Tranzicioni është një udhëtim pa fund

Shqipëria e rrëfyer nga Organizata Politike

Intervistë e aktivistit Redi Muçi për revistën italiane Meridiano 13

Marco Siragusa: Kanë kaluar 30 vjet nga rënia e një regjimi mbytës që i kishte rezistuar edhe vdekjes së udhëheqësit të tij, Enver Hoxhës. Një regjim i cili e kishte lënë vendin në kushte ekonomike të mjeruara dhe totalisht të izoluar nga pikëpamja ndërkombëtare. Tranzicioni i fillimviteve ‘90 nuk bindi shumëkënd, të cilët zgjodhën t’ia mbathnin në Itali në kërkim të një perspektive më të mirë nga ajo e një vendi të shtyrë drejt luftës civile.

Tridhjetë vjet më pas, ato trysni duken tanimë të tejkaluara, edhe pse nuk mungojnë përplasjet e ndezura politike e sociale. Shqipëria ngjan sot si destinacioni i duhur për të kaluar pushimet, ku me çmime të ulëta mund të kalosh pak kohë mes detit dhe natyrës. Megjithatë, bukuritë që u serviren turistëve fshehin një realitet shumë më të vështirë, mes krizës ekonomike, konfliktit social e rritjes së çmimeve. Sipas të dhënave të nxjerra nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), në vitin 2020 rreziku i varfërisë apo përjashtimit social llogaritej në rreth 43.4%, me 34.7% të shqiptarëve që jetojnë në kushte mungese të thellë të mirash materiale. Nuk është rastësi që popullsia vazhdon të bjerë në numër që prej 1990, me të rinjtë të cilët sot, ashtu si atëherë, emigrojnë për në Evropë në kërkim të punës dhe mundësive më të mira.

Për këtë e shumëçka tjetër folëm me Organizatën Politike, një organizatë shqiptare që në vitet e fundit është dalluar për mbështetjen e disa përpjekjeve për të drejtat në punë, si ajo me minatorët e Albchrome-it, apo rishtazi për mbledhjen e firmave për njohjen e minimumit jetik në Shqipëri.

***

Në vitet e fundit në Shqipëri, pavarësisht qeverisjes dhjetëvjeçare të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, nuk kanë munguar protestat: që nga ato për çmimin e lartë të jetesës e deri te dhuna policore, duke kaluar nga protestat e organizuara nga Partia Demokratike në opozitë. Cila është situata aktuale në vend?

Në vitin 2021 Partia Socialiste e Edi Ramës fitoi mandatin e tretë radhazi të qeverisjes, kryesisht për shkak të dobësive të partive opozitare. Për shumë shqiptarë kjo u perceptua si procesi i instalimit të një lloji të ri regjimi – duke rikthyer ndër mend fantazmat e së shkuarës të pushtetit njëpartiak – të përcaktuar nga rritja e borxhit publik, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe privatizimin e institucioneve publike, famëkëqijat PPP (partneriteti publik-privat) që kanalizojnë të ardhurat e buxhetit në duart e investitorëve të panjohur nga parajsa fiskale përmes projekteve zhvillimore qindramilionë eurosh, sikurse kthimin e vendit në një nyje ndërlidhëse për trafikun e drogës drejt Evropës (në 2016 për kanabisin dhe në vitet e fundit për kokainën dhe heroinën).

Nëse i shton këtij konteksti tërmetin e vitit 2019 që la qindra familje pa shtëpi, efektet e Covid-19 dhe luftës në Ukrainë, ashtu sikurse brutalitetin policor të rastit, atëherë protestat e fundit mund të konsiderohen si të pamjaftueshme.

Cila ka qenë domethënia e protestave dhe çfarë është arritur prej tyre?

Protestat kanë qenë një mënyrë për shprehjen e pakënaqësive. Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia në mesin e pandemisë nxiti reagimin spontan të të rinjve të periferive të Tiranës. Ky është edhe kontingjenti i atyre që janë më të pritur drejt emigrimit apo përfshirjes në botën e krimit.

