/Marcel Bois/
Margarete Schütte-Lihotzky njihet si krijuesja e kuzhinës së parë të mbledhur (fitted kitchen), e ideuar për të shkurtuar kohën e shpenzuar me punët e shtëpisë. Po “arkitektura sociale” është vetëm një pjesë e bindjeve të thella politike të saj – një rrugëtim që e çoi drejt rezistencës komuniste kundër nazizmit.
Padyshim “Kuzhina Frankfurt” ishte puna më pioniere e Margarete Schütte-Lihotzky-t – sot mund të gjesh një shembull të saj edhe në Muzeun e Artit Modern të Nju Jorkut. Me përmasa prej 1,9 me 3,4 metra, ishte kuzhina e parë e mbledhur në botë, e njohur për raftet blu në të gjelbër, hapësirën kompakte dhe çmimin e përballueshëm. E dizenjuar për të shfrytëzuar në maksimum hapësirat e ngushta në banesat e punëtorëve të viteve 1920, ishte aq efikase në paraqitjen e saj saqë koha për të lëvizur nga njëra anë në tjetrën gjatë gatimit mund të matej me kronometër.
Megjithatë Schütte-Lihotzky nuk donte të njihej si projektuese hapësirash të brendshme. Në moshë të thyer, kur njerëzit e përshkruanin vetëm si ideuesja e “Kuzhinës Frankfurt”, ajo këmbëngulte: “Nuk jam kuzhinë!” Me të vërtetë, arkitektja austriake i dha botës më shumë gjatë 103 viteve jetë – në veçanti falë bindjeve të saj politike. Kur lindi, më 1897, në vitet e perandorisë Austro-Hungareze, roli i gruas përcaktohej shpesh si kinder, küche, kirche – fëmijë, kuzhinë, kishë. Por jeta e Margarete Schütte-Lihotzky-t pati një rrjedhë krejt tjetër – të përcaktuar më mirë në terma karriere, kuzhine dhe komunizmi.
Përvoja formuese
Margarete Schütte-Lihotzky lindi më 23 janar 1897 dhe u rrit në Vjenë. Ajo vinte nga një familje borgjeze: i ati ishte nëpunës i lartë civil dhe e ëma, e afërme e historianit të famshëm të artit Wilhelm von Bode, ishte një e njohur e laureates së Çmimit Nobel për Paqen Bertha von Suttner-it. Kjo prejardhje i mundësoi të vazhdonte studimet në Universitetin e Arteve të Aplikuara të Vjenës gjatë Luftës së Parë Botërore – ndër të paktat universitete të kohës që pranonin gra.
Një nga profesorët e saj ishte arkitekti Oskar Strnad. Kur Lihotzky shfaqi interes për pjesëmarrje në një konkurs dizajni për banesat e punëtorëve, ai i sugjeroi që të vizitonte një lagje punëtorësh në mënyrë që të kuptonte kushtet e jetesës së tyre. Në të vërtetë, Vjena e fillimshekullit të ri ishte një qytet thellësisht i ndarë. Në qendër, në ndërtesa të mëdha, jetonin përfaqësuesit e mbretërisë habsburge dhe klasa e mesme e lartë, ndërsa në lagjet e jashtme me shumëkatësh të errët banonin punëtorët “ardhacakë” të fabrikave.
Kjo ishte një përvojë formuese për Lihotzky-n. “Asokohe nuk e njihja akoma shprehjen e Heinrich Zille-s, ‘Mund ta vrasësh një njeri me anë të një banese njëlloj si me sëpatë’, por e ndjeva”, rrëfen në kujtimet e saj. “Zbulova gjithnjë e më shumë që në Vjenë, përkrah botës sime prej intelektualësh të klasës së mesme dhe jetës së elitës që e shihnin veten më lart se klasat e tjera, në padijeninë time, ekzistonte një klasë shoqërore e pamasë prej qindra-mijëra njerëzish që jetonin në mjerim. Edhe pse burimi i mjerimit të tyre nuk ishte i qartë për mua, doja që karrierën time t’ia kushtoja zbutjes së dëshpërimit të tyre. Vendimi im për t’u bërë arkitekte ishte më i palëkundur se kurrë.
