Mbi çështjen irlandeze

/Karl Marks/

Artikulli i mëposhtëm i Marksit, i shkruar më 1870 si Njoftimi konfidencial drejtuar nga Londra, ku banonte, Komitetit të Partisë Punëtore Socialdemokrate Gjermane, është një nga analizat më të thukëta të marrëdhënieve ekonomiko-politike të Anglisë me Irlandën. E kolonizuar pjesërisht që në shek. XII dhe e pushtuar dhe kolonizuar përfundimisht në shek. XVI-XVII, Irlanda përbën një nga shembujt më dramatikë të kolonializmit, dëbimit të fshatarëve nga toka, emigracionit masiv, feudalizmit kolon të periferisë si pjesë e integruar e kapitalizmit të metropolit, dhe në fund të urisë masive në prag të gjenocidit. Gjatë famëkeqes Zi e patateve irlandeze të vjetëve 1845-1852, si rezultat i monopolit feudal të tokës, tokave të pashfrytëzuara, eksportit të patateve jashtë Irlandës dhe ligjeve diskriminuese angleze, rreth një milion irlandezë vdiqën urie dhe po aq, në mos më shumë, morën rrugët e emigrimit në SHBA, prej ku nisi lëvizja e rezistencës feniane. Artikulli i mëposhtëm nuk ka vetëm vlera historike. Ai mëton të na flasë edhe sot, në kushte të reja të shfrytëzimit të vjetër, ku neoimperializmi ngërthehet me raporte komplekse shoqërore, nga racizmi, urrejtja etnike deri te përçmimi për imigrantët, të gjitha këto me origjinë në marrëdhëniet ekonomike. Edhe në gadishullin tonë epik, paçka se jo në përmasat e fuqive me peshë botërore, historia e largët dhe e afërt dëfton ndërthurjen e sundimit ekonomik, kolonizimit dhe kushtëzimit me urrejtjen ndëretnike që vetëm sa i përforcon rrethanat shfrytëzuese në të cilat jetojnë shtresat e gjera të varfra shoqërore në Ballkan. Në kushtet ku, ideologjia sunduese i paraqet konfliktet kombëtare, sidomos në Ballkan, si katundarizma estetikë që bazohen mbi mite e legjenda primitivësh, Marksi na ndihmon të kuptojmë shkaqet ekonomiko-politike të tyre. Ai thotë se “një popull që skllavëron një popull tjetër, farkëton vargonjtë e vet”, jo vetëm duke shpjeguar kësisoj marrëdhëniet shfrytëzuese-shtypëse të së shkuarës dhe shantazhit, bllokimit dhe urrejtjes së të tashmes, por edhe duke kumtuar idenë se vetëm në solidaritet ndërpopullor popujt do të çlirohen së brendshmi.

P.S. Megjithëse sot duhet të ketë diç më pak shqiptarë që i hakërrehen perëndisë se pse nuk i bëri shtet të pesëdhjetedytë apo Izrael të SHBA, krahinë autonome të Greqisë apo kopsht shkëmbor dopolavoroje italiane, prapëseprapë qasja e mëposhtme mund t’i shkurajojë qëndrestarët e mbetur dhe t’i bëjë të mendojnë se tjetërçka është të jetosh në zemër të metropolit duke përfituar ndonjë thërrime nga shfrytëzimi i periferive, e tjetërçka të jesh Irlanda e shekullit XXI, siç e provojnë në kurriz ende vende si Kongoja, ku fati i shekullit të ri i ka vënë në kurriz jo një fuqi imperialiste të llojit të vjetër, por një koncert shumëkombëshesh, shtetesh, influencash etj., duke e bërë pasojën jo më pak tragjike. Siç thotë Brehti, ferri i ri nuk është degdisja nëntokë, por të jetuarit ndanë parajsës, ose së paku në periferi të integruar të saj, duke shikuar me gojën plot lëng e barkun bosh spektaklin virtual të luksit të të tjerëve.

Arlind Qori

***

Në qoftë se Anglia është kështjella e lendlordizmit dhe e kapitalizmit evropian, Irlanda është e vetmja pikë ku mund t’i jepet goditja vendimtare Anglisë zyrtare.

