/Anthony Lane/
Dhe kështu ndodhi, në tokën e Britanisë, që Kryepriftëresha shkoi te njerëzit dhe u tha: “Mbani vesh, po ju sjell lajme të gëzuara. Sepse në ditën e tetë të muajit të gjashtë do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.”
Dhe njerëzit thanë: “Prapë zgjedhje?!”
Dhe ata turfulluan kundër Kryepriftëreshës dhe thanë: “A nuk u betove ti, plot shtatë herë, se nuk do të thërrisje zgjedhje të parakohshme?!”
Dhe Kryepriftëresha tha: “E di, e di. Por mbi krye na ka rënë Brexit-i dhe më duhet të shkoj në luftë kundër fiseve të Francës, Gjermanisë, dhe turlilloj destinacioneve të tjera turistike. Dhe më duhet të hedh mbi trup parzmoren e një shumice të fuqishme në parlament. Prandaj luani vendit dhe shkoni votoni!”
Dhe nga tempulli u fanitën fallxhorët, që thanë: “Se s’bën kjo grua do të lulëzojë. Sepse armiku i saj është si bari; ajo e kosit kur të dojë. Është si fija e kashtës në furtunë dhe era do ta hedhë tutje. Dhe boria e triumfit të saj do të oshtijë në të gjithë vendin.”
Dhe Kryepriftëresha tha: “E kam si llokum.”
Dhe po nga ato anë erdhi një profet, emri i të cilit ishte Jeremy. Mjekra e tij ishte si pëlhura e bishës, dhe teshat nuk i kishte fort të paraqitshme. Dhe ai këlthiti fort në shkretëtirë dhe tha: “Mbani vesh! Unë ju sjell shpresën.”
Dhe papritmas me të u gjendën një grup të rinjsh. Dhe ai u tha atyre: “Ju do të studioni dhe do të mençuroheni mbi shumë gjëra, dhe unë nuk do ju kërkoj ar në këmbim. Dhe të sëmurët do të ngrihen në këmbë, dhe ata do të shërohen falas.” Dhe ai u premtoi plot gjëra të mira.
Dhe të rinjtë i thanë: “Si do të realizohen këto të mira, meqë ti s’ke asnjë dyshkë në xhep?”
Dhe ai u foli me një zë kumbues si prej tunxhi dhe tha: “Do të shtrydh të pasurit. E më tej, do të përmbys të pushtetshmit nga kolltukët e tyre.”
Dhe të rinjtë shkalluan fare.
Dhe e dëgjuan fjalën e Jeremy-t dhe besuan. Se ata i thanë vetes: Pa shih, ai sjell te ne dëshirën e zemrës sonë. Ai vjen me biçikletë, me kokore në kokë. Se ai nuk ha as mish, as peshk, siç e kërkojnë shkrimet e moçme. Se njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë, po humusi (1) është muhabet tjetër.”
Dhe Kryepriftëresha i pa të gjitha këto dhe u thartua. Dhe thirri rrotull vetes skribët (2) dhe farisenjtë (3) dhe u tha: “Ça dreqin po ndodh?”
Dhe ata iu përgjigjën: “S’është veçse një çikërrimë, si me qenë një gropë në anë të rrugës.”
Por ata i thanë njëri-tjetrit: “Kur qeveria ishte mbi supet e saj, kjo grua ishte vigane. Por tani që ka shëtitur në çdo cep e qoshe, asaj po i merren këmbët. Sepse s’do mend që është e shkruar se të qeverisësh dhe të bësh fushatë është si uji me vajin, dhe nuk do përzihen askurrë me sho-shoqin.”
Dhe skribët shkruan mbi rasa guri se Jeremy ka gjuhë të rreme. Se fsheh prapësi në zemrën e tij. Dhe se atij nuk i dalin llogaritë.
Dhe askush s’ua vuri veshin.
Dhe pleqtë u ngritën e u thanë të rinjve: “Nëse ju zgjidhni Jeremy-n, ai do të sjellë telashe në punën tuaj dhe kujën në rrugët tuaja. A nuk ju kujtohen vitet ’70?!”
Dhe të rinjtë thanë: “Ça?”
Dhe pleqtë llafosën përsëri dhe u thanë të rinjve: “Jazëk! Ai i shtriu dorën në ditët e qëmotit IRA-s.” (4)
Dhe të rinjtë thanë: “Kujt mo?”
