Dyqanxhinjtë në luftë

/George Orwell/

Flakët e verdha të armëve po ndriçojnë qiellin, ciflat po kërcasin mbi çatitë e shtëpive dhe Ura e Londrës po bie, po bie, po bie. Çdokush i aftë për të lexuar një hartë e kupton se gjendemi përpara një rreziku vdekjeprurës. Nuk po them se kemi humbur apo se duhet të humbasim. Kjo varet pothuajse krejtësisht nga vullneti ynë. Por në këtë moment jemi në supë e po zhytemi thellë[1], dhe kemi ardhur deri këtu për shkak të budallenjve që vazhdojmë t’i mbështesim dhe të cilët do të na fundosin të gjithëve po qe se rrugët tona nuk ndahen sa më shpejt.
Ajo çfarë tregon kjo luftë është se kapitalizmi privat – d.m.th. një sistem ekonomik ku toka, fabrikat, minierat dhe transporti janë në dorë private dhe përdoren thjesht për fitim – nuk funksionon. Nuk mund t’i shpërndajë të mirat. Ky fakt ka qenë i njohur për miliona njerëz gjatë viteve të kaluara, por nuk është bërë asgjë sepse nuk ka pasur përpjekje të vërtetë nga poshtë për të ndryshuar sistemin, dhe sepse ata që janë sipër e kanë trajnuar veten që të jenë krejtësisht idiotë vetëm në këtë pikë. Argumenti dhe propaganda nuk luajtur ndonjë rol. Të zotët e pronës thjesht janë rehatuar dhe kanë pretenduar se kjo ishte për të mirën e të gjithëve. Megjithatë pushtimi i Evropës nga Hitleri ishte një demaskim fizik i kapitalizmit. Lufta, me të gjitha të këqijat e saj, është në çdo rast një test i padiskutueshëm force, diçka si puna e një makinerie provo-këllqet-e-tua. Forca e madhe e kthen investimin dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta manipuluar rezultatin.
Kur u shpik helika e anijes u zhvillua një debat që zgjati me vite lidhur me atë nëse lopatat në formë radiale ishin më të mira se helikat.[2] Anijet me lopata, si gjithçka e vjetër, kishin mbështetësit e tyre që i mbronin me argumente të shkëlqyera. Gjithsesi, më në fund një admiral i njohur i lidhi nga cepi në cep helikat dhe lopatat radiale me kuaj fuqie të njëjtë dhe nisi motorët. Kjo i dha fund debatit njëherë e mirë. E njëjta gjë ndodhi në fushat e Norvegjisë dhe Flandrës. Më në fund u provua se një ekonomi e planifikuar ishte më e fortë se një ekonomi pa plan. Por këtu është e nevojshme që t’i përkufizojmë disi dy terma me të cilët është abuzuar aq shumë: socializmi dhe fashizmi.
Socializmi përkufizohet zakonisht si ‘’pronësi e përbashkët mbi mjetet e prodhimit’’. Në mënyrë mizore, shteti, duke përfaqësuar të gjithë kombin, zotëron gjithçka dhe të gjithë janë nëpunës të shtetit. Kjo nuk do të thotë se njerëzit janë të zhveshur nga të mirat vetjake si rrobat apo orenditë, porse të gjitha të mirat prodhuese si toka, minierat, anijet dhe makineria e rëndë, janë pronë e shtetit. Ai është prodhuesi i vetëm më i madh. Nuk dihet me siguri nëse socializmi është në të gjitha format superior në raport me kapitalizmin, por është e sigurt se, ndryshe nga kapitalizmi, ai mund ta zgjidhë problemin e prodhimit dhe konsumit. Në kohë normale një ekonomi kapitaliste nuk mund ta konsumojë asnjëherë të gjithë atë që prodhon, duke bërë që të ketë përherë një tepricë që shkon dëm (gruri që digjet në furra, harenga që hidhen në det etj., etj.) dhe përherë papunësi. Nga ana tjetër, në kohë lufte ka problemin që nuk mund t’i prodhojë të gjitha ato që duhen sepse asgjë nuk prodhohet n.q.s. dikush nuk mendon se mund të nxjerrë fitim duke e prodhuar mallin në fjalë.
