/Klodi Leka/
Përkufizimet mbi socializmin e shekullit XX janë të shumta. Ai është quajtur e keqe absolute prej konservatorëve dhe totalitarizëm nga liberalët. Megjithatë, ekziston edhe një literaturë e larmishme kritike brenda të majtës e cila, pa rënë në grackat subjektiviste dhe shablloniste të liberalizmit e konservatorizmit, e ka përkufizuar të quajturin regjim komunist si kapitalizëm shtetëror, socializëm burokratik, degjenerim i shtetit të punëtorëve në diktaturë mbi punëtorët (Trocki) dhe “komitet burokratik i vënë mbi aksionin dhe vitalitetin e klasës punëtore” (R. Luksemburg). Edhe Maoja, ironikisht, kur e pyesnin se ku ndodhej borgjezia kineze, thoshte: “Ku ndodhet borgjezia? Në partinë komuniste ndodhet!”.
Edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare ka një kritikë të ngjashme maoiste ndaj burokratizimit të pushtetit të punëtorëve, siç është poezia “Pashallarët e kuq”. Megjithatë, ashtu si shoku Mao, edhe Kadareja i godiste burokratët e vegjël e të mesëm duke glorifikuar rolin e udhëheqësit. Nëse për Maon në pikëpyetje ishte pushteti personal, për Kadarenë kjo ishte taksa që duhej të paguante shkrimtari në regjimet staliniste. Edhe për një nga veprat më lapidare të tij “Dimri i vetmisë së madhe”, i shkruar në 1971 dhe i botuar në 1972, pastaj i hequr nga qarkullimi deri në 1978, Kadareja është akuzuar shpesh për lartësimin e figurës së Hoxhës si udhëheqës i madh i një populli të vogël.
Por, sipas meje, ky ishte haraçi që Kadareja duhej të paguante për të shkruar me aq guxim, stil, qartësi, shpengim e bukuri për jetën urbane të borgjezëve të vegjël të socializmit, pushtetin dhe sekretet, erosin dhe meskinitetin e tyre: të paraqiste si filozof mendimtar e të pagjumë për fatet e popullit kryeburokratin e tij. Akoma më shtie në mendime fakti se si brenda skemave të ngurta të realizmit socialist në arte dhe stalinizmit politik të Hoxhës, Kadarenë nuk e ka pushkatuar “Dimri” i tij. Sepse aty, Kadareja nxjerr lakuriq krejt regjimin dhe kalbëzimet e tij. Prandaj në këtë shkrim do të përpiqem të paraqes të ashtuquajturit borgjezë të vegjël të socializmit, burokratët dhe sunduesit e tij, në jetën private dhe publike.
***
Shquarjen e dukurisë së klasës së pavarur prej popullit, pavarësisht se në parim përfaqësuese e pushtetit të tij, Kadareja nuk e rrëfen vetë në formë përshkrimi, por e paraqet përmes monologut të një rioshi të mendueshëm dhe problematik, vëlla i një kuadri të ri dhe bir i një partizani të famshëm, teksa lëviz nëpër mjediset e kësaj klase:
“Nga dy-tre libra që kishte lexuar dhe nga disa filma që kishte parë për Perëndimin, Benit i ishte krijuar njëfarë mendimi se ç’ishin ato që quheshin atje familje të mëdha dhe që qenkan shtyllat e rendit borgjez. Tani, për herë të parë, ai po zbulonte se familje të përafërta, por të një krahu krejt të kundërt, kishte edhe në botën komuniste. Në filmat që kishte parë për familjet e tilla borgjeze tregohej për drama që lidheshin gjithmonë me ndarje pronash, gjyqe të pafundme trashëgimie, rrokullima të lemerishme. Kurse në familjen e Maksit gjithçka ishte e lidhur me kongrese të Partisë, me plenume të Komitetit Qendror dhe kthesa të mëdha politike” – “Dimri i vetmisë së madhe”, Onufri 2012, f. 247
Ata janë kudo, në nyjat nevralgjike të sistemit, në zyrat e shtetit dhe në konsullatat e jashtme, në ushtri dhe në komandën e partisë, me burim legjitimiteti sakrificat e djeshme dhe lidhjet e forta familjare me pushtetin:
