Kostot e studimeve dhe jetesës për studentët

/Jani Marka/

Arsimi i lartë, siç dihet e pranohet nga shumica, është (apo perceptohet si) një faktor i rëndësishëm në progresin dhe mobilitetin social për të rinjtë dhe perspektivën e tyre. Në debatin publik botëror për arsimin një ndër parametrat/standardet që shqyrtohet është edhe aksesi për t’u arsimuar (në të gjitha nivelet) ose, thënë ndryshe, mundësia e barabartë për t’iu qasur arsimit; e në rastin tonë arsimit të lartë. Aksesi në arsimin e lartë është mjaft kompleks dhe varet jo vetëm nga infrastruktura e përgjithshme e një shteti, por sot gjithnjë e më shumë edhe nga niveli ekonomik i familjeve dhe mundësia e tyre për të paguar në një sistem arsimor që po tregtarizohet gjithnjë e më shumë.

Në këtë kuptim, lind pyetja nëse është realisht pengesë niveli ekonomik i familjeve shqiptare për të siguruar arsimin e lartë të fëmijëve të tyre. Për t’i dhënë përgjigje duhen marrë në konsideratë kostot e studimit dhe jetesës së studentëve. Ky është edhe qëllimi i hulumtimit që Lëvizja Për Universitetin ka kryer së fundmi. Megjithatë ky hulumtim nuk është dhe nuk synon të jetë shterues, por të shërbejë për të nxitur më tej debatin mbi mundësinë apo pamundësinë e të rinjve shqiptarë për të ndjekur arsimin e lartë.

Siç dihet, qysh prej fillimit të viteve 2000 shteti ka hequr dorë gradualisht nga financimi i arsimit të lartë, tarifat kanë ardhur në rritje, buxheti i shtetit për arsimin e lartë ka mbetur konstant në përqindje të PPB dhe, qyshse në harkun e këtyre viteve ka ndodhur edhe masivizimi i universiteteve, financimi i shtetit për çdo student ka ardhur duke u ulur.

Sa i përket shpenzimeve ekonomike të studentëve, ato ndahen në dy kategori: në koston e studimit dhe të jetesës. E para është e barabartë (brenda degës) për shumicën dërrmuese të studentëve, ndërsa kostoja e jetesës ndryshon shumë nga studenti në student, ku natyrisht faktori më i rëndësishëm ka të bëjë me vendbanimin. Për shembull, një student që jeton me familjen në një qytet universitar ka kosto më të ulët se një tjetër që nuk jeton me familjen apo në shtëpinë e tij. Ka edhe faktorë të tjerë, siç është kostoja e ndryshme e jetesës në qytete të ndryshme universitare. Për shembull dihet që kostoja e qirasë (e jo vetëm) në Tiranë është shumë më e lartë se në shumicën e qyteteve të tjera universitare.

Shembull

Hulumtimi rreth kostove të jetesës e studimit për të gjitha qytetet universitare e për shumë kategori studentësh do të kërkonte burime dhe kohë më të madhe. Në këtë kuptim, do të përqendrohemi në rastin më të përhapur: duke pranuar që Tirana është qyteti universitar dukshëm më i madh në njërën anë, dhe gjithashtu qyteti ku studiojnë një shumicë e studentëve që vijnë nga qytete e zona të tjera të Shqipërisë. Kështu, pyetja konkrete që shtrohet është se sa janë shpenzimet e jetesës dhe studimit të studentëve që studiojnë në Tiranë dhe që vendbanimin e familjes e kanë në zona të tjera?

Kostoja e studimit. Këtu kemi futur këto kategori: tarifat (bachelor, master, certifikimi i gjuhës së huaj), kostoja e librave dhe materialeve mësimore. Tarifat variojnë nga 25,000 lekë deri në 45,000 lekë në një vit për degët e bachelor-it dhe nga rreth 78,000 lekë e deri në 115,000 lekë për një vit akademik në master. Për thjeshtësi përllogaritjesh është marrë si vlerë mesatare 35,000 lekë në vit për bachelor-in, dhe 84,000 lekë në vit për masterin (e thënë ndryshe një mesatare prej 1,400 lekë për çdo kredit). Sa i përket kostos së librave dhe materialeve Lëvizja Për Universitetin ka kryer një hulumtim të posaçëm, e këtu po pranojmë si kosto mesatare vlerën 16,100 lekë në vit për libra dhe 10,300 lekë në vit për materiale mësimore. Vlerat janë të paraqitura të përmbledhura në tabelën 1. Kështu, për pesë vite shkollë vlera totale shkon 417,000 lekë. Natyrisht që kjo vlerë është shumë më pranë kufirit minimal se mesatar, duke pasur parasysh që në degë të ndryshme tarifat dhe kostoja e librave janë edhe më të larta apo për të mos përmendur faktin që studentë të ndryshëm duhet të ndjekin kurse private të gjuhës së huaj në mënyrë që të mbrojnë gjuhën e huaj në institucione private fitimprurëse.

