/Maria Mies/
Ndonëse janë dhënë arsye ekonomike për të shpjeguar intensifikimin e fenomeneve si paja apo vrasjet për hir të pajës, përhapja e shpejtë e përdhunimeve, përdhunimeve nga policia, përdhunimeve në grup dhe të tjera sulmeve seksuale ndaj grave është shpjeguar kryesisht me argumentin biologjik, sipas të cilit seksualiteti i burrave është në thelb agresiv dhe bazohet në shtysa të papërmbajtshme, kurse seksualiteti i grave është në thelb pasiv e mazokist.
Grupet e grave që kërkuan ndryshimin e përkufizimit të pëlqimit (consent) në paragrafin mbi përdhunimin në Kodin Penal të Indisë kanë vënë në dukje se një grua e ka praktikisht të pamundur të vërtetojë se nuk ka dhënë pëlqimin në një marrëdhënie seksuale pasi rezistenca ndaj sulmit konsiderohet si jopëlqim vetëm kur gruaja frikësohet nga vdekja ose plagosja e rëndë. Kjo do të thotë se nëse një grua nuk ka mundësi të japë fakte se e kanë rrahur për vdekje, atëherë merret si e mirëqenë se ka dhënë pëlqimin për marrëdhënien seksuale. Ky përkufizim ka ndryshuar pas presionit të ushtruar nga protestat publike të grave, por ideologjia e shprehur në ligjin mbi përdhunimet në Indi, si në shumë vende të tjera, mbetet ende në fuqi. Kjo ideologji bazohet në një sërë mitesh mashkullore mbi gratë dhe seksin. Këto mite hasen në shumicën e shoqërive të mbisunduara nga burrat, ndërkohë që sjelljen e njerëzve e përcaktojnë institucionet dhe marrëdhëniet shoqërore dhe jo ligjet e shkruara. Ka rëndësi të shqyrtojmë disa prej miteve rreth përdhunimit që parashtrohen nga burrat në të gjitha shoqëritë patriarkale, edhe në Indi.
1. Përdhunimi nuk ekziston sepse asnjë grua nuk mund të përdhunohet kundër dëshirës së saj. Grave u pëlqen të përdhunohen.
2. Gratë janë mazokiste prej natyre; ato nuk i gëzohen seksit nëse nuk shtrëngohen në marrëdhënie. Atyre u pëlqen të rrihen dhe të nënshtrohen me forcë.
(Në strehët për gratë e dhunuara që organizojnë feministët në Gjermani e gjetiu nëpër Evropë, shumë gra shprehen se burrat e tyre në fillim i rrihnin dhe pastaj i shtrëngonin të kishin marrëdhënie seksuale me ta.)
3. Gruaja e përdhunuar e ka provokuar burrin me sjelljen e saj, domethënë është sjellë si prostitutë.
(Shumicës së grave anembanë botës iu duhet të vërtetojnë në gjyq se nuk janë prostituta. Ato konsiderohen fajtore dhe jo burri…)
4. Fajtore për përdhunimin është gruaja. Pse vesh rroba që provokojnë burrat, ose pse ecën vetëm pas një ore të caktuar të mbrëmjes?! Pse del pa mbrojtjen e një burri etj.?!
Po rastet në Indi, siç ndodh edhe shumëkund tjetër, tregojnë se “mbrojtësit” (për shembull, policia apo të afërmit meshkuj) janë për vete përdhunues.
5. Përdhunimi ndodh vetëm jashtë martesës. Sipas përkufizimit të ligjit, marrëdhënia seksuale brenda martesës bazohet në pëlqimin reciprok.
Dihet se po aq – në mos më shumë – dhunë seksuale haset brenda martesës krahasuar me rastet jashtë martesës. Rrahja e bashkëshortes lidhet shpesh me refuzimin e grave për të pasur marrëdhënie seksuale.
