Kamikazët e opozitës

/Dardan Konjufca/

Fjala kamikaz vjen nga gjuha japoneze dhe përshkruan pilotët që gjatë Luftës së Dytë Botërore sulmonin anijet e mëdha ushtarake amerikane, duke u përplasur me to dhe bërë vetëvrasje vetëm që t’i shkaktonin sa më shumë dëme armikut. Në këtë rast kamikazin do ta përdorim si një subjekt që futet brenda një kauze për ta shkatërruar atë.

Këto ditë qeveria shqiptare kreu një ndër aktet më të shëmtuara prej se është në pushtet, duke rrënuar Teatrin Kombëtar në Tiranë dhe shtypur dhunshëm rezistencën paqësore të artistëve, aktivistëve dhe qytetarëve që po zhvillohej prej më shumë se dy vitesh. Si qytetar i Kosovës, por i lidhur shumë me Tiranën prej 5-vitesh, si student e aktivist atje dhe si frekuentues i shfaqjeve teatrale gjithashtu, kam përcjellë me vëmendje ngjarjet e asaj dite, protestën dhe arrestimet e dhunshme. Me thënë të drejtën, nuk më mbante vendi teksa m’u desh ta ndiqja prej televizionit. Dhuna e ushtruar nga qeveria përmes policisë, që në mëngjesin e hershëm të asaj dite, nuk është parë as në aksionet e arrestimit të kriminelëve më në zë.

Ndërkohë, ditën tjetër artistët dhe aktivistët thirrën protestën e radhës. Në përshtypjen time që e përcillja ngjarjen nga ekrani, gjithçka po shkonte mirë, pjesëmarrja qytetare ishte për çdo lakmi dhe u duk se më në fund qytetarët po vetëdijesoheshin e ngriheshin në të drejtën e tyre, derisa ia behën  ata, ”opozitarët”, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

Dëshpërues është fakti se e gjithë vëmendja e mediave zhvendoset tek ata, madje edhe duke u ndalur zërin fjalimeve që zhvilloheshin nga protestuesit, ndërsa i jepnin zë e fytyrë bisedave dhe ngërdheshjeve vesh më vesh të “opozitarëve”. Që aty e kupton se asnjëri syresh nuk e ka fare seriozisht mbështetjen që i bëjnë protestës, kur i sheh tek futen në masë duke tundur dorën dhe duke përshëndetur me simbolet e tyre partiake, a thua se po futen në kongreset e partisë. Bie në sy sidomos një grumbull i madh ”çunash të fortë”, të cilët gjithmonë u shkojnë pas këtyre të dyve. Janë ata, kamikazët e opozitës. I njoh direkt. Jemi përballur shumë me ta.

Si aktivist nga Kosova, ku kam qenë pjesë e shumë aksioneve e protestave, jam mësuar që kujdes duhet pasur vetëm nga policia e pushteti. Konfrontimi bëhej me policinë, por kurrë me njerëz që kishin dalë në shesh për të njëjtën kauzë. Prej vitit 2017 u angazhova me Lëvizjen Për Universitetin në Tiranë, në luftën kundër shkatërrimit të arsimit të lartë në Shqipëri, ndërkohë që nga viti 2015 isha përkrahës i zëshëm i tyre. Së bashku me shoqet e shokët aktivistë realizuam aksionin që ndryshoi rrjedhën e aktivizmit dhe aksionit politik në Shqipëri: goditja me vezë e kryeministrit Rama.

Protesta e dhjetorit 2018 dhe janarit 2019 është ngjarja më madhështore në të cilën kam marrë pjesë. Nga kjo protestë solli pritshmëri të mëdha nga shoqëria shqiptare. Në fakt ajo kishte potencialin më të madh për ndryshime shoqërore që nga viti 1990. Mirëpo, këtë e nuhati edhe opozita “e zhytur” dhe si çdo kauzë tjetër – prej se nuk është në pushtet – e ndyu dhe e çoi drejt dështimit.

Ishin kamikazët partiakë të opozitës që tentuan të vendosin rregullin se kush mund dhe duhet të flasë, tentonin të vendosnin për kërkesat, për drejtimin dhe vendin e zhvillimit të protestës, u kacafytën me studentë, u ndërprisnin fjalën pedagogëve, godisnin fshehurazi studentët protestues etj. Për mua kjo ishte ngjarje e paparë ndonjëherë: në protestën “tënde”, pra të studentëve, të ndjesh frikë të shkosh, sepse do sulmohesh nga kolegët e tu për fjalimin dhe qëndrimin që mban. Kjo situatë nuk ishte fare pa dijeninë e kryetarëve të tyre, Lulit e Monikës, të cilët tentuan në çdo formë ta instrumentalizonin vrullin studentor. Kështu, dalëngadalë protesta u shua sepse studentët u dëshpëruan nga kjo ndërhyrje e paskrupullt partiake.

Ca muaj më vonë, po të njëjtët tipa të fortë filluan të tentonin të intimidonin studentët dhe aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin në tryezat studentore që organizonim nëpër fakultete. Natyrisht ata nuk ia dilnin dot sepse ideali ynë është më i fortë se lakmia e tyre për një pozitë në parti. Të njëjtët shkuan aq larg, saqë në një aktivitet te organizuar nga aktivistë të Prishtinës me minatorët e Bulqizës dhe aktivistë të Organizatës Politike erdhën në Prishtinë të përgatitur për prishjen e e aktivitetit dhe sulmuan fizikisht aktivistët dhe pjesëmarrësit në këtë tryezë.

Gjatë dy ditëve të fundit të protestave kundër shembjes së Teatrit kam parë se si qytetarë që, të vetëdijshëm për dëmin që Basha dhe Kryemadhi u bëjnë kauzave kur paraqiten në sheh, u bërtisnin për t’i përzënë. Një qytetar i përgjakur dje i akuzoi këta persona se e kishin rrahur, vetëm se kishte bërë thirrje që të largoheshin partitë politike nga protesta. Ndërsa eksponentë të Partisë Demokratike, pafytyrësisht kishin akuzuar aktivistë të Organizatës Politike për prishje të protestës.

Në fakt janë këta kamikazë partiakë, të cilët nuk mund të quhen as aktivistë e as militantë sepse nuk i përmbushin as standardet minimale për një emërtim të tillë, që kanë infektuar e qelbur çdo kauzë ku janë përfshirë deri më sot. Këta nuk kanë as dije e as vullnet për të punuar për interesa të shoqërisë. Këta janë të rritur me idenë e interesave të ngushtë dhe përfitimeve personale. Janë si ujkonjat, sulmojnë vetëm në grup. Ndërkohë luftën e kanë edhe me njëri tjetrin sepse luftojnë vetëm për t´i bërë përshtypje liderit dhe të përfitojnë ndonjë pozicion për vete. Nuk janë modestë dhe kanë stil banditesk veprimi. Nuk kanë dinjitet, por të godasin fshehurazi. Janë të mjerë. Sa më shpejt që shoqëria ta kuptojë se aq sa është problem qeveria autokrate aktuale, po aq janë edhe partitë opozitare me idetë e tyre për të shfrytëzuar në mënyrë perfide nga çdo kauzë e pastër qytetare – aq më shpejt në Shqipëri do të ketë shpresë. Opozita dhe halabakët e saj nuk e kanë integritetin moral për të qenë pjesë e organizimeve qytetare. Shpresa është vetëm te një organizim i ri. Ai është aty, vetëm duhet bashkuar rreth tij.

Imazhi: Vecteezy

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.