/Arlind Qori/
Një nga shtyllat gjithnjë e më peshëmbajtëse të programit të Partisë Socialiste dhe ligjërimit të kryetarit të saj është qasja ndaj biznesit të vogël; më konkretisht zotimi për t’i hequr taksat, e më përgjithësisht mbështetja për të si formë vetëpunësimi etj. Shumëkush mund të argumentojë me të drejtë se masa të tilla i përgjigjen kërkesave të drejtësisë së përkufizuar si barazi përpjesëtimore, lehtësojnë nga pikëpamja njerëzore barrën e familjeve që edhe pse s’janë krejt të varfra, fqinjërojnë me varfërinë, luftojnë papunësinë etj. Të gjitha këto, së bashku me përfundimet shumëshkakësore për ndryshimin e qeverisë vlejnë: ose më saktë vlejnë, por nuk mjaftojnë! Prandaj përtej çfarëdo rezultati përparimtar hipotetikisht, mbetet për t’u kuptuar se pse çështja e biznesit të vogël shtrohet me kaq ngulm, pasqyrohet mediatikisht po ashtu, dhe s’has debat të mirëfilltë në thelb, por në detaje. Të qenët problem themelor shoqëror nuk mjafton, përderisa skamja apo shërbimi shëndetësor shkretinor të tilla janë, por as së afërmi nuk përbëjnë çështje për të ngritur pyetje tronditëse apo dhënë zgjidhje të guximshme.
Këtu jemi në fushë të ideologjisë. Një prej karakteristikave të saj është prodhimi i besimeve, vlerave e përfytyrimeve të cilat ndërthurin realizmin e moskapërcimit të status quo-së me hapësira të ngushta ndryshimi që shërbejnë për t’i shndërruar të mësipërmet në praktika shoqërore funksionale. Kështu, në krizën që ka mbërthyer kapitalizmin kudo, qasja ideologjike mishërohet në heshtimin e problemit apo kontradiktave themelore, skualifikimin e zgjidhjeve të guximshme dhe gjetjen e ilaçit çudibërës në modifikime të lehta sistemore, të cilat jo vetëm nuk e kapërcejnë logjikën sistemore, por përkundrazi, në emër të besnikërisë autentike ndaj saj qortojnë sipërfaqësisht ekseset sistemore.
Prandaj, e përthyer në vegjën e kritikës së ideologjisë, përparësia e biznesit të vogël në ligjërimin e Ramës rend në kërkim të kapitalizmit autentik të sipërmarrësit të vogël përkundër tradhtisë dhe devijimeve strukturore të biznesit të madh, i cili është i identifikueshëm më lehtë në praktikat bashkëkorruptive me qeverinë. Ëndrra liberal-ekonomike është shkruar ngaherë në rrjetën simbolike të sipërmarrësit të vogël, krijues, të devotshëm, që përmes punës së tij shembullore dhe shpirtit të garës vetëpunësohet, zgjerohet, punëson të tjerë, e bashkë me ta dhe krejt shoqërinë përparon. Që nga përrallat me gjinkallën e milingonën, historitë e stisura mbi gjyshër sipërmarrës dhe fishkëllyes në hije të plepit, e deri tek kronikat e TVSH-së së fillimviteve 90 mbi histori të suksesshme biznesi në shitjen e petullave, ëndrra kapitaliste ushqehet prej shpirtit sipërmarrës të biznesit të vogël. Edhe kur ky i fundit gdhihet i madh, zor se e harron origjinën e tij modeste, çka shërben jo vetëm si frenues korruptimi korporativist, por edhe si vetëdije se pa mikrobashkëbiznesuesit e tij, kapitalizmit do t’i lëkundej toka nën këmbë. Dhe jo vetëm kaq. Ekzistenca e tij shërben dhe përdoret si shembull i mundësive që duan veç vullnet, sakrificë dhe ndonjë dhunti të zakonshme natyrore për t’u kapur; mundësive për të gjithë, ku bashkësia e të gjithëve përjashton dembelët e papunë (ose në rastin më të keq viktima rastësore të korruptimit qeveritar), ose punëtorët e padhuntishëm, për të cilët përgatitet purgatori i punës për të tjerët. Kësisoj, biznesi i vogël nuk shërben thjesht si mundësi, por si mundësia për të pasur mundësi, ku mundësia e parë kërkon gjithmonë ndryshime qeveritare, por jo sistemore.
Një qasje e tillë nuk është ideologjike vetëm sepse është e rreme, për shkak se në vend të analizës kritike strukturore përdor paragjykimet apo përvojat e rëndomta e të shtrembëruara vetjake, por mbi të gjitha sepse krijon vetëdije shoqërore që i kanalizojnë energjitë politike kah riprodhimi i të njëjtës situatë. Kësisoj, në rastin shqiptar, problemi nuk është kapitalizmi në tërësi, madje ai as përmendet me emër, por mbytja që binomi i korruptuar qeveri-klientë korporativistë i bëjnë shpirtit autentik sipërmarrës shqiptar.