6. Përdhunimi ndodh kryesisht në sektorët më të varfër dhe më pak të arsimuar të shoqërisë. Rrjedhimisht është manifestim i varfërisë e prapambetjes.
(Kemi parë se përdhunimi, ose më gjerësisht dhuna seksuale, po intensifikohet në qendrat urbane dhe midis sektorëve të ashtuquajtur të përparuar të shoqërisë, sidomos nëse në këtë kategori përfshijmë dhunën seksuale të anëtarëve të familjes dhe bashkëshortëve.)
7. Përdhunimi është tipar i marrëdhënieve feudale ose gjysmëfeudale të prodhimit, domethënë është një çështje kryesisht klasore. Zotërinjtë feudalë dhe bijtë e tyre përdhunonin gratë e fshatarëve të varfër. Ka harmoni midis fshatarit të varfër dhe bashkëshortes së tij. Këto forma feudale të dhunës seksuale do të zhduken me ndryshimin e marrëdhënieve pronësore.
Ky mit parashtrohet zakonisht nga e majta. Po ai nuk arrin dot të shpjegojë intensifikimin e dhunës seksuale në qendrat urbane, në zonat që kanë përjetuar një zhvillim më të madh kapitalist, apo intensifikimin e dhunës ndaj grave në sektorët më të varfër të shoqërisë nga burrat e këtyre sektorëve.
Shumica e këtyre miteve fajësojnë gruan, pra viktimën. Këto mite na tregojnë edhe për burrat dhe marrëdhënien e tyre me seksin. Ato japin idenë se një burrë, po e provokuan, nuk mund të rezistojë dhe medoemos do ta sulmojë gruan. Kjo do të thotë se nevoja e tij seksuale – ose, siç quhet rëndom, instinkti i tij seksual – ka nevojë për kënaqje të menjëhershme. Gratë shihen si në thelb mazokiste dhe memece, ndërsa burrat si agresivë, në mos sadistë, prej natyre. Kjo natyrë mund të vihet nën kontroll vetëm nëpërmjet ligjeve të ashpra, tabuve shoqërore strikte mbi disa kategori grash (nënat, motrat) dhe nga vetë gratë, prej të cilave pritet që të sillen asisoj që “instinkti” seksual agresiv e sadist i burrave të mos dalë jashtë kontrollit.
Pyes veten nëse ligjvënësit dhe studiuesit meshkuj e kanë vrarë ndonjëherë mendjen se në ç’karikaturë njeriu e kanë shndërruar veten duke hedhur të tilla ide. Po ideologjinë e zakonshme mbi gratë, burrat dhe seksin nuk e kanë ndikuar vetëm këto mite popullore. Edhe më i rëndë është fakti se këto mite janë mbështetur, madje përpunuar shkencërisht e “vërtetuar” nga një sërë studiuesish dhe teorish shumë të respektuara. Biblioteka të tëra janë plot me libra që orvaten të vërtetojnë se shtysat seksuale të burrave janë në thelb agresive dhe të pakontrollueshme dhe gratë ose nuk kanë fare seksualitet të mëvetësishëm, ose se fati i tyre biologjik është të kënaqin nevojat agresive të burrave. Mjafton të përmend më të famshmin e këtyre studiuesve dhe shkollave të tyre, Darvinin, sipas të cilit evolucioni është bazuar në kontrollin mbi instinktet agresive dhe shkatërrimtare të meshkujve në garën e tyre për kontroll seksual mbi femrat.
