/Arlind Qori/
Në parathënien e Fenomenologjisë së shpirtit, Hegeli shkruan për ato qasje hiperabstrakte të mendjes të cilave gjithçka u duket e njëvlershme me gjithçka tjetër. Prandaj, thotë ai – të tilla qasje, që pamundësojnë dallimin, janë njëlloj si të hapësh sytë në një natë të errët pis për të shquar një tufë lopësh të zeza. Ky hiperabstraksion përputhet dialektikisht me të kundërtën e vet, atë që mund ta quajmë qasje vulgare shqisore, e shprehur në formë përshtypjesh, opinionesh, hamendjesh a perceptimesh, për të cilat gjithçka mbi dhe është e njëllojtë dhe dallimi a ndryshimi i pamundur.
Të ma falë lexuesi këtë hyrje paksa të rëndë, por sot mu dha rasti të lexoj një shkrim interesant të një të vetëhequri majtist, Sokol Shametit, në gazetën në pronësi dhe drejtim të një djathtisti të shquar (http://mapo.al/2014/01/23/sa-bukur-2/). Shkrimi në fjalë mëtonte “t’i binte” ndodhive politiko-policore të 21 Janarit të këtij viti, ku veprimtarë të Organizatës Politike, pjesë e të cilës është edhe shkruesi i këtyre radhëve, hapën një banderolë të madhe ku shkruhej: “Kokëpalarë të t’gjitha rrethinave, bashkohuni!” Po te kjo do të vijmë më vonë. Pyetja e parë që shtrohet është se ç’e mundëson këtë pikëprerje qëndrimesh editoriale të aparatit ideologjik ultrakapitalist, në krye edhe të diplomores më zulmëmadhe private të Tiranës, me majtistin tonë të ngeshëm? Pa u hyrë teorive konspirative, që aq qejf i ka Sokoli ynë, duket se botuesit e Mapos do t’i ketë ngashëryer zhargoni i lodhur antikomunist, i përdorur nga dreqi me të birin këto dekada nga jozefinizmi te Fox-News-zizmi ndërkombëtar, që damkos herë me alarm, e herë me shaka, çdo tentativë rezistence antisistemore. Kësisoj, shkrimit në fjalë, përtej fantazisë së ndërkryer, nuk i mungojnë edhe togfjalëshat pezhorativë si “revolucionarë të kuq”, “vojokushë”, “kullerë” apo “marksistë-leninistë”. Mirëpo lopçari ynë, të më mirëkuptojë Sokoli dhe lexuesi që s’e kam në kuptim fyes, por në të mësipërmin hegelian, nuk e bën dallimin as në termat më minimalë teorikë, se fundja edhe të thuash marksistë-leninistë s’ke thënë ndonjë gjë të madhe. P.sh. mund të jemi trockistë, stalinistë, buharinistë, zinovievistë, maoistë, enveristë, titistë etj. Meqenëse ai mbase s’ua ka ngenë dallimeve të tilla, mund ta qetësoj se Organizata Politike nuk është marksiste-leniniste, dhe jo ngaqë i vjen turp ta thotë, por sepse veprimtaria e saj e deritanishme modeste nuk e tregon këtë, dhe mbi të gjitha ngaqë teorikisht jemi të mendjes se marksizëm-leninizmi, në të gjitha format e sipërpërmendura, është i pavend në kushtet e sotme historike. Por kjo s’na pengon ta lexojmë me kërshëri edhe Marksin, e nganjëherë edhe Leninin, bash ashtu siç bëjnë një aradhe mbresëlënëse teoricienësh bashkëkohorë si Alain Badiou-ja, Slavoj Žižek-u, Etienne Balibar-i, Terry Eagleton-i, Fredric Jameson-i, Antonio Negri, Sylvain Lazarus-i etj. si këta, librat e të cilëve Sokoli ynë, me gjasë, jo vetëm që u ka marrë erë kapakëve, por edhe i ka konspektuar seriozisht. Të gjithë këta na duhen bash për të rishqyrtuar rrugën qorre të kapitalizmit global e atë qorre-e-shurdhe të kapitalizmit shqiptar.