Me të vërtetë, puna e parë profesionale e Lihotzky-t, pas diplomimit në vitin 1919, iu kushtua pjesës më të varfër të shoqërisë. Në fund të Luftës së Parë Botërore, kryengritjet punëtore dhe revoltat e minoriteteve kombëtare çuan në shembjen e Perandorisë Austro-Hungareze. Vjena u përball me uri dhe mungesë të skajshme banesash. Një numër i madh punëtorësh zaptoi pyjet përreth qytetit dhe ndërtuan baraka të thjeshta. Siç do të kujtonte më vonë, “kështu, nga nevoja ndërtuan vendbanime pa plan dhe pa leje.” Arkitektja e re filloi punë në komisionin e rregullimit të banesave të qytetit dhe punoi të forconte lëvizjen përmes aktivitetit të saj. Ajo zhvilloi prototipa për ndërtim të lehtë të shtëpive, dizenjoi kuzhinën e parë dhe u jepte këshilla “kolonëve”.
Kjo ishte diçka e re: shumica e arkitektëve nën dinastinë habsburge punonin për elitat, dizenjonin shtëpi me stuko dhe fasada madhështore për klasën e lartë. Në të kundërt, Lihotzky përkrahu “arkitekturën sociale” pasi synonte të përmirësonte kushtet e jetesës së klasës punëtore. Duke përmbledhur parimet udhëzuese për punën e saj – një qasje e orientuar kah funksionaliteti në arkitekturë – ajo këmbënguli që punëtori mesatar “përfiton më shumë nga lavamani në kuzhinë sesa nga engjëlli mbi çatinë e tij.”
Lihotzky nuk ishte e vetme në këtë këndvështrim. Të frymëzuar nga revoltat dhe revolucionet në fund të luftës, shumë arkitektë dhe artistë filluan të merreshin me nevojat e njerëzve të thjeshtë. Në Moskë, përfaqësuesit e avangardës ruse dizenjuan postera dhe ballina shitoresh, pikturuan murale në trenat agjitatorë (trena që silleshin rreth vendit për të përhapur mesazhin e revolucionit) dhe dizenjuan klube punëtorësh. Në të njëjtën kohë në Berlin – po ashtu qendër revolucioni – kishte një këshill punëtorësh për arte. Anëtarët e tij dizenjuan ndërtesa publike monumentale, mbajtën ekspozita arkitektësh amatorë dhe zhvilluan shumë nga idetë e realizuara më vonë nga Bauhaus-i. (Bauhaus-i është shkollë arkitekture e famshme, pioniere e modernizmit dhe minimalizmit.)
Sidoqoftë Lihotzky u ndikua më së shumti nga zhvillimet në qytetin e saj. Në kryeqytetin e republikës së sapoformuar të Austrisë, qeveria socialiste e qytetit filloi të aplikonte një program reformash radikale, duke ndërtuar çerdhe dhe kopshte dhe siguruar kujdes shëndetësor falas. Por “Vjena e Kuqe” e viteve 1920 ishte veçanërisht e rëndësishme për projektet e gjera të strehimit. Shpejt qeveria lokale e kryeqytetit filloi ndërtimin e blloqeve të mëdha të banimit në vend të shtëpive të veçuara. Në fillim të viteve 1930 qyteti kishte ndërtuar gjashtëdhjetë e katër mijë apartamente, duke siguruar strehim për rreth dyqind mijë njerëz. Lihotzky ndihmoi në projektimin e një prej katërqind blloqeve të banimit. Ky “socializëm komunal” u financua nga mekanizma të fuqishme rishpërndarës, përfshirë taksimin mbi shërbëtorët e shtëpive të pasanikëve, të mirave dhe shtëpive luksoze.