Besnikëria ndaj fjalës magjike biznes është besnikëri ndaj kapitalizmit si të tillë. Në fund të fundit kritika apo premtimi për ndryshim bëhen në emër të një kapitalizmi më autentik, më të ndershëm, sado oksimoronik të tingëllojë si togfjalësh, kapitalizmit të bizneseve të vogla, të cilat nuk e pengojnë rritjen kah biznesi i madh, por e moderojnë atë duke e shkallëzuar. Kështu, kushti i një kapitalizmi funksional do të ishte shkallë-shkallja ngjitëse piramidale, ku baza si gjerësi dhe rëndësi mbetet tek biznesi i vogël, ndërkohë që i madhi fare vetëdijësohet urtësisht se pa mizërinë e të vegjëlve të suksesshëm do të fluturonin në hava. Prandaj termi propagandistik Rilindje duhet marrë si tregues i mirëfilltë, pavarësisht qëllimit, i një të vërtete brendasistemore. Nuk na duhet një lindje e re e mirëfilltë, që me të tashmen që po bëhet e shkuar ta ndajë gjithçka, por një përsëritje e të njëjtës lindje, por tashmë pa ekseset, gjymtimet dhe vështirësitë e lindjes së parë: na duhet ai që Slavoj Žižek-u, jo pa qëllim, e qesëndis si “kapitalizëm me fytyrë njeriu”.
Këtij ligjërimi i nevojitet biznesi i vogël si i vogli relativ, si i vogli me kusht, si i vogli më i vogël, përveç atyre që nuk u zihet emri në gojë. Biznesi i vogël është subjekti i të drejtës së nëpërkëmbur, por që njëherazi njeh dhe kërkon të njihet tek një e drejtë me të cilën ndan të njëjtën logjikë: atë të fitimit, pavarësisht përmasave, dhe konkurrencës, pavarësisht pasojave. Atij i njihet e drejta, paçka se nuk i materializohet; i njihet taksimi qeveritar, paçka se duhen pritur zgjedhjet që t’i hiqet; i njihet mungesa e fuqisë blerëse, paçka se duhet pritur po aq që ajo magjishëm të rikthehet (po si?! Kushedi! Ndoshta përmes shumëfishimit të simotrave të vogla). Pra ai është subjekt i një të drejte të nëpërkëmbur, por jo i mungesës të së drejtës.
Megjithatë, në shkallë-shkalljen ngjitëse piramidale të bizneseve mungon diçka. Mungon nëntoka. Ajo që jo vetëm nuk ka të drejta, por as i njihen parimisht të tilla. Ajo që jo vetëm vuan, por as ka mundësi të artikulojë vuajtjen; ajo përpara së cilës shtrihet shkretëtira konceptuale; ajo që s’ka zë jo sepse thjesht i kanë zënë fytin, por se i kanë bjerrë fjalët e duhura – ato që shpërfaqin strukturalisht vuajtjen; fjalët që s’lypin mëshirë për të pafatët, por të drejtë si rrallëkush rrallëherë. Nëntoka janë punëtorët; jo thjesht ata që punojnë për të tjerët pa e pasur fatin të jenë të vetëpunësuar, por edhe ata që lypin punë e punë s’ka. Ata që në një regjistër tjetër simbolik mund të quheshin edhe themelet, por tash për tash e kushedi edhe për sa të tashme të së ardhmes do të mbeten nëntokë, herë si të shtënë nën dhe, herë si mëditës që me ditën nuk i bashkon drita, por paga përditshmërisht e pamjaftueshme, e herë si varrmihës kërcënues të piramidës. I vetmi rast kur punëtorët përmenden është si shifër papunësie apo si përfitues të pagave të ulëta në sektorin publik. Askush, asnjëherë, as vampirët në pushtet e as rilindësit, nuk e shquajnë emrin e punëtorit si të tillë, si të shpronësuar, të keqpaguar, të pasiguruar e të pasigurtë, të nënshtruar e të tëhuajsuar, makinën prodhuese që prodhon mirëqenie për të tjerët e mjerim për veten. Ai nuk është klasë apo kategori shoqërore. Ai është i deklasuari, ose më saktë jashtëklasori pasi mban mbi krye shkallë-shkalljen piramidale klasore. Në Shqipëri punëtori nuk është klasa punëtore, çka simbolikisht do të shënjonte përparim pasi do ta vendoste në tryezën e negociatave ndërklasore. Ai i përket joklasës, kurrizdalëve që me përkuljen e tyre mbajnë piramidën.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.