Në vazhdimin e rrugës së lopçarit të Hegelit, Sokoli ynë ngulmon në faktin se ndodhia e paradoditshme ishte thjesht riprodhimi i n-të i të njëjtës ndyrësi plaçkitëso-delenxhie të oligarkëve shqiptarë, thjesht me një tis “kobureje me saçme të kuqe”. Do thotë ndokush: Ja edhe ky si Rama që po u bezdiska nga njësimi i të gjithëve me të gjithë, por ndryshe nga Rama, të cilit i djeg miza nën kësulë nga një pohim i tillë, neve, një “grushti jezitësh” të Organizatës Politike, na gudulis rrafshimi konceptual i ushqyer me ndërkryerje dhe teori konspirative. Se që thoni ju, të nderuar lexues që s’keni pasur rast të lexoni diatribën e Sokolit, filli lidhës i argumentit të mësipërm është konspiracioni i disave në PS që “janë të mërzitur që LSI-ja po u ha nga pjesa e tyre e pushtetit dhe përdorin çkamos për t’ia vështirësuar jetën kësaj të fundit”. Pra, sipas teorisë së mësipërme konspirative me marksistë-leninistë dhe turbokapitalistë pas perdeve (mungon vetëm çifutëria për ta mbyllur rrethin për lezet), një grup në dukje “kamunistash dreqi” bëjnë sikur indinjohen për padrejtësinë e pafund të 21 Janarit vetëm e vetëm për t’i bërë shantazh Metës në atë që italianët do ta quanin: “È tutto un magna-magna.” Dhe ku e bazon ai këtë? E ku tjetër veçse te opinioni, përshtypja apo perceptimi i tij hiperabstrakt e hipervulgar njëkohësisht. Po t’i donte qejfi mund të ndërtonte edhe një rrëfenjë me alkaedistë, agjentë të serbo-grekut, alienë me fytyrë njeriu, se të paktën për të parën do të kishte si provë shallin palestinez të të nënshkruarit, por falë bujarisë së fatit jemi thjesht “kullerë”. Fakti që asnjë media proqeveritare, bash asnjë, as TV-ja ku thonë se punon Sokoli ynë (e cila dy herë na i ka keqtransmetuar lajmet, një herë duke mos na quajtur Organizata Politike, por Lëvizja Mjaft e një herë tjetër duke marrë pamjet nga protesta jonë e 1 Majit të shkuar për të ilustruar hajdutërinë e ca zyrtarëve të Ministrisë së asokohshme të Punës), pra fakti që asnjë medie e tillë nuk e pasqyroi aktivitetin tonë nuk besoj se do ta bëjë konspirativistin tonë të ndërrojë mendje, se fundja për këso mendjesh një fakt i tillë thjesht provon se konspiracioni është edhe më i mirësajuar nga ç’pritej, duke e pafundësuar kështu argumentin sipas logjikës së Reductio ad absurdum-it. Madje më shumë argumente ka për konspiratorët e palës tjetër, që do të shfrytëzojnë faktin se lajm e bënë vetëm do media të djathta. Po këto dallime a saktësime kërkojnë një nivel më të lartë të shfrytëzimit të mendjes, atë që Hegeli e quan intelekt dhe që pavarësisht se është i paplotë në raport me Shpirtin absolut, prapëseprapë është ku e ku më afër të vërtetës sesa përshtypja konspirative, e denjë për solipsizmin po të kishte ndofarë vlere filozofike, ose për kretinizmin narcis (prapë në kuptim teorik) që çdo gjë që s’del nga vetja e sheh në terr si zezonën e lopëve të zeza.
