/Evelina Dëma/
Nisur nga eksperienca personale, prirem të besoj që çdo njeri e ka një qytet që e ka shënjuar më shumë se të tjerët. Përveç intuitës sime, për vërtetësinë e këtij pohimi mund të mbështetemi tek arti. Në të gjithë filmat e tij, Wongkar Wai u mundua të kapte atë që ai e quan atmosfera e natës së mbipopulluar të Hong Kongut. Victor Hugo-i i kushtonte vëmendje çdo detaji të Parisit, aq sa i përshkruante kolonat e bulevardit du Palais për faqe të tëra, deri në mërzi. Paul Gauguin-i u mahnit aq shumë nga Tahiti, sa jo vetëm që bëri qindra piktura frymëzuar nga karakteri idilik i ishullit, por edhe u zhvendos atje. Roma e bëri Federico Fellini-n të eksperimentonte guximshëm në kinematografinë italiane, duke u bërë i pari regjisor që i jepte një qyteti karakter metafizik dhe e shndërronte nga hapësirë në personazh. Ka pafund vepra që kemi fatin t’i shijojmë vetëm për faktin e thjeshtë se lidhja njeri-qytet është shumë më komplekse se ç’ngjet dhe ka forcën të nxisë ndjenja të thella dhe frymëzim te një njeri.
Kur tentoj të shkruaj për Tiranën, gjithmonë dështoj. Fjalët asnjë herë nuk kombinohen për të transmetuar ato që mendoj, ndoshta ngaqë mendimet dhe ndjesitë që të fal qyteti janë kaotike si vetë ai. Ngacmuesi që më bëri më në fund t’i lidh dy mendime bashkë për këtë shkrim është fotoja e një muri të vjetër, diku në Tiranë, që më treguan rastësisht. Në mur qëndronte e shkruar me shkronja të mëdha në një të kuqe gjaku shprehja: “Omnia sunt communia” (Gjithçka është e përbashkët). Ajo foto më shkaktoi një ndjenjë të ëmbël nostalgjie. Si mund të ndjesh nostalgji për vende që nuk i ke vizituar dhe kohë që nuk i ke përjetuar? Si mundet një mur i vjetër, që tashmë jeton vetëm në foto dhe kujtime, të të falë më shumë shpresë dhe përkatësi se çdo mjedis real i qytetit që e viziton fizikisht? Kjo ndodh kur qyteti i së tashmes nuk të përket më dhe bëhet ekskluziv vetëm për pak njerëz. Ata nuk i sheh kurrë, ama e di që janë atje dhe kanë pushtet mbi gjithçka si perënditë e Olimpit.
Përveç institucioneve që janë të mbushura me nëpunës cinikë e parazitarë, njeriut të thjeshtë në Tiranë nuk i përkasin më as rrugët. Nëse guxon që në rrugë të shkruajë ndonjë të vërtetë që e vë gishtin në plagë më shumë se ç’duhet, përveç hakërrimit të pushtetit nuk denjojnë ta kursejnë histerinë e tyre as borgjezët e kryeqytetit, që ua vret syrin shprehja e shkruar rrëmbimthi për t’iu shmangur nja 48 orëve në komisariat. Ama po të njëjtëve individë me gjak blu nuk ja u prishin shijen reklamat gjigande të bizneseve private, që për disa të holla kanë blerë të drejtën e uzurpimit të pronës publike dhe t’i rrasin produktet e tyre në fytyrë në çdo cep që të kthejnë këmbët, pavarësisht se të kanë lënë aq të varfër saqë xhepat e tu nuk i përballojnë dot çmimet e majme që ofrojnë.
Pushtimi nuk ndalon vetëm në tokë, grykësia nuk njeh logjikë dhe gllabëron çdo gjë që i jepet mundësia. Pallate vulgare, të larta sa nuk t’i nxë dot syri, që përveç gafave arkitekturore, që nuk ka nevojë të jesh profesionist i fushës që t’i rrokësh me sy të lirë, të fusin ankthin sepse monopolizojnë edhe qiellin. Shëmti që i bëjnë parafabrikatët e stilit sovjetik të duken si mrekulli arkiteturore pasi të paktën respektojnë distancën dhe të lejojnë frymëmarrjen me lartësitë e pranueshme.
