/Jani Marka/
Ditët e fundit është kthyer në vëmendjen mediatike çështja universitare, fillimisht me debatet universitet publik/universitet privat, duke kulmuar më tej me çështjen, apo “skandalin”, e akreditimit të universitetit më të madh në vend, Universitetit të Tiranës. Në pamundësi për të gjykuar – imtësisht, thelbësisht dhe vetëm – mbi raportin rreth akreditimit të Universitetit të Tiranës, pasi nuk është publikuar i plotë, çështja mund të shqyrtohet në një fushëpamje shumë më të gjerë se akreditimi.
Cilët janë elementët e përfshirë dhe të interesuar, direkt apo indirekt, në këto ngjarje:
- Qeveria, e cila ka miratuar një ligj të arsimit të lartë (gjerësisht të kundërshtuar nga universitarët e universiteteve publike), por më tej ka dështuar (bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit) të nxjerrë të gjithë kuadrin nënligjor edhe dy vite pas miratimit të ligjit (në ligj kjo periudhë është lënë deri në 6 muaj). Mungesa e kuadrit nënligjor është bërë pengesë për funksionimin institucional të universiteteve publike, e shumë më pak për ato private. Është po kjo qeveri që përçmon hapur universitetet publike, e dukshme kjo së pari në financimet mediokre të universiteteve publike, por edhe në retorikën e figurave kryesore të saj.
- Burokracia, zyrtare dhe klanore, e Universitetit të Tiranës, e cila vepron kryesisht për interesat e saj të ngushta, financiare e koniunkturale. Një burokraci që, në rastin më të mirë, është treguar e paaftë të menaxhojë procesin e akreditimit dhe të mbrojë interesat dhe dinjitetin e universitetit: ku studiojnë jo vetëm studentët më meritorë e më të shumtë, por edhe me një histori shkencore e pedagogjike pararojë në kontekstin shqiptar.
- Agjencia britanike, për veprimtarinë në terren të ekspertëve të së cilës ka fare pak informacion. Dihet, nga ana tjetër, se disa ekspertë të saj kanë punuar si konsulentë më herët për disa universitete private në Shqipëri. Besueshmëria e saj dhe e Bordit të Akreditimit pranë Ministrisë së Arsimit… vihet seriozisht në dyshim nga shkelja e parimit të konfidencialitetit të rezultateve deri në botimin e raportit zyrtar. Dalja e raportit në media dhe përdorimi i saj nga ujqërit e universiteteve private pikërisht tani, në mes të procesit të regjistrimit të studentëve në universitete, ngre dyshime të mëdha për paanësinë dhe objektivitetin e procesit të akreditimit.
- Universiteti Europian i Tiranës, i cili ka qenë nismëtar e sponsorizues i ligjit të arsimit të lartë dhe tejet agresiv në propagandën kundër universiteteve publike. Nuk është e nevojshme të shpjegohen interesat e këtij institucioni. Mirëpo, nga pikëpamja ideologjike ia vlen të përmenden dy fjalë për mitizimin e sistemit arsimor anglo-amerikan. Në ligjëratat e uetistëve sistemi arsimor britanik paraqitet si i gjithëpranuar e konsesual në Angli e SHBA. Po e vërteta është krejt ndryshe, se jo vetëm grupe të tëra shoqërore e kundërshtojnë këtë model tregtar e me tarifa të larta, por tashmë refuzimi i këtij modeli është bërë pjesë programore edhe e partive tradicionale të qendrës së majtë; kujtojmë këtu se Jeremy Corbyn-i, lideri i laburistëve, propozon zhdukjen e tarifave, dhe po ashtu kandidati në primaret e demokratëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bernie Sanders – i cili e rrezikoi seriozisht kandidimin e Hillary Clinton-it – ndau qëndrime të ngjashme: Edukimi universitar duhet të jetë një e drejtë për të gjithë, jo vetëm për të pasurit.
- Media, e cila udhëhiqet vetëm nga prirja tregtare: të rrisë shikueshmërinë/lexueshmërinë dhe njëherazi të reklamojë, çka e zhbën misionin e saj në zbulimin e të vërtetës apo mbrojtjen e interesit publik.
- Maturantët, të cilët, përveç skemës “së rrezikshme” e problematike të regjistrimit, gjenden nën një bombardim mediatik të vazhdueshëm për të zgjedhur. Paçka se, për vetë nivelin ekonomik të shumicës së shqiptarëve, pak prej tyre e kanë realisht lirinë e zgjedhjes, atë midis publikut apo privatit. Kjo ndodh për shkak se ndonëse tarifat e studimit në universitetet publike janë të larta për nivelin e jetesës, ato mbeten larg tarifave mijëra-euroshe të sistemit privat. Kujtojmë këtu se strategjia e universiteteve private është ushtrimi i presionit drejt rritjes së tarifave në universitetet publike në mënyrë që tarifat të barazohen.
- Universitarët, studentë e pedagogë. Këtu po theksoj, si aktivist i Lëvizjes Për Universitetin, e cila i ka të shpalosura në manifestin e saj parimet themelore që duhet të udhëheqin transformimet në universitete: 1) arsimimi është e drejtë që duhet të mbështetet vetëm te merita dhe jo xhepi i prindit – pra, arsim publik falas; dhe 2) universiteti si mjedis demokratik, i lirë dhe kritik në raport me dijen e shkencën, të realizueshme këto vetëm si proces gjithëpërfshirës i studentëve e pedagogëve. Por zymtësisht duhet pranuar se ka shumë më tepër për të bërë nga sa është thënë e bërë deri më sot… “Lufta” për universitetin, medoemos, vazhdon!
Imazhi: Për Universitetin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).