Tash të kthehemi te punët serioze, domethënia e ngjarjes së 21 Janarit të 2011 dhe e ndodhisë së 21 Janarit të 2014. Organizata Politike, si grupim politik e ka zanafillën pikërisht në të nesërmen e asaj ngjarjeje. Ajo që na bashkoi atëherë, që na bashkon aktualisht, dhe që na ndan nga të gjitha krahët politikë, ramistë, berishistë, folkloristë etj, është mënyra se si e interpretojmë 21 Janarin, çka u munduam ta shfaqnim edhe para do ditësh në bashkëbisedim me kalimtarët, po të mos ndodhte histerizmi i forcave të rendit. Për ne, drejtësia e plotë për 21 Janarin nuk vihet as duke dënuar organizatorët puçistë, siç thotë Berisha, as vetëm duke burgosur Berishën dhe sërën e tij, siç kërkojnë ramistët. Për ne, me gjithë vetëdijen e numrave modestë të veprimtarëve dhe ndjekësve tanë, në 21 Janar nuk u vranë thjesht katër qytetarë nga një qeveri tiranike, por u vranë katër varfanjakë nga një sistem politiko-shoqëror hiperklasor që të varfërve u ofron veç emigrimin, lypjen, rënien nga skela apo cofjen në minierë, e në fund edhe vrasjen në demonstratë. Katër dëshmorët e 21 Janarit, të quajtur kokëpalarë nga Meta, të vrarë nga gardistët e Berishës dhe të tradhtuar e depolitizuar ceremonialisht nga Rama, shpërfaqën para botës mjerimin, dëshpërimin dhe guximin e tyre. Nuk është rastësi që në xhepat e tyre nuk gjendeshin veç qindarka, dhe që mes plumbave nuk shihje piskuriqë virtualë që alfa dhe omega u mbaron me pohimin “Berisha osht’ malok!”, as funksionarë e mëtues postesh qeveritare. Dhe po ashtu, me “Kokëpalarë të t’gjitha rrethinave, bashkohuni!”, deshëm të thërrisnim në kuvendim dhe angazhim pikërisht ata, mjeranët e të shfrytëzuarit e periferive, për t’iu thënë me gjuhën e Orwell-it se “nëse ka ende shpresë, ajo gjendet tek ju, proletarët (kokëpalarët), pasi veç ju mund ta shpëtoni veten dhe mbarë vendin”. Po ja që histerizmi policor, i shpalosur në duar të forta që kapnin për zhelesh, nuk na la më shumë se pak minuta në shi dhe policët e botës virtuale si lopçari ynë hegelian bënë çmos të protagonistëzoheshin me teori konspirative, zhargon jozefinist dhe pretendim të tjetërbotshëm se ja, për fajin tonë, vëmendja u zhvendos pakthyeshëm nga katër dëshmorët e 21 Janarit te katër “kullerat” e ndaluar nga policia.
Gjithsesi, edhe në emër të të tjerëve si unë, e falënderoj Sokolin që na gudulisi me përçartjet e tij duke na bërë, përpos të tjerash, ta marrim edhe më seriozisht Hegelin kur thotë se tek e vërteta arrihet gjithmonë udhës së mundimshme të gabimeve. Thonë spinozisht se injoranca nuk përbën argument, por në fakt përbën një shkallë të domosdoshme drejt argumentit. Pa ndërkryerjen policore të 21 Janarit të 2014 dhe pa injorimin që i bën çdo fakti dhe arsyeje ti Sokol, si do t’ia bënim t’i tejçonim idetë tona kaq shumë?!
P.S.
Kushedi, zotërve të Mapos, për hir të ndonjë pseudoparimi të të qenit “luajalë e të hapur për çdokënd”, u shkon ndër mend ta vënë këtë shkrim në gazetën e tyre. Faleminderit, por jo! Nuk dua, sidomos këto kohë kur qeveria e re socialiste po tenton paturpësisht të bëjë ligj të njëjtën ide pëdëiste të kalimit të fondeve shtetërore nga universitetet publike tek ato private, që ky shkrim t’i shtojë qoftë edhe një lexues gazetës, që në fjalorin konceptual altyserian do të quhej thjesht aparat ideologjik i neoliberalizmit.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.