Menjëherë pas përfundimit të luftës filozofi francez Alexander Kojeve kishte sugjeruar krijimin e një bashkësie vendesh mesdhetare të cilat kishin kulturë dhe interesa të përbashkëta. Duke parë ngritjen problematike të Gjermanisë si fuqi kontinentale, një ide e tillë mund të bëhet aktuale.
Me 1974 filozofi Alexander Kojeve, asokohe edhe funksionar i lartë i qeverisë franceze, publikoi një shkrim me titullin “Perandoria latine”, mbi aktualitetin e të cilit duhet kthejmë vëmendjen sot. Me një parashikim shumë të mprehtë autori pohon se Gjermania në pak vite do të kthehej në fuqinë ekonomike kryesore të Evropës, duke e shndërruar Francën në rangun e një fuqie dytësore në Evropën kontinentale.
Kojeve-ja e shihte qartë fundin e shteteve-komb që kishin lënë shenjë në historinë e Evropës: ashtu si epoka moderne kishte shënjuar fundin e formacioneve politike feudale duke u lënë vend shteteve kombëtare, në të njëjtën mënyrë, tanimë, shtetet-kombe duhet t’iu linin vendin formacioneve politike që i tejkalonin kufijtë e kombeve, të cilat ai i quan Perandori.
Në themel të këtyre perandorive nuk mund të qëndronte, sipas Kojeve-së, një bashkim abstrakt, i cili do të linte mënjanë afërsinë reale kulturore, gjuhësore, të mënyrave të jetesës dhe fesë: perandoritë – si ato që ai shihte të krijuara tashmë, perandoria anglosaksone (Shtetet e Bashkuara dhe Anglia) dhe ajo sovjetike duhet të ishin “ bashkime politike transkombëtare, por të krijuara nga kombe të afërta me njëri-tjetrin”. Prandaj ai i propozonte Francës që të vendosej në krye të “Perandorisë Latine”, e cila do të bashkonte ekonomikisht dhe politikisht tre kombet e mëdha latine (Francë, Spanjë, Itali), në dakordësi me Kishën Katolike, nga e cila do të merrte traditën dhe së bashku do të hapeshin drejt Mesdheut.
Gjermania protestante – argumentonte ai, e cila do ishte bërë, siç u bë realisht, kombi më i pasur dhe më i fuqishëm i Evropës, do të tërhiqej në mënyrë të pashmangshme, për shkak të frymës së saj jashtevropiane, përkrah formave të perandorisë anglosaksone. Por Franca dhe kombet latine do të mbeteshin, sipas kësaj perspektive, një trup pak a shumë i huaj, duke marrë medoemos një rol periferik dhe satelit.
Pikërisht sot kur Bashkimi Evropian është formuar duke injoruar afërsitë kulturore konkrete mund të jetë e dobishme dhe urgjente të mendojmë mbi propozimin e Kojeve-së. Çka ai kishte parashikuar tashmë është bërë realitet. Një Evropë e cila pretendon të ekzistojë vetëm mbi baza ekonomike, duke lënë mënjanë afërsitë reale të formave të jetesës, afërsitë kulturore dhe fetare, shfaq sot gjithë brishtësinë e saj, pikërisht dhe para se gjithash në rrafshin ekonomik.
Pretendimi për bashkim ka theksuar, përkundër idesë së bashkimit, dallimet dhe, kushdo mund të vërejë se në çfarë është shndërruar (ajo ide e Evropës) : imponimi i interesave të një pakice më të pasur mbi një shumicë më të varfër, që përkojnë shpesh me ato të një kombi të vetëm, e që duke parë historinë e tij të afërt asgjë nuk na sugjeron që të na duket shembullore. Jo vetëm që nuk ka kuptim që një italian apo një grek të jetojnë si një gjerman; por edhe sikur kjo të ishte e mundur, do të thoshte humbje e një pasurie kulturore që përbëhet para së gjithash nga forma të jetesës. E një politike që pretendon të injorojë format e jetesës jo vetëm që nuk e ka fatin të zgjasë në kohë, por, ashtu siç na tregon shprehimisht Evropa, nuk arrin as të kushtetohet si e tillë.
Nëse nuk duam që Evropa të shpërbehet , ashtu siç lënë të mendohet shumë shenja, është e këshillueshme të mendohet se si kushtetuta evropiane (e cila, sipas të drejtës publike, është një traktat mes shteteve që, si e tillë, nuk është hedhur në votë popullore dhe, aty ku është bërë, si në rastin e Francës, është hedhur poshtë në mënyrë jashtëzakonshme) mund të riformësohet duke u përpjekur të rikthejë në realitet politik në diçka të ngjashme me atë që Kojeve-ja e quante “ Perandoria Latine”.
Përkthyer nga: Alfred Bushi