Fridrih Engels: Mbi lumturinë

Kjo pjesëz është shkëputur nga libërthi kritik i Fridrih Engelsit “Ludvig Forejbahu dhe fundi i filozofisë klasike gjermane”. Bëhet fjalë për një filozof që me tezën “njeriu i pallatit mendon ndryshe nga ai i kasolles” bëri një kthesë të fuqishme materialiste në traditën teorike gjermane. Mirëpo, pavarësisht konsideratave entuziaste për zbulimin e Forejbahut, Marksi me Engelsin e kritikuan pa mëshirë qasjen abstrakte mbi “dashurinë midis njerëzve” dhe moskuptimin e njeriut brënda historisë si luftës midis klasaveme interesa të kundërta sociale. Megjithatë, sa ç’tregohet i dashur dhe i ashpër, po aq tregohet edhe kuptues Engelsi ndaj Forejbahut, duke e arsyetuar ngecjen e tij me konservatorizmin gjerman dhe izolimin e filozofit në një katund të thellë ku nuk kishte mundësi të njihej me zbulimet e mëdha shkencore në rrafshin e gjeologjisë, botanikës, darvinizmit dhe mekanikës. Arritje të cilat e flakën tej filozofinë idealiste si një rrotë që nuk i përgjigjej më një bote që ecte gjithnjë e më shpejt.
– Klodi Leka

***
Njeriu, kur mendon për veten e vet, vetëm në raste shumë të rralla, dhe jo gjithmonë me përfitim për vetën dhe për të tjerët, arrin të kënaqë dëshirën e tij për lumturi. Ai duhet të ketë mardhënie me botën e jashtme, mjete për t’i kënaqur nevojat e tij: ushqim, një individ të seksit tjetër, libra, biseda, diskutime, veprimtari, sende konsumi dhe përpunimi. Njëra nga të dyja: ose morali i Forejbahut e pranon qysh përpara se të gjithë njerëzit i kanë patjetër këto mjete dhe sende, ose u jep vetëm këshilla të mira, por të pazbatueshme dhe atëherë nuk ia vlen asnjë dhjetësh për ata që nuk i kanë këto mjete. Edhe vetë Forejbahu e thotë haptazi këtë: “Ndër pallate mendojnë ndryshe nga ç’mendojnë nëpër kasolle. Nëqoftëse trupit tënd, ngaqë je i urëtuar dhe i varfër, i mungojnë lëndët ushqyese, atëherë edhe kokës tënde, ndjenjave të tua dhe zemrës tënde u mungon ushqimi për moralin”. A qëndron më mirë puna për me të drejtën që kanë njëlloj gjithë njerëzit për të qënë në lumtur? Forejbahu e kërkon në mënyrë absolute këtë të drejtë, e quan të domosdoshme në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Por që kur ajo është pranuar nga të gjithë? A është folur ndonjëherë në kohërat e vjetra, midis skllevërve dhe pronarëve të tyre, ose në kohën e mesjetës midis bujkrobërve dhe baronëve të tyre për të drejtën që kanë njëlloj të gjithë njerëzit për të qënë të lumtur? A nuk është sakrifikuar kurdoherë pa mëshirë dhe në “emër të ligjit” dëshira për lumturi e klasave të shtypura për hir të po së njëjtës dëshirë të klasave sunduese? Po, por kjo ishte imorale. Kurse sot është njohur barazia e të drejtave. Është njohur me fjalë, që kur borgjezia në luftë kundër feudalizmit dhe për hir të zhvillimit të prodhimit kapitalist u shtrëngua të zhdukte të gjitha privilegjet e rendeve, dmth. të gjitha privilegjet personale, dhe të vendoste barazinë juridike të individit në lëmin e të drejtës private, dhe pastaj, në lëmin e të drejtës shtetërore. Por të drejtat ideale janë ushqim krejt i pamjaftueshëm për dëshirën për lumturi. Kjo dëshirë ushqehet më së tepërmi nga mjetet materiale, dhe për këtë, prodhimi kapitalist kujdeset që shumica dërmuese e njerëzve që gëzojnë të drejtat e barabarta, të kenë vetëm gjërat më të domosdoshme për të bërë një jetë fare të varfër. Pra, kapitalizmi nuk tregon për të drejtën që kanë njëlloj shumica e njerëzve për të qënë të lumtur më shumë respekt nga ç’tregonte rendi skllavopronar ose rendi feudal. Po dashuria? Vërtetë, dashuria te Forejbahu është kudo dhe kurdoherë çudibërësja, që duhet të ndihmojë për të dalë nga të gjitha vështirësitë e jetës praktike – dhe kjo ndodh në një shoqëri të ndarë në klasa me interesa papajtueshëm të kundërta. Kështu nga filozofia e tij zhduken elementët e fundit të karakterit revolucionar dhe s’mbetet veçse avazi i vjetër: duajeni njëri tjetrin, përqafohuni që të gjithë, pa dallim seksi dhe titulli, me një dehje pajtimi të përgjithshëm. Shkurt, me moralin e Forejbahut ndodhi po ajo që ka ndodhur me të gjithë pararendësit e këtij morali. Ai është i prerë për të gjitha kohët, për të gjithë popujt, për të gjitha gjëndjet, dhe pikërisht për këtë arsye ai nuk mund të zbatohet kurrë dhe në asnjë vend. Ai është po aq i pafuqishëm përballë botës reale sa imperativi kategorik i Kantit. Në të vërtetë çdo klasë dhe bile çdo profesion kanë moralin e vet, të cilin e shkelin sa herë që mund ta bëjnë pa u dënuar. Kurse dashuria, ajo që duhet të bashkojë çdo gjë, shfaqet më së miri në luftërat, grindjet, zallamahitë familjare dhe në shfrytëzimin maksimal të disave nga të tjerët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.