Ja pse fitoi Corbyn-i

/Bhaskar Sunkara/ [1]

Konservatorët mund të jenë në pushtet, por Corbyn-i i fitoi këto zgjedhje. E di që mund të jetë deklaratë e pacipë, por më dëgjoni me kujdes: javët e fundit i kanë dhënë të drejtë qasjes së të majtës laburiste dhe bashkëmendimtarëve të saj ndërkombëtarë.
Këto janë të parat zgjedhje që pas 1997-s ku laburistët kanë rritur numrin e vendeve në parlament dhe partia ka arritur të marrë më shumë vota se në të gjitha zgjedhjet pas 2005-s — duke e shkurtuar defiçitin prej 24%. Qëkur Corbyn-i mori kryesinë e partisë në fundin e 2015-s, ai u ka rezistuar sulmeve të njëpasnjëshme nga partia e tij, duke kulmuar me përpjekjen për puç kundër tij. Si lider i laburistëve ai nuk ishte në gjendje të mbështetej te kolegët e parlamentit apo te stafi i partisë. Njerëzit e tij të afërm bombardoheshin nga përpjekje armiqësore të brendshme për rrjedhje informacioni dhe keqinformim, si dhe me një fushatë mediatike për ta njollosur.
Në rregull, ndoshta Corbyn-i nuk bëhet dot kryeministër nesër. Ai ishte kandidati “me të meta”, ai nuk ishte folësi më i dalluar, i kishte pjesë të tijat gafat dhe hante fasule të ftohta. Të gjitha janë të vërteta. Por përveç armiqësisë së jashtme dhe opozitarizmit nga grupi parlamentar, vlen më mirë të kujtohet fakti se ai erdhi në krye të Laburistëve në momentet më të vështira të partisë që nga lindja e saj.
Partia Laburiste ishte diskredituar nga administratat Blair-Brown — prej aventurave katastrofike ushtarake në Irak deri te agjenda e tyre privatizuese në vend dhe shkujdesja me krizën financiare. Bleristët po arrinin atë që ëndërruan: Partia Laburiste po dukej gjithnjë e më shumë si parti social-liberale sesa social-demokrate, që përqafonte sektorin financiar dhe përgatitej për “modernizimin” e përkujdesjes sociale duke ia nxjerrë zorrët jashtë. Asokohe nuk kish kush t’i rrezikonte nga e majta e saj, kështu që iu vunë pas votuesve nga klasa e profesionistëve.
Anëtarësia bazë po shkërmoqej, ashtu si lidhja e saj me lëvizjen punëtore. Skocia u humb. I vetmi zë anti-establishment në ish-bastionet e Partisë Laburiste, të zemëruar nga politikat neoliberale të zgjatura në vite, ishte e djathta ekstreme UKIP.
Kjo ishte situata që trashëgoi Corbyn-i. Po pavarësisht të gjitha gjasave, ekipi i tij e solli Partinë Laburiste në jetë.
Ata rindërtuan bazën e partisë, duke i bërë laburistët partinë më të madhe në Evropë, me mbi gjysmë milioni anëtarë. Momentumi, formacionet nga poshtë që u krijuan për ta mbështetur përpjekjen, organizuan dhjetëra mijëra vetë në komunitete anembanë Britanisë. Betejat me laburistët e qendrës dhe të së djathtës ndihmuan gjithashtu në distancimin e udhëheqjes së re nga establishmenti i diskredituar. Mjaft anëtarë partie përqafuan mllefin ndaj mediave miliardere.
Për herë të parë në dekada Partia Laburiste ndërtoi një karakter dhe platformë të fortë të majtë. Edhe pse lëngonte në sondazhe, ajo po formonte bërthamën e një opozite të fortë, një alternativë të fuqishme.
