/Kathleen O’Kelly/
Emma Goldman-i lindi më 1869 në një geto hebrenjsh në Rusi, ku familja e saj jetonte në një kasolle të vogël. Në moshën 13-vjeçare ata u transferuan në Shën Pjetërburg. Ishin vitet e një represioni të ashpër politik për shkak të vrasjes së Aleksandrit II. Në këtë periudhë komuniteti hebre përjetoi një valë përndjekjesh e masakrash. Gjendja e vështirë ekonomike bëri që Emma ta linte shkollën dhe të fillonte punë në një fabrikë.
Pikërisht aty ajo siguroi një kopje të librit të Çernishevskit “Ç’të bëjmë?” me personazh kryesor Verën, e cila konvertohet në nihiliste dhe jeton në një botë barazie gjinore dhe pune bashkëvepruese. Ky libër u bë burimi i parë i frymëzimit të saj të mëvonshëm anarkist dhe e ndihmoi ta jetonte jetën sipas dëshirës së vet.
Në moshën 15-vjeçare babai u përpoq ta martonte, por Emma refuzoi. Më pas ai ra dakord që vajza e vogël rebele të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’iu bashkuar motrës së saj që jetonte atje. Goldman-i e kuptoi shumë shpejt që Amerika, ndryshe nga ç’i ishte premtuar, nuk ishte vendi i ëndrrave për hebrenjtë. Amerikë për të do të thoshte lagje barakash dhe fabrika, ku mund të nxirrte bukën e gojës si rrobaqepëse.
Ajo që e shtyu Emma Goldman-in drejt anarkizmit ishte protestat që pasuan tragjedinë e sheshit Haymarket në Çikagon e vitit 1886. Gjatë një tubimi punëtorësh për të kërkuar ditë pune 8-orëshe, u hodh një bombë në mes të policëve. Paskëtaj u dënuan me varje katër anarkistë. Ky dënim u bazua në prova të papërfillshme, ndërkohë që gjyqtari gjatë hapjes së gjyqit iu drejtua anarkistëve me fjalët: “Ju po gjykoheni jo se shkaktuat tragjedinë e Haymarket-it, por se jeni anarkistë.”
Emma Goldman-i e kishte ndjekur ngjarjen në vazhdimësi dhe ditën e ekzekutimit kuptoi se rruga e saj e vetme ishte ajo e revolucionit. Në këtë kohë Emma ishte vetëm 20 vjeçe dhe prej 10 muajsh ishte e martuar me një emigrant rus. Martesa nuk po funksiononte, kështu që ajo u divorcua dhe u transferua në Nju Jork.
Në Nju Jork zuri miqësi me Johann Most-in, botuesin e një gazete anarkiste në gjuhën gjermane. Ai e kuptoi shumë shpejt prirjen e Emma-s drejt anarkizmit dhe e dërgoi atë në një tur mbledhjesh publike nëpër Amerikë. Johann Most-i e udhëzoi Goldman-in të kritikonte papërshtatshmërinë e fushatës për punën 8-orëshe dhe të argumentonte për nevojën e përmbysjes së plotë të kapitalizmit. Goldman-i e përcolli rregullisht këtë mesazh në takimet publike. Megjithatë, në Bufalo ajo u përball me një punëtor të vjetër i cili e pyeti: “Çfarë mund të bëjë një punëtor i moshës time? Ne nuk mund ta arrijmë ditën e rrëzimit përfundimtar të kapitalizmit. A ka kuptim të na kërkosh ta shpërfillim mundësinë e të rraskapiturit dy orë më pak në punë?!”
