Koronavirusi mund të shthurë globalizmin

/Ann Pettifor/

Po jetojmë në kohë të tmerrshme. Kërcënimi më i madh ndaj njerëzimit nuk vjen thjesht nga një virus vdekjeprurës, por edhe nga mënyra, po aq e frikshme, si po i përgjigjemi. Në Britani dhe SHBA politikat po diktohen nga qeveri ultranacionaliste të cilat, duke pretenduar se “do ta marrin situatën nën kontroll”, vazhdojnë t’i qëndrojnë besnike një modeli kaotik globalizmi në interes të pronarëve të kapitalit. Të dyja qeveritë refuzojnë t’i kundërvihen pandemisë duke ndjekur procesin e solidaritetit dhe koordinimit ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe rregullat e vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO – në anglisht).

Më të varfrit e botës po goditen fort nga përkushtimi i vazhdueshëm ndaj parimeve të ndërkombëtarizimit të kapitalit – si dhe roli i globalizmit në shndërrimin e epidemive në pandemi dhe i krizave shëndetësore në kriza financiare sistemore.

Miliona banorët e vendeve me të ardhura të ulëta po kërcënohen nga karakteri vrastar i koronavirusit; dështimi ekonomik i vendit të tyre, si dhe pushteti i Rezervës Federale të SHBA dhe i gjithëfuqishmi dollar. Kapitalistët – investitorë dhe/ose spekulantë – po e përdorin sistemin globalist për të transferuar shuma të mëdha parash jashtë vendeve që nuk i përkasin OECD (akronimi në anglisht i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik)[1] drejt strehëve relativisht të sigurta si SHBA. Pesoja meksikane ka humbur 30% të vlerës gjatë muajit të shkuar. Valuta e Argjentinës humbi rreth 18% të vlerës këtë vit dhe dje randi i Afrikës së Jugut ra akoma më poshtë në raport me dollarin. Këto trazira në normat e këmbimit bëjnë kërdinë në ekonomitë e vendeve të varfra, të cilat varen nga dollari për të blerë ushqime, karburant dhe pajisje elektronike.

Ekonomistët parashikojnë “recesione të ashpra” për shtete si puna e vendlindjes time, Afrika e Jugut.

Po si dreqin u futëm në këtë mesele?

Në të gjendemi falë arkitektëve të globalizmit të mbështetur te dollari – një sistem rregullash dhe normash i hartuar nga shtetet dhe korporatat e fuqishme, kryesisht në interes të financës së pandalshme ndërkombëtare; dhe në interes të SHBA. Ky sistem vendos kufij për njerëzit dhe tarifa për tregtinë, por i lejon kapitalit të vijë vërdallë lirisht.

Është një sistem i globalizuar i mbajtur në këmbë kryesisht nga e djathta dhe i mbështetur nga socialdemokracia thuajse e vdekur në Evropë dhe SHBA.  

Sot një virus i padukshëm dhe mutant po kërcënon të hedhë në erë modelin e globalizmit të mbështetur te dollari, bashkë me “rregullat” e normat e tij. Branko Milanovic-i, një herë e një kohë kryekonomisti i Bankës Botërore, paralajmëroi javën e kaluar në revistën Foreign Affairs se “nëse kriza vazhdon, globalizmi do të shthuret… Frika e vazhdueshme nga një tjetër epidemi” – vazhdon ai me një ton tejet të alarmuar, “mund të sjellë thirrje për vetëmjaftueshmëri kombëtare. Në këtë kuptim, interesat ekonomike dhe shqetësimet shëndetësore legjitime mund të përputhen. Edhe një kërkesë në dukje e vogël – si për shembull, çdokush që hyn në një vend duhet të tregojë, përveç pasaportës dhe vizës, një certifikatë shëndetësore – do të ngrinte një pengesë ndaj kthimit në mënyrën e vjetër globaliste, duke marrë parasysh se sa miliona vetë udhëtonin normalisht.”

Ky kriticizëm u referohet pak a shumë ideve të parashtruara në librin “The Case for the Green New Deal”, në të cilin argumentohet se për të mbajtur një ekosistem më të qëndrueshëm, do të duhet ta kufizojmë mundësinë e “miliona vetëve (që) udhëtonin normalisht”, duke ndrydhur kërkesat e tyre të pafundme. Argumentuam për kufizimin e udhëtimeve ajrore për shkak të rolit që luajnë kompanitë ajrore në emetimin e gazeve me efekt sere. Por edhe sepse udhëtimet ndërkombëtare dhe kompanitë ajrore janë vektorë për sëmundje vdekjeprurëse.