Në një ekonomi socialiste këto probleme nuk ekzistojnë. Shteti thjesht llogarit se cilat të mira mund të jenë të nevojshme dhe bën më të mirën për t’i prodhuar ato. Prodhimi është i kufizuar vetëm nga sasia e punës dhe lënda e parë. Paraja, për qëllime të brendshme, resht së qeni diçka misterioze e plotfuqishme dhe merr formën e një lloj kuponi ose tolloni, të lëshuar në sasi të mjaftueshme për të blerë ato të mira konsumi që mund të jenë të gatshme në atë moment. Sidoqoftë është bërë e qartë gjatë viteve të fundit se ‘‘pronësia e përbashkët mbi mjetet e prodhimit‘‘ nuk është një përkufizim i mjaftueshëm i socializmit. Këtu duhen shtuar edhe: barazia e përafërt në të ardhura (nuk ka pse të jetë më shumë se përafërsisht), demokracia politike dhe zhbërja e të gjitha privilegjeve të trashëguara, veçanërisht në arsim. Këto janë thjesht masat mbrojtëse ndaj rishfaqjes së sistemit të klasave. Pronësia e centralizuar ka shumë pak kuptim nëse masa e njerëzve nuk ka afërsisht të njëjtin nivel jetese dhe nuk ka njëfarë kontrolli mbi qeverinë. ‘‘Shteti‘‘ mund të përfundojë në një parti të vetëzgjedhur politike dhe oligarkia e privilegji – të bazuara më shumë te pushteti se te paraja – mund të kthehen.
Po fashizmi çfarë është?
Fashizmi, si në rastin e versionit gjerman, është një formë kapitalizmi që huazon nga socializmi vetëm ato tipare që e bëjnë atë me eficent për qëllime lufte. Së brendshmi, Gjermania ka shumë ngjashmëri me një shtet socialist. Prona nuk është zhdukur, ka akoma kapitalistë dhe punëtorë, dhe – kjo është pika kryesore dhe arsyeja e vërtetë pse të pasurit në të gjithë botën kanë prirjen ta simpatizojnë fashizmin – në përgjithësi të njëjtët njerëz janë kapitalistë dhe të njëjtën njerëz janë punëtore, siç ishte edhe para revolucionit nazist. Por në të njëjtën kohë shteti, që është Partia Naziste, është në kontroll të gjithçkaje. Kontrollon investimet, lëndën e parë, normën e interesit, orët e punës, pagat. Pronari i fabrikës e zotëron fabrikën, por për qëllime praktike ai është reduktuar në rolin e një menaxheri. Të gjithë janë në të vërtetë nëpunës të shtetit, por rrogat kanë diferenca të mëdha. Eficenca e thjeshtë e këtij sistemi, pra eliminimi humbjes dhe mbingopjes, është i dukshëm. Në shtatë vite ka ndërtuar makinerinë më të fuqishme luftarake që ka parë bota.
Megjithatë ideja themelore e fashizmit është e papajtueshme me atë të komunizmit. Si pikëmbërritje të fundit socializmi ka për qëllim një shtet botëror me njerëz të lirë dhe të barabartë. Të drejtat e njeriut i merr për të mirëqena. Nazizmi pretendon krejt të kundërtën. Motori i lëvizjes naziste është besimi te pabarazia njerëzore, superioriteti i gjermanëve mbi të gjitha racat e tjera, e drejta e Gjermanisë për të drejtuar botën. Përtej Rajhut gjerman nuk njeh asnjë detyrim. Profesorë të famshëm nazistë kanë ‘‘provuar‘‘ në mënyrë të herëpashershme se vetëm njeriu nordik është plotësisht njeri, si edhe kanë shpërndarë edhe idenë se jonordikët mund të jenë kryqëzuar me gorilla! Pra, edhe pse ekziston njëfarë socializmi-lufte brenda shtetit gjerman, sjellja kundrejt kombeve të pushtuara është në të vërtetë ajo e një shfrytëzuesi. Funksioni i çekëve, polakëve, francezëve etj. është thjesht të prodhojnë ato të mira për të cilat mund të ketë nevojë Gjermania, dhe të marrin në këmbim vetëm aq sa për t’i frenuar ata nga rebelimi i hapur. Në qoftë se ne do të pushtohemi, me siguri puna jonë do të ishte të prodhonim armë për luftërat e ardhshme të Hitlerit me Rusinë dhe Amerikën. Në fakt, nazistët kanë për qëllim të ngrenë një sistem kastash, me katër kasta që u ngjasojnë shumë atyre në fenë hinduiste. Në krye është Partia Naziste, e dyta është masa e madhe e gjermanëve, e treta përbëhet nga popullsia e pushtuar evropiane. E katërta dhe e fundit do të përbëhet prej zezakëve, “gjysmë-shimpanzetë” siç i quan Hitleri, të cilët do t’i nënshtrohen skllavërisë së pastër.
Ky sistem funksionon, sado i tmerrshëm të duket. Funksionon sepse është një sistem i planifikuar dhe i përshtatur për një qëllim të qartë, pushtimin e botës, dhe nuk lejon asnjë interes privat, qofshin ato të kapitalistit apo të punëtorit, që t’i ndalin rrugën. Kapitalizmi britanik nuk funksionon sepse është një sistem konkurrues ku interesi privat është dhe duhet të jetë objektivi kryesor. Është një sistem ku të gjitha forcat tërheqin në drejtime të kundërta dhe interesat e individëve janë shpesh, në mos totalisht, të kundërta me ato të shtetit.
