/Enriko Peçuli/
E mbaj mend shumë mirë 15 marsin e vitit 2008. Isha vetëm 10 vjeç atëherë, por më kujtohet. Në Himarë, qe ditë me diell dhe me të hapur televizorin shfaqej vetëm një skenë. Kamera që dridhej dhe një shpërthim i madh shfaqej vazhdimisht si imazh pervers në mendje dhe televizor. Prindërit i dëgjoja vazhdimisht atëherë të flisnin për Berishën, për faktin se nuk e dëgjonin dot sa herë dilte në televizor. Por askush nuk e kuptonte se kjo mbjellje e apatisë dhe e analfabetizmit politik ishte e qëllimshme. Ideologët e politikave neo-liberale të kohës, na mbollën në ndërgjegje idenë se politika pillte veç derra dhe probleme. U rritëm me idenë se politika nuk ishte për ne; se ishte e pistë dhe fiknim televizorin sa herë dilte Berisha në prononcim.
E njëjta gjë ndodhi në 15 marsin e 2008-ës. Mënyra më efikase për të shmangur problemet sistemore, ishte mbjellja e vdekjes. Nuk mjaftonte ideja se ka korrupsion dhe varfëri të skajshme, po duheshin përhapur ca vdekje. Se në fund të fundit, njerëzit solidarizoheshin nga vdekja. Vdekja ishte velloja më e volitshme e të mbuluarit të problemeve. Vdekja e shmangu faktin se në fabrikë punonin fëmijë dhe punëtorë të keqpaguar, të pasiguruar dhe në kushte primitive.
Vdekja e shpëtoi Fatmir Mediun dhe Mihal Delijorgjin. I pari, vazhdon të jetë në skenën politike, tashmë, mbahet si i vetësakrifikuar për popullin, pasi dogji mandatin si opozitar i thekur. I dyti, po ndërton perandori me pallate në partneritet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe gjysmën e kastës politike që është në qeveri.
Asokohe, u hap një proces gjyqësor. U bënë “koka turku” ca vetë dhe aq, edhe pse të gjithë e dinim se cilët janë fajtorët e vdekjes aksidentale. Në fund, rëndësi ka vetëm procesi dhe vdekja ca më shumë.
Tre vite më vonë, më 21 janar të 2011-ës, në një demonstratë masive të thirrur nga opozita e kohës, pas daljes së nje afere korruptive të presidentit të sotëm, Ilir Meta, asokohe kryetar i një partie në koalicion me PD-në në pushtet, u shënua ngjarja publike më e përgjaktë e viteve të fundit. Demonstrata qe aq e madhe sa në shtëpitë tona flitej për rënie qeverie dhe për Berishëm në panik. Duhej diçka që të delegjitimonte masën e madhe të protestuesve dhe nuk mjaftonin thirrjet si “kokëpalarë” dhe “rrugaçë”. Berisha me Lulzim Bashën, Ministrin e Brendshëm të kohës, gjetën katër “kokëpalarë” me duar në xhepa dhe korrën vdekje, me justifikimin se institucioni nuk preket. Po nga kush nuk preket? Se të gjithë e panë Ziver Veizin tek qëndronte me duar në xhepa para derës së hekurt.
Po jo, kjo nuk ka rëndësi, se ata e mbuluan edhe këtë herë ngjarjen me vdekje. Berisha, ditën tjetër, tha pa iu dridhur qerpiku se do vriste prapë njerëz në shesh nëse tentohej rrëzimi i qeverisë. Edhe atëherë u fol vetëm për vdekje. Ilir Meta u harrua për pak, Rama qante tek fliste për vdekje dhe Berisha vazhdonte retorikën e paprekshmërisë së institucioneve. Edhe për këtë u hap një proces, ku u bënë “koka turku” ca gardistë që marrin urdhra. Përsëri, kishte rëndësi vetë procesi, që të kënaqnim sytë e ndërkombëtarëve dhe të vazhdonte vajtimi për vdekjen.
Sot, Ilir Meta është president, Rama drejton qeverinë dhe Basha është kryetar i PD-së. I pari, firmos dekrete dhe vazhdon pazaret i qetë. I dyti, i ka perfeksionuar dhe thelluar politikat neoliberale të nisuara nga Berisha dhe me një kontratë PPP-sh, vazhdon qeverisjen i pashqetësuar as nga dhjetra mijëra studentë që dolën në shesh dhe artikuluan problematika që dolën përtej universitetit. Dhe i fundit, Basha, po bën ca lëvizje prej heroi fisnik, a thua se nuk kishte përgjegjësi për 4 protestues të vrarë në shesh 8 vjet më parë.