Neodarvinistët, darvinistët socialë dhe e tërë shkolla e shkencave bihevioriste që mbisundon shkencat shoqërore amerikane – dhe veçanërisht disa biologë shoqërorë – i përmbahen këtij koncepti mbi burrin. Veçanërisht studiues si Konrad Lorenz-i, Lionel Tiger-i dhe Robert Fox-i e kanë popullarizuar këtë koncept në njëzet vitet e fundit, duke marrë për shembull “modelin e burrit gjuetar”. Kësisoj agresiviteti është pjesë e natyrës së burrave dhe nuk mund të ndryshohet përmes reformës shoqërore apo revolucionit. Jam e sigurt se ka shumë shkencëtarë shoqërorë meshkuj (dhe femra) që janë kundër përdhunimit për arsye morale, e prapëseprapë u përmbahen këtyre koncepteve e teorive. Nëse do të kishin një qëndrim më kritik ndaj anshmërive të fshehta të mendimit shkencor, ata do të mund të kuptonin se të ashtuquajturat shkenca jovlerore bazohen në disa mite që shërbejnë për të legjitimuar shtypjen, shfrytëzimin dhe nënrenditjen e të tjera qenieve njerëzore: grave, kastave, klasave, popujve dhe kombeve të poshtme. Për shembull do të kuptonin se biologjia ose natyra nuk shtyn asnjë mashkull drejt përdhunimit. Përdhunimi nuk ekziston në botën e kafshëve. Ai është shpikje e mashkullit njerëzor.
“Mbijetesa e më të përshtaturit” – BURRAVE të fortë – nënkupton se pushtuesit, fitimtarët, kanë gjithmonë të drejtë. Kjo është ideologjia që qëndron pas ligjeve dhe miteve mbi përdhunimin. Vërtet nuk e kuptojmë dot se ata që i përmbahen kësaj farë shkence mbështesin edhe fashizmin e imperializmin?!
Edhe Sigmund Freud-i, themeluesi i shkollës psikanalitike dhe zbuluesi i të pandërgjegjshmes, është ndikuar nga këto mite dhe legjitimimi i tyre “shkencor” nga evolucionistët. Ai besonte gjithashtu se kultura bazohej në shtypjen dhe sublimimin e këtyre shtysave seksuale të dhunshme të mashkullit. Teoria e tij mbi kompleksin e Edipit është në thelb një teori e konkurrencës seksuale mashkullore, midis baballarëve dhe bijve, për objektin-seks, nënën. Po ashtu Freud-i i përmbaj teorisë se seksualiteti mashkullor ishte aktiv, agresiv – në format e veta neurotike, nganjëherë sadist. Kurse seksualiteti femëror konsiderohej pasiv, madje mazokist. Sipas Freud-it, gruaja mund ta arrinte seksualitetin e saj të pjekur e të plotë vetëm duke pranuar rolin e saj “të natyrshëm” femëror, domethënë duke e braktisur seksualitetin “e papjekur” klitorial dhe kaluar në seksualitetin vaginal, i cili është i domosdoshëm që burri të kënaqë shtysën e vet seksuale. Të bën habi se si një studiues serioz si Freud-i konsolidon teorinë e orgazmës vaginale si forma “e pjekur” e seksualitetit femëror, ndonëse ai duhet ta dinte se vagina nuk ka funde nervore dhe për pasojë nuk “prodhon” orgazëm. Ai e dinte se klitori është organi seksual aktiv i grave, i cili mund të prodhojë orgazëm femërore pa penetrim në vaginë. Po në studimin e seksualitetit mashkullor, ai i përkufizonte gratë si burra të paplotë ose të kastruar, klitorin si penis të vogël dhe përpjekjen e grave për të ndryshuar rolin e tyre të nënrenditur në shoqëri si pasojë të zilisë për penis.
Studiuesit duhet të kenë një qasje fort kritike ndaj këtyre teorive përpara se t’i përdorin për të ndërtuar kuadrin e tyre teorik pasi ato përçojnë idenë se seksualiteti mashkullor dhe femëror përcaktohen vetëm biologjikisht. Këto teori nuk shpjegojnë pse disa pjesë të trupave mashkullorë e femërorë marrin rëndësi parësore në një kohë të caktuar në histori, ndërsa të tjerat jo. Për shembull, u desh lëvizja feministe në Perëndim që të rizbulohej klitori si organ seksual femëror i pavarur. Në shumë pjesë të Afrikës klitori hiqet prej rrethprerjes së vajzave midis moshës nëntë dhe dymbëdhjetë vjeçare. Po edhe gratë në Evropë dhe pjesë të tjera të botës janë rrethprerë psikologjikisht në mënyrë që të mos i njohin më trupat e tyre dhe të mos e dinë ç’është orgazma.