Gjatë të gjitha viteve kritike kapitalizmi britanik, me të gjithë makinerinë gjigante industriale të tij, ishte i pabarabartë në përpjekjet e përgatitjes për luftë. Për një përgatitje moderne për luftë duhet që t’i kanalizosh shumicën e të ardhurave kombëtare në armatime, që do të thotë edhe shkurtim të shpenzimeve për të mira. P.sh. një avion bombardues është i barabartë me pesëdhjetë makina të vogla motorike, ose dhjetë mijë palë çorape mëndafshi, ose dhjetë milion panine. Sigurisht nuk mund të kesh shumë avionë bombardues pa e ulur standardin e përgjithshëm të jetesës. Siç e theksoi marshalli Gering: ose armë, ose gjalpë. Megjithatë nuk mund të bëhej tranzicioni në Anglinë e Chamberlain-it[3]. Të pasurit nuk donin të paguanin taksat e nevojshme dhe përderisa të pasurit janë dukshëm akoma të pasur as të varfrit nuk mund të taksohen shumë ashpër. Për më tepër, meqenëse objektiv kryesor është fitimi, prodhuesi nuk ka asnjë stimul për të kaluar nga prodhimi i të mirave të konsumit në prodhimin e armëve. Detyra e parë e një biznesmeni është t’i shërbejë aksionerëve të tij. Ndoshta Anglisë i nevojiten tanke, por ndoshta është më fitimprurës prodhimi i makinave motorike. Të duash të pengosh materialet e luftës të arrijnë te kundërshtari është e kuptueshme, por t’i shesësh ato për çmimin më të lartë në treg është një detyrë biznesi. Në fund të gushtit të 1939-s tregtarët britanikë bënin akrobaci me njëri-tjetrin në gatishmërinë e tyre për t’i shitur Gjermanisë kallaj, gomë, bakër, shulak – dhe kjo në dijeninë e plotë që lufta do fillonte në javët e ardhshme. Ishte aq e ndjeshme sa ç’është t’i japësh dikujt briskun për të prerë veten. Por ishte biznes i mirë.
Dhe tani shikoni rezultatet. Pas 1934-s dihej se Gjermania po riarmatosej. Pas 1936-s gjithkush me një palë sy në ballë e dinte se lufta po vinte. Pas Mynihut çështja ishte vetëm se kur do të niste. Në shtator 1939 lufta nisi. Tetë muaj më vonë u mësua se për sa i përket armatimeve, ushtria britanike nuk ishte as në standardet e vitit 1918. Ne i pamë ushtarët tanë tek niseshin të dëshpëruar drejt bregut, me një aeroplan kundër tre, me pushkë kundër tankeve, me bajoneta kundër armëve të rënda. Nuk kishte as mjaftueshëm pistoleta për të gjithë oficerët. Pas një viti lufte mungonin 300.000 helmeta. Po ashtu, më parë kishte pasur edhe mungesa uniformash – kjo në një nga vendet e para në botë për prodhimin e materialeve të leshta.
Ajo që kishte ndodhur është se e gjithë ‘’klasa paremadhe’’ duke mos dashur të ndryshojë mënyrën e jetesës, i kishte mbyllur sytë përballë natyrës së fashizmit dhe luftës moderne. Media e kanalit, që jeton përmes reklamave dhe që ka për interes të normalizojë kushtet për tregtinë, e ushqente publikun me optimizëm fals. Vit pas viti media Beaverbrook na siguronte në titujt e saj se NUK DO TË KETË LUFTË, dhe jo më larg se fillimi i 1939-s zoti Rothermere e përshkruante Hitlerin si ‘’zotëri i madh’’. Ndërkohë që Anglia në momentet e katastrofës kishte mungesa në pothuajse të gjitha materialet e luftës përveç anijeve, heshtet për faktin se nuk kishte fare mungesa për makina motorike, pallto leshi, buzëkuq, çokollatë apo rezerva mëndafshi. A guxon njeri të thotë se e njëjta luftë tërheqjeje-litarësh mes përfitimeve private dhe nevojave publike nuk po vazhdon akoma?! Anglia lufton për jetën e saj, por biznesi duhet të luftojë për fitimin. Nuk mund të lexosh një gazetë pa vënë re sesi këto dy procese kontradiktore zhvillohen njëkohësisht. Në të njëjtën faqe ku qeveria këshillon që të kursejmë del një shitës që na sugjeron të blejmë luksozitete të pavlera.