Tabela 1: kostot e studimeve në lekë

Kostoja e jetesës. Këtu kemi futur ushqimin, qiranë, faturat (energji, ujë, telefon, internet), transportin urban, transport ndërurban, kulturën dhe sportin, si dhe kafen (jetën sociale). Nuk kemi përfshirë në llogaritje shpenzime të tjera, si për shembull të veshmbathjes, të kujdesit shëndetësor etj. Nga pikëpamja metodologjike të dhënat janë grumbulluar duke intervistuar rreth 15 studentë. Në tabelën 2 jepen në mënyrë të përmbledhur këto kosto.

Tabela 2: kostot e jetesës në lekë (për një vit akademik janë llogaritur 10 muaj)

Përllogaritjet e mësipërme, me 39,700 lekë në muaj, marrin parasysh një jetë relativisht dinjitoze. Patjetër që sot ka studentë të cilët, të detyruar nga pamundësia ekonomike, shpenzojnë shumë më pak se 40,000 lekë në muaj, por kjo është në kurriz të cilësisë së jetës. Për shembull, ka mjaft studentë që strehohen në Qytetin Studenti (4,500 lekë në muaj) por, siç raportohet nga vetë ata, vetëm që për jetë dinjitoze nuk flitet në ato kushte (3 persona në dhomë, lagështi, kushte johigjienike, tualete johigjenike, mungesa e dusheve etj.). Siç ka mjaft studentë të tjerë që kursejnë deri edhe te sasia e ushqimit që konsumojnë, pa përmendur fare më tej shpenzimet e jetës sociale dhe argëtimit. Në përfundim të këtij shembulli rezulton se në një vit akademik nevojiten rreth 400,000 lekë për një student që nuk jeton me familjen e tij/saj në Tiranë.

Kostoja totale. Siç kuptohet prej dy tabelave të mësipërme, kostoja për 5 vite studime është 2.4 milion lekë, ndryshe 480,000 lekë në një vit akademik (10 muaj) ose mesatarisht 48,000 lekë në muaj.

***

Pas këtij shembulli, le t’i kthehemi edhe një herë pyetjes së hershme se sa mund t’i përballojnë familjet shqiptare këto shpenzime marramendëse? Për këtë mund marrim si referencë pagën minimale dhe mesatare në Shqipëri. Kështu paga minimale neto (bruto 24,000 lekë) është 21,000 lekë në muaj. Një prindi, nga dita e lindjes së fëmijës deri në moshën 23 vjeç kur hamendësohet se do të mbarojë studimet master, i duhet të kursejë rreth 8,700 lekë në muaj. Këtu po i marrin kushtet e tjera të pandryshuara (tarifat, inflacioni, punësim i pandërprerë etj.) Thënë ndryshe, një familjeje me të ardhura minimale, por të përhershme, i duhet kursejë çdo muaj rreth 40% të pagës mujore (Figura 1).

Figura 1. Raporti mes kursimeve mujore që do të nevojiteshin për shkollimin e ardhshëm universitar të fëmijës dhe pagës minimale prej 21,000 lekësh. Llogaritë janë bërë për 1 prind dhe 1 fëmijë.

Nëse i referohemi pagës mesatare çështja ndërlikohet, se ndryshe nga paga minimale, që është e rregulluar me VKM, pagat mesatare ndryshojnë mes sektorit shtetëror dhe atij privat, dhe llojit të profesioneve. Megjithatë si pagë mesatare sipas INSTAT po marrim 38,000 lekë neto në muaj. Në këtë mënyrë, nëse do të përsërisnim llogaritë, rezulton se një prind duhet të kursejë çdo muaj 23% të pagës mujore.

A është e përballueshme shkolla kështu?!

Imazhi: Lëvizja Për Universitetin

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.