Nga ky takim Goldman-i kuptoi se përpjekjet specifike për përmirësim, si paga më të larta dhe orë më të shkurtra, nuk përbënin devijim nga qëllimi përfundimtar, por ishin pjesë e transformimit revolucionar të shoqërisë. Më kalimin e kohës Goldman-i nisi të distancohej nga Johann Most-i dhe të shfaqte më shumë interes për gazetën anarkiste rivale në gjermanisht “Die Autonomie”. Këtu u njoh me shkrimet e Kropotkinit. Ajo u orvat të baraspeshonte prirjen e qenieve njerëzore drejt shoqërueshmërisë dhe ndihmës reciproke, që theksonte Peter Kropotkin-i, me besimin e saj të fortë tek individi dhe liria e tij. Ky besim në lirinë individuale del në pah më së miri gjatë një vallëzimi ku Goldman-i u tërhoq mënjanë nga një i ri revolucionar, i cili i tha se një agjitatoreje nuk i kishte hije të kërcente. Goldman-i shkroi: “Këmbëngula që për kauzën nuk kisha ndër mend të kthehesha në murgeshë dhe se lëvizja nuk duhet të kthehej në manastir. Po të ishte kështu, nuk e doja fare. Unë dua liri, të drejtën e vetëshprehjes, të drejtën e gjithkujt për gjëra të bukura dhe vezulluese.”
Në fillimet e veta, Goldman-i mbështeti idenë e propagandës nëpërmjet veprave. Në vitin 1892, së bashku me Alexander Berkman-in, ajo planifikoi vrasjen e Henry Clay Frick-ut, i cili shtypi me roje të armatosura grevat në fabrikat e Homestead-it në Pensilvani. Ajo madje u përpoq, por pa sukses, për të punuar si prostitutë që të mblidhte para për armë. Ata besonin se duke vrarë një tiran, përfaqësues të një sistemi mizor, vetëdija e njerëzve do të ngjallej. Por nuk ia arritën qëllimit. Berkman-i arriti vetëm ta plagosë Frick-un, për çka u dënua me 22 vjet burg. Goldman-i u përpoq ta shpjegonte dhe justifikonte tentativën e vrasjes duke këmbëngulur se një gjyq i vërtetë merret me motivet dhe jo me pasojat e ngjarjes.Mënyra se si e mbrojti Berkman-in bëri që ajo të etiketohej nga autoritetet si person i rrezikshëm; për pasojë ligjëratat e saj ndërpriteshin prej tyre. Madje në vitin 1893 u arrestua për dyshimin e nxitjes së të papunëve dhe të varfërve për të marrë bukë “me forcë”, duke u dënuar me një vit në burgun e ishullit Blekuells.Ajo u burgos për së dyti për shpërndarje literature në mbështetje të kontrollit të lindjeve, ndërsa dënimin më të gjatë e mori si pasojë e përfshirjes në krijimin e grupimeve “Kundër rekrutimit ushtarak” dhe organizimin e tubimeve kundër Luftës së Parë Botërore. Goldman-i dhe Berkman-i u arrestuan në vitin 1917 dhe u dënuan me dy vjet burg. Më pas atyre iu hoq shtetësia amerikane dhe u dëbuan në Rusi së bashku me “të kuq” të tjerë të padëshirueshëm. J. Edgar Hoover-i – përgjegjës për dëbimin e saj – e quajti Goldman-in “një nga gratë më të rrezikshme në Amerikë”.Megjithatë dëbimi në Rusi i mundësoi Goldman-it të ishte dëshmitare e një revolucioni “të dorës së parë”, Revolucionit Rus, në të cilin ajo u përfshi kokë e këmbë. Por në vitin 1919 ajo dhe Berkman-i i ranë kryq e tërthor vendit dhe u tmerruan nga burokracia në rritje, persekutimi politik dhe puna e detyruar që panë rreth e rrotull. Pika e kthesës ndodhi në vitin 1921 kur marinarët dhe ushtarët e Kronshtadit u rebeluan kundër bolshevikëve, ndërsa Goldman-i dhe Berkman-i u bashkuan me punëtorët grevistë. Kjo revoltë u sulmua dhe u shtyp nga Trocki dhe Ushtria e Kuqe. Pas largimit nga Rusia në dhjetor të vitit 1921, Goldman-i i përmblodhi përshtypjet e saj në dy vepra – “Zhgënjimi im në Rusi” dhe “Zhgënjimi im i mëtejshëm në Rusi”. Ajo argumentoi se “kurrë më parë në të gjithë historinë njerëzore autoriteti, qeveria, shteti nuk kanë qenë kaq reaksionarë, madje edhe kundërrevolucionarë.” Me