Nuk mund të flitet për burrat pa folur për gratë. Ideologjia e përdhunimit dhe seksualitetit mashkullor e kritikuar më lart mbart tipare komplementare në konceptet vetjake të grave anembanë botës.
Asnjë agresor nuk mund të ketë kontroll të përhershëm mbi të sunduarit dhe të nënrenditurit nëse të nënrenditurit nuk e pranojnë këtë gjendje si të natyrshme ose, që është e njëjta gjë, si të dhënë nga zoti. Shpikësit e ideologjisë patriarkale mbi burrat kanë shpikur edhe një ideologji që i përshtatet rolit që u jepet grave. Kjo është ideologjia e viktimës së përjetshme, ideologjia e vetësakrifikimit (në versionin modern perëndimor: ideologjia e mazokizmit femëror). Feja dhe besimet popullore hinduiste idealizojnë gruan që vetësakrifikohet në rolin e nënës dhe pativrata-n. Gruaja nuk ka identitet të vetin, ajo ka lindur për t’u shërbyer të tjerëve, kryesisht bashkëshortit dhe bijve. Ajo nuk ka autonomi mbi jetën e saj, trupin apo seksualitetin e saj. Ajo është mjet, objekt, jo subjekt. Figurat e Sati-t, Sita-s dhe të tjera gra të vetësakrifikuara të fesë hinduiste jepen si modele për vajzat edhe në ditët e sotme. Ato popullarizohen gjerësisht në librat shkollorë, filma e romane. Nuk bën habi fakti se viktimat e përdhunimit, në vend që të kthejnë dorë ose të mbrojnë veten, vrasin veten për shkak se “nderi” i tyre si grua “e mirë” është nëpërkëmbur. Vetëperceptimi i shumicës së grave bazohet në ndjenjën se ato janë të dobta, se kanë nevojë për mbrojtjen mashkullore, se nuk mund të kthejnë dorë – ose nuk duhet të kthejnë dorë; “vetëflijimi” – ose de facto, ose simbolik – është akti përmes të cilit ato rifitojnë humanitetin e tyre.
Ashtu si në rastin e burrave, gratë më së shumti nuk e kuptojnë se si janë brendashkruar në ideologjinë e përdhunuesve duke u kapur pas këtij ideali vetësakrifikues të të qenit grua.