Në të njëjtën kohë, qytete të ndryshme përtej kufirit në Gjermani po fillonin të ndërtonin banesa sociale me projekte si Horseshoe Estate-i berlinez, i ndërtuar mes viteve 1925 dhe 1933, dhe New Frankfurt-i. Në të vërtetë, në mesin e viteve 1920, drejtori i ri i planifikimit të Frankfurtit Ernst May-i dhe bashkëpunëtorët e tij filluan të vendosnin një standard të ri estetik. Jo vetëm që ndërtuan mijëra apartamente, por dizenjuan edhe një stemë të re, sinjalisitikë neoni dhe strehë për stacionet e trameve. Një nga ndikimet më të forta të tyre ishte tipi, i gjithëpranishëm sot, “Futura” që u dizenjua për projektin nga një firmë lokale.
Ky projekt tërhoqi vëmendjen e Lihotzky-t. May ia mbushi mendjen të punonte me të gjatë një takimi në Vjenë. Në fillim të vitit 1926 arkitektja njëzet e nëntë-vjeçare filloi të punonte në seksionin e standardizimit në Departamentin e Ndërtimeve të Frankfurtit, ku ia kushtoi kohën ndërtimeve të apartamenteve dhe racionalizimit të punës shtëpiake. Dha leksione të shumta, projektoi plane ndërtesash rezidenciale dhe zhvilloi dizenjon e famshme të kuzhinës që u instalua në më shumë se dhjetë mijë apartamente.
Edhe këtu synimi i Lihotzky-t ishte përmirësimi i kushteve të jetesës së klasës punëtore duke i bërë më të lehta punët e papaguara shtëpiake: siç do të thoshte më vonë, “isha e bindur që pavarësia ekonomike dhe vetërealizimi i grave do të ishte një e mirë e përbashkët, prandaj racionalizimi i mëtejshëm i punëve shtëpiake ishte thelbësor.” U ndikua shumë nga tejlorizmi: Kuzhina Frankfurt synonte të ishte po aq praktike sa hapësira moderne e punës industriale. Për formatin u frymëzua nga kuzhinat në vagonët e trenave, me mjetet më të rëndësishme gjithmonë të arritshme lehtësisht dhe shumë pajisje që synojnë të shkurtojnë procesin e punës. Sipërfaqet u ngjyrosën blu në të gjelbër pasi shkencëtarët pretendonin se ajo ngjyrë zmbrapste mizat. Për të ulur koston, Kuzhina Frankfurt u dizenjua si një sistem modular që mund të prodhohej masivisht dhe lehtësisht. Meqë instalohej direkt në apartamentet e reja, kursehej dërrasa që do të përdorej për pjesën e pasme të kabinetit.
Shpejt Kuzhina Frankfurt e bëri Lihotzky-n të njohur dhe historia e saj tërhoqi vëmendje të madhe në shtypin ndërkombëtar. Ajo do të shkruante më vonë se “i përshtatej borgjezisë dhe ideve mendjengushta borgjeze të kohës që gratë punën thelbësore e bëjnë në kuzhinë, kështu që sigurisht që një grua arkitekte do ta dinte më së miri se çfarë është e rëndësishme për gatimin”. Por do të shtonte se diçka nuk shkonte: “funksiononte mirë si propagandë asokohe, por me thënë të drejtën, përpara se të krijoja Kuzhinën Frankfurt nuk jam kujdesur ndonjëherë për shtëpinë, as kam gatuar apo pasur përvojë në kuzhinë asfare”.
Nga kuzhina në zjarr
Koha e Lihotzky-t në Frankfurt nuk u shënjua vetëm nga suksesi në karrierë – ajo filloi të radikalizohej politikisht. Ishte e mahnitur nga arritjet e Vjenës social-demokrate në fushat e strehimit, shëndetit, arsimit dhe kulturës, dhe shpejt iu bashkua Partisë Socialdemokrate të Austrisë. Për këtë u inkurajua nga ekonomisti i njohur austriak Otto Neurath, i cili pat qenë përfshirë në jetëshkurtën Republika Sovjetike e Mynihut, pas shtypjes së të cilës ishte kthyer në Vjenë. Lihotzky e kishte takuar Neurath-in gjatë punës së saj në Komisionin për Zgjidhjen e Strehimit dhe nga aty formuan një shoqëri jetëgjatë.