“Maksi i kishte treguar diçka për njerëzit e tij, kryesisht për babanë, por tani Beni shikonte se ç’familje e madhe komunistësh ishte ajo. Militantë të vjetër antifashiste, të vdekur nëpër burgje, zyrtarë të shtetit të porsakrijuar, dy zëvendës-ministra, një ambasador dhe, me në fund, një aviator i ri, krejt i ngjashëm me Maksin, vrarë para gjashtë muajsh, gjatë një uljeje me avionin e tij reaktiv.” –f. 245
Më tutje, Kadareja portretizon edhe jetën e rretheve mikroborgjeze kryeqytetase, inxhinierë të lartë të specializuar jashtë me paratë shtetit, të cilët zakonisht nuk kanë lidhje me luftën dhe janë brezi i rindërtimit, me kulturë frankofone ose filosovjetike. Këta të dytët, të përshkruar shpesh si dandy prej shkrimtarit, pësuan një fat tragjik nga prishja me sovjetikët, siç qe ndarja nga bashkëshortet ruse dhe gjyqet e ashpra politike. Kushdo që ka lexuar “Ridënimin” e Fatos Lubonjës, besoj se mund ta ketë më të qartë pamjen e përgjithshme të dramës:
“Tri dhomat, mesorja dhe kuzhina e apartamentit nr. 141, të Pallatit 1, në rrugën ‘Frederik Engels’ ishin plot me zëra, tinguj magnetofoni dhe hapa njerëzish që vallëzonin. Në fronat e shtyrë nëpër kënde ishin ulur dhe bisedonin me zë të mekur, me sy gjysmë të mbyllur, këngën “Mbrëmje në rrethinat e Moskës”. Dikush pinte ende në tryezë, tundte kryet, ashtu siç bënin në kësi rastesh rusët dhe i thoshin dikujt, që ndoshta e quanin Petrit: davaj, Petja.” – f. 318
Po kështu, nëpërmjet vëzhgimeve të një korrespondenti të huaj që shpengohet rrugëve tiranase dhe në agorat e pushtetit në kërkim të skupit e të skandalit – pra, prishjes së marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik – Kadareja paraqet gruan e pushtetshme të kohës, gruan e re qytetare dhe ish-guerilase, e cila fill me mbarimin e luftës qe përfshirë vrullshëm në jetën politike të partisë:
“Sytë e tij u ndalën për të tretën herë mbi një grua që rrinte pak mënjanë. Ishte një grua pakëz e shëndoshë, me flokë të bukur, të çelet. (…) Para një ore, ai kishte mësuar se ajo grua, e veja e një personaliteti të rëndësishëm komunist, kishte qenë një kohë të gjatë zëvendës-ministre dhe tani ishte funksionare e lartë në organizatat e masave dhe fliste frëngjisht. Mbiemri i saj ishte Bermema. Ishte e këndshme, pak e shpërqendruar. Kishte qenë disa herë në Perëndim, me punë të ndryshme. Në Romë, në Londër. Ata përmendën disa rrugë të famshme, shkëmbyen mendime për disa sheshe, madje për një kafene ku kishin pirë kafe që të dy.” – f. 53
Po kështu Kadareja, përpos peizazheve të jetës individuale të borgjezëve të vegjël të socializmit, shpalos edhe mondanitetin e tyre kolektiv, shtëpitë e pushtetit, lozhat dhe sallonet me ftesa, pije, koncerte dhe se si pjesëmarrja në këto darka pushteti bëhet tregues i statusit social:
“Besniku eci përpara përmes kopshtit të madh. Nga të dyja anët e rrugës nxinin makinat. Besniku shtyhej përpara në kërkim të pallatit. Kishte diçka përrallore. Rruga lakohej nga e djathta dhe ngjitej butësisht drejt hyrjes. Atje, nën fenerët e hekurt, rrinin në këmbë dy njerëz. Që brenda, përmes qelqnajës së trashë të dyerve, vinte një dritë e ngrohtë dhe një zhurmërimë njerëzore. Besniku nxori ftesën. Deshi të thoshte ‘jam nga ata të Moskës’, por nuk ia arriti.
