/Srecko Horvat/
Mbërritja në Hamburg këtë javë të dukej si një makth distopik. Ndërsa qyteti bëhej gati të priste samitin e G20-s këtë të premte dhe të shtunë, rrugët u bllokuan dhe u krijuan zona të sigurisë së lartë. Pati më shumë se 20.000 policë, shumica të armatosur gjer në dhëmbë, të mbuluar nga dronë dhe mjete survejuese të teknologjisë së fundit. Helikopterët për një kohë të gjatë “u parkuan” në re, ndaj zhurmat e helikave të tyre u shndërruan në sfond muzikor që shpejt fillon të mos e vësh re. Sirena të përhershme policie dhe ambulance, drita emergjence dhe bote uji shoqëruan orkestrën e pushtetit.
Ndërsa eci rrugëve — jam këtu si pjesë e DiEM25 (Lëvizja Demokraci në Evropë), të cilën e themelova me Yanis Varoufakis-in dhe me mijëra progresistë të tjerë evropianë — kjo skenë distopike fillon të ngjajë surreale. Është sikur je i zënë në kurthin e një halucinacioni “të postvërtetë”. Pranë bllokadave dhe pikave të kontrollit policor, ngeca në një reklamë pijeje të njohur gjermane, ku ishin vizatuar Donald Trump-i, Rexhep Taip Erdoani dhe Vladimir Putini duke fjetur qetësisht — me mbishkrim “Mensch, wach auf!” (“Zgjohuni!”)
Mesazhi eshtë një thirrje për politikanët të cilët supozohet se kanë mbyllur sytë ndaj luftërave botërore, terrorizmit, krizës së refugjatëve dhe ndryshimeve klimatike. Nga ana tjetër është një thirrje për t’u zgjuar të gjithë qytetarët e Hamburgut e më gjerë nga somnambulizmi postmodern i 1930-s.
Mishërimi i G20-s në Hamburg është shumë ndryshe nga dy G20-at më të rëndësishme — atij të 1999-s që u përpoq të krijonte një qeverimshmëri globale pas krizës së Azisë, dhe të 2008-s që ndodhi si përgjigje ndaj krizës financiare.
Nëse G20-a “tradicionale” ka pasur unitet në promovimin ose implementimin e të ashtuquajturës Marrëveshje e Uashingtonit, duket se G20-a e re vetëm sa bie dakord për të mos rënë dakord.
Kur vjen puna te globalizmi, Angela Merkel-i vazhdon t’i mëshojë idesë së tregut të lirë, ndërsa Trump-i këmbëngul te proteksionizmi. Në të njëjtë kohë, edhe “diplomacia e pandës” së Kinës nxjerr në pah se ata që supozohet se të jenë aleatë kryesorë nuk arrijnë të bien dakord as për kuptimin e globalizmit. Sikurse e pohoi vetë Merkel-i pasi kinezët i dhuruan Gjermanisë dy panda gjigande në shenjë miqësie: “Pekini e sheh Evropën si një gadishull aziatik. Ne e shohim ndryshe.”
Gjithashtu është fakt që pas tërheqjes së Trump-it nga marrëveshja e Parisit, duket qartë se nuk ka marrëveshje si do të trajtohet në mënyrë përfundimtare ndryshimi klimatik. Edhe pse pjesa tjetër e G20-s duket në një mendje, këto vende akoma shpenzojnë katër herë më shumë nga financat publike për energjinë fosile sesa për energjinë e rinovueshme.
Përshkallëzimi i krizës në Gjirin Persik është një tjetër burim mospajtimesh. Përpos faktit që gjithkush, nga Trump-i te Theresa May, mbështesin “luftën kundër terrorizmit”, ata vazhdojnë të bëjnë marrëveshje fitimprurëse për armët të cilat më pas furnizojnë ISIS-in. Sauditët për vete kanë prenotuar të gjithë hotelin Katër Stinët në Hamburg, duke u sjellë si mbretër edhe në Evropë.
Kontradiktat e pafundme janë evidente në politikat e Merkelit: ajo e ndalon Erdoanin të mbajë fjalim para simpatizantëve të tij në Gjermani, ndërkohë që nuk është në gjendje të ndalojë marrëveshjen kontroverse midis BE-së dhe Turqisë për refugjatët. Ose që Gjermania që qahet për izolacionizmin e Trump-it, sakaq i imponon BE-së politikat e veta financiare, pa u koordinuar me vendet e tjera.
Dhe këtu kthehemi tek ajo që mungon nga reklama gjermane e zgjimit. Problemi nuk është se liderët e botës autoritare — Trump, Erdoan dhe Putin (shto këtu edhe sauditët e kinezët) — ia kanë marrë gjumit: ata e dinë shumë mirë se çfarë po bëjnë dhe vazhdojnë ta bëjnë atë.
Problemi real është gjumi dogmatik i liderëve të botës së lirë, të përfaqësuar në këtë samit të G20-s nga Merkeli, May, etj., të cilët janë burimi i anktheve të tanishme distopike (luftërat, terrorizmi, kriza e emigrantëve dhe ndryshimet klimatike). Në këtë kuptim, G20-a e fundit nuk është thjesht një demonstrim i mosmarrëveshjeve në të gjitha frontet, por — pas Hamburgut — edhe nëse G20-ta do të vazhdojë të ekzistojë më.
E përktheu Kristi Çunga
Marrë nga The Guardian
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).