një fjalë, antiteza e revolucionit që pretendohej.Koha dhe eksperienca në Rusi bëri që ajo ta vinte në dyshim besimin e saj të hershëm se qëllimi justifikon mjetet. Goldman-i e pranonte se dhuna është një e keqe e domosdoshme në procesin e transformimit shoqëror. Megjithatë, përvoja në Rusi e shtyu të bënte një dallim: “E di që në të kaluarën çdo ndryshim i madh politik dhe shoqëror e kishte të domosdoshme dhunën… Por përdorimi i dhunës në luftë si një mjet mbrojtës është krejtësisht ndryshe nga kthimi i dhunës në parim, institucionalizimi i saj dhe konsiderimi i dhunës faktor jetik në luftën sociale. Një terrorizëm i tillë krijon kundërrevolucion dhe vetë kthehet në kundërrevolucionar.”Fillimisht këto pikëpamje ishin jopopullore mes radikalëve, pasi shumica ende donin të besonin se Revolucioni Rus ishte një arritje. Kur u shpërngul në Britaninë e Madhe në vitin 1921, Goldman-i ishte ndër të vetmet personazhe të majta që e dënuan Revolucionin Rus. Prandaj ligjëratat e saj nuk frekuentoheshin si më parë. Kur mori vesh se Goldman-i mund të dëbohej në vitin 1925, një minator uellsian u tregua i gatshëm të martohej me të për t’i dhënë shtetësinë britanike. Me pasaportë britanike, ajo pati mundësi të udhëtonte në Francë e Kanada. Madje më 1934 u lejua të mbante një tur leksionesh në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1936, disa muaj para shpërthimit të Revolucionit Spanjoll, Berkman-i kreu vetëvrasje. Në moshën 67-vjeçare Goldman-i shkoi në Spanjë për t’iu bashkuar luftës. Ja çfarë tha në një tubim të rinisë libertariane: “Revolucioni juaj do ta shkatërrojë përgjithmonë [nocionin] se anarkizmi përfaqëson kaosin”. Megjithëse nuk u pajtua me pjesëmarrjen e CNT-FAI (Federatës Anarkike Iberike) në qeverinë e koalicionit të vitit 1937, Goldman-i zgjodhi të mos i kritikonte anarkistët për bashkimin e tyre me qeverinë dhe pranimin e militarizimit, pasi mendonte se asokohe rruga tjetër çonte drejt diktaturës komuniste.Goldman-i vdiq më 1940 dhe u varros në Çikago, jo shumë larg martirëve të sheshit Haymarket, fati i të cilëve e kishte ndryshuar rrjedhën e jetës së saj.Emma Goldman-i ka dhënë një kontribut të madh në mendimin anarkist. Në veçanti, ajo mbahet mend për përfshirjen e lirisë seksuale si komponent i rëndësishëm i politikave anarkiste, gjë që vetëm sa ishte cekur nga anarkistët e mëparshëm. Goldman-i bëri fushatë dhe shkoi në burg për ngritjen e zërit që gratë të kishin të drejtë mbi trupin e tyre dhe të kontrollonin lindjet. Ajo argumentoi se për të hequr qafe marrëdhëniet e pabarabarta dhe represive midis gjinive nuk mjaftonte zgjidhja politike. Nevojitej një transformim masiv i vlerave dhe, ç’është më e rëndësishmja, ky transformim të kryhej nga vetë gratë. Gratë mund t’ia dilnin mbanë:”Së pari, duke e pohuar veten si person dhe jo si mall seksi. Së dyti, duke refuzuar të drejtën e tjerëve mbi trupin e saj, duke refuzuar të lindë fëmijë nëse nuk dëshiron, duke refuzuar të jetë shërbëtore e Perëndisë, shoqërisë, burrit, familjes etj., duke e bërë jetën më të thjeshtë, por më të thellë dhe më të pasur. Domethënë, duke u përpjekur të mësojë domethënien dhe thelbin e jetës në të gjithë kompleksitetin e saj, duke u çliruar nga frika e opinionit dhe dënimit publik. Vetëm revolucioni anarkist, dhe jo votimi, do ta bëjë gruan të lirë, do ta shndërrojë atë në një forcë deri më tash të panjohur për botën, një forcë zjarri hyjnor, që do të ndërtojë një botë të burrave e grave të lira.”
E përktheu Suzana Kurtallari
Marrë nga: Workers Solidarity Movement
Imazhi: Chicago Tonight
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).