/Bertolt Brecht/
(…vijon nga postimi i datës 28 shkurt)
Marksi proletarëve
Marksi u flet punëtorëve me një emër të ri: si proletarë (jo si proletariat).
Ai u kërkon proletarëve që të ndërhyjnë në histori.
Ai u thotë proletarëve se ata mund të ndërhyjnë në histori.
Marksi zbulon në histori një rrugë për ndryshimin e prodhimit material.
Marksi u bën të qartë proletarëve se ata mund ta ndryshojnë prodhimin material.
Marksi u tregon proletarëve armiqtë e tyre, ata që pengojnë ndryshimin e prodhimit material. Ai i emërton armiqtë e proletarëve: kapitalistë.
Detyra dhe tradhtia
Ç’lloj njerëzish janë dhe cilës gjendjeje i përkasin ata për të cilët në rastin më të mirë mund të thuash: ai është vërtet gjykatës, por i drejtë; ai është vërtet mjek, por përpiqet të shërojë; ai është një mjeshtër ndërtimi, por ndërton banesa të jetueshme.
Organizimi që lidh gjërat i ndan njerëzit. Nga të gjitha marrëdhëniet që kanë me njëri-tjetrin, çfarë mbeten janë ato “materiale”. Në vend që të merren më shumë gjëra përsipër, nuk ka përgjegjësi. Në pika të ndryshme duket se të gjithë kanë interesa të ndryshme për t’i shërbyer diçkaje. Kur përpiqen t’i ngjasojnë njëri-tjetrit, besojnë se po bëjnë detyrën; por arkitekti thotë: Nëse investitori nuk më siguron paratë, nuk mund ndërtoj banesa të jetueshme, dhe mjeku përgjigjet: Nëse banesat janë të pajetueshme, nuk vijnë më njerëz të shëndetshëm. Duke bërë detyrën dhe duke i ngjasuar njëri-tjetrit, secili tradhton veten dhe të gjithë tradhtojnë të tërën.
Kur kërkojmë pafajësinë e një gjykatësi të caktuar pasi fajtor është i gjithë sistemi dhe jo ai, sillemi në mënyrë të papërgjegjshme sepse kur ai, duke ndjekur sistemin dhe jo zemrën e tij, bën padrejtësi, nuk i bën asgjë sistemit.
Për të shtypurit
Shokë, përpara se të ishim socialistë, ne ishim të pafat. Para se të njihnim të vërtetën e marksizmit, ne kemi njohur të vërtetën e urisë. Nga kjo kohë e mjerimit të thellë dhe pashpresës ne kemi filluar të simpatizojmë të gjithë të mjerët dhe të pashpresët, dhe të shtypurit e të gjitha llojeve janë të vetmit josocialistë që respektojmë. Shokë, miqtë tanë, zezakët, nuk janë socialistë, por janë të pafat. Ne i simpatizojmë dhe iu urojmë që edhe ata si ne, duke qenë të pafat, të duan të bëhen socialistë.
Argument kundër Hitlerit
Në verën e vitit 1933 po flisja me disa të njohur mbi Hitlerin. Ky kishte dërguar dhjetëra mijëra punëtorë gjerman në burgje, i kishte mbyllur ose vrarë ne kampe përqendrimi, dhe të gjithëve na kishte ndarë, prandaj edhe biseda po bëhej në Paris. Dikush tregonte se ai e kishte parë një herë në një lokal në Mynih piktorin i cili asokohe mund të të linte ta trajtoje si qen për një markë. Ndërsa rrëfente, shtoi se këtë histori të vërtetë nuk e kishte treguar asnjëherë në një rreth më të gjerë shoqëror pasi, sipas tij, ky nuk ishte argument kundër një njeriu të tillë.
Këtu ndërhyri një shoku im, i cili ishte komunist: ‘Kundër një njeriu të tillë edhe ky është argument. Për mua, kundër një njeriu të tillë gjithçka përbën argument‘.
Ky ishte edhe mendimi im.
Masat kundër dhunës
Teksa po shprehej kundër dhunës përpara një auditori me shumë njerëz, zoti Kojner, mendimtari, vuri re se si njerëzit tërhiqeshin dhe largoheshin nga ai. Ai hodhi një sy përreth dhe pa se mbrapa tij po qëndronte – dhuna.