Burrat, sidomos ata që fitojnë para duke propaganduar ideologjinë e gruas së dobët, ua hedhin fajin grave në mënyrë cinike, si në rastin e regjisorit Dinesh Thakur, i cili gjatë një diskutimi mbi përdhunimin u shpreh: “Pse gratë e nderojnë dhe adhurojnë një grua që bën sakrifica?!” (The Times of India, 15 qershor 1980). Po ai mohon se duke përdorur skena përdhunimi dhe vetësakrifikime të grave në filmat e tij, po kontribuon në këtë ideologji për hir të fitimit. Ka një tjetër rast klasik të fajësimit të viktimës duke përfituar nga sjelljet e kritikuara. Nuk mjafton të thuash se gratë duan të jenë viktima dhe adhurojnë vetësakrifikimin. Duhet thënë se kjo ideologji është shpikur dhe mbahet në këmbë për interesin e burrave që sundojnë gratë. Po ç’është më e rëndësishmja, kjo ideologji është rrjedhojë e mijëra viteve të dhunës së drejtpërdrejtë e strukturore ndaj grave, fillimisht e ushtruar në shoqëri patriarkale, por sot e universalizuar nga kapitalizmi. Ata që janë të shtypur vazhdimisht – dhe gratë nuk kanë kurrfarë autonomie mbi jetën e tyre edhe sot e kësaj dite – nuk kanë tjetër mundësi zgjedhjeje psikologjike përveçse ta interpretojnë atë që pësojnë prej shtrëngimit si të ishin duke e bërë vullnetarisht, pasi vetëm kështu nuk do ta humbnin krejt vetërespektin si qenie njerëzore. Kjo është arsyeja më e thellë pse gratë e bashkëndajnë këtë ideologji të shtypësve të tyre dhe i përmbahen nocionit se “nderi” i tyre, nderi i familjes së tyre, nëpërkëmbet kur ato përdhunohen. Prandaj nëna e Maya Tyagi-t mund të shprehet se do të donte që vajza e saj të kishte vdekur pasi, për shkak të përdhunimit, ajo kishte nëpërkëmbur nderin e familjes së saj. Përderisa vetë viktimat e përdhunimit, nëna e motra, besojnë në këtë koncept të “nderit”, të cilin e vlerësojnë më shumë se autonominë e një gruaje mbi trupin e jetën e saj, ato janë bashkëpunëtore të heshtura me përdhunuesit. Kësisoj është rëndësishme që grupet e grave, si Stree Sangarsh-i në Dehli, e godasin nocionin se përdhunimi është “çnderim i grave” apo “i turpshëm” për gratë. Sipas këtij grupi: “Për ne, përdhunimi është një akt urrejtjeje dhe përbuzjeje – është mohimi ynë si gra, si qenie njerëzore – është shprehja e mbrame e pushtetit mashkullor.”
Nëse burrat do të ishin përdhunues prej natyre, atëherë nuk do të kishim rritjen e rasteve të përdhunimit në Indi dhe nëpër botë. Çështja më urgjente për burrat dhe gratë sot është të kuptojnë arsyet e këtij intensifikimi të dhunës seksuale. Cilët janë faktorët që e shkaktojnë? Meqenëse koncepti i burrit gjuetar nuk e shpjegon këtë intensifikim, duhet të ketë arsye të tjera të cilat nuk lidhen me natyrën mashkullore dhe infrastrukturën e tyre gjenetike, por janë shoqërore, ekonomike e historike – siç kanë qenë gjithmonë.
Sot po vërejmë një brutalizim të përgjithshëm të jetës, një luftë të pamëshirshme të të fortit kundër të dobtit, të të pasurit kundër të varfrit, të burrave kundër grave. Sigurisht që ky është manifestimi i kontradiktave të një shoqërie dhe i një koncepti të burrit që bazohet te modeli i burrit gjuetar, si dhe i një marrëdhënieje grabitqare dhe mbisunduese midis njeriut dhe natyrës, koncepte që, siç e kemi vënë në dukje, kanë lindur me kapitalizmin. Po pse këto kontradikta shfaqen më shumë tani se më parë? Dhuna seksuale ka qenë pjesë dhe parcelë e marrëdhënies patriarkale burrë-grua. Po pse po rriten rastet e vrasjeve për hir të pajës dhe përdhunimet? Pse të ashtuquajturit sektorë të përparuar të shoqërisë – klasa e mesme urbane – preket nga këto kontradikta?