Gjatë kohës në Frankfurt arkitektes austriake i mungonte kultura politike radikale e qytetit të saj. Ajo krahasoi situatën në Vjenë me çfarë pa në Gjermani duke shkruar: “Jam e mahnitur dhe e tmerruar nga uniformiteti politik i kolegëve të mi – staf i thjeshtë dhe burokratë njëhkohësisht.” Socialdemokratët frankfurtas nuk i dukeshin më të mirë se kolegët e saj dhe u bëri bisht tentativave të partisë për ta rekrutuar. Kjo nënkuptonte gjithashtu se mundësitë për të takuar njerëz me ide të ngjashme dhe për të shkëmbyer mendime ishin të rralla. Një përjashtim i dukshëm ishte Wilhelm Schütte-ja, koleg në Frankfurt me të cilin u martua në vitin 1927.
Sidoqoftë, Schütte-Lihotzky gjeti një tjetër zgjidhje për aktivitetin politik në të ashtuquajturën Shkolla e Frankfurtit – Instituti për Kërkime Sociale. Neurath-i e prezantoi me drejtorin, “marksistin e vjetër dhe të dalluar” Carl Grünberg, i cili vinte gjithashtu nga Vjena. Nga Grünberg-u u influencuan edhe marksistë të njohur, si Max Adler-i, Otto Bauer-i dhe Karl Renner-i; “gjatë pesë viteve në Frankfurt kam kaluar shumë orë të këndshme në shtëpinë e tij”, do të kujtonte më vonë.
Kjo gjë shënoi një ndryshim në angazhimin politik të Lihotzky-t: ajo do të pranonte në kujtimet e saj se përpara se të përfshihej në institut, njohuritë e saj mbi teorinë marksiste kufizoheshin te “Manifesti Komunist” dhe disa shkrime të Engelsit, por filloi t’i intensifikonte bisedat politike me Grünberg-un. Në atë kohë ai kishte lidhje të ngushta me Bashkimin Sovjetik dhe ajo do të shkruante më vonë: “Ishte ai që më hapi sytë për realitetin e socialdemokracisë austriake dhe më bindi që ajo parti nuk do ta çonte vendin drejt socializmit.”
Ky ndryshim qasjeje u ndikua edhe nga ngjarjet në Vjenë. Në verën e vitit 1927 shfajësimi i tre paramilitarëve të ekstremit të djathtë nga dënimi për vrasje nxiti një grevë të përgjithshme dhe një demonstratë që përfundoi me djegien e Pallatit të Drejtësisë. Por socialdemokratët nuk e mbështetën lëvizjen që po ngjizej – një qëndrim që acaroi shumë të majtë, përfshirë dhe Schütte-Lihotzky-n. Këto ngjarje e shtynë të shkruante atë që më vonë do ta quante “një letër patetike” dorëheqjeje nga partia. Nën ndikimin e institutit ajo u kthye kah komunizmi.
Bërja komuniste
Ndërsa Depresioni i Madh solli krizë në Frankfurtin e Ri, “drita e lindjes” shpejt filloi të ndriçonte përmes dritares së Lihotzky-t. Kur bashkia nuk mund të financonte më projektin në Gjermani, kryetarit të saj Ernst May iu ofrua mundësia të shkonte në Bashkimin Sovjetik dhe të planifikonte qytete të reja atje si pjesë e planit pesëvjeçar. Në tetor 1930 ai u largua për në Moskë me një grup arkitektësh gjermanishtfolës.
Lihotzky dhe i shoqi ishin pjesë e këtij grupi. Së bashku ata punuan për ndërtimin e qytetit industrial Magnitogorsk në skajin e Uraleve, përveç projekteve të tjera. Ndërsa shumë ekspertë të huaj u larguan shpejt nga Bashkimi Sovjetik, çifti vazhdoi ta shijonte jetën duke ndihmuar në ndërtimin e socializmit atje. Ata qëndruan deri në vitin 1937 kur filloi Terrori i Madh dhe gjyqet publike. Kërkime të reja flasin për lakimin e emrit të Wilhelm-it nga regjimi, gjë që duhet t’i kenë shtyrë të largohen. Por largimi nga Bashkimi Sovjetik nuk ishte largim nga komunizmi. Pasi punuan në Londër dhe Paris, çifti u zhvendos në Stamboll ku, me ndihmën e mikut të tyre Bruno Taut-it, zunë vende në Akademinë e Arteve të Bukura. Në Turqi të dy u bënë pjesë e Partisë Komuniste të Austrisë.
