Aktivizmi studentor nuk mjafton

/Freddie de Boer/[1]
Tetë arsye pse universitetet nuk mund  të jenë vendi kryesor i organizimit të së majtës
Amber A’Lee Frost[2] ka të drejtë që universiteti nuk mund të jetë vendi kryesor i organizimit të së majtës (ose çfarëdo organizimi). (Nëse mendoni që është ide kot, ju ftoj të lexoni Port Huron Statement.[3])
Ju lutem vini re se kjo është një seri pretendimesh empirike, jo normative. Nuk po them që do të ishte mirë ose keq që kampusi të ishte vendi kryesor i një strategjie organizimi të një lëvizjeje të caktuar. Po them se nuk do të funksionojë, për të mirë apo për keq.

1. Në kampuse nuk ka shumë njerëz.

Ka shumë universitete vërdallë, dhe le të themi se është e justifikueshme mendësia e mbivlerësimit të numrit të studentëve. Por NCES[4] thotë që ka vetëm rreth 20 milion studentë në bachelor dhe master, të regjistruar në institucione post-sekondare që janë të licencuara për dhënien e diplomës. Në këto institucione punojnë rreth 4 milion vetë.
Nga ana tjetër e medaljes, kjo do të thotë se rreth 7.5 për qind e popullsisë amerikane, me një funksion a një tjetër, ndodhen gjithsesi rregullisht në kampus, duke lënë mënjanë çështjet e arsimimit online.
A është 7.5 për qind asgjë? Aspak. Është një masë kuptimplote njerëzish. Por edhe nëse secili prej tyre të ishte i aftë për t’u organizuar politikisht – gjë që natyrisht është larg së vërtetës – prapëseprapë kemi lënë jashtë shumicën dërrmuese të popullsisë së rritur.

2. Aktivizmi brenda kapusit është sezonal.

Nuk do të dëgjoni për protesta brenda kampusit për disa muaj. Pse? Për shkak të pushimeve verore. Pushimet janë jashtëzakonisht të vështira për grupet protestuese studentore. Pse “kryengritja e kampusit” e disa viteve më parë u shua? Në masë të madhe për shkak të pushimeve të Krishtlindjeve – semestri pranveror nuk ishte aq aktiv sa ai vjeshtor – dhe pastaj pushimet verore.
Aktivizmi kërkon momentum dhe vazhdimësi të praktikës, ndërsa pushimet e rregullta e bëjnë këtë mjaft të vështirë. Organizatat që janë të kujdesshme dhe kanë një udhëheqje të fortë në vend mund të ndërmarrin hapa për t’u përshtatur për këtë natyrë sezonale, por gjithmonë do të ketë përgjumje të madhe në organizimin e kampusit sipas kalendarit. Kurse politika bëhet gjatë gjithë vitit.

3. Studentët e kolegjeve janë popullsi e lëvizshme.

Meqë e kishim fjalën te vazhdimësia e praktikës, grupeve politike të kampuseve u duhet të zëvendësojnë vazhdimisht anëtarësinë dhe lidershipin sepse studentët në fund diplomohen. Gjithsesi, ky problem mund të përmirësohet me punë të madhe dhe planifikim, por është shumë e vështirë të kemi forcë konsistente në numra studentësh dhe vizion politik koherent, kur kemi parasysh një ndryshim 100% në një shtrirje kohore prej pesë deri në gjashtë vjet.

4. Konfliktet midis komunitetit universitar dhe popullsisë përreth mund t’i bëjnë organizimet lokale të vështira.

Mjerisht, shumë qytete universitare janë vende tensioni dhe mosbesimi të ndërsjellë midis komunitetit të kampusit dhe vendasve. Shkalla e këtyre tensioneve ndryshon shumë nga kampusi në kampus, ndonëse mund të përmirësohet. Në fakt, përpjekjet për t’i sheshuar këto ndarje mund të jenë forma më e mirë e aktivizmit studentor.
Por kemi rastin kur konfliktet e ndjeshme mes kolegjeve dhe qyteteve në të cilat ato ndodhen e bëjnë shpesh të vështirë ndërtimin e një solidariteti kuptimplotë përtej mureve të kampusit, të cilat shpesh shërbejnë si një mur i padukshëm përkatësie dhe komuniteti.

5. Studentët janë shumë të zënë që t’i kushtojnë shumë kohë organizimit.

Shtatëdhjetë për qind e studentëve punojnë. Një e katërta kanë fëmijë të cilët varen nga ta. Këta studentë gjithashtu duhet të bëjnë gjithë ato punë të nevojshme për të qenë studentë. Duhet të jemi realistë dhe të mos ua hamë hakun kur vjen puna te koha e tyre. Kështu që do të kuptojmë se shumica e studentëve nuk do të jenë në gjendje  të angazhohen politikisht për shumë orë gjatë javës.

