kundërshtohej menjëherë: “Kush je ti që përcaktoke kotësinë e punëve?! Çfarë është e nevojshme në fund të fundit? Je profesor antropologjie, ç’na nevojitesh?!” (Dhe me të vërtetë, shumë nga lexuesit e gazetave/revistave do e konsideronin ekzistencën e profesionit tim si mishërim të shpenzimeve të kota të buxhetit.) Në një farë mënyre, kjo gjë është e vërtetë. Nuk mund të ketë matje objektive të vlerës sociale.
Nuk do të guxoja t’i thosha dikujt që është i bindur se po jep një kontribut kuptimplotë për njerëzimin, që në fakt nuk po e bën këtë. Po ç’mund të themi për ata njerëz që janë të vetëdijshëm dhe të bindur se punët e tyre janë pa kuptim? Jo shumë kohë më parë rashë në kontakt më një shok shkolle që nuk e kisha takuar që në moshën 12-vjeçare. U mahnita kur zbulova se për një kohë të shkurtër ishte bërë poet dhe pastaj këngëtari kryesor i një bande roku. Kisha dëgjuar disa këngë të tij në radio duke mos e ditur që në fakt ishte dikush që e njihja. Ishte padyshim i shkëlqyer, novator dhe puna e tij kishte ndriçuar dhe përmirësuar jetën e njerëzve nëpër botë. Por pas disa albumeve të pasuksesshme, pasi kishte humbur kontratën dhe ishte mbytur në borxhe, ndërkohë që kishte sjellë në jetë një vajzë, përfundoi duke “marrë drejtimin e të gjithë atyre që ecin kuturu: nisi studimet në jurisprudencë” – siç u shpreh vetë. Tani është një avokat korporatash dhe punon në një kompani me emër në Nju Jork. E pranoi vetë që puna e tij është tërësisht e pakuptimtë, nuk i shërbente aspak njerëzimit dhe, sipas atij vetë, nuk duhet të ekzistonte.
Këtu mund të shtrohen shumë pyetje, duke filluar me “çfarë tregon për një shoqëri si e jona fakti se gjeneron një kërkesë shumë të kufizuar për poetë dhe muzikantëve të talentuar, por një kërkesë në dukje të pafund për specialistë në legjislacionin e korporatave?” (Përgjigjja: nëse 1% e popullsisë kontrollon shumicën e pasurisë, i ashtuquajturi ‘treg’ reflekton çka ky grup 1-përqindësh, jo tjetërkush, mendon se është më e nevojshme apo e rëndësishme.) Edhe më keq, tregon se shumica që punojnë në këto punë janë të vetëdijshëm për këtë. Në fakt nuk kam njohur ndonjë avokat korporatash që të mos mendojë që puna e tij është kot. E njëjta gjë vlen për thuajse të gjitha industritë e reja të sipërpërmendura. Ekziston një klasë e tërë profesionistësh rrogëtarë që, po t’i takosh nëpër festa dhe t’u thuash se për vete bën një punë që mund të konsiderohet si interesante (antropolog p.sh.), do të përpiqen t’i shmangen bisedës lidhur me punën e tyre. Jepu ca gota alkool dhe do të shpërthejnë në rrëfime të pafundme rreth pakuptimësisë dhe idiotësisë që pozicioni i punës së tyre përfaqëson!
Kjo është dhunë e thellë psikologjike. Si mundet që të flasë dikush rreth dinjitetit në punë kur fshehtazi ndjen se ajo lloj pune as duhet të ekzistojë?! Si mund të mos ngjallë një ndjenjë të thellë revolte dhe përçmimi?! E megjithatë, është në saje të gjenialitetit të shoqërisë sonë që sunduesit e saj kanë shpikur një mënyrë, si në rastin e skuqësve të peshkut, për ta kanalizuar revoltën drejt atyre që bëjnë një punë kuptimplotë. Për shembull: në shoqërinë tonë ekziston një rregull i përgjithshëm ku, sa më shumë që njerëzit përfitojnë nga një profesion/punë, aq më pak paguhet profesioni/puna në fjalë. Vështirë se gjen një matës objektiv, por një mënyrë e lehtë sa për të krijuar idenë është të pyesësh: Çfarë do të ndodhte sikur kjo klasë njerëzish të zhdukej tërësisht? Thuaj ç’të duash për infermierët, pastruesit apo mekanikët, ama është e sigurt që po të zhdukeshin papritmas, pasojat do të ishin katastrofike. Një botë pa mësues apo pa punëtorë ngarkim-shkarkimi në porte, e sidomos pa shkrimtarë apo muzikantë, do të hynte shpejt në telashe. Nuk mund të thuhet me siguri sa do të vuante njerëzimi nga zhdukja e gjithë drejtorëve të kompanive, lobistëve, studiuesve të marrëdhënieve me publikun, shitësve nga ekrani, konsulentëve ligjorë e shumë të tjerëve të ngjashëm me ta. (Shumëkush mendon se do të përmirësohej ndjeshëm.) Po përveç ndonjë përjashtimi të përmendur shpesh (doktorët), rregulli qëndron çuditërisht i vërtetë.
Në mënyrë edhe më perverse, duket sikur ekziston një konsensus i gjerë se kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat. Kjo është një nga forcat e fshehta të populizmit të djathtë. Mund ta vëresh te gazetat që fshikullojnë punëtorët e metrosë së Londrës për paralizimin e sistemit gjatë negociimit të kontratës. Fakti se punëtorët e metrosë mund ta paralizojnë Londrën tregon se puna e tyre është e nevojshme, por është pikërisht kjo duket sikur i acaron njerëzit. Është edhe më e dukshme në SHBA, ku republikanët kanë pasur goxha sukses në nxitjen e pakënaqësive ndaj mësuesve apo punëtorëve të fabrikave të makinave (dhe jo ndaj administratorëve të shkollave apo menaxherëve të industrisë automobilistike që i shkaktojnë problemet) për rrogat e tyre dhe shpërblimet e tyre gjasme të majme. Është si t’iu thuash: “Ti mëson fëmijët! Ti prodhon makina! Ti je duke bërë një punë të vërtetë! Dhe ke guximin të kërkosh rroga më të larta dhe kujdes shëndetësor?!”
Në qoftë se dikush do të synonte krijimin e një regjimi pune që i përshtatej në mënyrë të përsosur ruajtjes së pushtetit të kapitalit financiar, nuk do ta kishte bërë më mirë. Punëtorët e vërtetë dhe produktivë shtypen dhe shfrytëzohen pa mëshirë. Pjesa e mbetur ndahen mes një shtrese të terrorizuar të të përçmuarve botërisht, të papunëve, dhe një shtrese të gjerë që paguhen për të mos bërë asgjë, nëpër pozicione të krijuara për t’i bërë ata të identifikohen me perspektivat dhe ndjeshmëritë e klasës sunduese (menaxherë, administratorë, etj.) dhe veçanërisht avatarët financiarë – që në të njëjtën kohë ushqejnë një përçmim të veçantë ndaj kujtdo puna e të cilit ka një vlerë shoqërore të qartë dhe të padiskutueshme. Qartazi, ky sistem nuk u projektua qëllimisht i tillë. Ai doli në sipërfaqe pas një shekulli provash dhe dështimesh. Por është shpjegimi i vetëm pse, megjithë kapacitetet tona teknologjike, ne nuk jemi duke punuar 3-4 orë në ditë.
E përktheu Flavia Osmani
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).