/Bab Marli/
Unë që po shkruaj jam një tymosës i marijuanës, d.m.th. i asaj bimës së gjelbër të ngjashme me sherebelën e që për t’u rritur do shumë diell, shumë ujë dhe shumë ajër të freskët mali. Më ka këndellur gjithnjë. Jo, nuk jam i droguar siç ua kanë mësuar në familje apo filma, njeri i shëmtuar dhe i rrezikshëm. Jam i bukur dhe i butë. Vijoj shkollën, kam të dashur dhe mendime paqësore. Këto jo për shkak të marijuanës sigurisht, por thjesht sa për të treguar se të konsumosh këtë bimë magjike, nuk do të thotë të rrënohesh si njeri. Ama më duhet të konstatoj gjithashtu se marijuana, përveç dhimbjes së dhëmballëve dhe trashjes së trurit prej provimeve e propagandës, më ka ndihmuar të jem sa më i shkompleksuar në marrëdhëniet me të tjerët e sa më fantazues ndaj botës.
Arsyeja pse po shkruaj nuk është t’u mbush mendjen shkencërisht grave e burrave të lagjes dhe fisit, edhe pse argumente shkencore ka pafund, apo t’ju rrëfej vibrimet e mia kozmike, por të flas për një shqetësim që më mundon tej mase, si i ri, si taksapagues, si subjekt i ligjit, si student dhe si njeri në fund të fundit. Ai është kriminalizimi që i është bërë marijuanës. Kriminalizimi ligjor në fillim, prej ku nis edhe ai moral. Në ligj nuk njihet përdoruesi. Pra, nëse policia jonë e suksesshme që pyllëzon male me marijuanë, të zë me tri cigare, bëhu gati për tri vite burg. Sepse ligji të konsideron kultivues dhe trafikant. Si me tri cigare dhe si me tri ton, burgosesh njësoj. Madje më shumë se ai i tonelatës, që ka para dhe mbështetje, dhe për rrjedhojë del më shpejt nga burgu. Kjo sjell dënim moral [ky burgaxhiu], dënim familjar [ky drogaxhiu] dhe dënim jetësor [i pistë për t’u punësuar].
Më lejoni t’ju tregoj për një djalë që nuk jeton më. Ai është Estref Halili. Vetëm 22 vjeç. U vetëvra dy muaj më parë në burg. Sepse policia e kishte zënë në fshatin e tij të thellë, për të dytën herë me një cigare marijuane. Herën e parë e dënuan, por me kusht. Herën e dytë i thanë se meqë e ka thyer kushtin, do të hajë disa vite burg. Polici, prokurori, gjykatësi dhe tërë makineria monstruoze e dhunës shtetërore u ngrit në këmbë për t’i rregulluar qejfin këtij “krimineli”, që u zu në faj të rëndë teksa konsumonte një cigare të vogël magjike në katundin e tij të thellë. E pabesueshme, apo jo?! As Franz Kafka, shkrimtari më i errët i letërsisë botërore, nuk do ta fantazonte një situatë të tillë. Në këto kushte, njeriu vdes, qoftë shpirtërisht, qoftë duke i marrë jetën vetes.
Si Estrefi ka me mijëra të rinj tjerë dënimi të cilëve s’u mor vesh kurrë, sepse zgjodhën të jetonin e jo të vetëvriteshin. Sepse, ironikisht, të ekzistosh në vendin tonë do të thotë të vdesësh më parë. “Më sillni djalin!” – qante me ngashërim e ëma e Estrefit. Po kush t’ia sjellë? Gjykatësi që të vdes me burg po s’pate para për t’i blerë lirinë apo polici e prokurori që bashkëpunojnë me baronët e nëntokës? E pra, këta “burra të ndershëm” të ligjit nuk konsumojnë marijuanë. Vdekja nuk tymos. Ata janë konsumatorë të vesit, dhunues të ligjit, tregtarë të drejtësisë dhe prapë i dënuari e i përqeshuri mbetet i riu i papunë i periferisë, me shkollë dhe të ardhme të shkatërruar. Prandaj, shkriminalizimi moral e penal i marijuanës për tymosësit e vegjël duhet të ndodhë një orë e më parë.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).