Branko Milanovic-i qahet për mundësinë e kufizimit të këtyre vektorëve.

“The Green New Deal”-i përqendrohet në sigurimin e nevojave thelbësore të shoqërisë, jo të dëshirave të pafundme të saj. Qëndrueshmëria dhe drejtësia ekonomike në nivel ndërkombëtar kërkon të bëhemi më të vetëmjaftueshëm në nivel kombëtar. Duhet të reshtim së shfrytëzuari burime të vlefshme, por të fundme, si sipërfaqet e vendeve si Kenia, ku korporatat globale shfrytëzojnë fuqinë e lirë punëtore, mbjellin bishtaja, të cilat më pas i bien kryq e tërthor botës për të përfunduar në tryezat perëndimore. Paskëtaj, kur troket kriza, e nxjerrin jashtë kapitalin me një të klikuar të tastierës së kompjuterit. 

Për më tepër, që të ndërtojmë shoqëri më të drejta ekonomikisht, do na duhet të çmontojmë modelin kapitalist të globalizmit të mbështetur te dollari, i cili i jep një ‘privilegj të madh’ perandorisë më të rrezikshme dhe të paqëndrueshme, si dhe fuqizon Rezervën Federale të SHBA për të tërhequr dhe përzënë kapitale anembanë botës dhe diktuar politikat e kursit të këmbimit dhe normës së interesit për të gjitha vendet – të mëdha e të vogla, të pasura e të varfra.

Sidoqoftë, ndonëse është e qartë se vetëmjaftueshmëria kombëtare do të jetë shtegu virtuoz në kushtet e kërcënimeve të mësipërme ndaj qytetërimit njerëzor – e dimë mirë se vetëmjaftueshmëria kombëtare duhet të shoqërohet ngaherë e ngado prej solidaritetit, bashkëpunimit dhe koordinimit ndërkombëtar. Emetimi i gazeve me efekt sere, zhdukja e kafshëve të egra dhe pandemitë e rrezikshme nuk pyesin për kufij. Menaxhimi i këtyre kërcënimeve globale kërkon solidaritet, bashkëpunim dhe koordinim nga institucione publike ndërkombëtare si OKB dhe Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimin Klimatik (akronimi në anglisht IPCC) dhe, në rast pandemish, Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kjo qasje lyp që ne, të majtët, të kërkojmë t’i japim fund ndërkombëtarizimit të kapitalit – duke u lejuar qeverive të menaxhojnë ekonomitë e tyre duke vendosur kontrolle mbi kapitalin.

Me fjalë të tjera, siç argumenton Geoff Tily i Kongresit të Sindikatave (akronimi në anglisht TUC), ne duhet të kërkojmë “ndërkombëtarizimin e punës” – ku kapitali t’u nënshtrohet interesave të punës.

Vetëmjaftueshmëria kombëtare që bën fole brenda ndërkombëtarizimit të punës është antiteza e mirëfilltë e nacionalizmit. Ajo është antiteza e mirëfilltë e globalizmit të mbështetur te dollari, i cili në vitet e fundit ka sjellë politika raciste dhe nacionaliste, si dhe ngritjen e udhëheqësve autoritaristë.

E dimë mirë se ndërkombëtarizimi i punës funksionin pasi e kemi provuar më parë, gjatë viteve 1945-1971 të sistemit të Bretton Woods-it, i cili u vendos për të parandaluar katastrofa ekonomike e politike si ato të viteve 1930; për ta nënrenditur financën ndaj interesave të shoqërisë; për të rregulluar baraspeshën tregtare midis vendeve dhe rivendosur autonominë politike e politikëbërëse të shteteve demokratike.

Tani kemi përparësi shtesë. Po nëse ia dolëm atëherë, mund t’ia dalim sërish.

Na duhet thjesht solidariteti ndërkombëtar i punës.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga revista Tribune

Imazhi: International Policy Digest


[1] OECD përfshin vendet më të zhvilluara ekonomikisht të botës. – Shën. përkth.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.