Pronari si sovran në vendin e punës

/Alfred Bushi/

Disa ditë më parë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, institucioni përgjegjës për inspektimin dhe kryerjen e kontrolleve teknike në miniera, ka dalë në përfundimin se aksidentet e njëpasnjëshme në minierën e Bulqizës, ku së fundmi  ka pasur dy viktima, kanë ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave teknike nga vetë viktimat, duke përjashtuar kështu nga çdo përgjegjësi pronarët e sipërmarrjes që shfrytëzon minierën si edhe vetë autoritetin. Mirëpo këto nuk janë të vetmet raste ku viktimat janë përgjegjëse për vdekjet e tyre. Në një analizë të reporter.al rreth kësaj çështjeje shkruhet: “Asnjë drejtues apo pronar i kompanive të shfrytëzimit të galerive të kromit në Bulqizë nuk është ndjekur penalisht tre vitet e fundit, ndërsa nga 10 aksidente me 12 të vdekur vetëm dy raste kanë shkuar në gjykatë, kryesisht kundër minatorëve të tjerë që janë dënuar për pakujdesi.” Në po të njëjtin artikull thuhet se në galerinë ku kanë ndodhur vdekjet punohej në kolonat mbajtëse të saj, në ato fronte që kanë qenë të shfrytëzuara edhe më përpara, duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë punëtorët. Ajo që bën përshtypje është fakti që pavarësisht se sipas Autoritetit kompania duhej të kishte mbyllur hyrjet në zonat e rrezikshme, çka e bën për rrjedhojë përgjegjëse për mosrespektim të rregullave të sigurisë në punë, ajo i ka shpallur minatorët e rënë në punë si përgjegjës të vdekjes së tyre. Mister i besimit! – do të thoshin italianët.  Në fakt në gjithë këtë asgjë të arsyeshme.

“…as të vdekurit nuk do të jenë të sigurt nga armiku, nëse ai fiton. E ky armik nuk ka reshtur së fituari.”

Reduktimi i punëtorëve në instrumente shfrytëzimi deri në vdekje nga ana e pronarëve nuk është tjetër veçse përsëritja e historisë së shtypjes klasore të punëtorëve, vazhdim i saj në të tashmen. Kur punëtorët  e rënë në punë bëhen përgjegjës për vdekjet e tyre, e shkuara bëhet e tashme dhe e tashmja merr pamjen e padrejtësisë së historisë. Armiku vazhdon prore të fitojë dhe të vdekurit të jenë fajtorë e mëkatarë. Armiku vazhdon të qeverisë në gjendjen e jashtëzakonshme, në atë gjendje ku mes jetës e vdekjes nuk ka më asnjë dallim.

Historia është histori e nënshtrimit dhe shfrytëzimit të skllavit ndaj pronarit, punëtorit me mëditje ndaj pronarit. Punëtori sot ka despotin e tij, siç e ka pasur historikisht. Ai punon e jeton vazhdimisht në gjendjen e frikës, frikës së mospasjes së sigurisë së mjeteve të jetesës. Despoti qeveris mbi frikën.

Auguste Comte-i thoshte se punëtorët jetojnë  porsi në një “kamp” brenda shoqërisë, pa pasur një vend fiks dhe të sigurt brenda saj. Këtu termi kamp mund të merret si në kuptimin e një vendi të përkohshëm e të pasigurt, ashtu edhe në kuptimin e kampit, siç e koncepton Agamben-i, si paradigma biopolitike themelore e modernitetit ku qyteti dhe shtëpia janë bërë të pandashme, duke sheshuar kështu çdo cilësi dalluese ndërmjet trupit biologjik e atij politik dhe ku njeriu i shenjtë (homo sacer-i), brenda kësaj paradigme, mund të vritet nga kushdo pa u quajtur se ka shkaktuar vrasje.

Figura më e shenjtë e kohëve tona, emblemë e paradigmës biopolitike bashkëkohore, është ajo e punëtorit: minatori, naftëtari, muratori etj. Jeta e tyre ka vetëm vlerë këmbimi. Shfrytëzimi dhe vdekja e tyre (dhe kjo na paska vlerë të lartë fitimi) asnjë përgjegjës përpos vetes së tyre. Pronari i këtyre figurave është sovrani që qeveris hapësirën e vet në gjendje të jashtëzakonshme. Duke pezulluar rendin juridik në vendin e punës, ai qeveris me anë të rregullave dhe vendimeve të tij. Ai vendos sa orë duhet punuar, pagën, heqjet nga puna, pra kushtet e punës në tërësi. Ndërsa vdekja në punë ngjan me vdekjen në një gjendje shtetrrethimi, ku askush nuk mban përgjegjësi përveç atij që e thyen atë. Sovrani është jashtë ligjit. Ai është i pakapshëm nga ligji. Dhe se sa do të zgjasë kjo gjendje e jashtëzakonshme varet vetëm prej atyre që këtë gjendje mund  ta kthejnë në një gjendje të jashtëzakonshme të njëmendtë. Prej të shfrytëzuarve të historisë dhe të tashmes – vetë punëtorëve.

Imazhi: Organizata Politike

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.