Një protestë më e afërt ishte ajo kundër rritjes së çmimit të naftës që pati një efekt zinxhir në rritjen e çmimit të të mirave bazike, ku Shqipëria ishte i pari vend në Evropë që protestoi për këtë çështje. Partitë e hapërdara të opozitës kanë organizuar gjithashtu protesta, por duke përçuar një mesazh dhe duke shfaqur një nomenklaturë partiake po aq të plakur e të diskredituar sa edhe lideri i tyre, Sali Berisha. Në terma konkretë, protestat kanë arritur pak më shumë se asgjë, por i kanë dhënë ndërgjegjes shoqërore të kuptojë pakënaqësinë e gjerë popullore – jo vetëm ndaj Edi Ramës – por ndaj krejt establishmentit politik.

Mjedisi politik shqiptar në tridhjetë vjetët e fundit është hegjemonizuar prej Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Si i përshtaten përpjekjet e një lëvizjeje të pavarur e të majtë si e juaja një konteksti politik të mbyllur si ky?

Nuk ka qenë aspak e lehtë. Në njëfarë mënyre, prej më shumë se një dekade ne jemi përpjekur të prezantojmë një tjetër mënyrë të angazhimit social e politik në një vend të cilit i mungon një qasje e tillë në memorien kolektive. Jo pak herë jemi keqkuptuar si utopikë naivë ose si ndjekës të Enver Hoxhës që s’kanë kuptuar asgjë. Prapëseprapë, populli është i mllefosur dhe kërkon përgjigje që shkojnë përtej atyre që japin partitë e vjetra politike. Pas 30 vjetësh në të ashtuquajturin sistem demokratik, “tranzicioni” që premtoi ta nxirrte shoqërinë shqiptare nga makthi i ekonomisë së planifikuar drejt begatisë së marrëdhënieve kapitaliste, duket si një udhëtim të cilit nuk po i vjen fundi. Prandaj njerëzit janë më të prirë të dëgjojnë atë që kemi për të thënë, për të kuptuar kauzat në të cilat jemi të përfshirë, e më pak të prirë për të na etiketuar.

Një nga kauzat kryesore të organizatës suaj është përpjekja sindikale. Cila është marrëdhënia juaj me sindikatat “zyrtare”?

Sindikatat “zyrtare” në Shqipëri u kanë shërbyer dy qëllimeve: duke qenë secila prej tyre përkatësisht e pozicionuar me njërën prej partive kryesore, ato kanë siguruar vota nga anëtarësia e tyre; qëllimi tjetër ka qenë t’u shërbejnë interesave të punëdhënësve në kurriz të punëtorëve në të gjithë sektorët kyç të industrisë ku ato janë të pranishme. Për më tepër, ato luajtën një rol aktiv në tentativën për të diskredituar – e madje për të kërcënuar punëtorët që të largohen – nga sindikatat e reja që ne si organizatë ndihmuam që të ngriheshin në sektorët e minierave dhe të rafinimit të naftës. Prandaj, për atë kohë të shkurtër kur këto sindikata të reja ishin aktive, ato shërbenin edhe për të përcaktuar vijën ndarëse mes punëtorëve aktivë të përfshirë në përpjekjen sindikale dhe atyre që zgjidhnin kompromisin e sindikatave të vjetra.

Shqipëria është një ndër vendet me pagën më të ulët mesatare në Evropë. Organizata juaj ka ndërmarrë një fushatë për njohjen e minimumit jetik. Me çfarë ka të bëjë dhe cilat janë kushtet e punëtorëve në Shqipëri?

Do të përpiqem t’ju jap disa shifra me qëllim që të krijoni një ide: Shqipëria është vendi i tretë më i varfër në Evropë pas Moldavisë dhe Kosovës (së fundmi edhe Ukrainës), ku një e treta e popullit jeton nën kufirin e varfërisë me më pak se 5.5 dollarë/ditë. Me nisjen e luftës në Ukrainë, inflacioni në vend u rrit me 8.3%, teksa çmimi i produkteve bazike si buka, vezët, vaji dhe qumështi u rrit deri në 24%. Projektligji për të cilin kemi nisur fushatën ka për qëllim përcaktimin e minimumit jetik prej 20.000 lekësh (të reja), ngjashëm me atë që në Itali e quani reddito di cittadinanza. Nëse ai do të miratohej, do të ndikonte edhe në vlerën e pagës minimale, pensioneve etj.