Dhe të rinjtë thanë: “Jeremy do të sjellë paqen ndër popuj, se ai e urren makinerinë e luftës që buçet ndër shtatë qiejt. Dhe ai tregon respekt për të gjithë njerëzit, edhe për komunitetin transgjinor.”
Dhe pleqtë thanë: “Për kë?”
Dhe kështu ndodhi që paudhësitë e kësaj bote ranë mbi njerëzit, me zjarr e me shpatë, dhe vranë shumë mes të devotshmëve. Dhe i madh ishte kobi.
Dhe Kryepriftëresha turfulloi dhe shkrofëtiu para njerëzve: “Mos u trembni! Se unë do ju lidh plagët dhe do ju mbroj nga të paudhët dhe do të nxjerr shpatën kundër tyre.”
Dhe u qasën përsëri fallxhorët nga tempulli, që thanë: “A nuk do të votojnë njerëzit për të në orën e nevojës?”
Dhe askush nuk iu a vuri veshin.
Dhe erdhi dita e votimit.
Dhe pleqtë shkuan për të votuar dhe të rinjtë po ashtu. Dhe të rinjtë ishin plot një lukuni. Dhe në orët e akshamit vazhdonte numërimi. Dhe të rinjtë vëzhgonin me natë dhe pleqtë u futën në krevat.
Ndaj të gdhirë erdhi haberi se Kryepriftëresha e kishte mposhtur profetin Jeremy. Por triumfi i Kryepriftëreshës ishte sa maja e thoit. Dhe asaj i hipën kacabunjtë.
Dhe pleqtë dhe skribët dhe farisenjtë u llafosën me njëri-tjetrin edhe nëpër cepat e shtëpive të tyre.
Dhe pati shumë hare mes lukunisë së të rinjve. Dhe rrëkëllyen verë nga ajo e forta dhe bënë aheng mes veti. Dhe tepruan dymbëdhjetë shporta.
Dhe fallxhorëve u humbi vula.
Dhe njerëzit panë Jeremy-n dhe thanë: “A nuk ka fituar ky burrë?! A nuk hidhet pupthi nga gëzimi si sorkadhja nëpër kodra?!”
Dhe pati një belbëzim të gjatë mes pleqve. Dhe i thanë sho-shoqit: “Mos qani burra! Se Kryepriftëresha veçse shtroi udhën. A nuk i vjen nga mbrapa njëri më madhështor se ajo?!”
Dhe thanë: “Mbani vesh! Ka ardhur ora e shpëtimtarit. Dhe emri i tij do të jetë i Mrekullueshmi, Këshilltari, Princi i Paqes.” Dhe u çorën të gjithë njëzëri: “Boris!” (5)
Dhe të rinjtë thanë: “Mos ia q.r.!”
Dhe njerëzit nxorën ofshamë dhe iu lutën Zotit e thanë: “Zot, le të arrijë thirrja jonë te ty!
Dhe Zoti mendoi se e gjithë situata ishte gallatë.
Dhe pastaj njerëzit thanë: “Zot, çfarë duhet të bëjmë lidhur me Brexit-in? Se që sot e tutje Kryepriftëresha do të jetë e dobët porsi një shqerrë që sa ka parë dritën. Si ta mbajmë shpresën gjallë për pjesëmarrje të vazhdueshme në tregun e përbashkët?”
Dhe Zoti tha: “Ku mo?”
E përktheu Redi Muçi
Shënime:
(1) Humus – ushqim tradicional libanez.
(2) Skribët – sekretarë shteti në periudhën antike që kishin për detyrë përgatitjen e dekreteve në emër të mbretit.
(3)Farisenjtë –sekt fetar në kohën e Krishtit që ishin kryesisht priftërinj hebraikë të klasës së ulët dhe të mesme që interpretonin ligjet për masat e gjera.
(4) IRA – Ushtria Republikane Irlandeze ishte një lëvizje që besonte se Irlanda duhet të ishte një republikë unitare dhe pavarur nga Britania e Madhe dhe që besonte se dhuna politike ishte e domosdoshme për arritjen e qëllimit.
(5) Boris – Boris Johnson është sekretar i marrëdhënieve me jashtë në qeverinë konservatore në Britani.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).