/Klodi Leka/
Sipas pikëpamjeve tona filozofike dhe politike, shoqëria nuk është unitare, por e ndarë në mes, në klasa dhe grupe shoqërore me interesa të papajtueshme dhe, herët a vonë, në konflikt me njëra-tjetrën. Andej janë agallarët, të cilët s’dinë të bëjnë dallim midis demokracisë dhe sundimit, e këtej qytetarët e policuar si barbarë, vandalë e skllevër të rebeluar.
Andej janë Nikolin Jaka dhe Luan Bregasi të Dhomës së Tregtisë, të cilët dënokan “dhunën” e vandalëve kundër biznesit. Këtej janë qytetarët kuksianë të cilët bëhen viktima të biznesit të të parëve, d.m.th. të zhvatjes së pronës publike në bashkëpunim me lapsin e politikës dhe shkopin e policisë.
Andej janë Erion Veliaj dhe Eduart Shalësi, që revoltën e Kalimashit e paralelizojnë me vandalët e Parkut të Liqenit dhe barbarët e Fierit. Këtej qytetarët e thjeshtë të këtij vendi që, përveç dhunës në shërbim të oligarkisë së betonit dhe mbeturinave, pështyhen edhe mbi baza sociale e krahinore prej personave në fjalë.
Andej priftërinjtë tregtarë të pushtetit si Karlo Bolino me shokë, të cilët vënë kujën kur populli ngrihet në këmbë, kundër armëve kimike dhe taksës së rrugës, duke akuzuar masën e njerëzve për dhunë dhe injorancë. Këtej masa milionëshe e qytetarëve, jeta e së cilëve kufizohet, rrezikohet dhe vështirësohet prej politikave të agallarëve dhe rrenave të priftërinjve të përnatshëm televizivë.
Andej ambasadori britanik Duncan Norman që, me deklarata të nxituara dhe pa ia kërkuar njeri mendimin, dënon “dhunën” nga lartësitë e salloneve me pesë yje. Këtej kuksianët e njohur për refugjatllëk që, përveç kufirit me gjemba midis vendit dhe Anglisë, tashmë duhet të kalojnë ilegalisht edhe kufijtë e vënë në mes të lagjes.
Andej opinioni publik i brumosur në kazanët mediatikë të pushtetit me jashtëqitje cinike dhe fataliste, të konformizmit dhe kozmopolitizmit provincial, që lëshohet si me porosi mbi bashkëqytetarët e këtejshëm, të rrahur e të rrjepur në ditën për diell prej policisë dhe pushtetit, në rrugë, në zyra, në ekrane, në kafenetë e klasit të lartë, në apartamentet luksoze të Unazës dhe në kodrat luksoze të oligarkëve. Përse? Për rrugën dhe lirinë për të lëvizur.
Ne jemi si dhe me të këtejshmit!
Imazhi: Organizata Politike
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).