/Arlind Qori/
U mbush java që kur studentë të Universitetit të Prishtinës janë mobilizuar për të shpëtuar idenë e universitetit, ose më saktë atë që e mban gjallë pavarësisht tullave, orendive, copave të diplomave dhe fantazmave që hyjnë e dalin. Duke marrë shkas prej zullumeve të fundit të zyrtarëve universitarë, posaçërisht rektorit, por edhe më gjerë të një pjese të shpurës mësimdhënëse, një numër studentësh, sa në rritje sasiore, aq edhe në thellim përkushtimor, i kanë prerë udhën fizikisht dhe simbolikisht paudhësive në Universitetin e Prishtinës. Abuzimet e fundit financiare, lapërdhitë me gradat e titujt shkencorë lidhen me një situatë politike në degradim autoritar e sipër dhe me një strukturë shoqërore që shton varfërinë, thellon pabarazitë, shndërron në fletë cigareje formale të drejtat etj.
Po cilat janë simptomat e problemit universitar në Prishtinë? Më së pari, organizimi i brendshëm i universitetit në bazë të klientelës pushtetore, ku qeveria riprodhon veten te burokratët drejtues të universitetit dhe përmes tyre e sheh veten të pasqyruar me sadopak sqimë, që në të vërtetë nuk e ka. Burokracia drejtuese universitare, më pas, sipas të njëjtës logjikë, riprodhon dhe riprodhohet në segmente të gjera të trupës akademike, madje edhe më poshtë, aty ku “përfaqësuesit” e studentëve, të kollarisur sidozot, i lidhin duart sa në gishtat universitarë, aq edhe në ushkurin qeveritar. Në kohë të pashpresa si këto, një ushkur të jep shpresë, se fundja skrupujt këmbehen dhe turpi hahet me bukë.
Për shumëkënd mjerimi është normë, e degradimi lëvizje drejtvizore e njëtrajtshme, njëtrajtshmëria e të cilit krijon koordinatat mendore të pranimit. Bash kur gjërat ndryshojnë me të njëjtin ritëm, paçka se për keq, me to mësohesh, megjithëse nuk të mësojnë gjë për situatën në të cilën ndodhesh dhe shtegarratisjet prej saj. Këtij pesimizmi, me rrënjë të thella në strukturën shoqërore dhe forcën institucionale politike, iu kundërvu një grup nismëtar studentësh, disa prej tyre të njohur edhe më herët për “donkishotizma” si p.sh. kërkimi i pak të drejte e dinjiteti më shumë. Prej ditës së parë ata jo vetëm kërkuan, por edhe vunë në jetë shkarkimin e rektorit, pamundësia fizike e të cilit për të hyrë në mjediset e punës mishëron një dëbim faktik. Rektori s’guxon t’i qaset zyrës së tij, paçka se një aradhe mbresëlënëse policësh të veshur si për guerilje urbane i ndan zyrat nga zemërata dhe indinjata hijerëndë studentore.
Por kauza nuk mbaron këtu. Të vetëdijshëm se varfërimi i kushteve të jetesës studentore prodhon dëshpërim dhe dorëzim, studentët kërkesave për dorëheqje, autonomi universitare etj., u kanë shtuar edhe përmirësimin e kushteve të mësipërme. Zhvillimet e dekadave të fundit, më gjerë se Kosova dhe hapësira shqiptare, dëftojnë më së miri se varfërimi progresiv nuk prodhon kurrfarë mllefi kolektiv emancipues, por fshehje në zhguallin personal, apo atë të ngushtë familjaro-fisnor, që më fatlumëve u krijon privilegje, e shumëkujt të pafat i garanton vendin e sigurt në sediljen e prishur në fund të autobusit.
Me një fjalë, studentët e universitetit të Prishtinës duan të ruajnë çka mbetur nga emri i Universitetit të Prishtinës, dikur rrezehedhës përtej kufijve të Kosovës për sa e sa kauza emancipuese, dhe në përgjithësi të krijojnë kushtet e rindërtimit të universitetit sipas idesë së universitetit. Dhe kjo e fundit, ideja pra, si universale, është e pakëmbyeshme, e panëpërkëmbshme. Ajo mund të tradhtohet nga mëtuesit e saj rastësorë, por gjithnjë do ta lërë vendin bosh për të përkushtuarit që vijnë më pas. E tashmë, pas mishërimit të saj historik më 1968, 1981 dhe 1997, ajo, ideja e universitetit po gjen trupa të rinj, po aq besnikë ndaj saj si dikur, në kushte të reja, por me të njëjtin shqetësim: Universitetin si publike, si log të barabartësh që riprodhojnë cilësisht barazinë dhe dijen kritike. Studentët e Prishtinës nuk janë, siç thuhet rëndom në fjalime të bojatisura e ardhmja e asgjëje, ata janë e tashmja emancipuese e Kosovës, e tashmja e mbarsur me një të ardhme më të mirë. Ata janë shembulli dhe frymëzimi ynë, këndej kufirit, për probleme ku të ngjashme, e ku më të rënda. Universitetit tonë këndej nuk i kërcënohet vetëm një burokraci feudalucësh, as interesat pushtetore, por shkërmoqja në gjenezë e tij: privatizimi i logjikës dhe trupit të tij.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.