Hyni, ju lutem – tha njeriu që pa ftesën.” – f. 194
Por ai, Kadareja, ashtu si edhe Ardian Vehbiu te libërthi “Kulla e sahatit”, tek historizon arkitekturën e kryeqytetit, vë në pah se pas luftës, kasta burokratike staliniste përvetëson së pari ndërtimet e reja buzë bulevardit, godinat neoklasiciste, simbole të kolonializmit fashist, të cilat i shndërron shpejt në qendra të pushtetit:
“Dollia ishte ngritur. Kamerierët po sillnin haje dhe pije të tjera (…) Qilimat e kuq rrëzëllenin të gëzueshëm nën qindra hapat e të ftuarve. Dëgjohej muzike. Besniku e ndjeu veten mirë. Pallati ishte vërtetë i bukur. I quajtur prej komunistëve Pallati i Zi dhe po prej tyre i pagëzuar më pas Pallati i Brigadave (…) me kanapetë, qilimat dhe mermerin e shkallëve, nën engjëjt dhe figurat mitologjike të pikturuara në qiellzanat, me llambadarët, emblemat perandorake dhe shenjat e Romës së vjetër (…) Tani sallat e ngrënies ishin pothuajse të braktisura dhe shumica e të ftuarve endeshin në holl, nëpër kthinat anësore, ku kishin filluar të shërbenin kafe në këmbë, si dhe në një sallon të madh, përbri sallës kryesore, ku vazhdonte të jepej koncert. (…) Midis tyre kishte ministra, ambasadorë të huaj, anëtarë të Komitetit Qendror, gjeneralë, sekretarë partie”.
Pastaj, përveç shtëpive të mëdha të pushtetit, ata përvetësojnë edhe vilat e bukura të borgjezisë tregtare, të cilat shquhen për shijen e rafinuar dhe mjediset e rehatshme. Tek kuturiset në to, Kadareja shpërfaq edhe drekat e bollshme të kësaj kaste, shijet estetike dhe pajisjet moderne shtëpiake, ndërkohë që elektrizimi i përgjithshëm i vendit u krye një dekade më vonë (vitet ’70) dhe futja masive e televizionit nëpër shtëpi vetëm në vitet ’80:
“Ja dhe shtëpia e Zanës. Ishte një vilë e madhe dykatëshe. Në katin e parë, si në shumicën e vilave të asaj rruge, banonin të zotët e shtëpisë, një familje e deklasuar pas luftës. Në katin e dytë të vilës, dhoma e bukës ishte ngjitur me kuzhinën. Ishte një dhomë e këndshme, lyer me ngjyrë të çelet. Pranë dritares ishte një kaktus i madh. Në mur, një natyrë e qetë.
Kam bërë taljatele, ashtu siç të pëlqejnë ty – tha Liria duke i hedhur Besnikut në pjatë.
Pas taljateleve, Liria shtiu nëpër pjata biftek me patate të skuqura dhe me sallatë ruse.
Kurse ky është kremkarameli i Zanës, tha Liria, duke nxjerrë nga frigoriferi katër pjata të vogla.