Sot, përkujtohej vetëm vdekja. Jetojmë në një shoqëri neurotike që mallëngjehet me idenë e vdekjes. Kemi një pushtet politik që masturbohet me të. Sot, punëtori që vdes është statistikë dhe një 17-vjeçar që e shqyen fadroma në vendin e punës, ku punon i pasiguruar, është thjesht aksident. Kur helmohen gratë në fasoneri është thjesht aksident pune. Fakti që janë shumica pa sigurime mbulohet me ndonjë vdekje. Për ta, vdekja e ndonjë minatori në Bulqizë, është barra e përmendjes nga disa se kompanina e Samir Manes, shfrytëzon minierën. Sikur të kishte vdekur ndonjë kukësian, kushedi sa trarë të tjerë do ishin kremtuar.
I gjithë ky kalvar vdekjesh, me apo pa bujë,e ka një emërues të përbashkët, veç faktit se shkaktohen nga mbjellja sistemore e pasigurisë në punë dhe varfërisë.Si Gërdeci, ashtu edhe 21 janari ka parë të vdekur jo vetëm qytetarë apo individë të çfarëdoshëm të kësaj shoqërie. Më së pari ata që vdiqen janë personifikimi më i gjallë i klasës punëtore, i shtresave më të nëpërkëmbura të shoqërisë.A i keni parë ndonjëherë shëmbëlltyrat e viktimave të 21 janarit? Punëtorë të varfër, fshatarë e të papunë.Të veshur keq, me flokë të pakrehur dhe me fytyra të lodhura.Njësoj ndodhi dhe me Gërdecin. Aty punonin fshatarë që nuk kishin asnjë rrugëdalje tjetër ekonomike, së bashku me gra shtatzëna e fëmije që duhej të ishin në shkollë.Të gjithë këta janë, doni apo nuk doni, kryekëput klasë punëtore.Është pikërisht kjo tragjedi që e përshkon dhe e formëson shoqërinë shqiptare këto 30 vjet: imazhi i një vendi të kthyer në një tokë të minuar për të varfërit, ku ose do rrijne pa lëvizur derisa të mpihen e të vdesin sipër minave, ose do luftojnë me shoshoqin se kush do e kalojë fushën i pari.Këtu toka e minuar është vendi i punës. Një punëtor në Bulqizë e di se ka mundësi të mos kthehet i gjallë nga nëntoka, e prapë e kruan atë me kazëm për pak bukë. Një elektriçist, në Pukë, e di se elektriciteti është vdekjeprurës, por nëse nuk hipën në shtyllë me apo pa mjete mbrojtëse, nuk do çojë në shtëpi asgjë për të ngrënë darkave. Ardit Gjoklaj e dinte se puna në landfilldin e Sharrës nuk ishte si në reklama. E dinte se natën punohej pa dritë, pa maskë mbrojtëse dhe punëtorët e atij turni ishin edhe minorenë të pasiguruar, por i duheshin ca para që të shkollohej.E di edhe punëtori i Ballshit se nafta është vdekjeprurëse për mushkëritë dhe gjakun, po edhe ai do mbesë pa gjë nëse nuk shkon në rafineri që në 6 të mëngjesit. Vajzat në fasoneri i shohin shoqet e tyre më të vjetra me shpinë të kërrusur duke e ditur që edhe do të përfundojnë ashtu. Këtu, të gjithë i dinë të gjitha, por neuroza është aq e thellë, sa askush nuk leviz, se ka frikë se mos i ndien prangat që i kërcasin ndër duar.
Dje, përkujtohej tragjedia e Gërdecit, dhe sa herë një tragjedi kujtohet në Shqipëri, njeriut i kujtohet kalvari 28 vjeçar i tranzicionit. Njeriu, këtu, është mësuar ta përbrendësojë vdekjen, si të pazgjidhur nga jeta. Kemi brendësuar vdekjen, por pa u kujdesur më parë për jetën. Na kanë mësuar që të jemi të gatshëm të vdesim për shumë gjëra. Të vdesim për familje, për shokë ose për dashuri.Por nuk na mësoi njeri se si të vdesim. Dhe për këtë nuk na lënë të jetojmë as si qenie njerëzore me dinjitet. Nuk na japin punë dhe siguri. Na i kanë marrë të drejtat, veç asaj të të vdekurit për hir të kapitalit dhe pasurimit të pak njerëzve. E meqë nuk mësuam se si të vdesim, kemi vetëm një vdekje për të dëshiruar. Derisa të vdesë ky pushtet politik, ne do thërrasim “Rroftë jeta!”
Imazhi: Vedat Xhymshiti
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).