/Barbara Foley/
Si mënyrë e të menduarit mbi natyrën dhe shkaqet e pabarazisë sociale, ndërsektorialiteti propozon që efektet e formave të shumta të shtypjes janë kumulative dhe, siç e thotë vetë fjala, të ndërthurura mes vetes. Jo vetëm që racizmi, seksizmi, homofobia, diskriminimi ndaj njerëzve me nevoja të veçanta, mungesa e tolerancës fetare dhe dhuna klasore shkaktojnë dhimbje dhe dëmtojnë jetën e shumë njerëzve, por secila prej këtyre llojeve të shtypjes mund të ekzistojë njëkohësisht në jetën e individëve dhe sektorëve demografikë të caktuar. Sipas modelit ndërsektorialist, çështjeve të drejtësisë sociale do mund t’u qasemi siç duhet vetëm duke marrë në konsideratë eksperiencat komplekse të shumë njerëzve të shtypur në margjinat e shoqërisë. Për të vlerësuar dobishmërinë e ndërsektorialitetit si model analitik dhe program praktik – dhe për të vendosur nëse vërtet mund të konsiderohet “teori”, siç këmbëngulin shumica e ndjekësve të tij – do duhet të analizojmë jo vetëm llojet e çështjeve që shtron dhe u jep zgjidhje, por edhe ato që lë në harresë dhe përjashton nga procesi i zgjidhjes.
Diskutimi ndërsektorialist e ka për zakon citimin e autoreve të rëndësishme pararendëse – nga Sojourner Truth-i te Anna Julia Cooper-i, nga Alexandra Kollontai te Claudia Jones-i dhe Kolektivi i Lumit Combahee – më pas e gjithë vëmendja përqendrohet në punët e teoricienes së ligjit Kimberle Crenshaw, e cila ishte e para që e formoi dhe zhvilloi termin në fund të viteve 1980. Duke dashur tejkalimin e situatës diskriminuese me të cilën përballeshin gratë punëtorëve afro-amerikane në kompaninë General Motors (GM), Crenshaw shfaqi kufizimet e kategorive ekzistuese të cilat shënjonin gjininë dhe racën si pjesë përbërëse të dimensionit ligjor, duke vënë në dukje se këto kategori nuk mund të përdoreshin njëkohësisht në rastin e një individi të caktuar: individi do duhej të ishte ose grua ose jo e bardhë, por jo të dyja në të njëjtën kohë. Ajo përdori metaforën e famshme të udhëkryqit mes dy rrugëve; njëra simbolizonte racën ndërsa tjetra gjininë, duke shpjeguar si aksidentet të cilat ndodhin në pikën e kryqëzimit vijnë si pasojë e lëvizjes nga të dyja anët e rrugës.
Ndonëse metoda e Crenshaw-t e mirëparaqet mënyrën e funksionimit të asaj që feministja afro-amerikane Patricia Hill Collins e ka cilësuar si “matricë e shtypjes”, dydimensionaliteti i kësaj metode veçon papërshtatshmërinë e sipërpërmendur të sistemit ligjor si shpjegim i arsyeve të ekzistencës së kësaj matrice.
Kush i krijoi këto rrugë? Përse njerëz të caktuar i përshkojnë ato? Kur dhe ku u ndërtuan? Modeli gjeografik nuk na shtyn drejt këtyre pyetjeve. Fakti që gratë në fjalë janë punëtore që, nëpërmjet punës së tyre, në rastin më të mirë marrin paga modest, por njëkohësisht pasurojnë shefat e kompanive, konsiderohet si realitet i dhënë. Pra për t’u rikthyer te metafora e kryqëzimit, toka mbi të cilën ndërtohen këto rrugë merret si e mirëqenë, pa e vënë në dyshim. Edhe pse Crenshaw arriti të tregonte se shtypja ndaj punëtoreve të General Motors ishte e dyfishtë – padyshim arritje tepër e vlefshme ligjore për gratë që përfaqësonte – modeli i analizës së saj mbetej i kufizuar brenda kornizave të ligjit. Siç shkruan me ironi teoricienja marksiste Delia Aguilar-i, klasa nuk ishte fare kategori ekzistuese ligjërisht për gratë në fjalë.