(…) Makina larëse bënte një zhurmë të butë.”- f. 10, 17, 18
Ndërkohë, si një shkrimtar modern e urban, qyteti është kudo në krijimtarinë voluminoze të Kadaresë, me një individualitet të vetin dhe një jetë që portretizohet e gjallë, përplot me rrugë, teatro dhe kafene. Tirana e “Dimrit” nuk është aspak një qytet i zymtë dhe pa reklama:
“Në Rrugën e Dibrës mezi kalohej nga njerëzit. Autobusët lëviznin ngadalë, duke marrë përndritje nga vitrinat. Në Rrugën e Barrikadave u përplas disa herë me kalimtarët, ngaqë e mbante kokën lart për të lexuar tabelat. Enë kuzhine. Kafe. Birrari. Ja, më në fund: Fotostudio. (…) Ai mori faturën dhe doli. Jashtë kishin filluar të binin përsëri ca pika të vogla. Eci nën strehët e tregtizave, duke lexuar padashur tabelat në anën tjetër të rrugës. Pastrim kimik. Bar-bufe. Barnatore.” – f. 7
Ajo kishte edhe një farë ekstravagance njerëzore, me qafëleshët akoma të padënuar prej Revolucionit Kulturor kinez, jo rrallë fëmijë familjesh të privilegjuara, të cilët përpiqeshin të importonin një stil më liberal të jetës qytetase të përftuar në daljet e tyre jashtë shtetit, qoftë edhe duke ndenjur kot në bordurat e kryqëzimeve të mëdha të qytetit, si Rruga e Dibrës apo Banka Kombëtare:
“Ai, që ata e thërrisnin Vanceslav, u buzëqeshi që larg. Kishte studiuar një vit për gjeologji në Pragë, por e kishin kthyer mbrapsht, ngaqë kishte ngelur. Në të vërtetë, atij i kishte lindur të parit mendimi që të dilnin e të rrinin çdo ditë me orë të tëra në Rrugën e Dibrës. Ai u tregonte se kështu kishte qëndruar me shokët e tij në sheshin “Vanceslav” në Pragë dhe se, në përgjithësi, të gjitha kryeqytetet e kampit socialist kishin nga një “Broduej” të tillë, siç ishte, për shembull, rruga “Gorki” në Moskë ose ndonjë rrugë e Varshavës.” – f. 43
Edhe jeta kulturore në qytet është e gjallë, me të rinj që okupojnë kinematë dhe teatrot, të cilat janë vatra snobizmi intelektual, por edhe qoshka të erotizmit rinor, ngjashëm me Moskën e Kadaresë së ri:
“Salla e teatrit, lozhat dhe gjallëria ishin plot. Ata i kishin vendet në plate. Duke kaluar në korridorin midis ndenjëseve me kadife të kuqe, Zanës i ra në sy se në sallë kishte shumë vajza dhe gra të veshura bukur. Ato rrinin me atë mospërfillje të veçantë që rrinë njerëzit në teatër, duke ndjekur me një vështrim neutral, pak të lodhur, ata që vinin të fundit (…) Zanës i pëlqente atmosfera që krijohej gjatë olimpiadave kombëtare teatrale. Asaj i pëlqenin afishet që viheshin kudo nëpër qytet, turma që mbushte sheshin para teatrit dhe njerëzit që të prisnin rrugën në çdo hap për të pyetur: “A keni biletë tepër?” – f. 259
E kjo Tiranë e viteve ‘6o, me kafenetë e përmbytura me muzikë vallëzimi dhe muret përplot me afishe kinematografike, në kujtimet e korrespondentit francez shfaqet plot xixa, e shkujdesur, pothuajse një ëndërr e çuditshme:
“Iu kujtua nata e fundit e qëndrimit nq Shqipëri, kur ai qe endur për një kohë të gjatë nëpër rrugët e Tiranës, nën një shi të imët. Kudo nëpër lokale dëgjohej muzikë. Bëheshin mbrëmjet e fundit të vallëzimit, me rastin e mbylljes së muajit të miqësisë shqiptaro-sovjetike. Ai ndalej herë pas here te dyert e hyrjeve të veshura me avull, prapa të cilave njerëzit që vallëzonin, muzika, (…), orkestrantët, dritat, gjithë ajo botë matanë qelqit xixëllonte e largët si Kashta e Kumrit.” – f. 154
Ata, borgjezët e vegjël të socializmit, nuk kanë përvetësuar vetëm shtëpitë e pushtetit dhe vilat e tregtarëve, veturat dhe pikturat, por edhe shijet e tyre luksoze në paraqitjen e jashtme:
“Gjatë dimrit, ata vinin rresht për të porositur pulovra, me një përqeshje të përhershme në sy, sikur të thoshin: për rroba banje dhe pulovra jeni të mirë ju borgjezët. Kurse Emilia e trembur bëhej aq servile në sytë e tyre.” – 21
Ata, lirinë e tyre për të dalë në Evropë me punë shtetërore apo bursa bujare shkollimi e shfrytëzonin veçanërisht për të blerë rroba që në tregun vendas nuk mund t’i gjeje kurrsesi, e pikërisht pezullimi i kësaj prirjeje bëhet motiv për komplikim dhe më tej ndërprerjen e fejesës midis kuadrit së ri dhe vajzës së zv-ministrit:
“ Më kupton, Besnik, më vjen rëndë që të hap një bisedë të tillë të mjerë, por (…) ne kemi biseduar bashkë edhe më parë për këtë gjë, të kujtohet, unë të kam thënë se i përbuz ata që, kur shkojnë jashtë shtetit, nuk mendojnë veçse të blejnë rraqe dhe ti e di mirë se unë ty s’të bëra asnjë porosi, por megjithatë… së paku, për të më treguar se më ke kujtuar.” – f. 204
Vaniteti, po kështu, është i dëshirueshëm dhe ndez tundime mes tyre:
“(…) Më besoi, mendoi ai dhe e puthi. Ajo ndenji e palëvizur, e ngrirë. Ai ndjeu aromën e lehtë të parfumit që Kristaqi ia kishte sjellë asaj nga jashtë shtetit dhe papritur, si një përbindësh i porsazgjuar, iu zgjua dëshira për të.” – f. 205
Po kështu, te fëmijët e llastuar me kremkaramel dhe komoditete të importuara të ndihmësve të burokracisë sunduese, pikaset edhe prirja e tyre për konsum, e cila i verbon dhe i magjeps ata:
“Në atë kohë, sytë e tij kapën profilin e Zanës, që po dilte nga shitorja bashkë me atë shoqen, me një paketë të madhe në dorë. Ai u rras pas murit gjersa ato kaluan. Ishin krejt të mahnitura prej asaj rrangullës që kishin blerë dhe as që vinin re ç’bëhej përreth. (…) Vitrinat, që gjer dje ishin si të verbra nga pikat e ujit, tani pasqyronin koka dhe këmbë kalimtarësh që lëviznin ngadalë. Ata të dy nisen të notonin turbullt midis orendive dhe shtretërve dysh, pas qelqeve të një mobilierie. (…) Rrembat e drurit të mobilieve sajonin gjithfarë përfytyrimesh, duke filluar nga krahët e fluturave te kokat e hipopotameve.” – f. 44, 78
Erosi në veprat e Kadaresë, pavarësisht konservatorizmit kulturor të pushtetit dhe realizmit letrar socialist, ndeshet kudo:
“Liria hodhi një sy të shpejtë nga fytyra e njërit tek e tjetrit, duke u munduar të kuptonte se mos kishte ndonjë shkak ky shpejtim. Ishte e natyrshme që, pas njëzet ditëve të kaluara së bashku në një hotel turizmi në plazh, mund të kishte vend për një dyshim të tillë. Mirëpo fytyrat e tyre mbeten mjaft të qeta nën shikimin e saj.” – f. 18
Jo vetëm te të rinjtë, por edhe në rrethet e larta vlonte erosi, flirti, hedonizmi, që shpesh merrte përmasat e skandalit:
“I zoti i shtëpisë, Viktor Hila, buzëqeshi. Ajo është e sinqertë, mendoi. Ai i vështroi për disa çaste flokët, sytë, qafën e mermertë, gjithë qenien e saj të përkorë, të hajthme, të stërholluar, të bërë gati të tejdukshme nga dashuria, siç thonin, dhe përsëriti me vete: ajo është e sinqertë. Viktori ishte një nga të rrallët që nuk u besonte thashethemeve për Anën (…) Burri i saj, Frederiku, vështronte mendueshëm gotat e mbushura përgjysmë me verë të bardhë “Riesling”. (…) Midis tij dhe Anës, shpërthente herë pas here stuhia, më shumë për faj të pakujdesisë së saj sesa xhelozisë së tij. Grindja e fundit kishte ndodhur kur Frederiku kishte gjetur fare rastësisht, midis të brendshmeve të saj, librin e shkrimtarit Skënder Bermema, dhuruar Anës me një kushtim tepër mjegullor. Një tymnajë qelqi, e kishte cilësuar Skënder Bermema në minutën e parë të njohjes së tyre.”
