/Klodi Leka/
Clifford Harper-i – i lindur në 1949 në lagjet punëtore të Londrës perëndimore, me babain postier dhe mamanë kuzhiniere, i përjashtuar që 12 vjeç nga shkolla dhe i dënuar me liri me kusht në moshën 14-vjeçare – është një nga artistët ilustratorë më interesantë bashkëkohës. Jeta e tij e vështirë, me punët e keqpaguara dhe pa një banim të qëndrueshëm, bëri që në ditët e hershme të rinisë të bashkohej me idealet dhe grupimet anarkiste. Vitet ’60 e gjejnë si qytetar shembullor në komunat e lira anarkiste, që ishin hapësira autonome të formuara nga komunitete të rinjsh idealistë të cilët jetonin sipas rregullave të tyre. Më 1969 u bë një ndër themeluesit kryesorë të komunës së famshme “El pie island”, të lavdëruar si “zenit i kulturës anarkiste” në Britani. Në vitet ’70 Harper-i angazhohet më thellë në lëvizjet e zjarrta kulturore dhe socio-politike, çka ishte karakteristikë e kohës, dhe nis të punojë si ilustrator për gazetat dhe sindikatat punëtore, aq sa thuhet se posterat e tij gjendeshin në çdo shtëpi sindikalistësh dhe aktivistësh. Në vitet ’80 nis të punojë për gazetat kryesore angleze, si prestigjozia “The Guardian”, duke i dhënë hov dhe publik më të gjerë punëve të tij.
Ilustrimet e Harper-it sollën risi në botën e artit vizual sa i përket formës, me përdorimin e të bardhës/të zezës dhe ravijëzimeve sa hermetike po aq elegante, por edhe në përmbajtje, duke portretizuar ngjarje historike, realitete sociale dhe personazhe e sentimente të forta ideo-politike. Në intervistën për blogun “Last Hours”, Clifford Harper-i pohon me këmbëngulje se ai nuk e konsideron veten artist, në kuptimin zhargonistik dhe konformist të fjalës, por zejtar, ngaqë ilustrimi është puna e vetme që di të bëjë. Pavarësisht suksesit, ai nuk e ka martuar artin me pasurinë, gjë që e kritikon ashpër si cilësi të artistëve bashkëkohorë. Për Harper-in, imazhi dhe piktura, përkundër shkrimit dhe muzikës, janë veçori të klasave të ulëta shoqërore ngaqë janë të kuptueshme për të gjithë. Po ashtu, ai e mohon hipotezën se stili i tij është autentik, si dhe domosdoshmërinë e edukimit institucional në shkollat e artit, duke përmendur si mësues të tij piktorin Felix Valloton dhe përvojat e vetedukimit. Aktualisht në muzgun e jetës, ndryshe nga shumë artistë pop, Clifford Harper-i pohon pa turp se problemet shëndetësore dhe ekonomike ia kanë bërë më të vështirë jetesën. Megjithatë vazhdon të punojë jo vetëm për të nxjerrë bukën, por edhe për të shprehur shpirtin e tij krijues, gjithnjë rebel, gjithnjë të ri.
Clifford Harper-i është autor i shumë volumeve me ilustrime artistike si p.sh. “Class War Comic”, “The Education of Desire”, “Anarchy, A Graphic Guide to the History of Anarchism” etj; si dhe fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare mbi punën artistike dhe lirinë e shprehjes.
Imazhi: Ilustrim nga Clifford Harper
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).