‘’Çfarë thua?’’ – e pyeti dhuna.
‘’Po shprehem pro dhunës’’ – u përgjigj zoti Kojner.
Kur po largohej, nxënësi i tij e pyeti nëse kishte shtyllë kurrizore. Zoti Kojner u përgjigj: ‘’ Nuk kam shtyllë kurrizore për të thyer. Tani më duhet të jetoj më gjatë se dhuna.’’
Dhe zoti Kojner tregoi historinë e mëposhtme:
Në banesën e zotit Ege, i cili kishte mësua të thoshte jo, erdhi një ditë në kohën e ilegalitetit një agjent. Ai tregoi një dokument të lëshuar nga ata që kontrollonin shtetin, ku thuhej se atij i përkiste çdo banesë ku shkelte; po ashtu i përkiste çdo ushqim që dëshironte; gjithashtu çdo njeri që shikonte duhet t’i shërbente atij.
Agjenti u ul në një karrige, kërkoi për të ngrënë, lau duart, u shtriq dhe pyeti me fytyrë nga muri përpara se ta zinte gjumi: ‘’Do më shërbesh?’’
Zoti Ege e mbuloi me batanije, i largoi mushkonjat, u kujdes për të gjatë gjumit dhe si sot shtate vjet me radhë në këtë ditë iu bind atij. Por nga të gjitha ç’bënte për të, një gjë e ruante për vete: nuk thoshte asnjë fjalë. Tek po i vinte fundi vitit të shtatë, dhe agjenti ishte shëndoshur nga e ngrëna e tepërt, gjumi dhe urdhrat, agjenti vdiq. Aty zoti Ege e mbështolli me batanijen e grisur, e flaku jashtë shtëpisë, lau vendin, pastroi muret, mori frymë dhe u përgjigj: “Jo!”
Pyetja nëse ka Zot
Njëri e pyeti zotin K. nëse kishte Zot. Zoti K. i tha: “Të këshilloj të mendosh nëse sjellja jote do të ndryshonte në varësi të përgjigjes ndaj kësaj pyetjeje. Nëse nuk do të ndryshonte, atëherë mund ta injorojmë pyetjen. Nëse do të ndryshonte, atëherë të paktën mund të të ndihmoj duke të thënë: Ti tashmë e paske vendosur. Ty të duhet një Zot.”
Suksesi
Zoti K. pa një aktore që po kalonte dhe tha: “Është e bukur.” Shoqëruesi i tij tha: “Ajo ka pasur së fundmi sukses sepse është e bukur.” Aty zoti K. u inatos dhe tha: ‘’Ajo është e bukur sepse ka pasur sukses.”
Një përgjigje e mirë
Një punëtor u pyet përpara trupit gjykues nëse do të përdorte formën kishtare apo atë sekulare të betimit. Ai u përgjigj: “Jam i papunë.” – “Kjo nuk ishte thjesht mungesë vëmendjeje” – tha zoti K. “Përmes kësaj përgjigjeje ai bëri të ditur se gjendej në një pozicion ku të tilla pyetje, dhe ndoshta i gjithë procesi gjyqësor si i tillë, nuk kishin kuptim.”
Dy qytete
Zoti K. ndërroi qytetin A me qytetin B. “Në qytetin A” – tha ai, “më donin, por në qytetin B ishin të sjellshëm me mua. Në qytetin A isha i dobishëm, por në qytetin B kishin nevojë për mua. Në qytetin A më mbanin në tavolinë, por në qytetin B më mbanin në kuzhinë.”
Mbi tradhtinë
A duhet të mbahet premtimi?
A duhet të jepet premtimi? Aty ku duhet të premtohet diçka, nuk ka rend. Pra ky rend duhet të prodhohet. Njeriu nuk mund të premtojë asgjë. Çfarë i premton krahu kokës? Që ai do të mbetet krah dhe nuk do të bëhet këmbë. Sepse çdo shtatë vjet ai është një krah tjetër. Kur dikush tradhton dikë, a ka tradhtuar të njëjtën gjë që ka premtuar? Për aq kohë sa njëri, të cilit i është premtuar diçka, hyn vazhdimisht në marrëdhënie të tjera dhe e ndryshon veten vazhdimisht pas këtyre marrëdhënieve, si mund t’i mbahet atij ajo që i është premtuar një tjetri? Mendimtari tradhton. Mendimtari nuk premton asgjë, përveçse do të mbetet mendimtar.