Edhe pse ndërsektorialiteti mund të mirëpërshkruajë efektet e shtypjes së disafishtë, sipas meje, nuk zotëron instrumentet e nevojshme shpjeguese për të analizuar shkaqet e pabarazisë shoqërore në sistemin socio-ekonomik kapitalist. Në fakt, kjo metodë mund të shërbejë edhe si barrierë ndaj pyetjeve të tjera mbi arsyet e pabarazisë, pyetje të cilat shkojnë përtej diskursit të të “drejtave” dhe politikave institucionale, të cilat kanë si parakusht të ekzistencës së marrëdhënieve shoqërore pronësinë private mbi mjetet e prodhimit dhe shfrytëzimin e punës.
Gjinia, raca dhe klasa; – “trinia e shenjtë bashkëkohore” siç do ta cilësonte Terry Eagleton-i, ose “trilogjia” në frazën e Martha Gimenez-it – si ndërlidhen këto kategori mes vetes? Nëse gjinia, raca dhe klasa janë kategori analitike, a janë të barazvlefshme dhe të përputhshme, apo kanë diferenca të mëdha? A mund të vendosen në një rend hierarkik apo për shkak të ndërlidhjes dhe veprimtarisë së njëkohshme të tyre, mbeten medoemos faktorë rastësorë të barabartë? Kur shtroj këto pyetje, nuk dua të nënkuptoj që një grua punëtore me ngjyrë është afro-amerikane të hënave dhe të mërkurave, grua të martave dhe të enjteve, proletare të premteve dhe besimtare të shtunën (të dielën e ruajmë të lirë për ndonjë tjetër identitet sipas dëshirës). Propozimi im është që disa prej shkaqeve të shtypjes gëzojnë prioritet përmbi të tjerët – për më tepër, pavarësisht se gjinia, raca dhe klasa mund të shihen si identitete të ngjashme dhe të përafërta, në të vërtetë secila prej tyre kërkon qasje analitike të veçantë. Pikërisht këtu marrin rëndësi të jashtëzakonshme pretendimi marksist mbi epërsinë e analizës klasore dhe dallimi midis shtypjes dhe shfrytëzimit.
Sipas Gregory Meyerson-it, shtypja është vërtet e disafishtë dhe e gjithanshme, si dhe prodhon eksperienca të ndryshme, por shkaqet e shtypjes nuk janë të disafishta, por të përveçme. Me fjalë të tjera, raca nuk shkakton racizmin dhe gjinia seksizmin. Mënyrat se si raca dhe gjinia – si forma të shtypjes – janë formuar historikisht si pasojë e ndarjes së punës mund dhe duhet të kuptohen nëpërmjet kornizave shpjeguese të analizës klasore, e cila i jep përparësi çështjes së shfrytëzimit, ose ndryshe, fitimit nga zhvatja e asaj që Marksi e quante mbivlerë prej punës të atyre që prodhojnë gjërat dhe të mirat që i nevojiten shoqërisë.
Për të marrë në konsideratë ndarjen historike të punës nën optikën gjinore do duhet të kthehemi te origjinat e martesës monogame, siç shkruante Engelsi në veprën “Origjinat e pronës private, familjes dhe shtetit”. Ndarja historike e punës nën optikën e racës gjurmohet lehtësisht në kohërat e kolonializmit, imperializmit dhe skllavërisë moderne. Nëse analiza klasore injorohet, kategoritë që përcaktojnë identitetin, të cilat në vetvete janë produkte të punës së shfrytëzuar, merren si të mirëqena dhe legjitimohen gjatë këtij procesi. Një kritikë efektive e ndërsektorialitetit gjendet në formulimin e botëkuptimit jo të ngurtë materialist mbi klasat sociale: klasa jo si kategori e kushtëzuar nga eksperienca apo si identitet, por analiza klasore si mjet i shpjegimit strukturor të sistemit socio-ekonomik. Në shkrimet e Karl Marksit, klasa shfaqet në mënyra të ndryshme. Disa herë, në kapitullin “Dita e punës” në vëllimin e parë të “Kapitalit”, klasa është kategori empirike, e banuar nga fëmijë që thithin tymin e fabrikave, burra dhe gra që humbasin gjymtyrët në përleshje me makineritë dhe skllevër që mbledhin pambuk nën diellin përvëlues. Të gjithë këta njerëz janë njëkohësisht të shtypur dhe të shfrytëzuar. Por, shumicën e kohës, klasa për Marksin është marrëdhënie, marrëdhënie shoqërore prodhimi; e prandaj në kapitullin hapës të “Kapitalit” ai shkruan mbi mallin, lidhjen e vlerës së përdorimit dhe shkëmbimit, si trupëzim të antagonizmit të papajtueshëm klasor.