Logjika e ngjarjeve është si vijon: kontrollet dhe kufizimet tradicionale të moralitetit patriarkal represiv po shpërbëhen në Indi dhe vendet e tjera të Botës së Tretë, por jo nëpërmjet liberalizimit të moralitetit seksual, por nëpërmjet mënyrës së veçantë se si kapitalizmi i depërton këto shoqëri. Shpërbërja e moralitetit tradicional është më e shpejtë në klasat që kanë bërë para të madhe në vitet e fundit. Burrat e këtyre klasave e kanë “çliruar” veten nga shumë prej kufizimeve dhe detyrimeve që kanë pasur dikur ndaj grave të klasave më të ulëta dhe të klasës së tyre. Ata imitojnë Burrat e Bardhë të Mëdhenj të Perëndimit, të cilët janë modeli i tyre për burrin modern. Prandaj vishen si perëndimorët, shkojnë jashtë shtetit për t’u arsimuar, pranojnë shkencën perëndimore; ata importojnë filma pornografikë, por nuk duan që gratë “e tyre” të emancipohen. Kapitalizmi u siguron mjetet për t’u ngjitur në shoqëri dhe për të përqafuar kulturën e re ndërkombëtare (mashkullore), por njëkohësisht duan që gratë e tyre të mbeten bartëse të asaj që ata e konsiderojnë kultura e tyre “tradicionale”. Supozohet se gratë duhet të përqafojnë idealet “tradicionale” të të qenit grua.
Kjo kontradiktë midis një kulture mashkullore gjithnjë e më ndërkombëtare të klasës së mesme të arsimuar të burrave në vendet e nënzhvilluara dhe xhelozisë me të cilën ruajnë të ashtuquajturën kulturë tradicionale të grave të tyre si simboli kryesor i identitetit të tyre kombëtar, po sjell një polarizim në rritje midis burrave dhe grave në këto vende. Shembulli më i mirënjohur në këtë aspekt është Irani dhe fundamentalizmi mysliman. Gratë iraniane detyrohen të veshin shami, por burrat nuk kthehen pas në veshjet e tyre tradicionale.
Këtë dimension të marrëdhënies midis burrave të vendeve të kolonizuara me burrat e vendeve kolonizatore do të doja ta quaja sindroma e burrave-të-vegjël-si-BURRA-TË-MËDHENJ. “Burrat e vegjël” imitojnë BURRAT E MËDHENJ. Kush ka para mjaftueshëm, mund të blejë gjithë ç’kanë BURRAT E MËDHENJ, duke përfshirë gratë. Kush nuk ka para mjaftueshëm, të paktën ka të njëjtat ëndrra.
Industria kinematografike indiane lulëzon prej kësaj kontradikte. Burrat përshkruhen si modernë, të modës, heronj të perëndimorizuar, kurse gratë përfaqësojnë Indinë tradicionale. Dhe në këta filma duhet të ketë gjithnjë përdhunim, por censorët nuk lejojnë puthjen.
Ruajtja e kësaj kontradikte nuk është vetëm çështje morale, por lidhet ngushtë me llojin specifik të zhvillimit kapitalist në Indi. Filmat dhe seksi janë industri në rritje në Indi. Tepricat e prodhuara prej shfrytëzimit të punës rurale, për shembull, në zonat e Revolucionit të Gjelbër, nuk investohen në mënyrë produktive për t’u dhënë punë ose paga më të mira njerëzve; ato eksportohen në qytete dhe investohen në kinema, fabrikat e ëndrrave dhe iluzioneve. Ka një lidhje të qartë midis interesit për fitim të një klase kapitaliste dhe propagandimit të dhunës seksuale dhe përdhunimit në filma. “Burrat e vegjël”, që nuk kanë punë e mundësi dhe nuk do të shkojnë jashtë shtetit si heronjtë e filmave, si dhe pasanikët urbanë janë audienca kryesore e këtyre filmave, të cilat u sigurojnë fitime të mëdha BURRAVE TË MËDHENJ. Për të kompensuar frustrimin e tyre në jetën reale, autorët e filmave u ofrojnë atyre