Edhe pse Gjermania naziste i zgjeroi zotërimet në Evropë Turqia nuk u përfshi asnjëherë direkt në konflikt. Por në 1940 Lihotzky vendosi ta linte pas atë siguri relative dhe t’i bashkohej rezistencës antifashiste në vendin e saj. Udhëtoi drejt Vjenës si reportere për rezistencën. Fatkeqësisht grupi i saj u zbulua, ajo u arrestua dhe për pak i shpëtoi dënimit me vdekje. Ajo e kaloi shumicën e viteve të luftës e burgosur në Vjenë dhe Bavari derisa u lirua nga ushtarët amerikanë në prill të vitit 1945.
Por liria e re solli sfida të reja. Në Vjenën e Luftës së Ftohtë, Lihotzky u margjinalizua dhe rrallë iu ofrua punë në ndërtim. Kontaktet e saj profesionale të paraluftës nuk ekzistonin më dhe u margjinalizua edhe më si grua, luftëtare e rezistencës dhe si komuniste. “Për vite isha ‘persona non grata'”, do të shkruante më vonë, “si anëtare e Partisë Komuniste të Austrisë mu ndalua të punuarit në projekte publike.” Më së shumti për këtë shkak ajo filloi të udhëtonte shumë: në vitin 1958 u nis për një udhëtim studimor në Kinën e Maos dhe në dekadat pasuese punoi në Kubë dhe Gjermaninë Lindore.
Kujtime rezistence
Përgjatë jetës së Lihotzky-t dy gjëra mbetën të pandryshuara – përkushtimi i saj profesional si një arkitekte dhe angazhimi i saj i thellë politik. Antifashiste, komuniste dhe aktiviste feministe, ajo ishte anëtare e Partisë Komuniste të Austrisë për mbi gjashtëdhjetë vjet dhe për dy dekada drejtoi Federatën e Grave Demokratike.
Vetëm nga fundi i Luftës së Ftohtë, më në fund, arkitektes iu njoh kontributi i mohuar gjatë në vendin e saj. Për thuajse tre dekada arkitektja e njohur botërisht u injorua nga media dhe politikanët. Më në fund, pasi i kaloi të tetëdhjetat, reportazhet për të morën dhenë. Mori disa doktorata nderi dhe u vlerësua me disa çmime, përfshirë “Dekorimin e Madh të Nderit prej Ari me Yll” për shërbime ndaj Republikës së Austrisë.
Ajo i ruajti bindjet e saj politike deri në moshë të thyer, duke botuar librin e saj “Kujtime nga Rezistenca” në vitin 1985. Afro njëqind vjeç, së bashku me katër të mbijetuar nga koha e nazizmit, ajo paditi politikanin e ekstremit të djathtë Jörg Haider për reduktim të domethënies dhe përmasave të kampeve të naziste të asgjësimit. Si viktimë e persekutimit nazist, ajo shqetësohej shumë nga rritja e Partisë së Lirë (FPÖ) të Haider-it. Sidoqoftë ajo nuk arriti ta shohë hyrjen e ekstremit të djathtë në qeverinë federale të Austrisë – ngaqë vdiq më 18 janar 2000, vetëm dy javë përpara se të merrnin detyrën ministrat e Partisë së Lirë.
Ja si e përshkruan Schütte-Lihotzky jetën e saj: “Për mua ka qenë gjithmonë thelbësisht e rëndësishme, në punë dhe jashtë saj, me aq ndikim sa kisha, të kontribuoja në krijimin e një bote më të mirë se ajo në të cilën u linda.” Historia e saj afro njëqind e tre-vjeçare është një monument i kësaj bindjeje.
E përktheu Nebih Bushaj
Marrë nga revista Jacobin
Imazhi: Jacobin