Prej më se një muaji faqja e Organizatës Politike ka reshtur së funksionuari. Arsyet kanë qenë teknike dhe jashtë fuqisë sonë për t’i ndryshuar. Në kushtet e reja u gjendëm përpara dy alternativash: ta rihapnim faqen me të njëjtin emër, duke ndryshuar vetëm domenin, apo t’i jepnim asaj një emër të ri. Pas diskutimeve të gjata brenda grupit redaksional, arritëm në përfundimin se prej kohësh faqja e Organizatës Politike i kishte kapërcyer kufijtë dhe qëllimin fillestar të hapjes së saj. E konceptuar më 2012 si organ mediatik i Organizatës Politike, me kalimin e viteve ajo kishte nisur të merrte trajtat e një reviste majtiste. Në shkrimet e saj kishte vend gjithnjë e më tepër për lëvrues idesh që i kapërcejnë konturet e ngushta të një organizate dhe formojnë një hapësirë publike alternative. Një hapësirë ku shkruesit i bashkon fryma kritike, mospranimi i horizonteve politiko-shoqërore të mbyllura dhe përpjekja që nëpërmjet mendimit të artikuluar të cifloset hegjemonia e klasave sunduese. Kështu që vendosëm t’ia ndryshonim emrin dhe të përpiqeshim, kësaj radhe në mënyrë të qëllimshme, për ta zgjeruar hapësirën tonë kritike duke mirëpritur lëvrues të rinj të mendimit majtist.
Për të mos e ndarë me thikë procesin e vetëtransformimit dhe ruajtur pasurinë e përbashkët intelektuale të krijuar gjatë këtyre viteve, në faqen e re do të ribotojmë dalëngadalë të gjitha shkrimet e www.opolitike.org.