Qyteti ndryshon dhe nuk ndryshon vazhdimisht. Ndryshe nga qendra kozmopolite të tjera edhe më të mëdha se Tirana, si p.sh. Praga, që kanë një lloj konsistence në arkitekturë dhe kanë ndryshuar pak në segmente kohore dekadash, Tirana është kameleon. Në të njëjtën rrugë që sot sodite me ëndje një vilë të stilit italian, nesër mund të shohësh themelet e një kulle të re. Fatkeqësisht këtu nuk ka të anasjelltë. Janë gjithmonë shtëpitë që shndërrohen në kulla dhe kurrë kullat në shtëpi të vogla të këndshme.
Në të njëjtën kohë ajo kurrë nuk ndryshon, gjithmonë mbizotëron e njëjta mpirje dhe amulli që siguron konsistencën shekullore të situatës shoqërore.
Pavarësisht se ka një shesh mjaft të madh, madje edhe më të madh nga ç’e lejojnë normat arkitekturore, sheshi ka reshtur së manifestuari karakterin e tij politik, që do të shërbente si agora gjigande që mbledh masat në gjirin e vetë për të nxitur revoltë. Në vend të kësaj është bërë vegël e pushtetit, duke u kthyer në shesh tregtar dhe festiv, që thekson më së miri idenë megalomane që sundon mbi qytet dhe e vë në një kontrast të thellë me periferinë.
Qyteti i qëndron besnik logjikës së të bërit të ndjehesh i vogël, i parëndësishëm dhe i pafuqishëm edhe në jetën universitare. Në mungesë të një korpusi ku studentët dhe pedagogët do të mund të bashkëjetonin akademikisht, të ndanin problemet e të organizoheshin, godinat e fakulteteve janë të degdisura kaq larg njëra-tjetrës, saqë edhe sikur studentët t’ia shisnin shpirtin djallit, do ta kishin të vështirë të vinin kontakt me studentët e një fakulteti tjetër. Përveç kësaj, godinat e fakulteteve specifike fshehin një lloj ironie që, nëse nuk do të prishte punë, do të ishte e lezetshme. Godina e Arkitekturës dhe Urbanistikës komentohet ironikisht si më e shëmtuara ndër gjithë godinat e tjera dhe vlen si argument kryesor nëse do t’i acarosh nervat një studenti të këtij fakulteti në debat. Fakultetet e Inxhinierive, në vend të jenë pararojë e përparimit teknologjik dhe atraksione të arkitekturës moderniste, ndonjë është shembull perfekt fasadizmi, ndërsa ndonjë tjetër të transporton në kohë dhe, me pak imagjinatë, të kujton getot e pista ku nazistët internonin hebrenjtë. Fakulteti i Shkencave Sociale me tryezat dhe karriget e palëvizshme, të ngulura në tokë dhe muret e lyera me gri, detaje këto që duket sikur ua përplasin në sy studentëve, që supozohet të kenë frymë kritike, natyrën strikte dhe të pandryshueshme të sistemit. Godina e Drejtësisë me një ndër interiorët më luksozë, me zyrat me mobilie lëkure dhe shishet e Whiskey-t, si për të të garantuar që një ditë paraja do të të joshë dhe do të të bëjë t’i harrosh idealet, sado të forta t’i kesh.
Sërish vlen argumenti që studentët mund të unifikohen dhe të organizohen në Qytetin Studenti, i cili supozohet të jetë pika kulminante e energjisë në kryeqytet. Por ky qytet ka dekada që, prej kushteve mjerane të jetesës, është shndërruar në një hapësirë shterpë, ku nuk ëndërrohet, debatohet, organizohet më. Është lajm i trishtë për një gjeneratë dhe për krejt shoqërinë nëse kur përmenden aktivitetet rinore, gjëja e vetme që të vjen ndërmend janë festat e shfrenuara.