Edhe po të mos donim t’ia dinim për programin dhe thjesht të dëshironim që konservatorët të mos ishin më në pushtet, është e vështirë të përfytyrohet se si një lider i Laburist i shkarë djathtas do ta bënte punën më mirë se Corbyn-i. Do të mundej Owen Smith [2] të frymëzonte mbledhjen e asaj vale masive të rinjsh, çka ndikoi që konservatorët të rrëshqisnin nga fitorja e thellë drejt të qenit parti e parë pa qenë shumicë parlamentare?! Do të mundte Angela Eagle [2] apo ndonjë kandidat tjetër “jo shumë i majtë” ta mbante Uellsin në duart e laburistëve?! Do të mundte ndonjë parti tjetër përveç Partisë Laburiste të rimerrte Skocinë nga kënga e sirenave të Partisë Nacionale Skoceze (SNP)?!
Corbyn-i e shpëtoi partinë në këto zgjedhje duke iu kundërvënë rrëshqitjes disadekadëshe të laburistëve në anën e konservatorëve dhe duke ngjeshur pajimet e veta të majta. Suksesi i tij është një skicë se si duhet të veprojnë socialdemokratët në vitet e ardhshme.
Ngritja elektorale e Partisë Laburiste konfirmon atë që e majta thotë prej kohësh: njerëzve u pëlqen mbrojtja e ndershme e të mirave publike. Manifesti i Partisë Laburiste ishte gjithëpërfshirës — më socialisti ndër dekada. Ishte një dokument i hapur, i cili bënte thirrje për shtetëzim të shërbimeve publike kyçe, të drejtën për shkollim, banim dhe shërbim shëndetësor për të gjithë, si edhe masa për rishpërndarjen e të ardhurave nga korporatat dhe pasanikët te njerëzit e zakonshëm.
6.3 miliardë Paundë për shkollat fillore, mbrojtje të pensioneve, tarifë universitare zero, ndërtim banesash sociale, — dukej sheshit se çfarë do të bënte Partia Laburiste për punëtorët britanikë. Plani u sulmua nga shtypi për thjeshtësinë e dalë mode — “për shumicën, jo për pakicën” — por ai rezonoi me dëshirën e popullit, me një paanësi që u duk elementare për miliona.
E majta laburiste na kujtoi se nuk fitohet duke i shkuar pas një qendre imagjinare — fitohet kur njerëzve u bën të ditur se e ndjen zemërimin e tyre dhe u jep atyre një qëllim konstruktiv drejt të cilit ta kanalizojnë zemërimin. “Ne meritojmë frytin e plotë të punës sonë”, spoti i zgjedhjeve e thotë më së miri.
Nëse programi ekonomik i laburistëve ishte frymëzues, udhëheqja e tyre rishikoi gjithashtu vizionin e një politike social-demokrate e cila shikon përtej kapitalizmit. Ajo që të shtang te korbinizmi nuk është mediokri kapitalizëm i përkujdesjes sociale në epokën kur neoliberalizmi sundon i pashqetësuar, por se protagonistët e tij i shohin qartësisht caqet strukturore të reformave në kapitalizëm dhe hedhin në diskutim ide të cilat synojnë shtrirjen e demokracisë dhe sfidojnë pronësinë dhe kontrollin e kapitalit, jo thjesht pasurinë. Cila parti e qendrës së majtë, pas Epokës së Artë [3], ka hartuar plane për zgjerimin e sektorit kooperativist, krijimin e ndërmarrjeve në pronësi të komunitetit dhe kthimin e kontrollit shtetëror në sektorët kyçë të ekonomisë?!
Planet nuk ishin shteruese, por ato do ta vendosin Britaninë në kursin e transformimeve më të thella socialiste në të ardhmen. Është një ëndërr ambicioze, aq sa do të duhen dekada për t’u realizuar, por ajo shkon shumë përtej laburizmit tradicional.
E majta laburiste nuk është “thjesht një rrymë socialdemokrate”. Socialdemokracia e pas Luftës së Dytë Botërore shpesh herë është orvatur ta shuajë konfliktin klasor për hir të ujdive trepalëshe midis biznesit, punës dhe shtetit. Kurse socialdemokracia e re e Corbyn-it u ndërtua mbi antagonizmin klasor dhe inkurajon aktivisht lëvizjet nga poshtë.