Dhënia prioritet analizës klasore nuk nënkupton që një punëtore është më e rëndësishme se një shtëpiake, apo se një punëtore e kupton medoemos pozicionimin e saj klasor sepse në të vërtetë, për shkak të dhunës gjinore ose brutalitetit policor, ajo mund të mendojë për veten më së pari si grua apo njeri me ngjyrë. Dhënia prioritet analizës klasore nënkupton që mënyrat si organizohet aktiviteti prodhues njerëzor – dhe në shoqëritë e ndërtuara mbi klasën, shumësia e popullit ndahet në kategori të ndryshme, në mënyrë që të shumtët të vazhdojnë të punojnë për fitimin e të paktëve – organizimi i ndërtuar mbi klasën përbën çështjen kryesore të cilës i duhet dhënë prioritet në mënyrë që të kuptohen rrënjët e pabarazisë sociale. Një qasje e tillë nuk është reduktim klasor i gjinisë dhe racës, por këmbëngulje në dallimin ndërmjet shtypjes dhe shfrytëzimit, dallim i cili mundëson të kuptuarit materialisht të shkaqeve reale të shtypjeve të llojeve të ndryshme. Reduktimi klasor, një term i mbipërdorur, është koncept thellësisht i gabuar sepse shpesh e sheh klasën si një grumbull sjelljesh paragjykuese, në mënyrë të barazvlefshme me ideologjitë e racizmit dhe seksizmit. Si marksiste, unë them që na nevojitet më shumë dhe jo me pak antipati dhe mospëlqim mes klasave.
Në mbyllje, unë sugjeroj se ndërsektorialiteti është më pak i vlefshëm si trup teorik analitik dhe shpjegues sesa si reflektim ideologjik i kohëve në të cilat ka përfituar terren. Këto kohë – tanimë të shtrira pas disa dekada – shënjohen nga disa zhvillime të ndërlidhura mes vetes. Njëri syresh është disfata e lëvizjeve barazimtare që aspirojnë krijimin e shoqërive të udhëhequra nga punëtorët, veçanërisht në Kinë dhe Bashkimin Sovjetik. Një tjetër – i lidhur ngushtë me të parin – është mësymja neoliberale ndaj standardit të jetesës së punëtorëve kudo nëpër botë, njëlloj si mbi sindikatat që kanë shërbyer historikisht si bazë e ndërgjegjësimit klasor dhe rezistencës ndaj kapitalit. Regjimi i të ashtuquajturit “akumulim fleksibël”, që e fragmentarizon vendin e punës dhe ekonominë në njësi më të vogla të prekariarit, ka shoqëruar dhe konsoliduar sulmin neoliberal ndaj klasës punëtore. Prej disa dekadash, manifestim politik i këtyre rrethanave të alternuara kanë qenë “lëvizjet e reja sociale”, të ndërtuara mbi idenë e nevojës së koalicioneve heterogjene dhe politikave joklasore, me qëllim reformimin dhe jo përmbysjen e kapitalizmit. Në qendër të këtyre zhvillimeve gjendet “tërheqja pas” nga klasa, një term i përdorur për herë të parë nga Ellen Meiksins Wood-i në rrethet akademike, që nënkupton akuzat ndaj marksizmit si reduktim i gjithçkaje në klasë dhe nevojën për ta pasuruar me metodologji të tjera alternative. Këto dhe të tjera fenomene të ngjashme prej kohësh përbëjnë ajrin ideologjik që thithim; pra ndërsektorialiteti është në shumë mënyra reflektim dhe pasojë e këtyre zhvillimeve socio-ekonomike.
Ata që kërkojnë të kuptojnë shkaqet e thellimit të pabarazisë sociale kudo nëpër botë, do duhej të kërkonin përgjigje në një marksizëm antiracist, antiseksist dhe internacionalist, një marksizëm që synon transformimin barazimtar të shoqërisë në një të ardhme jo tepër të largët.
E përktheu Frenklin Elini
Imazhi: Inquiries Journal