Dobësinë në arkitekturë e urbanistikë, qyteti dështon ta kompensojë me jetën kulturore. Nuk po pretendohet që drejtori i teatrit të radikalizohet e të bëhet krejt papritur admirues i Brecht-it apo Bernard Shaw-t, por minimalisht nuk duhet të shfaqen vetëm pjesë limonadë dhe pa asnjë thellësi politike. Një qytet që nuk jeton politikisht është i vdekur. Për mos të folur për pikturën e skulpturën që janë reduktuar në shfaqjet e tyre nëpër ekspozita, vetëm nga një numër i vogël të privilegjuarish që kanë njohjet dhe pushtetin e duhur që iu mundësojnë t’i ekspozojnë krijimet e tyre aty. Ekspozita të cilat medoemos nuk mund të kenë karakter subversiv pasi mundësohen nga vetë pushteti. Duke cituar edhe kritikun marksist të artit John Berger: “Arti i shërben interesit ideologjik të klasës sunduese.” Për mos folur për muzikën që në rastet më të mira ka tekste dembele dhe mendjelehta, të cilat u referohen ndjenjave universale si dashuria, urrejtja, liria etj., pa u thelluar kurrë në problematikat e shoqërisë dhe duke dhënë mesazhe ekuivalente të stereotipit të fjalimit të një misi që kërkon paqe e dashuri në botë. Ndërsa të shumtën e rasteve ka tekste banale që hyjnizojnë paratë dhe fuqinë. Nuk mund të ndodhë ndryshe: arti pasqyron sistemin. Për sa kohë jetojmë në një sistem ku paraja është Zot, ajo do të përcaktojë trendet dhe do të hyjnizohet si e tillë.
Pëllëmba konsumeriste e ka kapur qytetin prej fyti dhe nuk do ta lëshojë, duke i marrë edhe të fundit frymë. Të rinjtë nëpër kafene konkurrojnë me njëri-tjetrin në mënyrë agresive. Nuk bëhet fjalë për beteja mendimesh dhe idesh si bënin në 68’ klientët e Café de Flor-ës në Paris. Këtu beteja është zhvendosur në sasinë e shisheve që konsumon, modelin e makinës apo numrin e serisë së smartphone-it që ke.
Gjithashtu, një nga trendet e kohës është të qenit kundër sistemit. Për shumëkënd ky rebelim nuk vjen edhe aq për arsye ideologjike sesa për t’u ndjerë i veçantë. Avangarda ironikisht është shndërruar në modë. Përfaqësuesit më të shquar të pop-kulturës në qytet mund t’i shohësh lehtësisht të ulur nëpër kafenetë e Bllokut, madje edhe në studio televizive, veshur me bluza të Che Guevara-s, ndërkohë që fajësojnë komunizmin për çdo problem që hasin: nga papunësia te flokët që nuk po u rrinë mirë atë ditë. Sigurisht qe po te njëjtët njerëz nuk do e vishnin kurrë një bluzë të Fidelit për të vetmen arsye praktike se i gjori nuk pati fatin të ketë një fytyrë aq të pashme sa Che-ja.
Pjesëtarë të tjerë të rëndësishëm të pop-kulturës së qytetit janë edhe artistët. Kur them artist nënkuptoj ata që prodhojnë (pavarësisht cilësisë) dhe jo ata që vetëdeklarohen të tillë. Fatkeqësisht shfaqjet e artistëve në syrin e publikut kanë qenë shumë të palavdishme. Ata shfaqen krah për krah me politikanët (që do të ishte gjë tepër pozitive nëse do të ndodhtë nga ndërgjegjja e lartë politike dhe jo nga interesa bajate); ata shfaqen për të ekspozuar agresivisht mënyrën luksoze të jetesës para një populli të varfër e të lodhur; ata shfaqen duke lëshuar thirrje delirante për pashaportizime për të hyrë në Tiron’[1], që atyre, të përzgjedhurve, gjakpastërve, të kulturuarve, të mos u duhet më ta ndajnë qytetin me barbarët e pakulturuar; rrallëherë ata shfaqen edhe për të mbrojtur kauza, por nuk gjejnë mbështetje askund pasi duke jetuar në një re në qiell, të distancuar nga problemet e shoqërisë, tashmë janë të huaj për popullin.