Por laburistëve nuk u lejohej që thjesht të hartonin një program ëndrrash në diell. Atyre u duhej të merreshin me çështje që socialistëve zakonisht nuk u është dashur të përballeshin. Dhe ia dolën të preknin “common sense”-in e “të shumtëve” që ata kërkuan të përfaqësonin.
Kur çështja e terrorizmit dhe e sigurisë u ngrit gjatë fushatës, Corbyn-i tregoi se e majta jo vetëm që nuk ishte e dobët në këto çështje — në shumë forma, ne jemi më të besueshëm se kundërshtarët tanë. Për vite është marrë e mirëqenë se kur vinte puna te terrorizmi, alternativat e së majtës ishin t’u përmbaheshin parimeve të shenjtëruara duke e pësuar elektoralisht, ose të imitonin retorikën luftarake të së djathtës.
Corbyn-i gjeti një shteg përtej çmendurisë. Fill pas sulmeve të tmerrshme në Mançester dhe Londër, lideri laburist nuk u tut të bënte lidhjen midis imperializmit britanik jashtë vendit dhe përhapjes së shpejtë të terrorit islamist. Ai e zgjeroi kritikën e tij në aspekte të tjera të politikave të jashtme të Britanisë: aleancat e ngushta me shtetet e Gjirit Persik, të cilat janë në zemër të reaksionit në Lindjen e Mesme.
Corbyn-i ka pësuar kritika nga e majta kur tha se duhej përgjigje proporcionale policore ndaj terrorit. Por ai përvijoi një alternativë të gjerë, që e vuri theksin te shkaqet sociale të terrorizmit, dhe e përdori atë për të sulmuar ksenofobinë e dhunshme dhe kultivimin e frikës nga Partia Konservatore. Në këtë mënyrë ai e ndryshoi rrënjësisht debatin për terrorizmin. Do të ketë gjithnjë njerëz të tëhuajtur dhe të zemëruar, që do të kryejnë veprime antisociale, por Corbyn-i mundësoi një pikëpamje të re për t’i trajtuar këto raste çështje sigurie me të cilat duhet marrë që në gjenezën e tyre, dhe jo si përplasje qytetërimesh.
Le të mos i nënvlerësojmë votuesit. Pas sa e sa vite luftërash dhe dhune të pafundme, shumica syresh janë gati për paqe. Corbyn-i u ofroi çfarë kërkonin dhe nuk u ndëshkua prej tyre.
Edhe pse me një shumicë të pakësuar konsvervatore, gjërat nuk do shkojnë vaj nesër. Edhe pse për momentin janë përulur, konservatorët ende qeverisin. Aleatët e tyre në media dhe në biznese do të rigrupohen. Ata do të hartojnë plane të tjera për të goditur punëtorinë dhe të mirën e përbashkët.

Por partia e Corbyn-it është e pozicionuar më mirë se çdo formacion laburist i kohëve të fundit për të qenë një opozitë e besueshme e rrënjosur në një vizion të majtë — për t’u dhënë njerëzve shpresë dhe ëndrra, jo vetëm frikë dhe pritshmëri gjithnjë e më të vogla. Me që ra fjala, Bernie (Sanders-i) do të kishte fituar.

Përktheu: Kristi Çunga

 

Shënime:
[1] Redaktor dhe themelues i revistës majtiste Jacobin.
[2] Anëtarë të Partisë Laburiste, kundërshtarë të Jeremy Corbyn-it në zgjedhjet për kreun e partisë në shtator 2016. Të dy të mundur thellësisht nga Corbyn-i.
[3] Autori u referohet viteve ’50-’60 të shekullit të kaluar, kur sidomos në Evropën Perëndimore mori hov shteti i mirëqenies sociale.

[Shënimet janë të përkthyesit.]

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.