Mirëpo tëhuajësimin e kësaj shtrese nga masat popullore, rënien dhe zvetënimin e saj e përshkruan me qartësi dramatike personazhi i një gruaje mjaft të pushtetshme, me gjasë ajo e Liri Belishovës, e cila qe e vetmja që kundërshtoi prerë dhe publikisht prishjen me sovjetikët. Ja si e përshkruan Kadareja muzgun e fundit të saj:
“Shpinorja e fronit ishte e akullt. U ngrit dhe me hapa të shpejtë iu afrua makinës.
Ec kot nëpër qytet – i tha shoferit.
Nga dritaret e makinës, ajo shikonte njerëzit që bëheshin gati të kapërcenin udhëkryqin, kalimtarët nëpër trotuare, vitrinat e zbukuruara. Gjithçka ishte e largët, si nga një botë tjetër. (…) Rruga ishte e lagur nga mjegulla. Përbri u duk vitrina e gjatë e një parfumerie.
Ndaloje këtu – tha ajo papritur.
Dy tre nga kalimtarët e panë me kureshtje kur ajo zbriti nga makina. Ata kthyen kokat dhe në sytë e tyre u duk një habi edhe më e madhe kur ajo hyri në parfumeri. (…) Shitësja, ndoshta ngaqë e njohu, u turbullua. Një nga blerësit i pëshpëriti diçka shoqes te veshi.
Urdhëroni? – tha shitësja me zë të ulët.
(…) Doli nga parfumeria pa vështruar njeri dhe hipi në makinë. Në shtëpi, i shoqi që kishte dëgjuar, siç dukej, zhurmën e makinës, e priste pas derës.
E? – pyeti ai.
Ajo bëri një shenjë, si për të thënë se gjithçka mbaroi. Ai u bë dyllë i verdhë në fytyrë. (…) Dera e studios ishte dy gisht e hapur dhe ai afroi kryet. Ajo që pa ishte e habitshme. Në vend që të ishte e ulur në tryezën e punës, të përkulur mbi shkresa, dosje ose mbi fjalimin e mbledhjes së ardhshme, ajo kishte qëndruar në këmbë pranë pasqyrës dhe me një lëvizje të panatyrshme të dorës, ajo po provonte një të kuq buzësh.” – f. 240, 241, 242
Me rënien e regjimit dhe ardhjen e pluralizmit politik, fati i mikroborgjezëve të socializmit ishte të mbeturit përsëri mikroborgjezë. Shkollimin dhe specializimet e jashtme, të diturit e disa gjuhëve të huaja dhe avantazhe të tjera, pra gjithë kapitalin kulturor dhe profesional e kthyen në kapital ekonomik përmes vënies ne shërbim të misioneve ndërkombëtare që zbarkuan në vendin tonë. Megjithatë, si dje ashtu edhe sot, pushtetarë politikë dhe rrogëtarë të mesëm, pasuria e tyre vijon të mbetet e pakrahasueshme në raport me pasurimin e pazakontë të oligarkëve kapitalistë, të cilët përvetësuan gjithë pronat dhe pasuritë e akumuluara në gjysmë shekulli socializëm. Edhe Kadareja, me rënien e socializmit, frikës dhe censurës, sikur e humbi magjinë e tij.
Imazhi: Shkodra Web
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)