/Lëvizja Për Universitetin/
Në dy dekadat e fundit dhe veçanërisht me tregtarizimin e jetës universitare, libri universitar është kthyer në një problem të madh të jetës universitare si për cilësinë e tij shkencore, ashtu edhe për marrëdhëniet ekonomike dhe etike pedagogë-studentë që ka krijuar. Ndodh rëndom që studentët të detyrohen nga pedagogët për të blerë librat e tyre. Këta pedagogë jo vetëm shkelin etikën dhe njollosin idenë e universitetit, por fyejnë edhe kolegët e tyre që punojnë me ndershmëri në universitetet publike. Kjo situatë problematike duhet të marrë fund. Më poshtë po propozojmë disa pika që do të shërbenin për të orientuar qasjen ndaj këtij problemi dhe zgjidhjet e mundshme.
Parime të përgjithshme
1. Studentët nuk mund të detyrohen të blejnë libra. Ata duhet të kenë mundësinë e zgjedhjes midis blerjes së librit, marrjes së tij në bibliotekë, përdorimit të librit nga të tjerët, përdorimit të shënimeve dhe, në raste të caktuara, fotokopjimit.
2. Nëse pedagogu kërcënon direkt ose indirekt studentët për blerjen e librit – nëpërmjet marrjes së emrave shënim vetë apo përmes ndihmësve të tij – ai është duke shkelur etikën pedagogjike. Më e pakta që meriton është të pushohet nga puna. Në raste të caktuara, kur interpretohet si abuzim me detyrën, çështja mund të ketë edhe pasoja penale.
3. Çdo libër që përdoret për leksione dhe seminare duhet të gjendet në disa kopje në bibliotekën e fakultetit dhe në Bibliotekën Kombëtare.
4. Çdo libër që përdoret në leksione dhe seminare duhet të jetë miratuar paraprakisht nga departamenti.
Çmimi
Çmimet e librave mund të përcaktohen nga tregu dhe institucionet publike. Kur libri botohet në mënyrë private, atëherë çmimi i tij duhet të vendoset duke respektuar në maksimum lirinë e blerësit për ta blerë ose jo. Në kushtet e lirisë së zgjedhjes, nëse çmimi do të ishte i lartë në terma absolutë apo krahasuar me cilësinë e përmbajtjes së tij, blerësit do ta refuzonin atë. Kur librat subvencionohen dhe botohen nga ente publike – siç duhet të ndodhë me universitetet publike – çmimi i tyre duhet të jetë më i ulët se i tregut dhe më i përballueshëm nga studentët. Problemi me të cilin ndeshen sot studentët është se pjesa më e madhe e librave botohen nga vetë pedagogët dhe çmimi i tyre përcaktohet arbitrarisht në kushtet ku pedagogu e ka të lehtë të sigurojë blerës. Diçka e tillë ndodh pasi është pedagogu ai që vendos për përdorimin vetëm të librit të tij dhe, nga ana tjetër, herë pas here e imponon blerjen përmes kërcënimit me notë. Kjo ka sjellë një situatë absurde ku disa libra kanë çmime marramendëse, të cilat po të shiteshin në treg të lirë nuk do t’i blinte askush.
E drejta e autorit
Në parim, çdo autori libri i takojnë të gjitha meritat dhe të ardhurat që mund të vijnë nga përdorimi i punës së tij studimore. Mirëpo në kushtet ku pedagogu është edhe autori i librit, edhe personi që vendos se me ç’libër do të studiojnë studentët e tij gjendemi përpara një konflikti interesi. Është krejt e mundur që pedagogu autor libri të vendosë që studentët të përdorin librin e tij nisur jo nga arsye objektive mësimore-shkencore, por nga përfitimet financiare që do të vijnë nga shitja e librit. Kështu pedagogu nuk është thjesht monopolist, por monopolist që në kushte të caktuara ta imponon përmes kërcënimit blerjen e librit të tij. Në këtë situatë, një zgjidhje do të ishte vendosja e një çmimi të ndershëm libri.
Çmimi i ndershëm
Si ta përcaktojmë çmimin e ndershëm të një libri? Mund të nisemi nga norma mesatare e fitimit në ekonominë shqiptare, e cila për vitin 2017 është llogaritur 8.5%. Në rastin e pedagogut, normën e fitimit mund ta shumëzojmë me dy përderisa ai është edhe sipërmarrës, edhe punëtor. Pra ai do duhej shpërblyer edhe për riskun e investimit të kapitalit, edhe për punën e kryer. Nëse parashikohet që një botim 500 kopjesh do të shitej për 5 vjet, norma e përgjithshme e të ardhurave shtesë do të ishte 8.5x2x5=85%. Kështu nëse një libër pa ngjyra dhe figura të mëdha ka një kosto prej 400-500 lekësh të reja, çmimi i shitjes së tij nuk mund të kapërcejë 740-925 lekëshin.
Nëse e krahasojmë me pagën minimale neto, që në Shqipëri shkon rreth 21,000 lekë në muaj, çmimi i librit nuk duhej të ishte më shumë se 3.5%-4.4% të pagës mujore të një punëtori të varfër. Po të marrim për bazë pagën mesatare neto prej 38,000 lekë në muaj, çmimi i librit duhet të luhatet midis 1.9%-2.4% të pagës mesatare.
Rrugëzgjidhja
Edhe nëse kriteret e mësipërme respektohen, shumë studentë do ta kishin të vështirë blerjen e librave. Prandaj nevojitet shtimi i financimit shtetëror të universiteteve publike dhe krijimi i enteve botuese publike që botojnë libra me çmim shumë të lirë për studentët. Në këtë rast edhe pedagogët do të kishin mundësi të shpërbleheshin sipas vlerës së punës së tyre, pa marrë shtigjet e rrezikshme dhe nganjëherë të turpshme të të bërit sipërmarrësin e librave.
Që të mos abuzohej me botime librash vetëm për hir të botimit, por të garantohej cilësia e tyre shkencore dhe pedagogjike, në çdo fakultet do të duhet të ngrihen komisione vlerësimi. Anëtarë të këtyre komisioneve duhet të jenë studiues – nga brenda dhe jashtë fakultetit – të fushave përkatëse, të cilët gjatë ushtrimit të kësaj detyre dhe disa vjet më pas do t’u ndalohej të botonin librat e tyre duke përdorur fondet e entit publik të botimeve.
Nga ana tjetër, fakultetet duhet të siguronin kopje të bollshme të të gjitha librave që përdoren për leksione dhe seminare, çka do t’u mundësonte studentëve nevojtarë të përdornin libra pa pasur detyrimin t’i blejnë.
Në mungesë të realizimit të këtyre kushteve, e drejta e studentëve për të marrë dije përmes fotokopjimit të librave qëndron më lart se e drejta e autorit.
Imazhi: Study Breaks Magazine
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).