Punëtorët në Shqipëri punojnë në kushte pasigurie; ata mund të pushohen nga puna pa paralajmërim, pagat mund të vonohen pafundësisht, detyrohen të punojnë në fundjava dhe jashtë orarit pa kompensimin e duhur, shpesh paguhen më pak sesa paga minimale etj. Me termin “punëtorë” nënkuptoj gjithashtu edhe punën intelektuale të klasës së mesme. Dallimi kryesor mes tyre dhe klasës punëtore është se kjo e fundit rrezikon jetën përditë në vendin e punës, si në ndërtim, miniera, fabrika etj. Kjo është arsyeja pse puna jonë me sindikatat ka për të qenë një rrugë e gjatë.

Vendi juaj ka një ndër mesataret më të larta të emigrantëve në botë. Sot rreth një milion e gjysmë shqiptarë, kryesisht në mosha të reja, jetojnë jashtë vendit. Përse? Cilat janë perspektivat e të rinjve që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri?

Arsyeja pse të rinjtë po e braktisin Shqipërinë lidhet jo vetëm me kushtet e punës dhe pagat e ulëta që përmenda më sipër, por edhe me një mungesë shprese për një të ardhme më të mirë. Në një vend ku ekonomia mbështet mbi tre shtylla kryesore – rritja e borxhit publik, remitancat nga jashtë vendit dhe investimet e parave të drogës – nuk ka shumë mundësi punësimi për brezin e ri. Kostoja e arsimimit në Shqipëri është po aq e lartë sa edhe në disa prej vendeve të BE, pa ndonjë perspektivë të qartë punësimi. Nga ana tjetër, baronët e mëdhenj të drogës që pastrojnë paratë e pista në infrastrukturën e Shqipërisë (kohët e fundit Edi Rama është përplasur me zyrtarët e BE mbi një ligj që synon amnistinë fiskale për paratë e drogës) tërheqin njëkohësisht edhe të rinjtë e periferive drejt Britanisë, Holandës, Gjermanisë etj., ku ushqehen me premtimin e parave të shpejta pa shumë mund. Për ata që zgjedhin të rrinë në Shqipëri, shpresa gjendet përmes përpjekjes; përveç manifestimit të 2020 si pasojë e vrasjes së 25-vjeçarit, një protestë masive studentore e dhjetorit 2018 shkundi themelit e pushtetit.

Duke e kthyer vështrimin nga e kaluara, çfarë do të ruaje nga e shkuara komuniste dhe çfarë s’do të doje të rikthehej më kurrë?

Brezi im erdhi pas vdekjes së diktatorit, në kapërcyellin e ndryshimeve shoqërore, prandaj nuk mund të flas nga eksperienca. Megjithatë, çka do të ruaja nga ajo kohë është një shoqëri më barazimtare, një ndjenjë komunitare, sigurinë në vendin e punës, shërbimet sociale, shëndetësi dhe arsim publik falas, si dhe një ndjenjë më të përgjithshme të të punuarit për një të ardhme më të mirë (po flas sidomos për periudhën e pasluftës). Çka nuk do të doja të rikthehej kurrë është sundimi i një partie të vetme në një regjim stalinist që e mban veten në pushtet përmes persekutimeve dhe valëve të terrorit.

Duke parë të tashmen dhe të ardhmen, këtë vit vendi juaj mori dritën e gjelbër për nisjen e negociatave për hyrjen në Bashkimin Evropian. Çfarë mendimi ke për BE?

Unë mendoj se BE është një makineri e ndryshkur që është ngurtësuar mbi parime neoliberale. Në kohën e begatisë së përgjithshme, ajo ushqeu “ëndrrën evropiane” të shqiptarëve për shumë dekada pas rënies së regjimit. Por me ngjarjet e vitit 2015 në Greqi, Brexit-in, përgjigjen ndaj Covid-19 në Itali, pushtetin teknokrat dhe mungesën totale të demokracisë në vendimmarrje, si dhe me prapakthimet e shpeshta gjeopolitike në marrëdhënie me Shqipërinë dhe Kosovën, unë mendoj se shumë shqiptarë nuk kanë më iluzione se do të jemi ndonjëherë pjesë e BE, apo qoftë edhe lidhur me perspektivën e ekzistencën së një bashkimi në të ardhmen.

Imazhi: Jacobin.de

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.