Kush njeh kë?
Zoti Kojner pyeti dy gra mbi burrat e tyre.
Njëra dha informacionet e mëposhtme:
“Unë kam jetuar njëzetë vjet me të. Kemi fjetur në një dhomë dhe në një shtrat. Kemi ngrënë vaktet bashkë. Ai më ka shpjeguar të gjitha punët e tij. I kam njohur prindërit dhe kam mbajtur lidhje me të gjithë shoqërinë e tij. Dija çdo sëmundje për të cilën ai ishte në dijeni, madje edhe për më shumë se kaq. Nga të gjithë të njohurit, ai është njeriu që njoh më mirë.
“Domethëne e njeh atë?”– pyeti zoti Kojner.
“E njoh.”
Zoti Kojner pyeti edhe gruan tjetër për burrin e saj.
Ajo tha:
“Shpesh nuk vinte fare për një kohë të gjatë, dhe unë nuk e dija kurrë a do të vinte përsëri. Që prej një viti nuk ka ardhur më. Nuk e di nëse do të vijë prapë. Nuk e di nëse vjen nga një familje e mirë apo nga rruga. Unë jam nga një familje e mirë. Nuk e di a do të vinte tek unë sikur të vija nga një familje e keqe. Ai nuk më shpjegon asgjë. Flet me mua vetëm për punët e mia. Këto ai i di mirë. A e di unë se ç’thotë ai? Kur vjen ndonjëherë ka uri, ndonjëherë është i ngopur. Por ai nuk ha përherë kur është i uritur, dhe kur është i ngopur nuk i thotë jo vaktit. Njëherë erdhi me një plagë. Unë ia fashova. Një herë u tregua i durueshëm. Një herë i përzuri të gjithë njerëzit nga shtëpia ime. Kur e quaj ndonjëherë “zoti i errët”, qesh dhe thotë: Çfarë ka shkuar është e errët, por çfarë ka mbetur është e ndritur. Po ndonjëherë merr një pamje të ngrysur kur i drejtohem kështu. Nuk e di nëse e dua. Unë…”
“Mos fol më!” – tha zoti Kojner. “E shoh që ti e njeh atë. Askush nuk e njeh tjetrin më shumë sesa ti atë.”
Mendimtari dhe nxënësi i rremë
Një nxënës i rremë erdhi te zoti K. dhe i tha: “Në Amerikë ka një viç me pesë koka. Çfarë mendimi ke?” Zoti K. tha: “Nuk mendoj asgjë.” Aty nxënësi i rremë u gëzua dhe tha: “Sa më i mençur të ishe, aq më shumë mund të kishe thënë.” Budallai pret shumë. Mendimtari thotë pak.
Mbi dyshimin
Nxënësi Me-tis mbronte pikëpamjen se njeriu duhet të dyshojë gjithçka që nuk e sheh me sytë e tij. Për shkak të kësaj pikëpamjeje negative, ai u tall dhe u largua nga klasa i pakënaqur. Pas njëfarë kohe u kthye dhe tha te pragu: Duhet të korrigjohem. Njeriu duhet të dyshojë edhe atë që sheh me sytë e tij. I pyetur se çfarë e kufizon atëherë dyshimin, mësuesi Do tha: dëshira për të vepruar.
E përktheu Alban Pira
Bibliografi:
Walter Benjamin: The Author as Producer, Verso, f. 93.
Bertolt Brecht: Schriften zum Theater 1, Gesamelte Werke 15, Suhrkamp, f. 262, 263, 264.
Bertolt Brecht: Schriften zur Politik und Gesellschaft. Gesamelte Werke 20, Suhrkamp, f. 54,71, 86, 86-87, 205.
Bertolt Brecht: Prosa 2, Gesamelte Werke 12, Suhrkamp, f. 375, 375-376, 380, 383, 387, 389, 409, 504.
Imazhi: Rose Marie Berger
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).