/Xhuliano Bregasi/
Vetëm pak ditë pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, ku “e majta” fitoi pothuajse si në kohët e vjetra, e djathta fitoi “territor” në Tiranë. Në një prej rrugëve të kryeqytetit, aty ku mbi ish-Vilën Frashëri kanë ngritur një pallat shumëkatësh, është vendosur një bust i kuislingut Mehdi Frashëri!
Nëse kërkon në rrjet për Mehdi Frashërin, gjen material shumë të cunguar por mjaft të kuruar. Flitet për veti të jashtëzakonshme të tij si figurë politike dhe publike, për bëmat e tij në vegjëli, por kalohet shumë shkarazi kur vjen fjala te momenti më i rëndësishëm, më i gabuar dhe më i pafalshëm i veprimtarisë së tij politike.
Në fund të tetorit 1943, pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, u krijua Këshilli i Naltë i Regjencës. Ky organ, i cili u trumbetua si mëkëmbës i mbretit të vetësyrgjynosur, kishte kompetencat më të larta ekzekutive/legjislative dhe ishte më i rëndësishmi për pushtimin nazist të vendit.
Mehdi Frashëri ishte, as më pak e as më shumë, drejtues i këtij Këshilli. Pra në postin më të lartë politik të pushtetit nazist dhe njeriu i tyre më i besuar. “De juro” mëkëmbës i Ahmet Zogut, “de facto” vasal i Adolf Hitlerit. Gazeta franceze “La Croix” asokohe i bënte jehonë letrave dhe falënderimeve të ndjera të Mehdi Frashërit për vetë Fyhrerin, për ndihmën që Rajhu i Tretë i kishte dhënë popullit shqiptar duke… e pushtuar. Kuislingët nuk kanë brirë për t’u dalluar.
Historia e termit “kuisling” rrjedh nga Vidkun Kuisling, oficer ushtrie dhe politikan norvegjez, i cili u bë bashkëpunëtor dhe u vu në krye të qeverisë së krijuar nga pushtuesit nazistë. Kuislingu u bë sinonim i tradhtisë së atdheut, bashkëpunëtorit të nazizmit dhe turpit në mbarë botën. Në fund të Luftës së Dytë Botërore e gjykuan dhe e ekzekutuan për arsyet e lartpërmendura.
Për t’u rikthyer te sivëllai shqiptar i Kuislingut, Mehdi Frashëri. Afër fundit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare ai u arratis nga Shqipëria dhe mori azil politik në Romë. Në këtë mënyrë i shpëtoi fatit të mijëra kuislingëve nëpër botë, për t’na u fanepsur ditët e sotme me përmendore.
Rehabilitimi i Mehdi Frashërit është pjesë e një projekti afatgjatë që nuk ka lënë kolaboracionist e kuisling pa nxjerrë nga llumi në këtë vend. Edi Rama është më i suksesshmi në këtë aspekt. Nëse qeveritë e drejtuara nga Berisha edhe kanë hasur ndonjë kundërshtim sa për sy e faqe, rehabilitimet e udhëhequra nga Edi Rama – në krye të ish-Partisë së Punës – nuk ka se kush t’i kundërshtojë.
Përurimi i bustit të Mehdi Frashërit u shoqërua nga një ekspozitë e organizuar në detaje nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Kjo e fundit, sipas VKM-së nr.360, datë 26.04.2017, është një institucion në varësi direkte të kryeministrit, Edi Ramës. Me siguri edhe ekspozita ka qenë nën kujdesin personal të tij.
Në anën tjetër, përmendorja është vendosur me dakordësinë e plotë të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në një qytet ku policia bashkiake nuk lë plakë pa përndjekur për t’i sekuestruar dy tufa me qepë, nuk ka se si të mbijnë përmendore nga hiçi. Megjithëse Veliaj nuk lodhet duke iu treguar pensionistëve përralla me Luftën, në përditshmëri nuk lë rast pa glorifikuar kolaboracionistët. Pak metra më tej i hoqën emrin Qemal Stafës (nga stadiumi), pak metra më këtej i ngritën përmendore Mehdi Frashërit.
Thënë të gjitha këto, rehabilitimi i Mehdi Frashërit nuk është as çudi e as rastësi, ama është turp që nuk mund të kapërdihet e të lihet pa reaguar. Nga rehabilitimi i kolaboracionistëve, atyre që kanë bashkëpunuar në mënyra apo periudha të ndryshme, është kaluar në tjetër stad, atë të rehabilitimit të figurave që janë unifikuar plotësisht me pushtuesin.
Është shkelje mbi gjakun e mijëra të rejave e të rinjve, grave e burrave, që u ngritën kundër nazi-fashizmit dhe dhanë jetën për liri. Është breshëria e radhës mbi fëmijë e të moshuar të masakruar nga ushtria naziste, ndërkohë që Mehdi Frashëri i dërgonte letra Fyhrerit. Është edhe palaçollëku i radhës faqe botës, e cila na ka njohur e nderuar për rreshtimin krah vendeve antifashiste në Luftën e Dytë Botërore, ndërkohë që ne ç’nuk shpluhurosim nga koshi i historisë.
Tirana dhe Shqipëria kanë shumë për të ndryshuar, rregulluar e pastruar. Nga historia te trotuarët e pushtetarët. Duhet nisur pikërisht nga këta të fundit, ku Edi Rama me Erion Veliajn janë personifikimet më të shëmtuara dhe më të dëmshme.
Deri atëherë nuk duhet reshtur së ngrituri zërin dhe së kundërshtuari, qoftë ndaj pushtetarëve, qoftë ndaj atyre që Migjeni i quante “idhuj pa krena”, por që në këtë vend vazhdojnë të ngrihen si krena pa qenë kurrsesi idhuj.
Imazhi/Getty Images
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.