Së pari, Irlanda është kështjella e lendlordizmit anglez. Po të shembet ai në Irlandë, duhet të shembet edhe në Angli. Në Irlandë kjo mund të bëhet njëqind herë më lehtë, sepse atje lufta ekonomike është përqendruar vetëm e vetëm në pronën e tokës, sepse kjo luftë atje është njëkohësisht edhe luftë kombëtare dhe sepse populli në Irlandë është më revolucionar dhe më i ashpër se në Angli. Lendlordizmi në Irlandë i ruan pozitat e veta vetëm e vetëm me anë të ushtrisë angleze. Me t’u hequr unioni i detyrueshëm midis këtyre dy vendeve, në Irlandë do të shpërthejë një revolucion social, ndonëse në forma të vjetruara. Lendlordizmi anglez do të humbasë jo vetëm një burim të madh të pasurive të veta, por edhe burimin më të rëndësishëm të forcës së vet morale si përfaqësues i sundimit të Anglisë mbi Irlandën. Nga ana tjetër, duke e lënë të paprekur fuqinë e lendlordëve të vet në Irlandë, proletariati anglez i bën ata të pacenueshëm në vetë Anglinë.

Së dyti, borgjezia angleze jo vetëm që e ka shfrytëzuar mjerimin irlandez për të keqësuar gjendjen e klasës punëtore në Angli nëpërmjet imigrimit të detyrueshëm të të varfërve irlandezë, por, veç kësaj, e ka ndarë proletariatin në dy kampe armike. Vrulli revolucionar i punëtorit kelt s’puqet me natyrën serioze, por të plogësht të punëtorit anglosakson. Përkundrazi, në të gjitha qendrat e mëdha industriale të Anglisë ka një antagonizëm të thellë midis proletarit anglez dhe atij irlandez. Punëtori i mesëm anglez e urren punëtorin irlandez si një konkurrent që i ul pagën dhe standard of life. Ai ka për të një antipati kombëtare dhe fetare. Ai e sheh atë pothuajse me atë sy ë i shihnin poor whites të shteteve jugore të Amerikës Veriore skllevërit zezakë. Ky antagonizëm midis proletarëve në vetë Anglinë ndizet artificialisht dhe përkrahet nga borgjezia. Ajo e di se në këtë përçarje të proletarëve qëndron sekreti i vërtetë i ruajtjes së fuqisë së saj.

Ky antagonizëm po përsëritet edhe në anën tjetër të oqeanit Atlantik. Të dëbuar nga toka amtare ngaqë u zëvendësuan me qetë dhe me delet, irlandezët i gjen përsëri në Shtetet e Bashkuara, ku përbëjnë një pjesë të madhe, gjithnjë në rritje të popullsisë. I vetmi mendim i tyre, i vetmi pasion i tyre është urrejtja për Anglinë. Qeveria angleze dhe ajo amerikane, domethënë klasat që ato përfaqësojnë, i ushqejnë këto pasione për të përjetësuar luftën midis kombeve, që është pengesë për çdo aleancë serioze dhe të sinqertë midis punëtorëve në të dyja anët e oqeanit Atlantik, pra që është pengesë për çlirimin e tyre të përbashkët.

Irlanda është i vetmi pretekst i qeverisë angleze për të mbajtur një ushtri të madhe të përhershme, të cilën në rast nevoje, siç ka ndodhur në të vërtetë, e hedhin kundër punëtorëve anglezë, pasi kjo ushtri të ketë bërë shkollën e militarizmit në Irlandë. Më në fund, sot në Angli po përsëritet ajo që mund të shihej në përmasa të përbindshme në Romën e Vjetër. Një popull që skllavëron një popull tjetër, farkëton vargonjtë e vet. (Theksimi me të zezë nga Red. O.P.)

i vetmi kusht paraprak i çlirimit të klasës punëtore angleze, pa folur këtu për të drejtën ndërkombëtare, është shndërrimi i unionit të detyrueshëm ekzistues – d.m.th. i robërimit të Irlandës – në një Konfederatë të barabartë e të lirë, nëse kjo është e mundshme, ose shkëputja e plotë, po të jetë e domosdoshme kjo gjë.

Marrë nga: K. Marks, F. Engels – Mbi çështjen irlandeze

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.