6. Studentët kanë prioritet të natyrshëm dhe të justifikueshëm që të punësohen.

Çdo njeri që punon është natyrisht në rrezik të ketë pasoja profesionale për angazhimin e tij politik, por studentët ndoshta kanë shqetësime të veçanta ndaj të qenit publikisht aktivë politikisht, veçanërisht në epokën e internetit.
Në ditët tona, të gjithë ne po ndërtojmë një arkivë lehtësisht të kërkueshme dhe të aksesueshme publikisht të gjërave që kemi bërë e menduar më parë. Kjo është problematike veçanërisht për ata që ende nuk kanë gjetur vendet e tyre të para të punës dhe kanë ende për të ndërtuar një lloj kapitali social të nevojshëm që të ndjehen të sigurt në aftësinë e tyre për të gjetur punë, edhe pse me një të kaluar politike kontroverse.
Kam përshtypjen se shumica e studentëve janë të prirur të jenë politikë, por e ndiejnë se thjesht nuk mund të rrezikojnë, dhe kjo është një frikë që duhet ta respektojmë, duke pasur parasysh tregun modern të punës.

7. Aktivizmi i kolegjit mund të jetë ose një vend me rëndësi të pakët ku studentët mësojnë dhe rriten në mënyrë të sigurt, ose një vend themelor i organizimit – por nuk mund të jetë edhe ashtu, edhe kështu.

Shpesh, kur studentët aktivistë bëjnë gabim (si p.sh të detyrojnë mbylljen e një ore të lirë joge për studentët me aftësi të kufizuara sepse joga është “përvetësim kulturor”) mbrojtësit e tyre do të thonë se ata fundja janë vetëm fëmijë kolegji, kanë nevojë për ta dhjerë ndonjëherë, për të bërë gabime dhe për të qenë të lirë të dështojnë.
Problemi është se ky qëndrim nuk mund të bashkëjetojë me idenë se kampusi duhet të jetë një vend qendror i organizimit politik i krahut të majtë. Nëse ajo që ndodh brenda kampusit universitar është vendimtare për një lëvizje të majtë më të gjerë, atëherë nuk mund thuhet se të tilla gjëra nuk duhen marrë seriozisht; nëse organizimi studentor brenda kampusit është një hapësirë që është kryesisht pa pasoja për aktivistët e rinj, atëherë nuk mund të jetë një hapësirë ku bëhet puna thelbësore politike. Këto ide nuk janë të përputhshme.

8. Organizoni fuqinë punëtore brenda kampusit të universitetit sipas parimeve të punës!

Asnjë nga pikat e mësipërme nuk do të thonë se organizimi nuk duhet të ndodhë në kampua. Absolutisht që duhet. Por unë mendoj se e majta është shumë e fiksuar me atë që ndodh në hapësirat e kampuseve universitare, me gjasë sepse këto hapësira janë disa nga zonat e vetme ku e majta duket se ka fuqi reale. Studentët aktivistë duhet të inkurajohen që të angazhohen politikisht në mënyrë që të mësojnë dhe të rriten, por nuk duhet të imagjinojmë që ata janë pararoja e nevojshme për të majtën e re, duke pasur parasysh se vetëm një e treta e amerikanëve arrijnë të diplomohen.
Ndërkohë, ne gjithsesi duhet të vazhdojmë ta organizojmë kampusin si një vend pune. (Sa për shënim, Frost-i[5] është pjesë e një organizimi studentor, sikurse jam edhe unë.) Por kjo organizatë zhvillohet sipas parimeve të punës, jo sipas ndonjë diktati të veçantë të kulturës akademike. Dhe kjo na kthen në tezën themelore[6] të Frost-it: organizimi i punëtorëve, jo i studentëve, duhet të jetë fokusi kryesor dhe qëllimi i së majtës amerikane.

Përktheu: Dardan Konjufca

Marrë nga Jacobin

Shënime:
[1] Fredrik deBoer, i njohur si “Freddie”, punon në Kolegjin e Bruklinit në City University of New York. Më 2017, deBoer nisi një blog të quajtur ANOVA, duke diskutuar prirjet kryesore në arsim, legjislacionin dhe politikën federale në lidhje me arsimin, hulumtimet e reja dhe ekzistuese në këtë fushë, si dhe filozofinë dhe qëllimin e arsimit. Jeton në New York.
[2] Amber A’Lee Frost është shkrimtare dhe muzikante nga qyteti i Bruklinit. Ajo është pjesë e Komitetit Kombëtar Politik të Socialistëve Demokratik të Amerikës. Ka kontribuar në “Rosa Luxemburg: Her Life and Legacy and False Choices: The Faux Feminism of Hillary Rodham Clinton.”
[3] http://www2.iath.virginia.edu/sixties/HTML_docs/ Resources/Primary/Manifestos/SDS_Port_Huron.html
[4] National Center for Education Statistics (Qendra Kombëtare për Statistikat e Arsimit)
[5] Amber A’Lee Frost

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.