Por ka diçka që jep shpresë – ndryshimi i dukshëm në opinionin publik. Nëse do mund t’i mbijetonim kësaj lufte, humbja në Flandrës do të mbetet si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Anglisë. Në këtë katastrofë spektakolare, klasa punëtore, klasa e mesme dhe një pjesë e komunitetit të biznesit mund të shohin rrënjët e thella të kapitalizmit privat. Përpara këtij rasti kapitalizmi nuk ishte vënë asnjëherë në provë. Rusia, i vetmi vend krejtësisht socialist, ishte e prapambetur dhe shumë larg. I gjithë kriticizmi u përplas në fytyrën prej miut-në-kurth të bankierëve dhe buzëqeshjes vesh-më-vesh të aksionerëve. Socializëm? Ha, ha, ha! Nga do vijnë paratë? Ha, ha, ha! Të zotët e pronës ishin të prerë në pozicionin e tyre, dhe këtë e dinin. Por pas rënies së Francës erdhi diçka që nuk mund të largohej më me të qeshur, diçka kundër të cilës as çeqet dhe as policia nuk mund të bënin gjë – bombardimi. Zweee – BOOM! Çfarë është? Oh, vetëm një bombë mbi bursë. Zweee – BOOM! Një hektar tjetër nga prona e çmuar e ndonjërit në geto u zhduk. Në çdo rast Hitleri do të hyjë në histori si njeriu që e bëri qytetin e Londrës të qeshë në anën e gabuar të fytyrë së saj. Për herë të parë në jetën e tyre, të rehatuarit ishin të parehatshëm, optimistit profesionist iu desh të pranojë se diçka nuk shkonte. Ishte një hap i madh përpara. Që nga ai moment, puna e kobshme e të përpjekurit t‘iu shpjegosh njerëzve të budallallepsur se një ekonomi e planifikuar mund të jetë më mirë se një ekonomi “e lirë për të gjithë” ku i më i keqi fiton – ajo punë nuk do jetë më aq e kobshme sa më parë.

E përktheu: Alban Pira

Marrë nga libri i George Orwell-it, “The Lion and the Unicorn: Socialism and the English Genius”, i botuar gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Në të Orwell-i fshikullon klasën sunduese britanike për paaftësinë e saj për t’u përballur me sulmin nazist, çka do të lypte, sipas tij, edhe një ndryshim radikal të sistemit ekonomik dhe shoqëror. Arsyet pse po e sjellim këtë ese nuk janë vetëm historike, por edhe për të kujtuar një mendimtar dhe aktivist të përkushtuar në kritikën ndaj kapitalizmit dhe përpjekjen për ndërtimin e një socializmi demokratik. George Orwell-i është njëri prej nesh, jo ikona e varfër e betejës ideologjike të Luftës së Ftohtë.
Shënime:
[1]‘’Full fathom five’’ – Kjo shprehje është përdorur për herë të parë në një nga veprat e Shekspirit.
Full fathom five thy father lies;
Of his bones are coral made’.

Mund të ketë ndonjë ngjashmëri me shprehjen frazeologjike ’’10 pashë nën toke’’, mirëpo konteksti ku e përdor Shekspiri duket se është tjetër, pasi bëhet fjalë për thellësi deti dhe jo toke. Edhe në kontekstin ku e përdor Orwell-i në fjali kemi të bëjmë me supë, d.m.th. diçka e lëngshme dhe jo e ngurtë si toka. Po ashtu kjo është më shumë si njësi matëse që po ta llogarisnim duhet të dalë mbi 10 metra, mirëpo duke mos gjetur diçka të përafërt unë e kam përshtatur si ‘po zhytemi thellë’, edhe pse nuk qëndron krejtësisht. (Shën. përkth.)
[2]‘’Paddle steamers’’ dhe ‘’screw steamers’’ emërtojnë dy mënyra të ndryshme lëvizjesh përmes përdorimit të avullit. Një formë pak më e vjetër e anijes ka disa lopata te lidhura paralelisht dhe që rrotullohen me drejtimin vertikal dhe qëndron në pjesën ballore të anijes (duket sikur roli është më shumë ta tërheqë sesa ta shtyjë anijen). E dyta është forma tjetër e vënies në lëvizje të anijes përmes helikës që është në pjesën e pasme të anijes. Për asnjërën nga këto nuk kam gjetur ndonjë emër në shqip, kështu që i kam emërtuar thjesht si ‘’helika’’ dhe ‘‘lopata në formë radiale’’. (Shën. përkth.)
[3] Kryeministri anglez që më 1938, së bashku me Hitlerin, Musolinin dhe kryeministrin francez Daladier nënshkruan “Marrëveshjen e Mynihut”, e cila i lejonte Gjermanisë aneksimin e krahinës çekosllovake të Sudeteve. Kjo marrëveshje njihet si koncesioni që u tregoi nazistëve se perëndimorët nuk kishin fuqi ta ndalnin politikën e tij ekspansioniste. (Shën. red.)

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.