Standardi i banimit në Tiranë duhet të rritet medoemos. Jo për të ushqyer ksenocentrizmin dhe ndjenjën e inferioritetit tonë ndaj turisteve të huaj, që u ka rënë ndërmend edhe për këtë zgëq të Evropës Lindore – që na vënë padashur në siklet me ato pyetjet e tyre kureshtare mbi jetën kulturore të qytetit, të cilave ne si fajtorë u ngremë supet në mungesë të një përgjigjeje. Jeta e larmishme kulturore dhe mirëqenia në Tiranë, më shumë se medaljon krenarie në kraharorin e kryebashkiakut në darkat mondane me atashetë e huaj, duhet të jetë domosdoshmëri për të gjithë ata që e banojnë atë. Jeta e dinjitetshme në të është borxh që qyteti duhet t’ia lajë të gjithë atyre që e mbajnë në këmbë me anë të punës së tyre. Ata më shumë se çdokush tjetër meritojnë që qyteti t’ua kthejë mbrapsht gjithë energjinë dhe djersën që i falin çdo ditë. Punëtorët duhet të kthehen në vëmendje të kryeqytetit, ndryshe nga tani, ku i vetmi moment që punëtori zë titrat e lajmeve është gjatë panaireve të kotësive të cilat, më shumë se të orientojnë punëtorët drejt punëve të përshtatshme, shërbejnë për të shtuar edhe një sukses më shumë në CV e qeverisë në pushtet. Janë edhe kronikat e vdekjeve në punë që ndonjëherë e kapin edicionin e lajmeve, ndonjëherë, kur nuk ka gjëra më të rëndësishme për të transmetuar si p.sh. sa herë në ditë do të jepet filmi i ri i Ermal Mamaqit te Pallati i Kongreseve. E dua qytetin e Mustafa Greblleshit që përshkruante këpucarët e dehur që recitonin Rubairat e Khajamit në një pijetore të Pazarit të Vjetër. Tani dija dhe çdo gjë e bukur janë ekskluzive, kushtojnë shumë shtrenjtë. Këpucarët dhe soji i tyre nuk i blejnë dot më.
Si përfundim e ndjej të nevojshme të kërkoj ndjesë për patetizmin e të bërit një homazh për Tiranën, por mungesat shkaktojnë mall dhe madje të bëjnë t’i shtosh Tiranës hire që në fakt nuk i përmban. Në një mënyrë më duket sikur i kam vërtetuar vetes atë që vite më parë kam lexuar t’i shkruante Gogoli mikut te tij, Pletnevit: “Unë mund të shkruaj për Peterburgun vetëm nga Roma. Vetëm kur nuk jam aty arrij ta shoh atë të plotë.” Po të heqim paralelen, vetëm larg saj, e çliruar nga detyrimet e përditshmërisë dhe shtrenjtësia që e bën qytetin të paprekshëm, siluetat e tij arrijnë të shfaqen të plota në optikën time, duke më bërë më objektive në përshkrim.
Pavarësisht kaosit, Tirana do të ketë gjithmonë rëndësi simbolike për shumë njerëz. Për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësinë të shohin më mirë, është arratisja drejt lirisë, prej gjithë kufizimeve të vendlindjes. Për ata që kanë pasur mundësinë të shohin më mirë, është kthim në identitet nëpërmjet miqve dhe kohës që ka përkufizuar kohën më esenciale të zhvillimit personal. Pra ajo gjithmonë përfaqëson diçka, qoftë ajo shpresa e të ardhmes apo ngushëllimi i së shkuarës.
Ah, sa për atë murin e vjetër që përmenda në krye të shkrimit: Atë e prishën disa vite më parë dhe tani në vend të tij ngrihet një pallat shumëkatësh.
[1] Pas përdhosjes që ju bë bustit të Françesk Radit nga disa të rinj, Elton Deda deklaroi se hyrja në Tiranë duhet të bëhej me pashaportizim.
Imazhi: Organizata Politike
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.