/Albina Ruko/
Sa më shpesh që takoj gra që punojnë në sektorin fason, aq më shumë arrij të kuptoj se ato janë shpresa, frymëzimi dhe revolta kundër këtij sistemi. Çdo ditë përjetojnë shtypjen, shfrytëzimin dhe pabarazinë, në vendin e punës e jashtë tij. Pabarazia brenda vendit të punës vjen si pasojë e marrëdhënies: punëtore e thjeshtë-mbikëqyrëse-përgjegjëse-shefe/pronare. Sipas renditjes së mësipërme duhet të ishte edhe roli brenda fabrikës pasi janë punëtorët ata që punojnë, prodhojnë, sigurojnë të ardhurat për vete dhe kompaninë. Po ja që në realitet ndodh e kundërta. Kush punon më pak, paguhet më shumë. Këto janë motot e kompanive të cilat vlerësimin e punës e bëjnë në bazë të hierarkisë pushtetore.
Teksa flasim me A., nënën e 3 fëmijëve të cilët i rrit e vetme prej gjashtë vitesh, ajo na tregon se ka dhjetë vjet që punon në sektorin fason dhe na përshkruan se si ushtrohet shtypja brenda një fabrike.
Ajo nis të na flas që për momentin kur fillojnë punën. Nëse futesh në punë në orën 07:01, automatikisht nuk të quhet një orë punë, çka do të thotë që punëtori/ja duhet të punojë atë orë, por nuk do të paguhet. Na tregon që vitin e shkuar theu dorën duke nxituar të kapte atë dreq “07:00”! “Është rregull i kompanisë” – iu thonë. Ama harrojnë që nëse do të ndiqej ky rregull, duhet të funksiononte edhe në rastet kur punëtorët punojnë 1 minutë shtesë: duhet të paguheshin për orën e plotë. Jo vetëm që kjo nuk ndodh, por edhe orët e plota shtesë hidhen si t’u dojë qejfi drejtuesve të kompanisë.
Pasi futesh në vendin e punës me rrobat e marra nga shtëpia dhe një përparëse që ta jep kompania, duhet të fillosh punën direkt pasi nuk ka kohë për humbje minutash. Të punuarit si robot vazhdon për orë të tëra, në temperatura afër 40 gradë celsius dhe pa asnjë freskuese.
A. vazhdon të na tregojë se në një moment të ditës drejtuesit e kompanisë shtojnë shpejtësinë e makinerisë, që do të thotë se ajo duhet të punojë më shumë dhe më shpejt. Përndryshe do ta mbajnë jashtë orarit të punës që të kapë normën e përcaktuar sipas dëshirës me të cilën zgjohen në mëngjes drejtuesit.
A. na flet edhe për përgjegjëset. Ato supozohet se janë një stad më lart se punëtoret e tjera sepse të tilla i konsideron kompania. Dallimi në pagë midis tyre është vetëm 2000 lekë në muaj. Një 2000 lekësh që punëtorja “e thjeshtë” nuk e ka. Një përgjegjëse ka për detyrë t’iu ulërijë punëtoreve të tjera që të përshpejtojnë punën. Si të tilla, mund të quhen edhe “leva” të kompanisë, e cila vë përballë punëtoret me njëra-tjetrën, duke i bërë “armike”, kur në të vërtetë janë bashkëvuajtëse. Kompanisë nuk i intereson që punëtoret të kenë marrëdhënie ose kontakt me njëra-tjetrën nga frika e ndonjë organizimi të mundshëm.
Një tjetër taktikë që përdor kompania për t’i vendosur punëtoret kundër njëra-tjetrës është testimi. Në testimin e organizuar nga kompania, ku kriter vlerësimi është fitimi që prodhohet për kompaninë, disa punëtoreve u thuhet se kanë dalë mirë, kurse të tjerave se kanë dalë keq. Kjo sjell që punëtoret të ndihen të pabarabarta me njëra-tjetrën, ndërkohë që paga e mjerë vazhdon të jetë e barabartë. Punëtoret kanë 1 mijë lekë bonus nëse nuk mungojnë asnjë ditë në punë. Përveçse është një shumë qesharake dhe e arritshme me vështirësi, ky rregull e përfytyron punëtoren si robot, që as sëmuret kurrë, as ka halle, probleme, jetë përtej punës etj.
Nëse ndodh të jesh sëmurë (çudi e madhe sipas pronarit!) dhe çon raport, më kot e ke: nuk e marrin parasysh dhe nuk paguhesh për atë ditë pune. Ah! Nuk duhet harruar të përmendet se pronari i fasonerisë ku punon A. është italian. Ka ardhur në Shqipëri me qejf të madh, pasi ish-kryeministri i tij ‘‘socialist’’ Mateo Renci i çoi lajm se kryeministri “socialist” i Shqipërisë ishte krenar për mungesën e sindikatave. Ç’kob!
Nëse i referohemi Kodit të Punës dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar, në sektorin fason (por jo velëm) shkeljet prej pronarëve janë nga më të mëdhatë dhe të pabesueshmet. Në një vend si i yni, ku punëtorët bien nga skelat për shkak të kushteve të rrezikshme të punës, ku një punëtor tjetër vritet me pistoletë (!) nga pronari veç se ka bërë një gabim në punë (gjithmonë sipas gjykim të pronarit, që është njëkohësisht edhe kriminel i lënë rrugëve nga gjykatat), ku pagat janë qesharake, ku varfëria ka kapur majat, duket sikur punëtorëve u ngelet veç nënshtrimi. Në fakt, që të shpëtojnë punëtorët dhe gjithë shoqëria, ka vetëm një rrugë: organizimi!
Imazhi: Organizata Politike
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).