skena përdhunimi në mënyrë që të mund të identifikohen me agresorin, kësisoj nuk vënë në rrezik mbisundimin klasor. Si shënjestra të prirjeve të tyre agresive, atyre u ofrohen gra, por jo BURRAT E MËDHENJ. Sidoqoftë, kur analizojmë konkretisht raportet mbi rastet e përdhunimeve në Indi, gjejmë fare pak ose aspak elementë të nevojës për të kënaqur ndonjë shtysë të papërmbajtshme seksuale. Nëse në këto skena shfaqet ndonjë “shtysë”, bëhet fjalë për dëshirën për të poshtëruar, dhunuar, torturuar dhe treguar se burri është i pushtetshmi. Kemi vënë re se përdhunimi në shumë raste përdoret si instrument i një klase burrash për të ndëshkuar ose poshtëruar një tjetër klasë burrash. Kjo duket fare qartë në shumë raste përdhunimi që kanë ndodhur në zonat rurale. Kurdoherë që fshatarët e varfër dhe punëtorët bujqësorë përpiqen të fitojnë të drejtat e tyre ligjore, si për shembull pagën minimale ose tokën që u është premtuar, “atyre u tregohet vendi”. Kjo përfshin pashmangshmërisht edhe përdhunimin e grave të tyre. Pse? Cila është lidhja midis përdhunimit të disa grave dhe pretendimeve të burrave të tyre për tokë? Kjo tregon qartësisht lidhjen në mendjet e klasave sunduese midis kontrollit mbi mjetet e prodhimit (toka) dhe kontrollit të punëtorëve mbi gratë. Nëse njerëzit kërkojnë tokë, ata ndëshkohen duke përdhunuar gratë e kësaj klase. Kësisoj përdhunimi është instrument për të ruajtur edhe marrëdhëniet ekzistuese klasore, edhe ato midis burrave e grave. Lufta zhvillohet si luftë midis BURRAVE TË MËDHENJ dhe burrave të vegjël; gratë përdoren në këtë luftë si objekte të vërtetimit të burrërisë së BURRAVE TË MËDHENJ, të pushtetit të tyre. Pushteti nuk konsiston vetëm në para apo kontrollin e më shumë pronësie, por edhe në shtrirjen e kontrollit drejt armëve dhe përdorimin e dhunës së drejtpërdrejtë. Kjo duket qartë veçanërisht në rastin e përdhunimeve nga policia ose ushtria. Pushteti i policisë nuk bazohet te paraja ose pronësia, por tek armët. Dhe kontrolli mbi armët u jep mundësinë të imitojnë BURRAT E MËDHENJ. Sigurisht në vitet e fundit policia në Indi është përdorur aq shpesh kundër popullit, kundër të dobtëve dhe në mbrojtje të më të fuqishmëve ekonomikisht, saqë atyre u vjen natyrshëm të marrin ç’të duan nëpërmjet armëve. Nuk mendoj se mund të thuhet që ata përdhunojnë për t’u kënaqur seksualisht. Përdhunimi dhe tortura seksuale janë përdorur aq shpesh nga policia, saqë, me shumë gjasë, motivet sadiste janë më të forta se dëshira për të kënaqur dëshirat e tyre seksuale. Përdhunimet nga policia janë ndoshta manifestimi më i qartë i pasojës së një sistemi patriarkalit represiv. Ata që supozohet se ruajnë ligjin e rendin borgjez janë de facto përtej ligjit për shkak se kanë armë. Të bësh thirrje për fuqizimin e policisë, edhe nëse përbëhet nga femrat, për të kufizuar rritjen e përdhunimit është vetëshkatërruese. Përdhunimet nga policia tregojnë gjithashtu ndërlidhjen midis motivit ekonomik të “pasurimit të shpejtë” përmes dhunës së drejtpërdrejtë e shantazhit dhe dhunës kundër grave.
E përktheu Arlind Qori
Marrë nga libri i autores “Patriarchy and Accumulation on a World Scale: Women in the International Division of Labour”, Bloomsbury Academic, 1986.
Imazhi: Sebastiano Ricci – Përdhunimi i grave sabine/Wikimedia Commons